Për artistin e fotografisë, Fahredin Spahija, luftë e përhershme është zbërthimi i karakterit dhe botës së fshehtë të njerëzve. Përderisa thonë se “fotografia vlen sa njëmijë fjalë” dhe, se me një fotografi mund të ndizet lufta, Spahija mundohet ta shpërfaq të bukurën që pasuron dhe paqëson shpirtin e njeriut.
Gjithçka, fillon nga impulsi shpirtëror që krijon edhe identitetin krijues, ndërsa epiqendra e krijimtarisë së tij është njeriu. Atmosfera që përshkon fotografitë e tij artistike, zbërthen shumëçka edhe nga bota e tij. Sepse, për Spahinë, artisti i fotografisë përmes veprave “shkruan” edhe autobiografinë e tij artistike e jetësore.
Për këtë dhe gjithçka që ka të bëjë me të si artist dhe me veprat e tij, ndiqni intervistën në vazhdim.
A është jeta art? Apo, jeta e shëmton artin?
Jeta është koha e jonë që përshkojmë në Univers dhe ky udhëtim është përplot gjurmë që mbesin si shkak i këtij rrugëtimi. Gjurmët tona i gjejmë në veprat artistike të çdo epoke historike, që dëshmojnë bashkëjetesën e njerëzimit me artin. Prandaj, them se arti është një domosdoshmëri e pashmangshme njerëzore.
Të jesh artist, do të thotë të jesh artist më shumë me vepra apo vetëm me shpirt?
Artisti është simbiozë e të dyjave! Shpirti, ku fle dhuntia e artistit, kërkon vazhdimisht shpërthimin e asaj që “gatuhet” brenda tij dhe si rezultat i këtij procesi lind vepra artistike! Shumësia e punëve, jo me çdo kusht, tregon kreativitetin e një artisti. Koha është elementi kyç i filtrimit i gjithë asaj që ne e quajmë krijimtari artistike.
IMPULSI SHPIRTËROR I ARTISTIT TË FOTOGRAFISË
Fotografia është art. Si mund të shprehet ndenja e artit me një të shkrepur të aparatit?
Pas realizimit të fotografisë së parë nga francezi Nicephore Niepce(1826) dhe shpalljes së saj si zbulim i ri i njerëzimit (1839), përveç ekzaltimit ky medium i ri solli edhe shumë dilema. Por, mund të them edhe dëshpërime. Piktorët dhe vizatuesit e kohës i kishte kapluar trishtimi se atyre nuk do t’u mbetet më punë për t’u bërë pas zbulimit të asaj që quhej fotografi! Piktori i famshëm Van Gogh, në një letër që asokohe i dërgon vëllait të tij, ankohet se së shpejti askush nuk do të ketë nevojë të bënte ndonjë portret tek piktorët, por as edhe peizazhe, ngase kjo gjë tani mund të bëhet më lehtë dhe më saktë me një aparat fotografik!
Dhe, kjo ishte arsyeja që kundër këtij zbulimi të ri u rreshtuan më së shumti piktorët e kohës. Ata ishin kategorikë që fotografinë mos ta përfshinin në grupin e arteve pamore dhe aq më pak ta ekspozonin nëpër ekspozita krahas pikturave, vizatimeve, grafikave dhe skulpturave. Ky refuzim është përshkruar në shumë karikatura të botuara në shtypin e fundshekullit të nëntëmbëdhjetë, në të cilat shpesh mund të shihej se si një pikturë largon me shqelma një fotografi nga ekspozita e artit figurativ.
Për ironi, ekspozita e parë e impresionistëve në Paris, u hap në atelienë e fotografit më të madh të asaj periudhe, portretistit të shkëlqyeshëm Nadar (Gaspard-Félix), në vitin 1874. Ani pse shoqëria e atëhershme parisiene dhe në veçanti shtresa e gjerë intelektuale që dominohej nga shkrimtarë, piktorë e filozofë, tregohej aspak miqësore karshi mediumit të ri, përpjekjet e fotografëve të parë, menjëherë pas zbulimit të fotografisë, ishin drejtuar kah një fotografi më e thellë se sa ajo e interpretimit të imazhit.
Disa prej fotografive më të hershme të Louis Daguerre, në vitin 1838 dhe 1839, dëshmojnë për përpjekjet e tij serioze që fotografitë e tij të pasurohen estetikisht, në veçanti duke përdorë burimin e një drite më intime.
Vitet në vijim do të shënojnë një ekspansion të vërtetë të fotografëve të cilët me artin e tyre fotografik do ta bindin botën, përfundimisht, se fotografia përveç për nevoja gazetareske dhe dokumentare, mund të përdoret edhe për të realizuar imazhe përplot vlera artistike. Nadar, John Edwin Mayall, Julia Margaret Cameron, Alfred Stieglitz dhe Edward Steichen janë disa nga pionierët e fotografisë që atë e ngritën në nivelin më të lartë estetik.
