LAJMI I FUNDIT:

FED, nuk ka stimulime financiare

FED, nuk ka stimulime financiare

Ekspertët në Wall Street parashikojnë se Rezerva Federale do ti japë fund programit të stimujve monetarë, pasi ekonomia amerikane është mjaftueshëm e fortë për t’ju dalë e vetme.

Banka Qendrore Amerikane e filloi programin e blerjes së aseteve në Shtator të vitit 2008, për të përballuar falimentimin e gjigandit financiar, Lehman Brothers në njërën anë dhe recesionin ekonomik në anën tjetër. Më pas, Rezerva Federale ndërmori tre programe të njëpasnjëshme, të njohur si lehtësim sasior.

Duke parë gjendjen e ekonomisë amerikane, analistët mendojnë se banka qendrore do ta mbyllë përfundimisht këtë program, në takimin dyditor që fillon të martën. Vendimi, që do të publikohet të mërkurën, është i pritshëm nga tregjet dhe për këtë arsye fokusi do të jetë tek detajet që do të jepen për rritjen e normës bazë të interesit, që ka qenë në intervalin 0-0.25 për qind që nga fundi i vitit 2008.


Aktualisht, Rezerva Federale blen 15 miliardë dollarë asete në muaj, nga 85 miliardë dollarë që ishte ky program në dhjetor të vitit të kaluar.

Por ekzistojnë shqetësime se mbyllja e këtij programi mund të shkaktojë “flluska” në tregjet e aksioneve. Që nga Shtatori i vitit 2008, Rezerva Federale ka hedhur rreth 3.5 trilionë dollarë në tregjet financiare, kryesisht duke blerë bonot e Thesarit amerikan dhe bonot e sektorit hipotekor.

Këto tre programe kanë ndihmuar në rritjen e vlerës së aksioneve, të pasurive të patundshme dhe të aseteve të tjera. /Telegrafi/