LAJMI I FUNDIT:

Hoti: Kontribut-dhënësit, të vetmit që do të marrin pensione me rritje

Hoti: Kontribut-dhënësit, të vetmit që do të marrin pensione me rritje

Nga janari i vitit 2016, pensionistët kontribut-dhënës do të marrin pensionet me rritje, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti.

Duke folur për projekt-ligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016, Hoti tha se është bërë një shpërndarje në përputhje me prioritetet që kemi si qeveri dhe e dyta në përputhje me obligimet kontraktuale që kemi.

“Sigurisht se nuk kemi pasur mundësi ta rishpërndajmë nga zero komplet buxhetin, pasi që kemi obligime nga e kaluara. Shumica e investimeve kapitale që janë në vitin 2016, janë vazhdimësi e projekteve kapitale që kanë filluar dy tre vite në fusha të ndryshme. Atë hapësirë të lirë që e kemi pasur në investime kapitale për vitin 2016, jemi munduar ta shpërndajmë në sektorë të ndryshëm, në përputhje me prioritetet që kemi si qeveri. Kemi dy agjenda kryesore që po mundohemi t’i çojmë përpara, që është zhvillimi ekonomik në njërën anë, dhe aspekti social në anën tjetër. Mendoj se ka arsyeshmëri të fortë për t’i çuar përpara këto dy agjenda dhe për t’i harmonizuar bashkë, pasi që papunësia dhe varfëria është mjaftë e lartë”, tha Hoti.


Ai bëri të ditur se 22 për qind e buxhetit shkon për çështje ekonomike që nënkupton investime në infrastrukturë, projekte të ndryshme që kontribuojnë direkt apo indirekt në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Pastaj është aspekti social që janë benfitet për familjet me asistencë sociale, janë pensionet, janë veteranët e luftës, si dhe kategoritë tjera. Është edhe fusha e arsimit dhe shëndetësisë që ne e kemi si prioritet, ku 17 për qind e buxhetit shkon për sektorin e arsimit, dhe 11 për qind për fushën e shëndetësisë. Marrë në tërësi, buxheti është i balancuar karshi shpërndarjes nëpër sektorë edhe i adreson prioritet që ne i kemi si qeveri, duke mos lënë anash asnjë obligim që kemi si shtet”, u shprehj ministri i Financave.

Hoti bëri të ditur se Ligji për skemat pensionale i financuar nga shteti është miratuar vitin e kaluar dhe është dashur të implementohet nga një janari, por për këtë nuk ka pasur buxhet të planifikuar.

Ai tha se buxheti i vitit 2015, që është përgatitur nga qeveria paraprake e që ne e kemi proceduar në Kuvend, nuk ka pasur buxhet të planifikuar për këtë ligj dhe 40 mijë pensionistë kontribut-dhënës janë paguar të gjithë njësoj, nga 140 euro.

“Buxheti për këtë [çështje], në këtë vit na ka kushtuar 68 milionë euro, për vitin e ardhshëm kemi planifikuar që të ndajmë edhe 23 milionë euro shtesë për këtë kategori, pra ta rrisim buxhetin në 91 milionë euro, me të cilin mundësohet që të implementohet plotësisht ligji për këto skema pensionale, që nënkupton kategorizimin e pensionistëve kontributdhënës. Dyzet mijë pensionistë do të kategorizohen sipas përvojës së punës, nivelit arsimor dhe karakteristikat tjera dhe me këtë implementohet skema e re pensionale për pensionet familjare dhe invalidore. Pra, me këto 23 milionë euro shtesë do të jetë e mundur të implementohen këto dy skema dhe të bëhet kategorizimi i pensionistëve kontribudhënës”, u shpreh ministri Hoti.

Ai tha se Ministria e Punës është duke punuar intensivisht në përgatitjen e udhëzimeve administrative, në përcaktimin e kritereve se kush mund të përfitojë pensionin familjar ose invalidor dhe në bazë të të cilave kritereve bëhet kategorizmi i këtyre pensionistëve kontribut-dhënës.

“Pasi ta dimë numrin e tyre, kemi një buxhet shtesë prej 23 milionë eurosh, e shpërndajmë atë dhe do të shohim se sa do të rriten pensionet, krahasuar me atë që kanë aktualisht. Derisa nuk bëhet kategorizimi, nuk mund të dimë saktë se sa do të jetë pensioni kontribut-dhënës”, u shpreh ministri.