Arti është formë e protestës, prandaj artisti për nga natyra është një rebel. I tillë është edhe Rrezeart Galica, i njohur si Giqi. Ai ka lindur në vitin 1981, në kohë jo të mira për shqiptarët. Ndonëse atëherë nuk ishte në gjendje të kuptonte se çfarë po ndodhë, ai u rritë dhe u formua në një sistem shtypës...
Intervistoi: Gazmet Kajtazi
Kosova sot është vend i çliruar, por nuk është kopsht me lule. Pakënaqësinë për këtë realitet që shqetëson qytetarin e rëndomtë e të pafajshëm, Galica e shpreh përmes artit. Ndjesia për të qetë opozitë e devijimeve politike, nuk është shuar ende tek ai.
Jeni shfaqur si një rreze në dizajnin grafik të Kosovës, meqë ideja dhe kreacioni janë arma juaj kryesore…
Faleminderit për këtë vlerësim, por mendoj se ende duhet përkushtim e punë e jashtëzakonshme që ky zhanër i artit të na mundësojë të realizojmë idetë tona e që ta kemi rolin e duhur në shoqëri…
Keni dëshmuar edhe se dini të jeni rebel, madje keni patur guximin të ironizoni, thumboni e kritikoni edhe instancat e larta vendase e ndërkombëtare. Pse jeni kaq thumbues dhe realitetin e shikoni me dioptrinë bardh e zi, për të mos thënë vetëm zi.
Nuk do të thosha që kam sensin të shoh vetëm zi. Por, jam i bindur se pa kritikë ne nuk mund të zhvillohemi, përmirësohemi e t’i arrijmë standardet perëndimore. Mjerë ai komb që nuk ka vetëkritikë, sepse për të nuk ekziston “drita në fund të tunelit”.
Kritika është normë e lartë për secilin komb që e përqafon. Asnjë shoqëri, në asnjë aspekt, nuk do të ishte shëndosh në se kritika e atij vendi nuk do të ekzistonte apo nuk do të kishte hapësirë veprimi. Kritika na mban të përgjegjshëm për veprimet tona dhe pa të nuk mund të ketë as vlera.
Por, Kosovës i mungojnë edhe kritikët e artit. Sot kritika bëhet në vesh të njëri-tjetrit, në kafe e në rrethe të ngushta të miqve, por jo edhe në ambiente publike apo në media.
Për ta ilustruar mungesën e kësaj kritike publike, po përmend një rast: një grup artistësh ishin të pranishëm në një ekspozitë, dëgjuan fjalën e hapjes, i shijuan veprat artistike një nga një dhe në fund ikën. Mirëpo, gjërat nuk mbaruan me kaq: ata nuk e thanë asnjë fjalë aty, por debatin e nisën në një forum të ngushtë interneti, ku kishte të tillë që kritikonin pa qenë të pranishëm në ekspozitë e disa pa pasur asnjë ekspozitë të tyre personale.
Është shqetësuese se si një artist merr guximin dhe kritikon një tjetër, përderisa punimet e tij i mban brenda katër mureve, meqë nuk e ka guximin që t’i shohin të tjerët ato.
E përmenda këtë shembull, sepse kjo është kategoria e kritikëve që vendi ynë i ka. Pastaj kemi kuazi-kritikë që për 50 euro thurin lavde. Dhe kjo “kritikë” reflektohet në çdo segment të jetës sonë.
A jeni të kënaqur me atë që keni bërë deri tash?
Krijimtaria artistike do qasje profesionale e përbajtësore në çdo aspekt. Puna ime shumëvjeçare për një ekspozite personale, që mori përmasa ndërkombëtare, u kurorëzua me sukses. Veprat artistike që ishin pjesë përbërëse e kësaj ekspozite, u bënë tema edhe për studentë të universiteteve evropiane. Vlen të ceket se cikli i parë i punimeve artistike me përmbajtje politike arriti të hyjë si temë studimi e diplomimi dhe specializimi të studentëve të Akademisë së Arteve të Bukura të Peruxhas dhe Universitetit Katolik të Artit të Milanos. Konsideroj që një ekspozitë të jetë referencë edhe e universiteteve të huaja është një sukses për secilin.
