LAJMI I FUNDIT:

Turqia ka investuar mbi 28 milionë, Shqipëria rreth 16 milionë euro në Kosovë

Turqia ka investuar mbi 28 milionë, Shqipëria rreth 16 milionë euro në Kosovë

Kosova ka më së shumti bashkëpunime me Shqipërinë dhe Turqinë nga të cilat shtete edhe ka më së shumti investime që nga shpallja e pavarësisë e deri në shtator të vitit 2013, u tha në një hulumtim të bërë nga KIPRED.

Sipas hulumtimit “Intensiteti i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe shteteve të rajonit” të cilin e ka prezantuar Gent Gjikolli, miliona euro janë investuar nga Turqia e Shqipëria për dallim prej vendeve tjera që investimet janë shumë të ulëta.

“Marrëdhëniet me Turqinë dhe Shqipërinë janë të shkëlqyera për dallim nga vendet tjera janë marrëdhëniet më të mira dhe kjo ndodh për disa arsye, sepse këto dy shtete e kanë njohur menjëherë shtetin e Kosovës, pastaj ka pas një prezencë të mëhershme diplomatike ku edhe është ngrit menjëherë në nivel ambasadorësh marrëdhënia diplomatike në mes të këtyre dy shteteve. Ka një numër të madh të marrëveshjeve, 21 sosh me Turqinë dhe 17 me Shqipërinë. Në anën tjetër, kemi edhe investime të larta të këtyre shteteve, rreth 16 milionë euro kemi nga Shqipëria, ndërsa nga Turqia i kemi 28.6 milionë euro”, ka thënë ai.

Sipas Gjikollit në intensitetin e marrëdhënies në mes të Kosovës e Shqipërisë rol më të madh ka luajtur aktiviteti politik apo vizitat në mes të politikanëve, ndërsa, me Turqinë më së shumti qon peshë aspekti ekonomik apo investimet që i ka bërë ky shtet në Kosovë.

Kurse, nga 11 shtete rajonale sa i ka Kosova gjithsej më së paku bashkëpunime ka pas me Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi. “Ndërsa me shtetet mosnjohëse siç mund ta shohim edhe nga harta, kemi cilësi të dobët e të gjitha këtoshtete dhe faktori kryesor është mosnjohja e këtyre shteteve të pavarësisë së Kosovës. E gjithashtu në krye të saj i patundshmi është Serbia, e cila vazhdimisht e sfidon legjitimitetin ndërkombëtar të Kosovës. Megjithatë, ne duhet të cekim që nga 8 marsi i vitit 2011 deri në shtator të vitit 2013 ka pasur 16 takime në mes të kryeministrave të Serbisë dhe Kosovës, por që është e rëndësishme këto takime nuk kanë qenë bilaterale por multilaterale, pra me ndërmjetësimin e BE-së”, ka deklaruar ai.

Përfaqësuesit e shtetit të Kosovës gjatë kësaj periudhe, 30 për qind të takimeve të përgjithshme i kanë pas me ata të Shqipërisë.

Po ashtu, sa i përket lotimit, një gjë të tillë më së shumti e kanë bërë Turqia dhe Shqipëria, kurse Serbia në këtë aspekt u tha se ka qenë sfiduesi më i madh i pavarësisë së Kosovës. /Telegrafi/