LAJMI I FUNDIT:

Automobilistët nga Kosova sprovojnë cilësitë në Buzet të Kroacisë

Automobilistët nga Kosova sprovojnë cilësitë në Buzet të Kroacisë

Aventurat e automobilistëve kosovarë në shtigjet ndërkombëtare do të vazhdojnë në shtator të këtij viti. Pas pjesëmarrjes në Zagreb e Llovçen, garuesit tanë më 20 shtator do të kenë rastin të sprovojnë cilësitë e tyre në Buzet të Kroacisë, ku do të zhvillohet Kampionati Evropian.

Federata e Auto Sportit e Kosovës e ka marrë një ftesë nga Federata përkatëse e Kroacisë dhe me kohë i ka filluar përgatitjet në mënyrë që paraqitja e garuesve tanë në Buzet të jetë sa më e mirë.

Kryetari i FASK-së, Ismet Rexhepi, thekson se shkuarja në Kroaci duhet të ketë efekt pozitiv madje të shumëfishtë.


“Ftesa për të shkuar në Buzet është edhe një argument se FASK-ja po bashkëpunon shumë mirë me Federatën e Auto Sportit e Kroacisë, por edhe FIA-n. Mendoj se me pjesëmarrjen në Buzet garuesit tanë do të fitojnë një përvojë të re, por shumë të rëndësishme, duke marrë parasysh se që nga viti i ardhshëm edhe ata do të jenë të barabartë me garuesit e vendeve tjera në garat që organizohen nga FIA. Po ashtu edhe stafi teknik mund të përfitojë nga kjo pjesëmarrje, ndërsa zyrtarët e FASK-së do të kenë takime me autoritete të rëndësishme të FIA-s”, ka thënë Rexhepi.

Bordi i FASK-së ka mbajtur një mbledhje në të cilën përveç tjerash është diskutuar edhe për garuesit që duhet të shkojnë në Buzet, me ç’rast është vendosur që kësaj radhe të udhëtojnë: Bardhyl Canolli, Përparim Dushi, Valdet Krasniqi, Arbër Rexhepi, Bekim Kovaçi, Besart Pruthi, Arbnor Musliu dhe Gentian Kulla. /Telegrafi/