Shyhrete Behluli njihet si këngëtarja më sharmante dhe më atraktive që ka pasur ndonjëherë estrada e Kosovës. Ajo i ka dhënë shpirt, zemër, buzëqeshje e më së shumti bukuri këngës së mirëfilltë popullore.
Janë të rrallë njerëzit që arrijnë objektivat që ka kaluar Shyhretja, aty ku ajo mori famën, hovin drejt karrierës së mirëfilltë artistike.
Shyhretja nuk del shpesh në media edhe pse është vazhdimisht e pëlqyer nga publiku. Por, këtë herë e ka një motiv për të folur dhe për më tepër të na tregojë diçka nga vetja e saj… Ajo rrëfen vetën, momentet e bukura në jetë, muzikën dhe mesazhin që përcjell në këngët e saj.
Është e njëjta, e qeshur dhe gazmore, por me një sërë projektesh ambicioze mbi supe.
Nëse riktheheni pas në kohë dhe kujtoni rininë tuaj, si ka qenë ajo…
Rinia e çdokujt është e mirë, pa marrë parasysh se çfarë kohe ka qenë ajo. Mendoj se edhe unë e kam jetuar rininë time, por e kam ndarë edhe fatin e tërë rinisë sonë të shkëlqyer. Pra, ishte një rini e mirë, në të gjitha aspektet, edhe në atë profesionale, edhe pse atëherë kënga për mua ishte vetëm një dëshirë; në rend të parë ishte shkolla, mësimi, mirëpo nuk e kam ditur se një ditë kënga do të jetë për mua çdo gjë.
Ju e kishit kuptuar që fëmijë se e ardhmja juaj do të ishte në muzikë, apo çdo gjë erdhi natyrshëm?
Më këngën jam rritur, sepse e kam trashëguar. Kënga gjithherë ka qenë në shtëpinë tonë, prandaj duket e natyrshme që edhe unë të jem e ngjizur dhe e mishëruar me artin, këngën e bukur dhe të pastër shqipe. Tashmë, mund të them se e kam profesion, pjesë të jetës sime dhe nuk mundem pa të.
Cila ka qenë këngëtarja jote e preferuar, të cilën e ke pasur qejf që e vogël dhe ke dashur që një ditë të bëhesh si ajo?
Ta them të drejtën, atëherë e kemi dëgjuar shumë Shqipërinë, më tepër këngë të Radio Kukësit, kam pasë një simpati të veçantë, ndoshta për Fitnete Rexhën; si këngëtare e kam çmuar gjithmonë zërin e saj. Edhe tash e adhuroj, dhe e dua, ndonëse nuk gjendet më në jetë.
Ju rrjedhni nga një trevë ku, pothuajse të gjithë këndojnë. Është ky një fenomen që nuk ndodh në mjediset e tjera?
As unë nuk di ta jap një shpjegim, pse? Megjithatë, them se treva jonë ka shumë talentë të këngës dhe kjo është për të të ardhur mirë. Të këndosh, do të thotë të argëtosh dhe të bësh njerëzit të hareshëm, ndonëse ka raste kur zëri këndon, kurse mendja pushon!
Këngët e juaja kanë qenë një lament, një kushtrim kombëtar në atë kohë. Nëse diçka ka mundur të bëhet kundër okupatorit, ka qenë një revoltë përmes këngës. A keni pasur pasoja për këtë nga pushteti? Edhe shoqëria që është quajtur atëherë “Afërdita” sikur ka simbolizuar, ose ka paralajmëruar se, dita e bukur është afër.
Vetëm shoqëria ashtu e ka pasë emrin, por të jem e sinqertë, kur ne filluam me këngën, ndoshta kemi qenë të reja për të kuptuar rëndësinë dhe mesazhin e këngëve tona. Unë i falënderohem arsimtarit të muzikës, arsimtarit të gjuhës, që na kanë ofruar tekste dhe familjeve tona që na kanë orientuar me diçka të mirë. Këngët tona kanë pasë një mesazh për të ardhmen. Me kalimin e kohës jemi vetëdijesuar edhe ne, mirëpo meritat e para janë për rrethin që na ka kanalizuar drejt, si mua, Shkurten dhe të tjerët.
Kur jeni njohur me bashkëshortin tuaj, dhe çfarë ju tërhoqi tek njëri-tjetri?
Me Lulin jam njoftuar në shkollë të mesme, unë isha në gjimnaz. Luli luante futboll për ekipin e Ballkanit, ka qenë një futbollist shumë i njohur. Ka qenë i mirë, frajer dhe kishte ardhur nga Llapi për të luajtur në Suharekë…Ai pati guximin të më afrohej dhe nuk ka pasë diçka tjetër të veçantë, por fati dhe kësmeti kanë përcaktuar jetën tonë. Unë jam e kënaqur me familjen dhe me dasmën madhështore që ishte bërë në atë kohë, në Podujevë. T’ju them të drejtën nuk mund të adaptohesha më çajin, të cilin tek ne nuk e kishim traditë, por vjehrra ime me nxirrte nga situata, saherë që kërkohej nga unë t’i shërbeja mysafirët.
Dashuria është e verbër, martesa të kthen shikimin. Kështu ishte edhe martesa juaj?
Dashuria të hap sytë, ndërsa martesa të bën të shohësh me kujdes. Unë e kam pas fatin që jam takuar me njeri që është i mrekullueshëm, si bashkëshort. I falënderohem, sepse unë kur isha në hapat e këngës, ka qenë pak më ndryshe që një grua të jetë e pranishme në media. Llapi ka qenë një regjion më fanatik, mirëpo unë nuk e kam pasur atë problem, përkundrazi kam gëzuar përkrahjen prej bashkëshortit dhe prindërve të tij.
Mendon se fati i njeriut është i vendosur apo duhet ta kërkosh?
Fati është i fshehtë, por varet edhe si i prin, sa i rri gati. Kërkoje fatin dhe do ta gjesh. Njeriu nuk bën të bëjë sehir dhe të rri, duke pritur fatin. Fati, megjithatë të gjen vetë.
Deklaruat se dasma juaj ishte mbretërore, madhështore?
Nga dasma jonë mbaj mend atmosferën e shkëlqyer nga të pranishmit në dasmë, por një kujtim i veçantë ishte atmosfera e krijuar që nuk e di se a do të mund të shihet ndonjëherë. I tërë qyteti i Podujevës ka qenë në të dy anët e rrugës jashtë, duke më pritur mua. Ka qenë viti ’81, dhe meqë flitej se mund të burgoseshim, nga kureshtja njerëzit kishin dalë me më pa dhe veturat nuk mund të lëviznin nga njerëzit deri në oborr.
Më vjen keq nga vetvetja që nuk kam arritur ta filmoj, siç bëhet tash.
Çfarë ka mbetur në të njëjtat nivele që para 36 vjetësh mes jush si bashkëshortë?
Nuk e di, ama po ua them pak me humor, shpesh i thonë Lulit, se çka po i bën gruas së vet që nuk po plaket, hahhaa.
Me veshjet e shtëpisë, zakonet dhe shërbimet shtëpiake, jeni po kaq e këndshme për syrin e tij?
Hahaha, nuk e di…njeriun kur ta duash, sido që të jetë, të pranon. Dashuria nuk shihet në rroba, por në sy.
Sa të mbështet Luli në punën tënde?
Pothuaj 90% të punëve të mia, i kryen Luli, mua më mbetet vetëm interpretimi i këngës. Pra, e kam krah të djathtë dhe ma lehtëson shumë dinamikën e jetës sime, por edhe obligimet.
Nervozohesh shpesh me të për çështje pune?
Po, nervozohem për cikërrime. Ja pse? Luli ka principe në termine, porse kjo është kulturë. Mirëpo, ke të bësh me palën tjetër që nuk është e përpiktë dhe nuk i respekton afatet. Dhe, kështu Luli, mua më bën presion, që të bëhem gati së më shpejt…ndërsa unë shpesh herë, nga ngutia, harroj diçka nga gjërat e shumta që duhet marrë (si gratë më). Ndoshta unë duhet që të mos e pres momentin e fundit dhe të bëhem gati, termini duhet respektuar.
A është harresa virtyt i lindur i yti, a?
Jo, por ngarkesa e tepërt dhe njeriu nga njëherë nuk është aq i koncentruar në moment. Harresa është njerëzore.
Mendoni se duhen mbajtur disa sekrete të vogla për vete, në mënyrë që mos të prishet ekuilibri i një raporti shumë të mirë?
Çdokush ka sekretet e veta.
Sekretet nuk tregohen, se pastaj nuk do të ishin sekrete?
Prandaj janë edhe sekrete, shumë gjëra duhet kapërdirë për t’i ruajtur raportet e mira, hahaha.
Duke qenë kaq e lidhur me këngën, mos keni lënë diçka pas dore?
Për momentin, nuk po shoh diçka që kam lënë pas dore. Ndoshta takimet me shoqëri, me njerëzit që i dua. Unë këngën do ta linja vetëm për familje, për fëmijët, pra në rend të parë është familja, pastaj vjen kënga.
Kush qëndron pas suksesit tënd, teksti, talenti, kompozitori, sharmi yt, apo të gjitha ngapak?
Të gjitha këto e kompletojnë një artist. Unë kam qenë gjithmonë e duruar dhe kam pritur në gjithë këto vite karriere këngën e duhur dhe ajo jo vetëm që erdhi, por erdhi së bashku me një ëndërr që u bë realitet i prekshëm.
Karrierë shumëvjeçare e ndërtuar me shumë mund. Si e shpjegoni qëndrimin kaq të gjatë në ‘top formë’?
Të jem e sinqertë, në këtë kohë duhet të jesh shumë e zgjuar dhe të dish se çka kërkojmë nga jeta. Duhet ditur ta nuhasësh situatën. Pra, duhet nuhatur çdo gjë. Duhet të bësh mund, duhet të dish se çka është në trend, diçka që është jetëgjatë dhe e pëlqyer ndër vite.
Sa herë që del në skenë Shyhretja, sikur i dridh zemrat tona. Çka keni diçka të magjishme dhe tërheqëse, do të thoshim, një perceptim në shikim të parë tepër sublim dhe tepër krenar?
Këtë e vlerësojnë të tjerët, mbase sytë, hahaa.
Këndoni edhe nëpër dasma.
Dasma bëhet vetëm një herë në jetë dhe aty mundohem të jap maksimumin, në mënyrë që i zoti i shtëpisë të ndihet i kënaqur. Dasma është dasmë dhe ashtu duhet të jetë edhe atmosfera.
Çfarë të frymëzon nga realiteti, për ta përdorur pastaj në krijimet e tua muzikore?
Çdo gjë që më duket e natyrshme ta kem në këngë, më frymëzon.
Sipas jush, për të qenë një këngëtar i mirë, cilat janë cilësitë kryesore që duhet të ketë personi që ka marrë përsipër të bëjë këtë punë?
Shije të mirë, vokal të mirë dhe një paraqitje interesante. Ka edhe shumë këngëtarë që nuk e dinë ku e ka vendin vokali i tij.
Për ata që duan të bëjnë një karrierë të ngjashme me tuajën, cilat do të ishin këshillat që do u jepnit?
Duhet të jetë vetvetja. Përveç punës, kërkohet shumë dashuri. Me praninë e dashurisë çdo gjë merr tjetër ngjyrë, tjetër pamje. Aty ku ajo triumfon ka gjithmonë jetë, ka shkëlqim sysh dhe buzëqeshje. Në këtë rast, punë dhe dashuri njëkohësisht japin një njeri të suksesshëm.
Kthehemi tek publiku: Tek cili publik do të donit të mbeteshit ju Shyhrete Behluli?
Kënaqësia më e madhe për mua është kur më duan brezat e rinj, por në mënyrë të padiskutueshme nuk mund ta mendoj audiencën time pa bashkëmoshatarët e mi, qofshin ata edhe më të vjetër se mua. Sepse unë jam nga ata njerëz, që vlerësoj çdo të thotë nostalgji, të rritesh me atë muzikë, me ata këngëtarë, me një brez të tërë. Mua më pëlqen shumë që kam adhurues gra dhe persona me të meta fizike.
Pas hyrjes në një treg kaotik, bota e artit gjendet befas në një luftë mes interesave të mirëfillta ekonomike dhe vlerave të vërteta. Si e gjykoni këtë luftë dhe nëse do të mundeshit, a mund ta pasqyroni përgjigjen tuaj me situata konkrete?
Unë mendoj se kaos ka në të gjitha fushat e jetës, edhe kënga është bërë biznes. Shumica fillojnë të këndojnë, pavarësisht se a dinë të këndojnë!
Por kjo ama nuk ju pengon juve personalisht të jeni e pozicionuar atje ku duhet, apo jo?
Aspak. Sepse unë nuk bëhem thjesht pjesë e kërkesave momentale të tregut në këtë vend. Unë jam pjesë e një kërkese që shkon përtej momentit. Unë nuk mendoj sot për sot dhe nuk bëhem pjesë e këtij procesi momental. Ajo që unë bëj është aty dhe do të mbetet aty: në raftet e gjërave që do të mbeten me kohën jo në atë pjesë të raftit që “strehon” gjëra që do të hidhen!
Një pyetje që është bërë gjithmonë por që realisht vlen të bëhet sërish: është ky treg që ushqen shijet e publikut, apo është publiku që kërkon të ketë këtë cilësi që i ofrohet?
Publiku, ndryshe flet, ndryshe mendon. Unë mendoj se ne kemi nevojë për rregulla dhe standarde të cilësisë.
Publiku do të edukohet me atë që do t’i ofrohet.
Publikut çkado që i ofron, e merr pa rezervë. Por, shija e publikut kultivohet dhe atij duhet ofruar sa më shumë vlera.
Po media, çfarë roli luan në këtë drejtim?
Kurrfarë roli. Media besoj se nuk promovon artin e vërtetë.
Gjendemi kështu përballë situatës kur media, sipas jush, nuk luan siç duhet rolin e saj, artistët vetë nuk janë të organizuar për të mbrojtur vlerat, dhe tregu në anën tjetër funksionon në kaos, e publiku përtyp atë që i ofrohet! Kush duhet të kujdeset në këtë mes për të ruajtur vlerat?
Krejt ngapak. Por edhe shteti! Nuk e di a funksionon ligji, artisti kurrfarë të drejtash autoriale nuk ka. Kurrë më kaotike gjendja nuk ka qenë. Tashti, nëse ke para, bëhesh këngëtar. Besoj se institucionet e këtij vendi duhet të kujdesen që të gjejnë mënyrën e duhur si të promovojnë vlerat e mirëfillta, si të ruajnë këto vlera e në fund të fundit si të edukojnë publikun me këto vlera.
Si është klima mes këngëtareve, kryesisht atyre femra. Ka bërryla, dhe këta bazohen më shumë te talenti apo pamja e jashtme?
Ka, jo vetëm te këngëtarët, por edhe gjithkund tjetër. E mira është që duhet përmbajtur, mos ta shprehin haptas grykësinë e vet, ose mos të duken gllabërues.
Mund të veçoni dot një këngë nga gjithë këngët tuaja?
E kam shumë të vështirë, i dua të gjitha njësoj, janë sikur fëmijët. Por, besoj se publiku mund ta bëjë këtë gjë, pasi varet nga shijet e secilit. Unë i shikoj punët e mia si pjesë e një zinxhiri të plotë që përbën karrierën time.
Shyhretja bën muzikë për të jetuar apo jeton për të bërë muzikë?
S’di të përgjigjem duke zgjedhur një nga këto dy alternativa, por mund të them se unë jetoj si gjithë njerëzit e tjerë me dëshirën për tu realizuar si njeri dhe bëj muzikë, sepse ajo i shton lezetin, ose motivin jetës sime.
Tani që e shikoni karrierën tuaj në mënyrë objektive, a ka diçka që mendoni se do të mund ta kishit bërë më mirë?
Unë mendoj se gjithçka që bëjmë lidhet ngushtë me natyrën komplekse njerëzore dhe është shumë e vështirë ta kuptosh këtë natyrë. Ndoshta do të kisha bërë gjithçka sërish ashtu siç e kam bërë deri tani. Ndoshta për shkak të neglizhencës sime, nuk kam arritë t’i përkushtohem ndonjë kënge apo të bëj ndonjë klip më të mirë.
Ndryshe ndryshe m’doket ftyra/kisha dasht mem rrejt pashqyrja/kisha dasht kohën me ndal/mos mi pa vijat në ball…
Të tremb mendimi se një ditë nuk do të jesh kaq e këndshme sa sot?
Vitet e bëjnë veten, mirëpo edhe ajo e ka hijeshinë e vet. Vitet le ta bëjnë të vetën, kurse ne tonën.
Tish kjo koha e rinisë/si sahati me u kurdisë/kisha dit shka me bo vet/kisha nejt veç 20 vjet…Çfarë do të doje të kishe në këto momente, diçka që të mungon?
Po të isha njëzetvjeçare, do të dija, tash nga kjo pozitë është vetëm një dëshirë e mirë, por edhe kështu, nuk mund të ankohem për asgjë.
Koha tremb çdo njeri, burrë dhe grua, por imazhi i këngëtareve lidhet edhe me moshën, për sytë e publikut, duket sikur ato e kanë një afat skadence. Është e drejtë?
Arti nuk ka moshë, edhe pse te populli ynë, sikur çdo gjë ka afat skandence.
Ju tremb pleqëria e burrit?
Nuk e lejoj të plaket, se kënga ime e përtërin vazhdimisht.
Dritëro Agolli, thoshte: ‘Jetoj, dmth plakem, plakem, dmth, jetoj’. Megjithatë, së paku si këngëtare e keni kapërcyer sfidën e moshës. Të tjerat nuk kanë mbërritur tek ju?
Lutem të jetë ashtu, sikurse thuani ju.
Në fund të kësaj interviste, si ndihet Shyhretja?
Plot ambicie, jetë, shëndet dhe shyhret. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Musa Sylejmani: Jemi duke punuar për një film, i cili do të realizohet nga dy produksione shqiptaro-zvicerane IFTP& Helvetia Film
Prof.dr. Florim Cuculi: Kam implantuar me mijëra stenta në karrierën time dhe i bëj përafërsisht 500-600 intervenime në vit
Inva Mula: “Ne nuk mund të shpresojmë te gjenerata e re, pa investuar te fëmijët tanë“
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrestimin e Netanyahut
NASA publikoi foto të reja mahnitëse të Jupiterit
Pas tërheqjes së Gaetzit, Trump emëron një grua për Prokurore të Përgjithshme
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje