LAJMI I FUNDIT:

Meshkujt do ta zëvendësonin punën me angazhimet rreth fëmijëve

Meshkujt do ta zëvendësonin punën me angazhimet rreth fëmijëve

Kohët moderne nënkuptojnë edhe ndryshime, prandaj sipas një hulumtimi të ri, meshkujt nuk duan më të jenë ata që e sjellin bukën në familje, por duan të kalojnë më shumë kohë pranë familjes.

Studimi i titulluar “The New Dad: Caring, Committed and Conflicted” (“Babai i ri: I kujdesshëm, i përkushtuar dhe konfliktuoz”) është realizuar në Qendrën për shtëpi dhe familje në Boston. Janë anketuar rreth një mijë meshkuj, ndërsa rezultatet kanë treguar se ata shumë lehtë do ta zëvendësonin punën me obligimet familjare dhe në radhë të parë do të kujdeseshin për fëmijët e tyre.

Afër gjysma e të baballarëve të anketuar kanë thënë se do të qëndronin në shtëpi me fëmijët nëse familja do të mund t’i mbulonte shpenzimet jetësore me një rrogë.

Rezultatet e këtij studimi kanë treguar po ashtu se ende nuk është zhdukur në tërësi mënyra e vjetër e qasjes ndaj jetës familjare. Kështu p.sh. meshkujt nuk janë të vetëdijshëm se sa punë nevojitet për t’u kujdesur ndaj fëmijëve, sepse sërish do t’ua linin femrave disa punë, siç është heqja e pelenave ose ndërrimi i teshave.


Megjithatë, përkundër dëshirës për të qëndruar pranë familjes, shumica e meshkujve të anketuar edhe pasi janë bërë me fëmijë kanë vazhduar punën e njëjtë. Ndërkohë, femrat nga ana tjetër jetën e tyre e kanë ndryshuar në tërësi dhe ia kanë përshtatur nevojave të fëmijëve dhe familjes. /Telegrafi/