LAJMI I FUNDIT:

Femra & meshkuj: 10 dallimet mes tyre

Femra & meshkuj: 10 dallimet mes tyre

Aftësia për të komunikuar është shumë e rëndësishme për të pasur një marrëdhënie apo martesë të mirë. Ata të cilët kanë aftësi të mira komunikuese, kanë edhe marrëdhënie më të mira me partnerët, martesë më të bukur, i rrisin fëmijët në mënyrë funksionale, janë më të suksesshëm në karrierë. Meshkujt tentojnë drejt fakteve – femrat drejt ndjenjave dhe emocioneve gjatë komunikimit. Por, të njohësh ndryshimet dhe të kuptosh dallimet mes dy sekseve, të bën më të qartë në komunikim dhe më të suksesshëm.

Fleura Shkëmbi
Psikologe, Hipnoterapiste Klinike

1. Shkencëtarët mendojnë se diferencat ndërmjet sekseve vijnë si pasojë e roleve të tyre gjatë evolucionit.
Meshkujt duhet të shkonin për gjueti dhe të dallonin gjahun, prandaj dhe kanë më të zhvilluar aftësitë e zbulimit, ndërsa femrat kontrollonin për ushqim nëpër pemë afër tyre. Pra, meshkujt janë të aftë të shikojnë në largësi më të mëdha dhe të përdorin strategji në orientim, ndërsa femrat dallojnë detajet dhe objektet nga afër dhe nuk lexojnë dot hartat.

2. Meshkujt dhe femrat mendojnë në mënyra të ndryshme. Meshkujt e ruajnë informacionin të ndarë në bazë të përmbajtjes, si psh: puna më vete, hobit, gruaja, seksi e kështu me radhë. Femrat bëjnë krejt të kundërtën; e shohin gjithçka në mënyrë më të përgjithshme. Sa herë ju ka ndodhur që ta porositni një mashkull të blejë diçka rrugës gjatë kthimit dhe ai të vijë duarbosh, sepse e ka pasur mendjen te puna? Një femër gjatë punës mendon edhe për fëmijën, edhe për gati min, edhe për detyrat e përcaktuara nga shefi.


3. Meshkujt dhe femrat flasin në mënyra të ndryshme. Meshkujt flasin me shprehje të shkurtra, ndërsa femrat me paragrafë, duke dhënë shumë detaje.
Meshkujt kanë nevojë dhe duan fundin e ngjarjes – femrat duan dhe kanë nevojë për detaje, detaje pa fund. Kjo nuk do të thotë se ata nuk duan detaje, por pasi të kenë mësuar fillimisht fundin – femrat kënaqen duke e mbajtur historinë pezull, sepse kënaqësia është te të treguarit e historisë, ndërsa meshkujt e përjetojnë këtë kënaqësi si acarim.
Meshkujt flasin 12.500 fjalë në ditë, kurse femrat 25.500. Për këtë arsye, kur femrat pyesin meshkujt: "Si të shkoi dita sot?", ata përgjigjen: "Mirë". Këtu fillon debati: "Ai nuk flet me mua, m’i mban të fshehta gjërat e veta…

4. Kontakti me sy mes meshkujve dhe femrave është i ndryshëm. Femrat e mbajnë kontaktin me sy për rreth 12 sekonda gjatë komunikimit, ndërsa meshkujt vetëm 3. Prandaj femra, herën tjetër kur të flisni me meshkujt mos i mbani sytë aq gjatë, që ata të mos ndihen sikur po gjykohen. A nuk jemi vënë të gjithë në situatë të pakëndshme kur na i ka ngulur sytë dikush? Kjo ndodh edhe me meshkujt kur ne i shohim gjatë. Ndërsa meshkujve do t’u rekomandohej që t’i shikonin partneret pak më gjatë dhe sikur t’i preknin gjatë bisedës, do t’i bënin ato të ndiheshin mrekullueshëm dhe të besonin se po i dëgjojnë e po u kushtojnë vëmendje bisedës dhe nuk po i injorojnë.

5. Femrat gjatë bisedës do të përdornin edhe sinjale verbale si: Vërtet? Po tallesh ti?! Uau! E kështu me radhë. Femrat e prekin njëra-tjetrën gjatë bisedës, qëndrojnë më pranë kur ulen ose bisedojnë a veprojnë të gjitha si grup vetëm sepse njëra prej tyre e sugjeron (shkojnë shpesh si grup së bashku në tualetin e restorantit). Ndërsa meshkujt kanë më shumë veprime joverbale, si tundja e kokës për aprovim apo buzëqeshja për të siguruar që po e ndjekin bisedën dhe rrallë mund t’i shikosh që të prekin njëri-tjetrin apo të shkojnë së bashku në tualet, siç bëjnë femrat.

6. Femrat flasin me fjalë të tërthorta për të arritur atë që duan, ndërsa meshkujt nuk e kuptojnë fare këtë gjuhë, sepse ata përqendrohen te përmbajtja e mesazhit sesa te kuptimi i mesazhit të fshehur. Femra i thotë partnerit: "I dashur, nuk do ishte bukur që të dilnim sot që është koha kaq e mirë dhe fëmijët do të kënaqeshin shumë?", ndërkohë që mjafton të thotë thjesht: "Duhet të dalim" dhe mashkulli që përgjigjet" Jo".
Femrat duhet të jenë të drejtpërdrejta në të shprehurin e asaj që duan, sepse meshkujt nuk e kuptojnë mesazhin e fshehur.

7. Meshkujt janë të orientuar drejt anës fizike, ndërsa femrat të orientuara drejt lidhjes. Meshkujt stimulohen nga imazhe (prandaj dhe provokohen më lehtë kur shikojnë një femër tërheqëse) – femrat stimulohen nga ndjenjat, aromat, prekja dhe fjalët. Meshkujt mund të nisin të bëjnë seks në çdo moment dhe në çdo vend – femrat e marrin iniciativën më rrallë. Meshkujt reagojnë shpejt ndaj seksit dhe e kanë të vështirë t’u shkëputet vëmendja gjatë aktit seksual – femrat reagojnë më ngadalë fizikisht dhe u shkëputet vëmendja shumë lehtë. Prandaj meshkuj: duhet të keni parasysh që femrat reagojnë ashtu si ndjejnë – mbushini emocionet e tyre dhe seksi do jetë i fuqishëm, ndërsa femrat duhet t’i kushtojnë më shumë rendësi dukjes, që të jenë atraktive dhe ta inkurajojnë partnerin për të pasur një jetë seksuale të këndshme, dhe si rrjedhojë edhe një martesë më të suksesshme.

8. Meshkujt janë të shqetësuar që të sigurojnë anën financiare të familjes; femrat janë të shqetësuara që të sigurojnë e balancojnë anën emocionale dhe qetësinë në familje. Janë nënat ato që sheshojnë konfliktet në familje. Meshkujt presin nga gratë e tyre që të krijojnë një ambient të këndshëm dhe harmoni në familje edhe kur ato kontribuojnë financiarisht, por femrat duhet ta kuptojnë se ata preokupohen për financat edhe nëse ndihmojnë në ndonjë punë shtëpie.

9. Meshkujt kanë nevojë të kuptojnë se femrat i respektojnë dhe admirojnë përpjekjet dhe arritjet e tyre; të jenë të interesuara në punën që ata bëjnë dhe hobet që kanë. Femrat kanë nevojë që meshkujt t’ua shprehin dashurinë me fjalë dhe veprime. Meshkujt duan që partnerja t’u respektojë mendimet dhe aftësitë në publik e privatisht – femrat duan nga partnerët që t’i duan dhe t’u japin vëmendje, t’i ndjekin, t’i përqafojnë dhe mbajnë shtrënguar, t’i ndihmojnë me fëmijët dhe punët e shtëpisë, por mbi të gjitha t’u thonë se janë të bukura (meshkujt impresionohen nga pamja vizuale, femrat nga ato që dëgjojnë, prandaj disa meshkuj janë më të suksesshëm se disa të tjerë – u flasin bukur femrave).

10. Femrat kanë veshkë, mëlçi, stomak dhe apendicit më të madh – meshkujt kanë mushkëri, prandaj dhe kapaciteti i frymëmarrjes së femrave është më i ulët se i meshkujve (meshkujt janë gjahtarët, të cilëve u duhej të vraponin gjatë).
Në përgjithësi meshkujt janë 50% më të fuqishëm se femra (40% e peshës së trupit të mashkullit është muskul, e femrave vetëm 23%).
Zemra e një gruaje rreh më shpejt se e një mashkulli (mesatarja është 80 rrahje në minutë për femrat dhe vetë për meshkujt).
7% e meshkujve janë daltonikë dhe shumë rrallë ndodh te femrat, prandaj kur t’i sugjeroni bashkëshortit të veshë këmishën jeshile, të jeni të sigurta se ka veshur një blu, e cila i duket jeshile. /Telegrafi/