LAJMI I FUNDIT:

Komuna e Prishtinës debat për buxhetin pa qytetarët

Komuna e Prishtinës debat për buxhetin pa qytetarët

Edhe pse Komuna e Prishtinës kishte organizuar sot takimin publik për shqyrtimin e propozim buxhetit të Komunës për vitin 2016, ky takim u bë pothuajse vetëm me anëtarët e Kuvendit të Komunës. Kjo pasi që, në këtë mbledhje nuk kishte ardhur pothuajse asnjë qytetarë.

Të gjithë anëtarët, e sidomos kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, shprehen shqetësimin për pjesëmarrjen në numër kaq te vogël të qytetarëve, duke thënë se këto organizime bëhen me ta dhe për të ditur mendimet e tyre se ku duhet të ndahet ky buxhet.

Ahmeti tha se kjo nuk është hera e parë që në këto mbledhje numri i qytetarëve është kaq i vogël, dhe një gjë e tillë, sipas tij, po paraqet problem pas miratimit të buxhetit.


“Edhe sivjet edhe vitin e kaluar në krahasim me tubimet e tjera publike kur shkojmë nëpër lagje marrin pjesë nga 200 veta, në diskutimin për buxhetin zakonisht pjesëmarrja është shumë e ulët dhe për këtë unë domethënë e kam një breng më shumë se nuk kyçen qytetarët në diskutime për buxhetin, e më pas pastaj kur vjen çështja e implementimit shtrohen pyetje pse nuk ka buxhet për këtë apo atë çështje. Qëllimi i diskutimeve publike është të marrim brengat e qytetarëve dhe thjesht edhe ekzekutivi mundet ndonjëherë të harrojë ndonjë projekt apo të mos jetë i vetëdijshëm që është prioritet në ndonjë lagje, prandaj kërkojmë që qytetarët me pjesëmarrje të ngritin çështje të rëndësishme për buxhetin”, tha Ahmeti.

Megjithatë, ai bëri të ditur se në buxhetin e vitit të ardhshëm janë futur të gjitha ato prioritete që së pari kanë dalë nga obligimet e viteve të kaluara, mirëpo ai shtoi se prapë ka hapësirë që të diskutohet për projektet e infrastrukturës, pasi që ky nuk është buxhet i përfunduar, por është ende duke u bërë vetëm draftimi i tij. Prandaj, mund të bëhen ende ndryshime.

Disa nga projektet e viteve të kaluara që tashmë janë përfshirë në buxhetin e vitit të ardhshëm, sipas Ahmetit janë: Pagesa e ujësjellësit për ndërtimin e fabrikës së ujit “Shkabaj”, i cili duhet të përfundojë në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, përfundimi i pjesës së dytë të ngrohjes me koogjenerim, dhënia e 2 milionë euro financim nga komuna e Prishtinës për blerjen e autobusëve të rinj, si dhe procesi i rregullimit të kanalizimit dhe rregullimit të lumit Mat e Prishtina.

Sa i përket çështjes se pjesëmarrjes së qytetarëve në këtë diskutim, Naime Osmani, nga radhët e LDK-së, tha se mungesa e qytetarëve është rezultat i mosinformimit të duhur.

“Do të ishte mirë për t’i informuar kryetarin e bashkësisë lokale, qoftë edhe ndonjë përfaqësues të këshillave të fshatrave, të lagjeve, se jo të gjithë qytetarët e përcjellin emisionin 038, nuk e kanë këtë mundësi, nga puna, apo edhe tjera angazhime. Andaj unë për këtë kisha diskutuar, por për ne asamblistët do të ishte mirë të kishte pjesëmarrës qytetarë dhe t’i dëgjojmë drejtpërdrejt kërkesat e tyre”, tha Osmani.

Për këtë çështje kryetari Ahmeti tha se anëtarët e kuvendit komunal, të cilët kanë kontakt më shumë me qytetarët prej vendeve nga vijnë, është mirë që t’i përcjellin ato kërkesa në kuvend. “Juve ju kontaktojnë qytetarët që ndoshta ne nuk kemi kontakt. Ndodh që në Besi ju keni kontakt shumë më shumë me qytetarët edhe ka çështje të cilat nuk na i kanë thënë neve, por ju e keni atë detyrë që si të zgjedhur të qytetarëve duhet t’i përcillni ato brenga të qytetarëve tek ekzekutivi për t’i zgjedhur”, theksoi Ahmeti.

Kryetari i Prishtinës bëri të ditur se tanimë veç i kanë dërguar disa projekte në Qeverinë e Republikës së Kosovës për t’i futur disa nga këto projekte në buxhetin e nivelit qendror.

Buxheti i Komunës së Prishtinës për vitin 2016 do të jetë 65,883,762 euro. Ky buxhet do të financohet nga granti i përgjithshëm (20.6 për qind), granti specifik për arsim (26.7 për qind), granti specifik për shëndetësi (7.1 për qind) dhe nga të hyrat vetjake të komunës (45.5 për qind). /Telegrafi/