LAJMI I FUNDIT:

Britanikët u rikthehen me të madhe borxheve

Britanikët u rikthehen me të madhe borxheve

Një mal gjigant me borxhe rrezikon të bllokojë rimëkëmbjen ekonomike të Britanisë së Madhe.

Alarmin e jep një ent i pavarur, i cili bën vlerësime dhe projeksione mbi bilancet e thesarit. Me largimin e frikës së krizës financiare globale, dhe rimëkëmbjen ekonomike, mes britanikëve është rikthyer euforia dhe dëshira për të shpenzuar. Anglezët sipas Telegrafit i janë rikthyer kështu zakonit të vjetër të të blerit me hua. Sipas OBR, entit që ka përpiluar raportin, këtë vit anglezët do të shpenzojnë 40 miliardë sterlina më shumë sesa fitojnë, ose 1500 sterlina për çdo familje britanike.

Niveli i borxhit i familjeve është i paqëndrueshëm dhe e bën rimëkëmbjen edhe më të brishtë paralajmëron enti. Sipas saj, rreziku është i njëjtë me atë të vitit 2008. Britanikët e kanë harruar shumë shpejt leksionin e krizës financiare, nënvizon raporti, transmeton Scan Tv.


Ndërkohë që 5 vite më parë ata u shtrënguan në shpenzime duke kursyer, sot kanë filluar të hyjnë frikshëm në borxhe.

Por, rreziku më i madh qëndron tjetërkund. Me rritjen e parashikuar të normave të interesit vitin e ardhshëm, qindra mijëra familje britanike do të gjenden në vështirësi financiare për të shlyer borxhet. Sipas OBR, këto janë shifra alarmi dhe George Osborne duhet të ndërhyjë për të riekulibruar ekonominë e varur nga konsumet dhe borxhi. /Telegrafi/