A mundet që një artist paralelisht t’i japë veprës së tij cilësi estetike dhe njëkohësisht ta mveshë atë me petkun politik?
Po, por natyrisht duhet gjetur formën dhe stilin origjinal. Arti ndërlidhet me shoqërinë dhe shoqëria me politikë. Art të tillë, ta quaj politik, hasim gjatë tërë historisë njerëzore. E tillë ishte kryevepra e Picassos, Guernica, apo konservat e Supës Campell e Andy Warholit që kritikon kulturën e konsumit, jo vetëm ushqimor, por edhe atë politik. Artistë politikë janë edhe Rudolf Baranik, Robbie Conal, Suzanne Lacy, Hélio Oiticica, Martha Rosler, May Stevens etj. Edhe tek shqiptarët ka pasur art të tillë, por natyrisht që i mungonte sensi kritik, sepse ishte në favor të regjimit komunist. Unë, për dallim, kam zgjedhur që përmes një stili, ta quaj multimedial, të thumboj dukuritë që preokupojnë dhe dëmtojnë mirëqenien e qytetarit të rëndomtë.
Ekspozitat tuaja multimediale në Berlin dhe Gjenevë, shfaqnin një mallkim për padrejtësitë që i bëhen qytetarëve të Kosovës duke i trajtuar ata si qytetarë të rendit të dytë. Si ka ndikuar ky veprim i juaji në këto dy qendra të mëdha evropiane, ku arti kuptohet drejt dhe qartë?
Ekspozitat personale në Perëndim më kanë dhënë një disponim tjetër, sidomos për shkak të vlerësimit. Ndër vizitorët e ekspozitave të mia kishte edhe politikanë dhe gazetarë të mediave me nam. Më kujtohet, gjatë qëndrimit tim në Gjermani, kur u afrua një zyrtar dhe më tha se ishte i impresionuar nga punimet e mia dhe se i kishte ftuar kolegët e tij evropianë që t’i shohin ato. Sipas tij, jo të gjitha misionet ndërkombëtare janë në favor të zhvillimit të një vendi të caktuar, andaj nëpërmjet kësaj ekspozite “ndërkombëtarët ndërgjegjësohen për gjithë atë që po bëjnë të huajt në Kosovë”. Një gazetare e DW-së, kur kishte parë posterin artistik “No More”, që apelon për heqjen e vizave për kosovarët, kërkoi që ta takoj në Prishtinë. Ajo atëherë kishte vendosur të vizitonte vendin më të izoluar të Evropës. Aty kuptova se atje ku nuk depërton politika, depërton arti, duke sensibilizuar për problemet tona.
Si ndihet një artist nga Kosova kur vepra e tij i thyen muret nacionale?
Në fillim është ndjenjë krejt e thjeshtë. Por, kur kalon një kohë dhe e sheh ndikimin e asaj që ke bërë, ndihesh më i përgjegjshëm e më borxhli ndaj gjithë atij publiku artdashës ndërkombëtar që në mënyrë të jashtëzakonshme mirëpret artistët e huaj.
Çka synon të ndryshojë në një shoqëri artisti me veprën e tij?
Synon atë që synon çdo qytetar i rëndomtë: një jetë më të mirë, më të ndershme, më të sigurt, më dinjitoze… Natyrisht, përmes artit, por jo rrallëherë artisti bëhet protagonist i ndryshimit të një shoqërie jo vetëm me vepra artistike. Sepse, arti është ideal dhe artisti do të duhej të ishte idealist.
A ka fuqi artisti të ndryshojë sadopak mjedisin dhe, si do të duhej të dukej shoqëria (ideale) për krijuesin?
Nuk e di. Në rastin tim mendoj se ka pasur vetëdijesim.
Me artin që ka konotacion politik fillova në kohën kur UNMIK-u ishte sovran absolut i Kosovës. Ne, si rini, e kemi ndier veten të ngulfatur në një realitet të tillë të administrimit ndërkombëtar, ku p.sh. polici i Ugandës i kërkuar për krime në Ruandë ka qenë përgjegjës për rendin dhe ligjin në Kosovë, ndërsa p.sh. përgjegjës i hekurudhave ka qenë njeriu i cili ka punuar në porte dhe ka ardhur nga shteti ku hekurudha është ndërprerë para 40 itesh.