Ajo që e dallon artistin e fotografisë nga një fotograf të zakonshëm është ndjesia që ka ai për kompozicion si element themelor i artit fotografik dhe pasurimi i atij kompozicioni me elementet tjera fotografike, si: thellësia, perspektiva, ngjyra, struktura, drejtpeshimi, etj. Ndjesia që përmenda nuk është asgjë tjetër përveç impulsi shpirtëror që tek artisti i fotografisë përcillet në shpejtësi marramendëse nga syri në tru, duke vazhduar momentin vendimtar tek gishti i cili kryen veprimin mekanik, atë të shkrepjes së aparatit.
SHQIPTARËT, NDËR TË PARËT ME TRADITËN E FOTOGRAFISË
Cila është trashëgimia artistike e fotografisë te shqiptarët?
Shqiptarët janë pjesë e popujve fatlumë sa i takon pjesëmarrjes dhe kontributit në historinë e fotografisë botërore. Ne “u vonuam” vetëm 19 vjet pas shpalljes së zbulimit të fotografisë (1839), kur në Shkodër në vitin 1856 u hap studioja e parë fotografike nga italiani Pjetro Marubi. Kjo studio njëherësh ishte edhe studioja e parë fotografike në Ballkan. Ju rikujtoj se ndonëse kryeqendër e Perandorisë Osmane, Stambolli u bë me studion e tij të parë tek në vitin 1915!
Kur përmendim Studion Marubi, duhet të kemi parasysh tre emra që ishin pionierë të fotografisë shqiptare. Përveç italianit Pjetro Marubi, janë edhe dy shqiptarë – Kel Marubi dhe i biri i tij Gegë Marubi – që krijuan dhe pasuruan me fotografitë e tyre, fototekën e vlefshme dhe shumë të pasur të kësaj studio e cila vazhdoi punën e saj deri në vitin 1984.
Unë, nuk do të lë pa përmend edhe emra të tjerë që pasuruan në formë shumë përmbajtjesore historinë e pasur të fotografisë shqiptare. Kol Indromeno, Shan Pici, Ymer Bali, Mandi Koçi, Jani Ristani, Kristaq Sotiri, Petro Dhimitri, Ali Bakiu, Mihal Popi, Dhimitër Mborja… janë vetëm disa nga emrat e shumtë të cilët, duhet të na bëjnë kryelartë dhe përherë krenarë për një trashëgimi kaq të rëndësishme kulturore e cila na rëndit shumë lartë në listën e popujve që kontribuuan në zhvillimin e hovshëm të këtij mediumi në pjesën e dytë të shekullit XIX dhe në pjesën e parë të shekullit të XX.
Natyrisht, krejt në fund të kësaj përgjigjeje, është e pashmangshme të mos e përmend Gjon Milin, një fotograf që jetoi dhe krijoi veprën e tij fotografike, në Amerikë. I njohur për fotografitë e tij stroboskopike, e veçmas për fotografinë të cilën e realizoi me artistin më të madh të shekullit XX, Picasso, ku ky i fundit është fotografuar duke vizatuar me llambe drite një kentaur.
Gjon Mili, për 16 vjet, si fotograf i lirë, realizoi një varg fotoreportazhesh për revistën më të madhe amerikane, LIFE. Paraqitjet e tij me ekspozita personale si ne New York në muzeun e famshëm MOMA, po ashtu edhe në Paris. Milin, e renditën në radhët e krijuesve më të mëdhenj të fotografisë botërore. Ai, vite me radhë fotografoi portretet e personaliteteve më të njohura të artit botërorë. Pablo Picasso, Alfred Hitchcock, Marlon Brando, Frank Sinatra, Arthur Rubinstein, Sophia Loren, Henri Matisse, EugèneIonesco… janë vetëm disa nga ata që u ‘trajtuan’ nga aparati dhe mjeshtëria e tij.
ARTI I FOTOGRAFISË NË KOSOVË…
Sa ka traditë fotografia në Kosovë?
Asnjëherë nuk më ka pëlqyer që artin dhe kulturën shqiptare ta ndaj në krahina apo regjione. Mendoj se ajo është një dhe e pandashme. Prandaj, Studio Marubi, e hapur në vitin 1856 në Shkodër është pjesë edhe e krenarisë së shqiptarëve të Kosovës, sepse edhe vet Marubi i trajtonte emrat e njohur të historisë së Kosovës si pjesë përbërëse të historisë shqiptare. Prandaj, ai në mes tjerëve kishte fotografuar Bajram Currin, Azem dhe Shotë Galicën, Ibrahim Fehmiun, Rexhep Mitrovicën e patriotë të tjerë të trevave që sot i takojnë shtetit të Kosovës.
