LAJMI I FUNDIT:

Rreth 200 punëtorë të AKP-së nuk kanë marr pagat e tetorit

Rreth 200 punëtorë të AKP-së nuk kanë marr pagat e tetorit

Rreth 200 punonjës të Agjencisë Kosovare të Privatizimit ende nuk i kanë marrë rrogat e muajit tetor. Kjo po ndodh për shkak të bordit jofunksional, i cili në bazë të ligjit, është i autorizuar të nënshkruajë ndarjen e mjeteve financiare.

Yll Kaloshi, zëdhënës i AKP-së deklaroi se janë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet qeveritare, në mënyrë që të bëhet alokimi i kuartalit të katërt buxhetorë që mundëson kryerjen e pagesave për punëtorët, mallra dhe shërbime.

Por në mungesë të drejtorit të përgjithshëm, AKP ka kërkuar nga Ministria e Financave që të mundësojë ndarjen e mjeteve rezervë, në mënyrë që të mund t”i marrin pagat e tetorit.
E sipas zyrtarëve të Ministrisë së Financave, institucionet e Kosovës kanë bazë ligjore, e cila u mundëson shpërndarjen e pagave për punonjësit e AKP-së.


“Me ligjin mbi buxhetin është përcaktuar se në raste të tilla, Qeveria e Kosovës ka të drejtë që t”i sigurojë mjete për pagesën e pagave. Ne kemi marr kërkesën nga AKP dhe shpejt pritet të merret një vendim nga qeveria”, deklaroi Gëzim Baxhaku, zëdhënës i Ministrisë së Financave.

AKP-ja është në pritje të krijimit të Kuvendit të Kosovës për emërimin e anëtarëve të bordit, pasi në gusht të këtij viti u skadoi mandati dy anëtarëve ndërkombëtarë, duke e lënë bordin tetë-anëtarësh me vetëm tre anëtarë në përbërje dhe me mungesë kuorumi për të mbajtur mbledhje. /Telegrafi/