LAJMI I FUNDIT:

Halil Matoshi, ose ‘kreshniku’ i gazetarisë

Halil Matoshi, ose ‘kreshniku’ i gazetarisë

Opinionisti, kolumnisti i Kohës Ditore, analisti politik, publicisti, krijuesi, Halil Matoshi, tashmë e ka krijuar stilin e tij tepër të veçantë në gazetari duke u shquar për guxim dhe thellësi të tij në çdo shkrim(tari).

Një bindje sado e përciptë, na qon në konstatimin se me shkrimet e Matoshit, mund edhe të mos pajtohesh, por assesi të mos i lexosh. Per penën e tij të mprehtë dhe goditëse, Lilua, siç e thërrasin shokët, është ndër të rrallët në gazetari, i cili gjërat s’i mat fort në kandar, por i thotë qartë dhe troç, pa frikën për pasojat eventuale.
Edhe në këtë intervistë kreshniku i gazetarisë sonë foli me jehonë.

Z. Matoshi, ju krahasojnë me Faik Konicën, Ekon, Kafkën, Cvajgun, etj. Ju bën kjo nder apo, konsideroni se Halili është vetën Halil dhe krahasimet nuk i interesojnë shumë?
Unë e dua poezinë e Horhe Luis Borges e të Wislawa Szymborska, romanet e Albert Camus, dhe J.M. Coetzee, por natyrisht edhe Kafken, Econ e Cvajgun… Siç e çmoj lart poezinë shqipe të Ndre Mjedës për ambëlsi e të Martin Camajt për thellësinë e mendimit dhe metaforat e hatashme, e çmoj mendimin kritik te Konices, Nolit… Por nuk dua t’u ngjajë atyre. Unë dua të jem unë dhe me askënd nuk bëj “ne”. Jam individualist, që mendoj e shkruaj dhe s’e nguc njeri… Jam si një Bud’ha edhe pse agnostik!


Cili duhet të jetë roli i gazetarit; i gazetarit, i prokurorit apo gjyqtarit?
Jo, jo, aty ku përfundon puna e gazetarit (prezantimi i fakteve të hulumtuara dhe të balansuara, pasi të jenë shterë të gjitha burimet e përfshira në një ngjarje), aty nisë puna e hetuesisë. S’ka lidhje gazetaria me hetuesinë, por mund ta ndihmojë atë duke e nxitur të hap një rast…Ose ta ndreq një padrejtësi…!?

Së fundi, keni patur disa shkrime të nxehta, me temperaturë për shumë fenomene në shoqëri. Keni patur pajtime, refuzime, lavdërime…?
Është e pamundur që të të duan të gjithë, të të pëlqejnë të gjithë. Unë shkruaj dhe jam në paqe me veten, është çështje e edukimit qytetar se sa njerëz të lexojnë, sa të tjerë pajtohen ose nuk pajtohen, kjo është çështje personale e tyre. I çmoj lexuesit, edhe ata që nuk pajtohen me mua, por që për këtë mospajtim kanë argumentet e tyre dhe i prezantojnë ato në mënyrë të qytetëruar.
Dikush para meje ka thënë se ‘edhe pse nuk pajtohem me mendimin tuaj, unë do të luftoj tërë jetën që ti të kesh të drejtë ta shprehësh atë mendim lirisht…’

A mund të krijon sot (në Kosovë) gazetari opinion të vet, apo e nesërmja i mbulon, i harron?
Po, opinioni krijohet pas shumë mundi e insistimi, por që më parë njerëzit duhet t’i informosh drejtë e paanshëm, pastaj duhet edhe ta krijosh besimin tek ta… Thjeshtë duhet të jesh një zëdhënës i atyre që nuk kanë zë. Të flasësh për ta, e ndonjëherë edhe ia vlen me bërtit… S’ka qare pa të dëgju’ dikush… Nga ana tjetër e altarit, ku rrinë shpirtrat e ligj – pushtetarët!

Ku mund ta fusim gazetarinë si fuqi, a është ende e treta, e katërta, apo e shtata?
Gjithsesi është fuqi. Thonë se në demokraci është “pushtet i katërt” pas legjbërjes, qeverisë dhe gjyqësorit, por duhet të kemi parasysh edhe shkallën e edukimit qytetar të një shoqërie, shkallën e arsimimit, sepse të gjithë nuk dinë apo nuk duan të lexojnë gazeta…

Keni qenë i zëshëm kundër tri neneve të kodit penal, sidomos të tri neneve të tij që kanë të bëjnë me gazetarinë. Tash që ato u hoqën, e merrni këtë si meritë të kundërshtimit medial dhe një fitore tuajën, apo mëshirë (friktë) të qeverisë?
Po gjithqysh, komuniteti i gazetarëve ka luftuar pa u hamend kundër atyre neneve të çuditshme për një demokraci, por në këtë betejë ka ndihmuar edhe një pjesë e shoqërisë civile kosovare. Çështja është zgjidhur, por ende në kokat e disa deputetëve, por edhe gazetarëve, është e turbullt kjo histori. Kosova me Kushtetutën e saj zotohet t’i respektojë konventat ndërkombëtare, siç është ajo për të Drejtat e Njeriut (Konventa e Romës, 1950). Merreni lexoni Nenin 10. dhe do të kuptoni pse është dashtë të hiqen ato tre nene kontestuese nga Kodi penal.

Ju bëni një jetë gazetari, samuraji, shpesh ndiheni i vetmuar, por sikur dëshironi t’i jepni kuptim thënies se njerëzit e majave, janë njerëz të vetmuar. Tashmë duket se definitivisht jeni larguar nga politika, por veten e keni gjetur në OJQ. Mendoni se zëri i shoqërisë civile është zë i arsyes dhe i ndryshimeve pozitive?
Unë paralelisht bëj jetën e komentuesit në gazetë (jam kolumnist i rregullt për çdo javë në KOHA Ditore) dhe të analistit politik në debate politike televizive, por aktualisht punoj edhe në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) si analist i Kuvendit të Kosovës dhe ligjeve… Gazetaria e mirë kërkon ose një ‘samuraj’ ose ik nga ajo, zgjidh një punë tjetër, që është më e lehtë dhe që paguhet më mirë… Shoqëria civile kosovare, ashtu si edhe media, pjesa më kredibile po e emancipojnë pushtetin politik, por edhe qytetarët… Natyrisht që bëjnë punë të mira… Jam i vetmuar, i ndrymë në vete kur mendoj një botë tjetër, më të durueshme, por jam i hapur dhe shumë i shoqërueshëm ndaj koncepteve e ideve të reja dhe ndaj miqve të rinj…

Shkrimin, tashmë e keni profesion jetësor dhe në këtë ”zeje” jeni djegur e pjekur. A është gazetari njeriu që din gjithçka dhe nuk dinë asgjë?
Shkrimi ka kuptim edhe kur të shpërfillin, të shajnë, të shpallin tradhtar, pastaj të çmendur fare… Por ti që shkruan duhesh të mendosh se kush janë ata që japin certifikata patriotike dhe po ashtu të bindesh vetën se ka shumë njerëz që të duan, që dinë të lexojnë, të shohin dhe të mendojnë. Që thonë, ka shpresë!
I shoh dhe dëgjoj kolegë të mi gazetarë, publicistë e kritik të Qeverisjes, kur thonë plot dëshpërim: “Kot, fjala nuk ka ndikim në shoqërinë tonë. Shoqëri pa kërkesa. Po bëhemi autista”!?

Ku gjendet sipas jush gazetaria sot? Kemi gazetarë të vërtetë apo njerëz që e nxjerrin bukën nga gazetaria?
Gazetaria dhe gazetarët në Kosovë, në secilën variant janë mbi klasën politike të vendit… Po, cili është konteksti kosovar i debatit dhe pse intelektualët kosovarë janë heshtur? Ndoshta shumica absolute e tyre kurrë nuk e kanë lexuar Amendamentin e Parë të Kushtetutës amerikane, që thotë: “Kongresi nuk mund të miratojë asnjë ligj që do të cenonte të drejtën e fjalës, apo të shtypit; apo të drejtën e njerëzve për t’u tubuar në mënyrë paqësore për ta shtyrë qeverinë që të merret me problemet që i mundojnë ata.”
Intelektualët kosovarë për hir të kontekstit të lirisë së atdheut të tyre, do të duhej që secilën ditë ta sillnin nëpër mendje faktin se me gjithë trajtimin e ashpër që i bëri shtypi Jaffersonit për shembull, ai prapëseprapë deklaronte: “Po qe se do të kisha mundësi të zgjidhja për të pasur një qeveri pa gazeta apo gazeta pa qeveri, për asnjë moment nuk do të hamendesha për ta preferuar këtë të fundit.”
Ish-presidenti amerikan Tomas Jefferson thoshte se liria e shtypit nuk mund të kufizohet pa u humbur. Shoqëria kosovare e ka humbur këtë liri prandaj që, i duhet të negociojë me pushtetin për ta rikthyer atë. Është e vështirë, besoni, ajo është dashur të mbrohet nga të gjithë. Shihni, ajo që ndodhi me Nenet 37, 38, 39 të Kodit Penal të Kosovës mjaftonte për të vlerësuar se liria e shprehjes është humbur, është kufizuar dhe për të, sërish duhet një luftë e re, e madhe…

Jeni bohem në shkrime dhe bohem në jetë. Një Halil i vërtetë…
Halili i vërtet është poet para së gjithash, eseist dhe estet, mendimtar! Poezia në raport me boheminë janë gjendje e të folurit? Poezia: Mbase t’u japësh gjuhë gjërave të nemitura, t’i zbulosh ato dhe t’i bësh të thonë! Pa shihni çfarë zbulon ai fëmijë që i fluget nanës prapa? Pse gjithë kjo kureshtje? Çka e shtynë ta bëjë këtë, kur paraprakisht asgjë nuk di për atë udhë a vend? Pikërisht intenca të bëjë udhë, të zbulojë botën e të rriturve, përmes nanës…Ja kjo intencë mua më thotë të shkruaj.
“Sot kur lumenjtë e risisë rrjedhin mbi popuj dhe vende, kujtesa (sikur edhe dituria) po bëhet pronë e përbashkët e njerëzimit (sepse tërë njerëzimi është fëmijë kureshtar) dhe rrjedha e kujtesës vetëpërtëritëse na lidh gjithnjë më fuqishëm me këtë përbashkësi. Por, kujtesa letrare, nuk mund të zëvendësohet, madje as në mileniumin e tretë…” (Paavo Rintala.)
Koha? Ajo ka kuptim vetëm për ne, për ngarendjet tona, aty ku ndalet njeriu përfundon çdo kohë dhe më nuk ka kuptim për të. Ajo vazhdon të rrjedhë sipas kuptimësisë që i japin njerëz të tjerë, breza të tjerë njerëzish… Udhët janë shumëllojesh, ama në vete e bartin vetëm një, ide-rrjedhën e njerëzve nëpër kohë. Ato janë dhiare malesh, udhë përbri lumenjsh, udhë krejtësisht malore që kur i bie nëpër to të duket se je në një tunel vetmitar, udhë të shtruara pastaj me rërë, me kalldrëme, me asfalt, deri në autostrada që shpijnë gjithnjë diku, në ndonjë qytet a katund të ri, në ndonjë tokë të re, në ndonjë realitet të ri. Në Tokën e Premtuar!
Dhe sërish, njeriu nuk ndalet t’i pushojë eshtrat, i lumtur se ka gjetur prehje, por niset prapë, ndodh që të nesërmen, për diku tjetër. Udhëton kështu njeriu drejt të panjohurës, drejt qiellit, që të njoh duke i vështruar gjërat dhe njerëzit tjerë nga lartësitë, për të parë më qartë. Njeriu, tërë jetën kërkon bashkimin me mitrën e nanës dhe kohën e ka si mekanizëm për ta ditur se sa është larg, se sa i është afruar Zotit, bashkimit më të dhe ai në jetë dashurinë, punën, artet i ka si sublimim të erosit, midis tokës dhe qiellit, tek vështron poshtë, deri në shkëputjen fatale: Rënien. Ose fluturimin që e ëndërron. Njeriu ngjitet në/më qiell.

Çka ua vret syrin më së shumti, ndoshta jo gjithçka…?
Sëmundja e shoqërisë! Luftoj ta ndal përfundimisht sëmundjen e quajtur nacionalizëm (si paranojë kolektive dhe degjenerim shoqëror) dhe vdirjen, zvetënimin e shoqërisë, sepse siç thotë Nietzsche, çmenduria individuale është e rrallë – por në grupe, parti, popuj…, ajo shfaqet shpesh në kohë të ndryshme.
Sëmundja e shoqërisë kosovare shfaqet në formën e brutalitetit, mizorisë, hipokrizisë, injorancës, lakmisë dhe kleptokracisë (pasurimit nga zyra publike, pra vjedhja e shtëpisë), krimit të organizuar dhe autokracisë. Do ta vendosja në qendër edukimin e qytetarit, për të cilin më atraktive është të jetë ekspert i fushës, mjek, profesor apo gazetar se sa ministër a kryeministër. Do të bëja të pamundshmen që qytetari ta kuptojë se nuk mundet me u ba i pasur përmes politikës, por përmes iniciativës së lirë, punës së duruar dhe mbi të gjitha dijes.

Në egon e krijuesit gjithmonë gjen shtrat rebelimi. Ju jeni megjithatë një rebel model, modern. Po jeta private e Lilos, cila është ajo? A mund të thuhet se jeni qejfli. Një variant i Khajamit tek “Rubairat”?
Nuk jam i rebeluar, ndonëse e quaj veten një refuzues i madh estetik (sipas doktrinës së Ibrahim Rugovës) dhe një njeri i revoltuar, që indinjohet (term i Stephanee Hessel.) Tërë jetën time jam angazhuar shoqërisht, pra për një shoqëri të hapur dhe debat vërtet demokratik e të çiltër, pa e paragjykuar tjetrin, për një botë vërtet humane e të lirë, një shoqëri të mirëqenë dhe kundër raportit shumicë-pakicë, pra për një shtet të së drejtës të deetnizuar. Nuk pajtohem, por luftoj që t’i të dëgjohesh…
Në anën tjetër, s’ka njeri pa ndonjë merak, pa ndonjë peng, pa ndonjë ëndërr. Meraku jem është fjala, pra shkrimi, poezia! Shkrimi për mua është hajmali; me mbron nga “syni i lig”. Jam i rrethuar gjithnjë me shumë miq, shumë ide avangarde dhe shumë libra. Pra, as miqtë dhe familjen nuk i lë m’anash…

Megjithatë jeni shumë i përkushtuar për familjen dhe duket se dy djemtë dhe vajza, për ju janë qeniet më të dashura në jetë?
Natyrisht se familja është një nga kuptimet që njeriu i jep jetës. Kënaqem kur Blendi, sugari im m’drejtohet: “Babë, s’ban me sha!”, sepse si njeri që reagon edhe shaj ndonjëherë… Me ta ia kalojmë bukur, në tifozëri (unë jam me Real Madridin, fëmijët me Barcelonën), por edhe në debate për qytetarin e edukuar mirë, për detyrat e shkollës; debate familjare dhe në ndeja miqsh…

Gjatë luftës keni qenë i izoluar, i maltretuar, madje buzë botës tjetër. Megjithatë keni mbetur gjallë falë fatit të madh. A i besoni fatit dhe fatalitetit?
Burgu paraqet paradhomën e kampit të përqendrimit. Burgu është fuqia e mirëfilltë e pushtetit, për më shumë se ndëshkim, ai është koncentrim dhe ka të bëjë me psikologjinë e ndëshkimit. Burgu është hapi i parë kah ndërtimi i konceptit të iluminimit, siç thuhet me gjuhën e administratës burgore ‘riedukimit’, në frymën e të bindurit, besimit… ”. Isha burgosur në kulmin e luftës së Kosovës më 1999, mbi bazën “shumë të arsyeshme”, përkatësia ime etnike shqiptare! Srebrenica është sinonim i rizgjimit të përmendores së turpit për iluzionin evropian iluminist. Fabrikën e zëvendëson kampi. Racionalizmi dhe teknologjia e lartë e zëvendësuan Zotin. Profesori ushtarin. Politikën e zëvendësoi biopolitika. Jeta e civis’it zhvendoset në hapësirën për jetë të zhveshur, sipas Giorgio Agamben-it (jetë e zhveshur nga çfarëdo e drejte). Derisa Lubonja mendon se nuk ishte e lehtë të pranoje të ridënoheshe për të mos u bërë vegël e xhelatit, unë në Kampin e përqendrimit “Zabela” në Pozarevac (Serbi) nuk e kisha këtë hall – e rimendoja përditë veten, a mund t’ia dal dhe çfarë duheshe të bëj brenda, si ta mas kohën dhe t’i ndal vuajtjet. Njëri nga tre psikologët më të mëdhenj të shekullit XX, Viktor Frankl-i, i cili, duke qenë vetë në kampet naziste për një kohë shumë të gjatë, kishte krijuar teorinë dhe metodën e tij të famshme psikologjike, të njohur si kuptimi i jetës. Sipas tij, nëse i burgosuri i gjen vetes një kuptim të jetës, mund të jetë ky kuptim çfarëdo: dashuria ndaj gruas, një libër i pashkruar, një kujtim, një përkushtim etj., ai do ta mund cilindo burg dhe cilëndo dhunë. Mbase ky është edhe kuptimi i parë, ai trivial i mitit për Sizifin, i cili, pavarësisht që nuk e arrin cakun, ka një qëllim dhe ky kast e bën të fortë e të pathyeshëm. Po kampet e përqendrimit kanë qenë “hapësira për jetë të zhveshur” brenda sistemit nazist, gjegjësisht si instrumente të “zgjidhjes përfundimtare” të çështjes së hebrenjve, ndërkaq “kampet e detyrimit” (nën Stalinin) kanë qenë kampet e punës së detyruar”, pra në ne kuadër të sistemit komunist. Brenda instrumentit të parë, kampit të përqendrimit, “çdo gjë ka qenë e lejuar” (everything is possible), siç shprehet Agamben, ndërkaq tek rasti i dytë kemi të bëjmë me një situatë më pak condita inhumana. Burgu politik është izolim i mendimit tjetër dhe nuk ka të bëjë asgjë me krimin. Njeriu që burgoset për mendimin ndryshe, nuk i intereson pushtetit, sepse ai është njësh, numër, por pushtetit i intereson shumëzimi i mendimit ndryshe, së këndejmi rritja aritmetike e armiqve, sepse shtetet ideologjike komuniste dhe totalitare nuk funksionojnë pa armiq. Një armik i prodhuar dhe i shumëzuar është paradigma mbi të cilën ngrihet ai pushtet. Sa më i numërt armiku, aq më legjitime janë mjetet represive ndaj tij. Pra, burgu politik është uzinë ku fabrikohet armiku. Ky armik ideologjik, së këndejmi duhet të kontrollohet, të mbahet tubë, jo për ndonjë veprim, por pse mendon ndryshe dhe pse ai ka menduar të veprojë.

Atëherë ju dëshirojmë fat, jetë të gjatë, shkrime të guximshme dhe ide të reja e të përfillshme.
Nera ju rritë dhe Ju falemneres!

/Telegrafi/

Në trend

Më shumë

"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë

Magazina
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrestimin e Netanyahut

Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrestimin e Netanyahut

Amerika
NASA publikoi foto të reja mahnitëse të Jupiterit

NASA publikoi foto të reja mahnitëse të Jupiterit

Botë
Pas tërheqjes së Gaetzit, Trump emëron një grua për Prokurore të Përgjithshme

Pas tërheqjes së Gaetzit, Trump emëron një grua për Prokurore të Përgjithshme

Amerika
Kalo në kategori

Më të lexuarat

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

WordPress › Error

Error establishing a Redis connection

To disable Redis, delete the object-cache.php file in the /wp-content/ directory.