Por, meqë ma shtruat pyetjen, unë do t’i referohem kolegut tim Shukri Kaçanikut, i cili në librin e tij “Fotografia në Kosovë” na jep të dhëna për Ahmet Ymer Zherkën nga Gjakova, të cilin ai e cilëson si fotografin e parë nga Kosova. Zherka, gjithnjë sipas Kaçanikut, hapi studion e parë në territorin e Kosovës, në vitin 1900. Pas Zherkës ai rendit edhe këta emra që krijuan traditën fotografike në Kosovë: Zef Matej Mjeda, Osman Hasan Zymi, Sherif dhe Raif Koro, Faik Sadik Sherifi, Nazmi dhe Nesim Spahiu, Rexhep Hysen Rakovica, Ramadan dhe Hafëz Beqiri, Bitër Kajtazi, Riza dhe Bajram Pepa, Neshat Ismail Dizdari, Vehbi Rexhepi, Rafael Kajtazi, Asaf Nurkollari, Nysret Metarapi etj.
Më duhet të them se të gjithë këta emra që Kaçaniku i veçon në librin e tij, nuk kanë arritur që fotografinë ta ngrenë përtej nivelit të zejes dhe se shumë rrallë mund të hasim në ndonjë fotografi të pasuruar estetikisht.
Arti fotografik në Kosovë fillon të zhvillohet në kohën kur nga studimet për kamerë në Akademinë e Zagrebit, kthehen Menduh Nushi dhe Afrim Spahiu, të cilët fotografitë e tyre artistike fillojnë t’i ekspozojnë nëpër ekspozitat e Shoqatës së Artistëve Figurativë dhe Aplikativë të Kosovës në vitet e ’80 të shekullit të kaluar. Atyre, në përpjekje për ta ngritur fotografinë gazetareske në nivelin e asaj artistike, mund t’ju bashkëngjiten edhe Hazir Reka, Ilaz Bylykbashi, Muharrem Mjeku dhe ndonjë tjetër fotograf.
Sot, skena e artit fotografik në Kosovë ka krejtësisht tjetër pamje. Ajo përfaqësohet nga një plejadë e tërë e artistëve të fotografisë të cilët artin fotografik e kanë çuar në nivel me atë të artit fotografik botëror. Kjo plejadë e artistëve fotografikë nga Kosova, bashkë me kolegët e tyre nga Shqipëria dhe Maqedonia, janë trashëgimtarë të denjë të Marubëve dhe të Milit që talentin e tyre të padiskutueshëm e dëshmojnë me paraqitje në shumë ekspozita vendore dhe ndërkombëtare.
ARTISTI FOTOGRAFIK “SHKRUAN” AUTOBIOGRAFINË E TIJ ARTISTIKE
Thuhet se fotografia flet vetë, edhe pse pamja në një fotografi është e ngrirë: ndalet gjithçka në momenti kur shkrepet aparati?
Ka kategori apo zhanër fotografie që vërtetë nuk kërkon shumë mund për ta kuptuar. Të tilla janë fotografitë gazetareske apo dokumentare. Ato kanë karakter informativ dhe shkrepen pikërisht për ta informuar opinionin.
Por, pak më ndryshe qëndron puna me artin fotografik në të cilin artisti “jep” gjithë shpirtin e tij. Interpretimi dhe “leximi” i një fotografie artistike kërkon një përpjekje të veçantë dhe natyrisht edhe njohuri të bollshme lidhur me kompozicionin dhe elementet kompozicionale.
Ashtu siç ekziston kritika për artet e veçanta figurative, siç është piktura, grafika, skulptura apo ajo për artet skenike, ekziston edhe kritika e artit fotografik. Kritiku, duke u pasuruar edhe me të dhëna për autorin e fotografisë, mund të arrijë të zbërthejë goxha suksesshëm çdo fotografi artistike. Nga elementet apo drita që ka përdorë artisti në fotografinë e shkrepur, një kritik i mirë mund ta “lexojë” shpirtin apo gjendjen shpirtërore të tij.
Atmosfera që përshkon një fotografi artistike zbërthen shumëçka nga bota e artistit. Për artistin e fotografisë gjërat nuk janë kaq të komplikuara sa për kritikun e saj. Ai, duke qenë se ka në vete dhuntinë apo ndjesinë për të shkëputur nga tërësia një kuadër të veçantë, të konceptuar mirë dhe të harmonizuar kompozicionalisht korrekt, si qëllim shpirtëror, por dhe profesional, ka “përvetësimin” e sa më shumë momenteve që i gjen kudo rreth vetes, në ambientin e ngushtë jetësor, por edhe atë të gjërin, natyror. Kjo është mënyra se si artisti fotografik “shkruan” autobiografinë e tij artistike, por edhe jetësore.
Kështu, pastaj në mënyrë krejtësisht të pavetëdijshme, ai e krijon identitetin krijues që është kulmi i arritjes profesionale dhe dëshmia e pjekurisë artistike për secilin artist të fotografisë.
VITI 1982…
Prej nga dashuria juaj për fotografinë?
E kam menduar shumë këtë gjë, sidomos në këtë fazë të pjekurisë sime artistike. Mendoj se kjo dashuri ka zënë fill në fëmijërinë time. Dy vëllezërit e mi ishin 7-8 vjet më të mëdhenj se unë dhe interesimi i tyre dhe veçmas i Farukut – vëllait tim të madh – ishte i koncentruar në botën e filmit dhe muzikës. Prandaj, unë qysh si fëmijë tetëvjeçar, isha i rrethuar nga një mori revistash të ilustruara që në shtëpinë tonë vinin me postë.
