LAJMI I FUNDIT:

Fushë Kosova s’i publikon raportet financiare

Fushë Kosova s’i publikon raportet financiare

Komunarët e Fushë-Kosovës kanë vendosur të mos i bëjnë publike shpenzimet e tyre. Ata pos që nuk e kishin publikuar raportin financiar për tre muajt e parë të këtij viti, këtë nuk e kanë bërë as në fund të qershorit – për gjashtëmujor. “Arsyetimi” i zyrtarëve komunalë se raporti financiar tremujor nuk është publikuar “për shkaqe teknike” ka dalë të jetë i pasaktë.

E zyrtarët opozitarë po e shohin këtë si ngufatje të demokracisë në Fushë-Kosovë.

Shefi i Grupit të këshilltarëve të LVV-së, Ylber Islami, ka thënë se po vazhdon të thellohet në mënyrë dramatike shkelja flagrante e ligjshmërisë dhe funksionimit elementar të institucioneve të Komunës së Fushë-Kosovës.


“Jemi afër fundit të nëntëmujorit të këtij viti, ndërkaq akoma s’i kemi marrë raportet financiare të tremujorit dhe gjashtëmujorit të cilat parashihen me ligj. Të gjitha institucionet e Komunës janë improvizime të gërditshme. Ndërsa institucionet qendrore bëjnë sehir. Edhe po të përmbyset qyteti i Fushë-Kosovës, niveli qendror nuk reagon kurrë. Gjykata Speciale ka ardhur për këto arsye”, është shprehur Ylber Islami, raporton Koha.net.

Shefi i Grupit të këshilltarëve të LVV-së ka theksuar se disa herë e kishin kërkuar raportin financiar tremujor dhe atë gjashtëmujor, por ekzekutivi i Fushë-Kosovës nuk ua ka dhënë asnjë përgjigje. /Telegrafi/