LAJMI I FUNDIT:

Qeveria pati të hyra 772 milionë, shpenzoi 686 milionë euro

Qeveria pati të hyra 772 milionë, shpenzoi 686 milionë euro

Ministri i Financave Avdullah Hoti duke u bazuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, sot në mbledhjen e Qeverisë prezantoi Raportin e Buxhetit për gjashtëmujorin e parë të vitit 2015, i cili u miratua nga Qeveria.

Në Raportin e Buxhetit për gjashtëmujorin e parë të vitit 2015 rezulton se ka pasur realizim të të hyrave prej 772 milionë euro dhe pagesa prej 686 milionë euro, që ka quar në rritjen e parasë së gatshme për 36 milionë euro. Kjo e ka rritur edhe bilancin bankar të Qeverisë për 24 për qind, nga 163 milionë euro sa ishte më 1 janar 2015, në 202 milionë euro më 30 qershor 2015, duke rritur kështu qëndrueshmërinë financiare të Kosovës.
Ndërsa, pagesat për financim, përfshirë pagesat e kryegjësë së borxhit shtetëror, ishin në vlerën prej 19 milionë euro ose 6 për qind më të ulëta se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2014.

Sipas Raportit të hyrat e brendshme, të hyrat e jashtme dhe të hyrat e njëhershme kanë arritur vlerën prej 76 milionë euro, që është për 16 për qind më pak krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014, për shkak të kalendarit të emetimit të letrave me vlerë dhe planit të disbursimeve të kredive ndërkombëtare.


Gjithashtu në këtë Raport prezantohet edhe krahasimi i të dhënave aktuale për gjashtëmujorin e parë të këtij viti me parashikimin e realizimit të buxhetit për 2015 ku vërehet se të hyrat edhe shpenzimet e realizuara janë nën vlerat e parashikuara. Arkëtimi gjithsejtë i të hyrave buxhetore është 5.5 për qind më i ulët se parashikimet. Ndërsa ekzekutimi i shpenzimeve buxhetore është 9 për qind më i ulët se parashikimet.

Raporti gjashtëmujor i buxhetit u miratua nga Qeveria e Kosovës dhe njërit u dakorduan që ministri i Financave të raportoj në qeveri çdo muaj për të dhënat kryesore të ekzekutimit të buxhetit, në mënyrë që ky raportim të shërbejë për menaxhim më të mirë të ekzekutimit të buxhetit nga të gjitha organizatat buxhetore dhe për mbikëqyrje më efikase nga ana e Qeverisë. /Telegrafi/