Shembuj të tillë të anomalive ka me dhjetëra e qindra. Ne megjithatë jemi popull evropian, banorë të kontinentit të demokracisë, viktima të sistemeve totalitariste, ndaj ishim të etshëm për rend dhe ligj perëndimor. Ndërsa, pas luftës u shndërruam në popull eksperimental.
Bazuar në frustrimet që buronin nga këto rrethana të sipërpërmendura kemi marrë vendimin për të krijuar një lëvizje qytetare vullnetare për t’i kontribuar ndryshimit të kësaj situate.
Fillimisht reagimi jonë bazohej në aksione simbolike, me parulla artistiko-politike përmes të cilave synonim të sensibilizonim masat e t’ua bënim me dije se çlirimi i Kosovës nga Serbia nuk ishte qëllimi i fundit, por rruga drejt një qëllimi tjetër: vetëvendosjes dhe sovranitetit shtetëror e kombëtar.
Natyrisht, këto aksione apo performansa artistike ishin forma fillestare e një proteste e cila më vonë është shndërruar në një lëvizje të mirëfilltë qytetare. Kjo protestë artistike ishte më e veçanta dhe më origjinalja nga të gjitha nismat e deriatëhershme politike.
Kështu, mund të them se puna ime arriti të përçojë mesazhin tonë të frustrimit tek secili qytetar. Këto mesazhe – fatmirësisht për mua si artist, por fatkeqësisht për vendin dhe popullin të mirën e të cilit e dua – edhe sot kanë aktualitetin e tyre dhe mund t’i hasim në çdo qytet të Kosovës si gjurmë të një reagimi qytetar.
Si përgatitet një ekspozitë, si nevojë e një katarsisi shpirtëror, apo për t’i dhënë goditje gjërave devijuese në ambientin ku jeton dhe vepron artisti, i cili duket se, asnjëherë nuk pajtohet me realitetin, çfarëdo qoftë ai?
Personalisht, në asnjë vepër timen nuk do të projektoja diçka tjetër përpos luleve, në qoftë se ambienti ku jetoj do të ishte afër ideales. Por, duke përjetuar shqetësimet e këtij ambienti që më rrethon, më bëjnë që këtë përjetim ta shndrroj në reagim përmes profesionit të cilit i përkas. Koncepti i një ekspozite është po aq i rëndësishëm sa vet ekspozita. Andaj, këto reagime të shndërruara në vepra arti e gjejnë veten brenda konceptit të menduar para se ato të finalizohen. Gjithmonë përpiqem në suaza të maksimales që vepra të ketë peshën artistike, artikulimin e qartë dhe të jetë ekuivalente me konceptin e përgjithshëm të ekspozitës.
Sa ka art origjinal në Kosovë?
Fillimisht do të doja të citoja një nga filozofët e hershëm. Sipas Aristotelit, arti imiton natyrën. Por, fjala imitim ndërlidhet me kopjet jo të mira të përkthimit origjinal. Për të imitimi nënkupton më shumë “rikrijimin”. Në këtë aspekt natyra del se është principi kreativ dhe koncepti se “arti imiton natyrën” në përkthim të saktë do të thotë se “arti rikrijon parimet krijuese të gjërave të krijuara”.
Në rastin tonë, pra në Kosovë, arti në të kaluarën ka pas më shumë peshë, por tash më duket se është më ndryshe, sepse origjinalitet ka më pak.
Një artisti të shfletuarit e literaturës për art i ndihmon edhe në krijimin e një vepre imagjinative e aq më shumë origjinale. Prandaj, artistëve në Kosovë, pjesës më të madhe të tyre, iu mungon origjinaliteti, gjë të cilën secilin artist i mirëfilltë do ta dallonte nëpërmjet veprave të tyre.
Teknologjia që përdorim sot ia mundëson gjithsecilit që të shijojë vizualisht gjithë atë gamë veprash artistike botërore, por jo edhe të bëjmë copy-pastet e atyre veprave në praktikë.
Internetin disa prej artistëve e transformojnë edhe në inspirim, për të imituar një vepër e që më pas do ta shitnin si origjinalitet të tyre. Kjo është shumë brengosëse, jo vetëm për brezin e tashëm por edhe të ardhshmin. Sepse, duke u mos lënë shembuj të mirë, kjo pjesë e artistëve po tenton që vazhdimisht ta imponojë imitimin për origjinalitet.
Mu për këtë e përdora konceptin aristotelian se “arti rikrijon parimet krijuese të gjërave të krijuara”, meqë këtu kemi rikrijim kopjues të gjërave të krijuara.
Ilustrimet tuaja, tejkalojnë elementin ilustrativ dhe bëhen vepra të njëmendta artistike. A ka (ende) paragjykime për ilustrimin, karshi pikturimit?
Paragjykime ka shumë, kryesisht të paarsyeshme. Thjesht, format, teknikat se si krijohet arti, janë të ndryshme. Secila nga to, në periudha të caktuara kanë hasur në rezistencë. Por, përderisa këtë rezistencë e kanë tejkaluar popujt tjerë moti, te ne p.sh. ekziston bindja se arti nuk mund të bëhet përmes një programi kompjuterik. E unë them se bëhet, siç kanë thënë edhe para meje të tjerët në Perëndim. Një mëdyshje të tillë kishte edhe profesori Fatmir Hoxha. Por, kur ka parë ekspozitën time, tha: “Rrezearti më bëri ta ndryshojë mendimin që e kisha më parë, se veprat e bukura realizohen vetëm në mënyrë klasike”.
A po e përcjell krijimtarinë në Kosovë, pra edhe dizajnin, klanizmi, nepotizmi, tenderizmi, paragjykimi. Si, dhe me çka duhet kundërvënë këtij fenomeni që po merr dhenë?
Po, si në çdo segment tjetër anomalitë e tilla karakterizohen edhe tek komuniteti artistik. Natyrisht, kjo është e dhimbshme, sepse siç e ceka më lart, artisti duhet të jetë idealist. Njerëzit të cilët do të duhej të ishin model i denjësisë, te ne shpesh ndodhë të jenë e kundërta. Ky fenomen mbase mund të kundërvihej fillimisht me një kritikë të mirëfilltë, po ja që nuk e kemi atë. Kështu, mbetet në vullnetin individual të secilin që ta ndryshojë këtë gjendje.
A mund të krijohet arti edhe jashtë katër mureve? Në të vërtetë, kemi bindjen se synimet e artistëve kosovarë janë të rangut planetar, por të shumtën idetë e tyre ngujohen në sirtarë.
Në çdo art në Kosovë, ka më shumë fjalë se punë. Këtu e shoh problemin. Ata që punojnë shumë, ia dalin të jetojnë nga shkolla që kanë kryer. E besa, edhe të bëjnë emër, qoftë këto, qoftë jashtë.
Pajtohem me atë se shumë artist kanë synime “të rangut planetar”, prandaj këtë përgjigje po e ndërlidhi edhe një herë me atë që e thash në fillim: kritika bëhet vend e pa vend, në vesh të njëri-tjetrit, në kafe e në rrethe të ngushta të miqve; më shumë flitet se punohet; më shumë flitet se lexohet; më shumë flitet se shikohet. Këtë dukuri e shoh si delir të madhështisë. Shumë mendojnë se i takojnë përmasave galaktike. Por, fatkeqësisht vetëm me llafe, e madje as ide në sirtarë, siç thatë ju.
Është e qartë që një piktor grafik nuk krijon vetëm për veten, por edhe për të tjerët. Për çfarë kategorie blerësish janë veprat tuaja?
Eh, këtu nuk mund të jap përgjigje të saktë. Sepse, është një art që ende nuk gjen vend nëpër mure të shtëpisë. Është një art që mund të reprodukohet lehtë.
A kuptohet arti nga masa apo ende mbetet për elitat? A mendoni se do të duhet të kalojnë edhe shumë kohë deri në krijimin e një “tregu arti”?
Po, përderisa jemi në këtë krizë ekonomike, por edhe morale. Çdo lloj arti i mirëfilltë duhet të çmohet, të ketë një vlerë, të ketë “treg”. Më parë gjërat ishin më ndryshe, në çdo art, por sot jo. Shpresoj se me kohën do të çmohet artisti i mirëfilltë më shumë në shoqërinë e Kosovës.
A ka klane dhe monopol në sferën e artit vizual në Kosovë?
Fatkeqësisht nga kjo sëmundje nuk vuan sot vetëm arti pamor, por krejt shoqëria kosovare.
Në fushën e dizajnit grafik dhe shtypit, monopolizimi lulëzon në sferën e tenderëve të ministrive. Aty shumë qartë shihet se si ish-dizajnerët, tanimë biznesmenë, kanë regjistruar nga dy firma private për të na hedhur hi syve se kinse nuk është i njëjti ai që po e merr tenderin. Këta ish-dizajnerë të transformuar në biznesmenë të suksesshëm, të cilëve u ka dalë boja për nga nuhatja në art të mirëfilltë, janë vrima më e zezë e artit pamor kosovar.
Të njëjtit kanë arritur të futen edhe në borde galerish për të vlerësuar vepra e projekte artistësh.
Tani, po e përjetojmë kohën më të “artë” të artit pamor, kur antivlera na bëhet vlerë e na bëhet orientues e imponues i artit të së ardhmes…
Çfarë e veçon Rrezeartin nga të tjerët?
Puna. Jam i lumtur që jetoj nga puna ime si dizajner. Kjo ndoshta më bën të veçohem nga shumëkush.
Thuhet se në laboratorin e krijuesit nuk ka asnjë ditë bosh, kurse vetmia i bën shoqëri. A rrezikon artisti që të bëhet rob i vetmisë duke krijuar vepra që i dedikohen qetësisë?
“Për atë që është shumë i vetmuar edhe zhurma është ngushëllim”, thotë Nietzsche. Artisti ka nevojë për vetmi, për qetësi. Por, edhe zhurma mund të jetë inspirim. Këtë inspirim tash ma jep zhurma e birit tim që ka pesë muaj që ka lindur, Arti.
Ju punoni vazhdimisht, hulumtoni dhe krijoni. Çka mund të presim në një të ardhme të afërt, ku sigurisht prapë do të na befasoni me tema të veçanta që e karakterizojnë krijimtarinë tuaj?
Këto ditë me tre posterë isha pjesëmarrës i Bienales së Posterit – Edicioni II, ekspozitë ndërkombëtare e hapur në Pejë, Berat, e që pritet të hapet në Prishtinë e Stamboll. Gjithashtu, kam disa ftesa për ekspozita e festivale kolektive ndërkombëtare të dizajnit grafik, si në Gjermani e Finlandë, që i konsideroj serioze në aspektin e prezantimit tim personal.
Ka kohë që po punoj për një ekspozitë të re. Përkushtimi i herëpashershëm për secilin punim artistik shpresoj që të kurorëzohet me një ekspozitë vërtetë shumë përmbajtjesore, në esencë e veçantë si koncept, dhe estetikisht qartësisht e artikuluar.
Në anën tjetër, përkushtim të madh i kushtoj studimeve të doktoratës në Qendrën për Studime Albanologjike në Tiranë. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Phd. Xhavit Lipaj: Zvicra për Demencën – ndër vendet lider në botë për sistemin e saj shëndetësor
Musa Sylejmani: Jemi duke punuar për një film, i cili do të realizohet nga dy produksione shqiptaro-zvicerane IFTP& Helvetia Film
Prof.dr. Florim Cuculi: Kam implantuar me mijëra stenta në karrierën time dhe i bëj përafërsisht 500-600 intervenime në vit
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”
”Më kanë fyer, pati sulme raciste ndaj meje” Astrit Selmani reagon pas ofendimeve që mori në Rumani
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town
"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'
Mo Salah bëri histori me fanellën e Liverpoolit pas dy golave ndaj Southamptonit
Dronët sulmojnë një rafineri nafte, zjarr gjithashtu në një fabrikë të pajisjeve ushtarake – detaje dhe pamje të "dy shpërthimeve” në Rusi
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town
Ngjarja me Drilonin dhe Edin - Sarës i përkeqësohet gjendja në Big Brother VIP Kosova?
Pochettino e injoroi dhe bëri sikur nuk e njeh, ish-ylli i Chelseat ka një përgjigje për argjentinasin
Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A