Revista për muzikë “Jukebox” dhe revista “Start” që botoheshin në Beograd dhe Zagreb, ishin përplot fotografi të bukura. Unë nuk ngopesha së shfletuari ato dhe imazhet që ilustronin tekstet e tyre më trazonin imagjinatën pafundësisht. Nga ato krijova dhe idhujt muzikorë dhe filmikë.
Më kujtohet se si fillova të prisja me gërshërë fotografitë e grupit të Liverpoolit, “The Beatles”, si dhe të aktorëve Marlon Brando dhe Bekim Fehmiu. Ato fotografi pastaj i ngjisja në murin e dhomës sonë të përbashkët, të cilin e konsideroja se më takonte mua.
Pastaj, në shkollën e mesme, kur isha në vitin e dytë të gjimnazit në Mitrovicë, unë bashkë me disa shokë u bëmë pjesë e një aksioni punues që mbahej në Ferizaj për pastrimin e lumit Nerodime. Aty, unë vijova kursin për fotografim dhe zhvillim të fotografisë. Koha që kaloja në laboratorin e zhvillimit të filmit dhe fotografive ishte magji e papërjetuar ndonjëherë. Në shpirtin tim po lindte një dashuri e re…
Kur mbarova shkollën e mesme, ëndrra ime që po prisja të realizohej, ishte studimi i fotografisë dhe kamerës në Zagreb apo në Pragë. Pamundësia e babait për t’i përthekuar shpenzimet e mëdha që kërkonin studimet jashtë Kosove, zbutën kërkesat e mia dhe pas nënshtrimit të një provimi pranues, fillova studimet në Fakultetin e Arteve në degën e Grafikës në Prishtinë. Pas përfundimit të vitit të dytë të studimeve (1981) dhe shërbimit ushtarak (1982), krahas vazhdimit të studimeve fillova punën si arsimtar i artit figurativ në shkollën “Azem Bejta” të fshatit Prekaz. Posa mora rrogën e parë në tetor të viti 1982, shkova në shitoren e specializuar për materiale fotografike – që asokohe gjendej sapo kalohej ura e Ibrit në Mitrovicë, në anën e djathtë të saj – dhe bleva një aparat fotografik “Kijev”, një aparat zmadhues që shërbente të bartej imazhi nga filmi në letër fotografike, tri enë (korita) plastike dhe kimikatet e duhura për zhvillimin e filmit dhe fotografive. Në dhomën me murin e mbushur plot fotografi revistash, e që tani më takonte vetëm mua, unë improvizova laboratorin tim të parë!…
SPROVA ME APARAT DIGJITAL…
Kur iu përkushtuat fotografisë më tërë qenien e juaj?
Në kohën kur Serbia filloi rrënimin e Autonomisë së Kosovës, unë punoja në arsimin fillor të Mitrovicës dhe me nxënës të talentuar mbaja orë shtesë për përvetësimin e teknikave të grafikës dhe për fotografi. Pastaj erdhi koha kur nëpër shkolla u aplikuan masat e dhunshme dhe filloi dëbimi masiv i punëtorëve shqiptarë nga puna.
Gjendja ekonomike në familjen tonë u përkeqësua shumë dhe unë u detyrova bashkë me gruan të emigroja në Zvicër. Atje, shumë shpejt, gjeta një punë si banakier në një restorant të Cyrihut. Pas tre vitesh pune, regjistrova një kurs kompjuterik dhe më pas bleva një kompjuter që për atë kohë (1994) ishte më i miri. Një Apple Macintosh me një hardisk prej 500 MB dhe një monitor të 19 inçësh. Ndërkohë, fillova të bashkëpunoja me revistën shqiptare Euro Zëri, që asokohe botohej në Cyrih. Bëja karikatura, por edhe ndonjë ballinë të revistës që në redaksi i dërgoja përmes postës. Një ditë, kryeredaktori i revistës, Agim Mala, më mori në telefon dhe më tha se ishte i interesuar që bashkëpunimi ynë të zgjerohej dhe më ftoi për një bisedë në zyrat e revistës. Nga Mala për një kohë shumë të shkurtër mësova programin e faqosjes, por edhe programin për përpunimin e fotografisë, Photoshop 0.3. Kjo përvojë e fituar rizgjoi dëshirën time për fotografi.
Ndërkohë, po përcillja reklamat paralajmëruese për nxjerrjen në shitje të një aparati digjital nga kompania e njohur Kodak. Kisha një dëshirë të pashpjegueshme që ta blija dhe të hyja në një fushë krejtësisht të panjohur për mua. Blerja e aparatit digjital Kodak DC40, që realizonte një fotografi me rezolucion prej 750 mijë pikselë, për mua po shënonte kapitull të ri profesional dhe jetësor. Dëshira që t’i rikthehem artit ishte e parezistueshme dhe aparatin digjital e shihja si mjetin me të cilin do ta krijoja atë. Pasi bleva një skaner dhe fotoprinter, praktikisht i bëra të gjitha pajisjet që më duheshin për t’i hyrë punës.
Realizimi i një ekspozite me fotografi digjitale në një katedrale të qytetit Horgen të Zvicrës, në vitin 1997, ishte momenti vendimtar kur unë e kuptova se duhej t’i përkushtohem artit fotografik.
MOMENTI VENDIMTAR…
Frymëzimet sigurisht që janë të shumëllojshme. Veçoni ndonjërën prej tyre që ka lënë edhe më shumë gjurmë në artin tuaj?
Frymëzimi tek artisti është “modus vivendi”. Në mitologjinë greke kishte një kryeperëndi që quhej Zeus, i cili me gruan e tij Mnemosyne, kishte nëntë vajza të cilat konsideroheshin si Muza të shkencave dhe të arteve. Ato e kishin për detyrë që ta frymëzonin artistin kur atij nuk i shkonte mirë.
Pra, qysh në kohën e grekëve të vjetër dihej se artisti varet shumë nga frymëzimi dhe pa të, ai mund të kalojë në shterpësi krijuese. Frymëzimi im më i madh ishte dhe ka mbetur vajza ime Drenica, të cilën unë preferoj ta quaj, Muza ime. Nga ky frymëzim ka lindur cikli im më domethënës dhe më i dashur, “Muza ime, Engjëlli im”. Portretet që ia kam realizuar vajzës sime janë “fryma ime” artistike. Kompozicioni fotografik “Ëndërr apo…” me të cilin në vitin 2001 u shpërbleva nga Shoqata e Artistëve Figurativë të Kosovës me çmimin vjetor, si dhe kompozicioni fotografik “Muza ime, Engjëlli im” i cili u shpërblye në vitin 2003 po me të njëjtin çmim, i takojnë atij cikli dhe subjekt trajtimi ku në të dy rastet është Muza ime, Drenica.
Frymëzimi, tek unë, shumë shpesh vjen edhe nga situata të trishta, të dhimbshme. Fotografitë që janë krijuar në situata të tilla përshkohen me një atmosferë të zymtë dhe shumë të rëndë. Shumë portrete apo motive ku pjesë e kompozicionit janë njerëzit, i përshkon një atmosferë e tillë.
Në vitin 2007, kuratori anglez James Wamsley organizoi ekspozitën e artit bashkëkohor të Kosovës në Stock Gallery të Manchesterit. Pjesë e ekspozitës isha dhe unë me 32 fotografi. Një zonjë angleze pasi shikoi të gjitha fotografitë, më tha: “Është vështirë t’i shikosh dy herë, janë shumë të dhimbshme”! Diçka e ngjashme më ka ndodhë edhe në ekspozitën personale në Shën Mitër Koronë të Kalabrisë, kur një arbëreshe ma bëri pyetjen: “Pse kaq shumë dhembje?”…
Cila është ndjenja e një artisti të fotografisë, pritni një rast, pritni një kohë, mbase pritni me vite që të “shkrepni” një fotografi monumentale artistike? A duhet të ketë durim të fortë një artist i fotografisë?
Artisti i fotografisë nuk ka kohë të pres për të krijuar kryeveprën e tij, sepse asnjëherë nuk e din se kur do t’i vijë rasti për ta konkretizuar atë. Vetëm puna e vazhdueshme e tij mund të sjellë fotografi të mira, e jo pritja…
Studentëve të mi të talentuar u sugjeroj, gjithnjë, sa më shumë shkrepje, edhe kur fotografojnë një motiv të zgjedhur. U them, shkrepni sa më shumë, sepse raportet e dritës me natyrën apo hapësirën ndërrojnë me shpejtësi marramendëse dhe asnjëherë nuk mund të paragjykojmë shkrepjen më të suksesshme.
Natyrisht, fotografi emblematik Henri Cartier Bresson, i cili njihet si pionieri i fotografisë moderne, na sugjeron në librin e tij eseistik, “The Decisive Moment”, që të shkrepim në “momentin vendimtar” që, kuptohet, nuk është thirrje për pritje, por për konsolidim mendor dhe shqisor para se të shtypim butonin e shkrepjes. Vetëm në këtë mënyrë, thotë Bresson, ne arrijmë të krijojmë kompozicion të mirë dhe fusim elementet e duhura fotografike brenda kuadrit të fotografisë.
Kuptohet, kjo që sugjeron Bressoni në librin e tij, u bë talisman për të gjithë fotografët e mëvonshëm dhe bindi edhe skeptikët më të mëdhenj se të bërit e fotografisë nuk është një veprim i zakonshëm mekanik, por një proces i thellë intelektual në të cilin autori duhet ta mobilizojë shpirtin dhe trurin në të milionat pjesë të sekondës para se të shtyp butonin e shkrepjes.
ARTIN E KRIJON ARTISTI E JO MAKINA
Teknologjia e sotme, sa ka ndikuar në zhvillimin e fotografisë?
Pas qëndrimit tim dhjetëvjeçar në Zvicër (1990-2000), vendosa të kthehem në Kosovë. Kisha shkuar vetëm me gruan dhe po kthehesha i pasuruar me tre fëmijë të bukur e të shëndoshë. Po kthehesha i pasuruar edhe profesionalisht, sepse tashmë kisha zgjedhur rrugëtimin tim artistik. Nuk e mendoja asnjëherë se Kosovës do t’i zgjasnin “dhimbjet e lindjes” kaq shumë dhe kaq tmerrshëm!
Sidoqoftë, unë mes tjerash solla me veti një aparat fotografik digjital Sony dhe me të vazhdova punën në artin tim fotografik. Meqë kisha “munguar” dhjetë vjet në Kosovë, unë njihja fare pak fotografë dhe fillova të shoqërohesha me ta. Kujtoj me shumë ëndje takimet dhe bisedat e gjata për fotografinë me fotografin Naim Shala, i cili asokohe kishte akoma studion e tij fotografike me teknologjinë analoge të fotografimit.
Të gjithë fotografët e Kosovës, asokohe (2000), ishin kundër përdorimit të teknologjisë digjitale në fotografi dhe të gjithë tregonin dyshimin e tyre se me teknologjinë e re mund të bëhej ndonjë fotografi artistike. Natyrisht, unë mbroja veten duke thënë se aparati, qoftë analog apo digjital, është vetëm një mjet me të cilin duhet të punohet dhe artin e krijon ai që punon me të e jo makina!
Në aspektin teknik, unë arsyetoja skepticizmin e tyre, sepse aparati që po përdorja atëherë realizonte një fotografi prej diku rreth tremilionë pakselë; kjo dobësi e kësaj teknologjie nuk paraqiste ndonjë problem të madh për artin fotografik, por vetëm për fotografinë komerciale dhe ishte çështje që po avancohej dita-ditës.
Sot, kjo teknologji ka arritur nivele të jashtëzakonshme dhe në të janë përfshirë të gjitha kategoritë e fotografëve, si ata komercialë poashtu edhe ata të artit fotografik. Është krejtësisht e pakuptimtë të numërohen favoret që na ofron kjo teknologji në krahasim me atë analoge. Megjithatë, unë do t’i numëroj disa: mundësia me e pa rezultatin menjëherë pas fotografimit, por edhe mundësia e korrigjimit të parametrave fotografikë, pa patur nevojë të pritet me orë apo edhe me ditë derisa të zhvillohet filmi dhe të shtypen fotografitë; mundësia që të bëhen korrigjime apo intervenime të domosdoshme në fotografinë e realizuar, menjëherë pas shkrepjes në programin adekuat për përpunimin e fotografisë (unë e quaj laborator digjital të fotografisë); shtypja e menjëhershme e fotografisë, kur ka nevojë drejtpërdrejt nga aparati fotografik në shtypës (printer); dërgimi i fotografisë gazetareske apo dokumentare ne redaksinë e gazetës apo portalit menjëherë pas shkrepjes nga cilido meridian i botës përmes linjës së internetit…
Prandaj, më duhet të them se kjo teknologji e ka avancuar shumë zhvillimin e fotografisë, në veçanti atë gazetareske, dokumentare dhe artistike, por hiq ma pak edhe atë të modës ku modeli apo edhe kreatori mund të shikojë në monitorin e kompjuterit çdo gjë që shkrepet nga fotografi, aty për aty.
“SEKRETI DHE MISTERI I THELLË PËR TË TJERËT”
Sot çdo i dyti ka një aparat fotografik, ndërkaq pothuajse çdo kush ka një telefon me kamerë. A ka rrezik se mos po bastardohet arti i fotografisë?
Askush nuk duhet t’i frikësohet popullarizimit kaq të madh të fotografisë dhe mundësisë që zhvillimi teknologjik i kohës sonë po i jep secilit nga ne me shkrep fotografi, qoftë nga aparati fotografik apo nga telefoni i xhepit. Kjo mundësi masive për bërje të fotografive ishte një nga ëndrrat më të mëdha të themeluesit të Kodak-ut, kompanisë më të madhe në botë për prodhimin e aparateve dhe materialeve fotografike, amerikanit George Eastman.
Ky adhurues i jashtëzakonshëm i fotografisë, në vitin 1888 nxjerr në shitje aparatin e parë portabël me negativ celuloidi 100 pozash të cilin e shiste vetëm për pesë dollarë, që ishte një çmim shumë i lirë krahasuar me kureshtjen e madhe që mbretëronte asokohe në Amerikë për një aparat që deri atëherë ishte privilegj vetëm i një numri të caktuar njerëzish të kamur. Këtë shitje masive të këtij aparati, me një çmim kaq të ulët, përveç për interesa biznesi, Eastman e bëri për popullarizimin e fotografisë dhe krijimin e mundësisë për të fotografuar sa më shumë njerëz.
Sot, pa ndihmën e askujt secili nga ne mund ta provojë talentin personal për fotografi. Shumësia e fotografive të shkrepura në kushtet e sotme natyrisht që rritë edhe numrin e fotografive kreative. Pra, ky popullarizim kaq i madh i këtij mediumi, ndihmon dukshëm zhvillimin e artit fotografik.
Pse zakonisht njerëzit e artit e preferojnë fotografinë bardh e zi?
Kjo pyetje apo çështje, është e vjetër pothuaj sa vet fotografia. Pse fotografia bardh e zi apo pse me ngjyra është çështje e përcaktimit të fotografit. Por, një gjë është krejtësisht e sigurt: bardh e zia ia shton atmosferën dramatike fotografisë, kurse ngjyrat e shumta nganjëherë mund të na shpërqendrojnë nga pika e interesit në fotografi.
Cilin zhanër të fotografive më shumë e preferoni ju?
Unë qysh në fillim jam përcaktuar për artin fotografik dhe asnjëherë nuk kam bërë kompromis në dëm të tij. Kam patur raste kur më është ofruar të bëj fotografi për kampanjë të ndonjë kompanie – me kushte shumë të mira pagese -por, kam refuzuar! E di se shumëkujt mund t’i tingëllojë budallallëk i llojit të vet, por arti fotografik është “buka që e ha çdo ditë” dhe bashkë me tre fëmijët e mi, është dashuria ime jetësore për të cilën kam sakrifikuar shumë.
Në kuadër të kësaj kategorie fotografike, si temë e preferuar e imja çdo herë ka qenë portreti. Misteri që secili karakter mban brenda shpirtit të tij dhe përpjekja për të zbuluar sa më shumë nga ajo botë e fshehtë, është“lufta” ime e përhershme gjatë portretizimit të njerëzve të gjinive dhe moshave të ndryshme. Më duket se kësaj përgjigjeje do t’i rrinte mirë një thënie e shkrimtarit anglez, Charles Dickens: “Është fakt i mrekullueshëm për ta thënë se çdo qenie njerëzore është një sekret dhe mister i thellë për të tjerët”.
EPIQENDRA – NJERIU
Çka dallojnë paparacët prej artistëve të fotografisë?
Dallojnë ekstremisht shumë! E vetmja lidhje mes tyre është aparati fotografik dhe asgjë tjetër përmbajtjesore. Të parët janë“vrasës” me pagesë që kanë për detyrë të fusin hundët edhe në intimitetin më të thellë të një ylli mediatik, kurse të dytët janë të përkushtuar t’i japin botës sa më shume kënaqësi në shijimin e artit që buron nga shpirti i tyre.
Cilët emra i dalloni në trashëgiminë e fotografisë shqiptare?
Trashëgimia jonë fotografike është më e pasura në Ballkan dhe ndër më të pasurat në botë! Vetëm fototeka Marubi numëron mbi 300 mijë negativë në xhama e në celuloid dhe e njëjta mund të konsiderohet arkiva më e pasur shtetërore, ngase që nga viti 1858 kur daton fotografia e parë shqiptare, studio Marubi nuk ka lënë ngjarje historike dhe kulturore pa e dokumentuar. Dhe, që nga ajo kohë e deri në vitin 1984 nuk ka lënë personalitet politik apo kulturor pa e fotografuar!
Emrave të tre Marubëve, Pjetrit, Kolës dhe Gegës, do t’ia bashkëngjisja edhe trashëgiminë që na e ka lënë Kristaq Sotiri, një tjetër fotograf shumë i madh shqiptar, i cili në vitin 1922 kishte hapur studion e tij fotografike në qytetin e Korçës. Sotiri, njihet sidomos në fushën e portretit fotografik. Fototeka e tij, natyrisht, është shumë më modeste se e Marubëve, por e veçuar shumë për vlerat e artit fotografik që bartë në vete.
Në albumin tuaj të fotografive bien në sy fotografitë e femrave. A është femra “objekt” i një artisti apo Zoti e ka falur femrën e bukur, artistike, që ta “shohin” edhe të tjerët?
Epiqendra e artit tim fotografik, që nga fillimi, ka qenë dhe ka mbetur njeriu. Portreti dhe nudo janë pjesë e pandashme e kësaj teme fotografike dhe unë i trajtoj me dashuri të veçantë.
Trupi lakuriq i femrës është trajtuar nga artisti i të gjitha periudhave apo epokave parahistorike dhe historike të njerëzimit. “Venera e Willendorfit”, një figurë e lartë dhjetë centimetra, paraqet një femër lakuriqe që konsiderohet më shumë se 30 mijë vjet e vjetër. Prej atëherë e deri sot, artisti nuk ka pushuar së intriguari nga format e bukura të trupit femëror, por edhe nga natyra e saj e butë.
Në bagazhin tim artistik mund të gjendet një numër modest i nudove femërore, të cilat asnjëherë nuk i kam trajtuar vetëm si objekt, por gjithmonë si pjesë e subjektit kompozicional. Ekspozita ime personale me 16 nudo e quajtur “(Un)censored”, e hapur në Tiranë në dhjetor të vitit 2012, nga shumë media është konsideruar një ekspozitë e guximshme që i ka munguar publikut shqiptar.
Nudo konsiderohet si tema më e ndjeshme fotografike, pikërisht shkaku i rrezikut të banalizimit të asaj çka fotografohet. Trajtimi me kujdes dhe estetikisht i trupit lakuriq, por edhe me respekt ndaj modeles, e bën fotografin të mos rrëshqas kah erotika dhe pornografia.
A jeni gjetur “ngushtë” para një trupi të një femre gjatë fotografimit?
Nuk mbaj mend të më ketë ndodhë ndonjë ndjesi e tillë gjatë realizimit të ndonjë nudoje! Thjeshtë, në raste të tilla e tërë qenia ime është e përqendruar në gjetjen e kuadrove më domethënëse dhe krijimin e kompozicioneve të qëndrueshme nga aspekti estetik.
SHEKULLI I IMAZHIT…
Sipas jush, si mund “të përftojnë” artistët “vulën” e tyre origjinale si krijues?
Çdo artist atë“vulë”, si e quani ju, e ka brenda qenies së tij. Puna e palodhshme kreative dhe hulumtuese është ajo që një ditë atë “vulë” e bën të dukshme për të gjithë, e në radhë të parë për kritikën dhe publikun artdashës. Krejt përpjekja e mundimshme e artistit për krijimin e veprës së tij, konsiston në krijimin e identitetit të tij krijues. Nuk ka formulë apo rregull tjetër si arrihet ky nivel!
Ju keni hapur një numër të konsiderueshëm ekspozitash në vende të ndryshme. Si janë pritur punimet tuaja atje?
Mendoj se paraqitjet e mija individuale, por edhe grupore, kanë bërë që fotografia ime të pëlqehet. Për mua nuk ka ekspozita të vogla dhe të mëdha, prandaj në secilën prej tyre bëj përpjekje të paraqitem në mënyrë sa më të dinjitetshme, duke e respektuar publikun maksimalisht, pavarësisht cili është ai.
Cila është e ardhmja e fotografisë?
Ky shekull është shekulli i fotografisë, shekulli i imazhit…
Çfarë parapëlqen përveç artit?
Pas artit pëlqej artin! Kur nuk fotografoj, zbrazëtinë time estetike e plotësoj me letërsinë, muzikën dhe filmin! Shpenzimi i kohës për gjëra të tjera më frikëson, sepse nuk ka mbetur edhe shumë rrugëtim. Përkushtimi ndaj studentëve të dashur dhe shumë të vlefshëm, dhe ndonjë kafe apo birrë e ftohtë me miq shumë të përzgjedhur, tek restoranti “Boheme” , janë“ikjet” e rralla dhe të vetme nga arti.
Së fundmi, “në kërkim të stilit tuaj”, a keni pasur si pikë referimi ndonjë artist të veçantë?
Mendoj se në krijimin e personalitetit tim krijues kanë ndikuar një varg faktorësh, duke filluar nga Perëndia që zgjodhi një ditë prilli të vitit 1960 të më sjellë në jetë me ndihmën e nënës time të urtë e të mençur dhe babait tim të përvuajtur dhe hero, për të vazhduar me fatin që u rrita nën përkujdesjen e vëllait tim Farukut, i cili me talentin artistik dhe njohuritë që kishte, për mua përbënte udhërrëfyesin e moshës rinore. Nga ai mora njohuritë e para për artin, muzikën, filmin, letërsinë dhe modën.
Pastaj vijnë vitet e akademisë dhe njohja me profesorët dhe kolegët e talentuar, prej të cilëve fitova dashurinë për grafikën, pikturën, vizatimin… Jeta njëdekadëshe në Zvicër më dhuroi tre fëmijët e bukur që më mbushën dashuri atërore dhe më ofroi mundësinë e rilidhjes sime me fotografinë.
Të gjitha këto që përmenda, por edhe shumëçka që lash pa përmendur, kanë ndërtuar brenda lëkurës sime personalitetin tim njerëzor, por edhe atë krijues. Ky individualitet artistik vazhdon të pasurohet gjithnjë duke lexuar për klasikët e fotografisë, por edhe për mjeshtrit e sotëm të artit fotografik, si dhe duke shfletuar dhe analizuar punën dhe artin e tyre. /Telegrafi/
Fotografitë janë pjesë e veprës artistike të Fahredin Spahisë dhe kanë copyright.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Musa Sylejmani: Jemi duke punuar për një film, i cili do të realizohet nga dy produksione shqiptaro-zvicerane IFTP& Helvetia Film
Prof.dr. Florim Cuculi: Kam implantuar me mijëra stenta në karrierën time dhe i bëj përafërsisht 500-600 intervenime në vit
Inva Mula: “Ne nuk mund të shpresojmë te gjenerata e re, pa investuar te fëmijët tanë“
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrestimin e Netanyahut
NASA publikoi foto të reja mahnitëse të Jupiterit
Pas tërheqjes së Gaetzit, Trump emëron një grua për Prokurore të Përgjithshme
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje