LAJMI I FUNDIT:

Poezia jonë – shprehje e esencës shqiptare

Poezia jonë – shprehje e esencës shqiptare

Agim Vinca ka lindur më 22 maj 1947 në Veleshtë në një familje arsimdashëse. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Strugë. Studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe i kreu në vitin 1970, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku edhe magjistroi dhe doktoroi. Është profesor në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, ku ligjëron Letërsinë e sotme shqipe.
Agim Vinca është njëri nga poetët më të njohur bashkëkohorë shqiptarë dhe njëri ndër studiuesit më të dalluar të letërsisë shqipe. Përveç punimeve të shumta në faqet e shtypit dhe të periodikut shqip, ka botuar edhe shumë vepra letrare dhe shkencore.
Agim Vinca merret edhe me përkthime letrare. Krijimtaria letrare e Agim Vincës i ka kaluar kufijtë gjuhësorë të gjuhës shqipe. Poezi dhe shkrime të tjera të tij janë përkthyer dhe botuar edhe në shumë gjuhë botërore.

Bisedoi: Smajl Smaka

Pas shthurjes së madhe, popujt tjerë avancuan pozitën politike. Ç’ndodhi e ç’ndodh me ne shqiptarët, veçanërisht me këtë’ "krahun e shqipes" këndej kufiri, siç do të thoshte poeti. A bëmë dhe a bëjmë hapat e duhur? Gëte thoshte:, "Kush nuk shkon para, shkon mbrapa!"
Agim Vinca: Përpara vitit 1991, d m th. përpara "shthurjes së madhe", siç thoni Ju, në mjedisin tonë ekzistonte një opinion se shpërbërja e Jugosllavisë do të sillte vetvetiu edhe zgjidhjen e çështjes shqiptare. Kishte njerëz në atë kohë që pohonin me gojën plot: Vetëm le të shpërbëhet Jugosllavia se pastaj lehtë ia bëjmë! Dhe ja, "e sëmura e Ballkanit", përkatësisht Jugosllavia, u shpërbë, ndërsa ne shqiptarët u ndamë e u përndamë me kufij të rinj midis hapësirës etnike shqiptare, madje, për fat të keq, jo edhe pa fajin tonë. Nuk mund të thuhet se nuk kemi bërë asgjë në këto vite pas rënies së sistemit totalitar të diktaturës njëpartiake dhe pas shpërbërjes së miniperandorisë ballkanike, mirëpo hapat e bërë nuk i kemi hedhur me kohë e në mënyrë vendimtare, kurse proceset e filluara nuk i kemi shpurë gjer në fund.


Thuhet se në pyetje fshihet përgjigjja. E shtruat para disa vitesh një si pyetje sugjestive: Si politikë kombëtare e lëvizje çlirimtare a i kemi organizuar, mobilizuar e angazhuar të gjitha energjitë e potencialet tona?
Agim Vinca: Pyetjes së mësipërme iu përgjigja pjesërisht edhe më parë: nuk i kemi organizuar, mobilizuar dhe angazhuar të gjitha energjitë dhe potencialet tona kombëtare. Nuk i kemi vënë në veprim të gjitha energjitë tona ekonomike, politike, mendore, shpirtërore, intelektuale, njerëzore, etj. Përse? Për shkak se edhe një herë dëshmuam se jemi popull individualist, që nuk funksionon si, kur e sa duhet si sistem dhe se në momente vendimtare historike nuk arrijmë të gjejmë gjithmonë gjuhë të përbashkët e as forma dhe mjete efikase për punë, veprim e rezistencë të organizuar kolektive. Nga ana tjetër, forcat politike shqiptare jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj, të dehura nga lufta për pushtet, ndoqën politikën e rritjes së tensionit dhe të polarizimit të rreptë midis tyre e jo të shtendosjes e të bashkëpunimit për hir të interesave kombëtare.

Ç’pozitë duhet të mbajë e ç’mision ka intelektuali në raport me përditshmërinë, me thirrjet e kohës, karshi politikës si fat të përbashkët?
Agim Vinca: Intelektuali nuk mund të jetë indiferent ndaj thirrjeve të kohës dhe provokimeve të përditshmërisë, që i dikton politika (përkatësisht historia si fat i përbashkët). Aq më pak mund të jetë i tillë intelektuali i një populli të ndarë, gjysma e të cilit jeton nën sovranitete të huaja. Mision i patjetërsueshëm i intelektualit është të vihet pa frikë e hezitim në mbrojte të lirisë, të së drejtës dhe së vërtetës. Mënyrat se si e bën ai këtë, mund të jenë të ndryshme, qoftë përmes angazhimit praktik në jetën politike, qoftë përmes punës së tij krijuese e intelektuale.

Në cilën masë letërsia jonë ka krijuar fizionomi e identitet? Cilat janë rrjedhat, tendencat, proceset, kahet dhe veçoritë e saj? Sa korrespondon ajo me kohën, si shpreh substancën," shpirtin, të themi atë "esencën shqiptare"?
Agim Vinca: Letërsinë tonë, veçmas këtë krah të saj, që krijohet në Kosovë dhe në viset e tjera të robëruara shqiptare, e karakterizon përpjekja e vazhdueshme për ta gjetur dhe ruajtur identitetin e vet kombëtar dhe njerëzor dhe gjakimi pas lirisë kombëtare si ideal suprem i saj. Ky përcaktim dhe angazhim i saj e formëson në masë të madhe edhe fizionominë ideo-estetike të kësaj letërsie. Shikuar nga ky aspekt, mund të thuhet se letërsia shqipe, dhe veçanërisht poezia, shpreh në masë të madhe atë që do të mund ta quanim "esencë shqiptare", pra shpirtin dhe aspiratat liridashëse të popullit; frymën dhe fizionominë e tij kombëtare të përcaktuar nga rrethanat historike dhe konstitucioni i tij i brendshëm. Ndërkaq, kahet dhe tendencat aktuale të letërsisë shqipe janë të shumta e të larmishme; ajo synon t’i ngjajë një mozaiku të gjallë stilesh, shijesh e angazhimesh.

Në ç’relacion janë drama jonë kombëtare e letërsia? Në ç’masë është i qëndrueshëm, i justifikueshëm ai mendimi i Juvenalit se vargun e lind revolta?
Agim Vinca: Ekziston një mendim se letërsia e një kombi është e tillë çfarë është edhe historia e tij. Meqenëse historia e popullit shqiptar, me gjithë luftërat dhe përpjekjet e tij, gjatë shekujve ka qenë në thelb tragjike, edhe letërsia dhe kultura shqiptare e ka të theksuar dimensionin e saj tragjik. Letërsia jonë është më tepër letërsi e dhimbjeve të jetës sesa e gëzimeve të saj. Ajo njeh më shumë ndjenjën e protestës, të revoltës dhe të rezistencës sesa të gëzimit, të kënaqësisë dhe të harmonisë. M’u për këtë në poezinë shqipe, veçmas të këtij krahu, është pothuajse deficitare lirika e dashurisë. Ka aq shumë vargje me gjak, varre e eshtra, e pothuajse fare pak me puthje, lëng jetësor e dashuri. Edhe letrat që shkruhen e dërgohen në vargjet e poetëve tanë ose në faqet e prozatorëve, janë letra që nisen e adresohen nga vendlindja në mërgim ose e kundërta.

Ç’e karakterizon atë krah letërsie shqiptare që ndaras, por e pandarë në një gjeografi specifike zhvillohet në diasporë?
Agim Vinca: Letërsia shqipe sot krijohet në disa punkte kryesore: në shtetin amë; në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare përreth saj; tek arbëreshët e Italisë, si edhe në diasporën e gjerë shqiptare të shpërndarë nëpër botë, kryesisht në Perëndim. Letërsinë shqipe të diasporës, e cila në të kaluarën (gati gjysmë shekulli) është krijuar pothuajse e shkëputur prej trungut të vet, e përshkon tërësisht sindroma e ndaljes, i çrrënjosjes dhe i mërgimit. Notat e mallit dhe të nostalgjisë për atdheun e ngjyrosin atë emocionalisht. Mirëpo, letërsia shqipe e diasporës ka edhe autorë që kanë krijuar vepra vlerash dhe dimensionesh universale, që flasin për jetën dhe filozofinë e saj në përgjithësi.

A e bëjnë në masën e duhur letërsia, kultura e mediet punën e përbashkët në integrimin shpirtëror gjithëkombëtar? Në ç ‘shkallë ato ushtrojnë funksionin e misionit historik e aktual rezistues e çlirimtar?
Agim Vinca: Gjuha, letërsia dhe kultura përbëjnë veçantinë e një kombi dhe si të tilla luajnë një rol me rëndësi në integrimin dhe kohezionin shpirtëror të tij. Mjafton të themi se të gjithë shqiptarët sot, kudo që janë, shkruajnë e flasin (natyrisht në jetën publike) një gjuhë letrare, gjuhën letrare të njësuar shqipe, që është një nga faktorët më të rëndësishëm të integrimit mbarëkombëtar, prandaj tingëllojnë aq absurde dhe retrograde tendencat e shfaqura aty-këtu në kohët e fundit për rishikim të bazave të gjuhës letrare shqipe. Populli shqiptar është popull territorialisht i ndarë: popull që u përket disa besimeve; që ka trashëguar nga e kaluara edhe partikularizma të tjerë (krahinorë, dialektikorë etj.), prandaj roli i gjuhës, i letërsisë dhe i kulturës në ruajtjen dhe forcimin e kohezionit të tij shpirtëror është i madh dhe i pazëvendësueshëm. Kështu qëndron puna përsa i përket aspektit të përgjithshëm të kësaj çështjeje; pra aspektit teorik të integrimit shpirtëror si proces, të themi kështu. Mirëpo, shikuar në planin praktik, integrimi ynë kulturor dhe shpirtëror, edhe në këto vite të heqjes së barrierave ideologjike, çalon në shumë pikëpamje. Dhe, kjo ngecje është si pasojë e disa rrethanave rënduese, gjenerator i të cilave është "Muri Shqiptar i Berlinit", po aq edhe i dobësive institucionale e individuale që na kanë përcjellë dje dhe sot.

Sikur kemi çrregullim vlerash e anarki kriteresh, ndaj edhe produksion titujsh nën mesatar e promovime të çdoditshme. Andre Zhidi dikur kishte thënë: "Me ndjenja të mira mund të bëhet letërsia e dobët". E karikojmë paksa: Mos kemi tash më shumë shkrimtarë se lexues, në stilin "Shtatë autorë kërkojnë lexuesin"!?
Agim Vinca: Është një gjendje vërtet shqetësuese, gati alarmante: vërshimi i pseudovlerave në letërsi, në muzikë, në estradë etj. Ç’institucionalizimi i jetës, heqja e censurës, logjika komerciale e ekonomisë së tregut etj., kanë shkaktuar botimin e mjaft librave pa vlerë, të shund­kasetave etj. Dikush mund të thotë: "Në çdo kohë kanë ekzistuar, krahas vlerave, edhe pseudovlerat". Dakord. Me kalimin e kohës një herë ato i bëjnë dëm të madh mjedisit tonë kulturor; e kontaminojnë atë dhe e prishin shijen e lexuesve, të cilët, të ballafaquar me "prodhimin" e madh të "vlerave" sikur e humbin interesimin për to, aq sa sot kemi një fenomen të përçudshëm: më i madh është numri i atyre që shkruajnë e botojnë sesa i atyre që lexojnë. Parabola e Pirandelos ka gjasa të bëhet moto e kohës.

Sa e mban hapin kritika me letërsinë, sa i heton e i veçon vlerat. Volteri thoshte: asgjë s’është më lehtë për të shkruar letërsi të dobët, sesa të shkruash kritikë të dobët!?
Agim Vinca: Prej të gjitha zhanreve të krijimtarisë letrare, kritika letrare është më së shumti e lidhur me institucionet: arkivat, bibliotekat, katedrat etj. M’u për këtë, kritika letrare sot, te ne, ka një rënie të dukshme dhe nuk arrin të përcjellë e të valorizojë siç duhet krijimtarinë aktuale letrare. Në kushte të tjera, më të volitshme, kritika jonë letrare do të merrte veten shpejt dhe do të ecte në hap me kohën. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë

"Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket", paralajmërimi i Musk për të ardhmen e njerëzimit

Botë
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për transferimin e yllit të Interit

Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për transferimin e yllit të Interit

Premier League
Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë

Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë

Hendboll
Gabimi i menaxherit në kontratën e parë profesioniste, si u detyrua Liridon Krasniqi të punojë në ‘baushtellë’

Gabimi i menaxherit në kontratën e parë profesioniste, si u detyrua Liridon Krasniqi të punojë në ‘baushtellë’

Kosovë
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan

Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan

Lajme
Pyjet e Kosovës në zhdukje: Çka tregojnë pamjet satelitore?

Pyjet e Kosovës në zhdukje: Çka tregojnë pamjet satelitore?

Lajme
Kalo në kategori