LAJMI I FUNDIT:

MENTORI I SKENËS!

MENTORI I SKENËS!

Aktori i tetarit dhe i filmit, Mentor Zymberaj, padyshim hyn në radhën e gjeneratës së re të aktorëve, i cili me talentin e tij, ka lënë gjurmë në skenën dhe ekranin tonë. Ai, është edhe profesor i regjisë në Akademinë e Arteve të UP dhe këtë punë e bën me profesionalizëm dhe përkushtim të madh. Lirisht mund të thuhet se Mentori, është mentor i gjeneratave të reja në Kosovë.

Bisedoi: Shaqir Foniqi

Z. Mentor,duket kishit lindur për dërrasat e tetarit dhe ekranin e filmit?
Besoj që ndonjëherë gjërat janë vërtet të shkruara se si do të ndodhin në jetën tonë, e sidomos kur është fjala për punë të veçanta dhe të shenjta. Dashuria për këtë profesion tek unë është një pasion aq profesional e poashtu edhe shpirtëror. Ka lindur shumë herët në jetën time, sigurisht, dhe njëherazi ka qenë përcjellës i besueshëm gjatë gjithë jetës sime.


Megjithatë, talentit tuaj ia keni shtuar edhe shkollimin një kusht që duhet plotësuar për të qenë aktor komplet?
Pas angazhimit tim në ‘botën e artit’, në moshën më të re, erdhi koha që të vazhdoja edhe studimeve në lëmin e artit skenik, si nevojë e domosdoshme e kompletimit të një artisti profesionist të skenës teatrore dhe të filmit. Pata fatin që t’i takoja gjeneratës së parë të studentëve të drejtimit të aktrimit në Fakultetin e Arteve të UP-së. Ky, ishte vërtet një privilegj për atë kohë, pasi që, me vite të tëra nuk ishte hapur drejtimi i aktrimit. Besoj që, talenti, është vetëm një parakusht për pranimin në degën e artit dramatik, ndërsa puna me përkushtim të madh është ajo që artistin e bënë të vërtet dhe të pëlqyer.
Pas studimeve dhe shpërblimit të Universitetit “Student i Dalluar”, Fakulteti i Arteve dhe profesorët, më kishin propozuar asistent, kurse më vonë edhe profesor në degën e aktrimit, ku edhe jam edhe tash.

Keni hyrë relativisht i ri në botën e artit, cila është kjo botë, është e panjohur, interesante, e rëndë, apo e panjohur?
Bota e artit është vërtet botë e bukur, atraktive, interesante, provokative, e ndjeshme, e thellë, por edhe një botë me plotë sakrifica. Të jesh dhe të jetosh me botën e artit, me përkushtimin më të madh ndaj tij, është njëherazi edhe qasje ndaj egos njerëzore dhe asaj që ne e quajmë, shenjtëri.

Deri tashti keni pasur shumë angazhime, jeni angazhuar në shumë role. Sikur jeni ndarë në dy pjesë, në pjesën e dedikuar për skenë dhe atë për film. Ku e gjeni vetën më mirë?
Angazhimi im në profesion ka qenë vërtet i madh. Aq, sa ka qenë angazhimi im në teatër, po aq, ka qenë edhe në film. I vetmi dallim, ka qenë atëherë kur unë nuk kam pranuar të angazhohem në realizimet, që mendoja se nuk kishin vlerë artistike. Në realizimet e mia si autor dhe si regjisor, qasja ime ka qenë origjinale, e motivuar nga vlerat e jetës, trashëgimisë, lashtësisë, historisë sonë, etj. Jeta e filmit dhe ajo e teatrit dallojnë në formë realizimi dhe produksioni, por unë, nuk mund t’i ndaj në asnjë moment. Unë, kryesisht veten e gjej në vlerë të vërtet artistike, në diçka çka sinqerisht mund të themi që, i kontribuon popullit tim dhe mbarë artdashësve.

Cila është CV-ja juaj artistike, duket së është shumë e begatshme?
Cv-ja ime është e begatshme, është e bazuar me një tempo dhe ritëm të pandërprerë. Një shok më pat thënë, se a mos duhet që vepra të shijohet më shumë dhe t’ia ndjesh kënaqësinë e vlerës dhe suksesit, apo duhet kaluar kështu nga puna në punë me një tempo të pakompromis?! – I thashë se, edhe unë do të kisha dëshirë që t’i jepja vetes pushim ndonjëherë, por angazhimet nuk ma lejonin këtë luks!

Keni rrëmbyer me meritë edhe shumë çmime në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar?
Vërtet jam shpërblyer me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare që nga fillimi i karrierës sime. Çmimet i kam fituar për lojën filmime, por edhe për atë në dërrasat e teatrit. Mirëpo, vlen të përmendet se këtë vit kam arritur sukseset më të mëdha, duke shënuar një rekord në këtë gamë çmimesh. Bëhet fjalë për çmimin e Festivalit ndërkombëtar të monodramës “Aktori në Kuti”, ku jam autor, aktor dhe regjisor. Kjo shfaqje rrëmbeu hiç më pak se tetë çmime, duke i sjellë skenës shqiptare krenarinë e artit skenik në konkurrencë me botën. Këto çmime janë fituar në një konkurrencë të fortë në mesin e shumë artistëve të zëshëm ndërkombëtar. Ky është një nga sukseset, jo vetëm të miat, por edhe të kulturës dhe artit prej nga vija, por edhe një nga sukseset e rralla, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Evropë, e ndoshta edhe në botë për një periudhë njëvjeçare. Pos kësaj, suksese kam shënuar gjatë këtij viti, edhe me shfaqjen, “Një përkujtim në kafe-teatër”, si në skenën e Kosovës dhe jashtë saj.

Jeni aktor me stil, keni krijuar tipin tuaj të rolit. A është e vërtet?
Stili vie vetvetiu pas punës së artistit dhe, ngjizet në trupin e tij si një njollë e pandashme. Imazhet e krijuara kinse me stil, vetëm sa për stil, apo në emrin e ndonjë stili, nuk më kanë pëlqyer asnjëherë dhe më janë dukur të rrejshme. E vërteta dhe origjinaliteti i artistit është njëherazi edhe emblema e tij.

Keni themeluar edhe shkollën për aktrim dhe film, AKT, me një traditë mbi dhjetëvjeçare. Si është interesimi dhe a vëreni talent tek ta?
Shtëpia teatrore filmike, AKT, këtë vit shënon 15 vjetorin e themelimit dhe të punës. Mbi 30 projekte teatrore profesionale dhe filmike janë realizuar duke u prezantuar në skenat më të rëndësishme në arenën ndërkombëtare, si dhe, duke marrë pjesë edhe në Festivalin e Kanës në këtë edicion, me filmin e shkurtër artistik “Refren për Kosovën”. Ne kemi edhe studion e aktrimit, ku kemi trajnuar aktorë të rinj të talentuar, e poashtu edhe të të gjitha moshave të tjera, por, qe tri vite nuk kemi mundur të vazhdojmë procesin për shkak të angazhimeve të mia. Unë, besoj, që në të ardhmen do të konsolidohemi më shumë përreth studios. Vetëm gjatë këtij 6 mujori, studio AKT, ka realizuar tri premiera teatrore profesionale. Ndërsa, deri në fund të këtij viti kalendarik, presim edhe premierën e katërt.

Po me studentë si qëndron puna. A kanë perspektivë, apo shumica prej tyre janë të zhgënjyer që janë përcaktuar për aktrim?
Pjesa më e madhe e studimit tim të pandërprerë është e pandashme edhe në punën time me studentë. Ne kemi studentë të mrekullueshëm dhe gjithnjë konkurrentë të fortë për drejtimin e aktrimit. Është një program i mrekullueshëm i studimeve, ku po shënohen edhe rezultatet, si të studentëve, po ashtu edhe t, vet pedagogëve. Tek unë si pedagog i tyre edhe, ndoshta, ka ndikuar edhe edukimi im familjar, meqë prindërit e mi, ishin ndër mësuesit e parë në trevat tona. Po ashtu, forma e komunikimit me studentë është vërtet punë mjaft interaktive dhe e dobishme, që e tregojnë edhe rezultatet e shumta. Sa i përket studentëve, varet shumë nga qasja dhe qëllimet e tyre ndaj profesionit për profesionin e zgjedhur. Ata, duhet ta dinë se, ta duash dhe ta bësh, është dallim i madh! Nëse mua do të me pyesnit, edhe po të lindja edhe njëmijë herë, po aq herë do ta zgjedhja këtë profesion, pa asnjë hezitim.

A ka hapësirë krijuese tek ne?
Më duket se, sa më shumë i ngushtohet hapësira artistit, aq më shumë i rreket punës, hahahahah! Unë, mendoj se, artisti gjithmonë duhet t’i krijojë vetes hapësirë për punë. Artisti është ai që mëson edhe të tjerët se si të ‘pushtohen’ hapësirat e punës së njerëzve. Tek ne, nuk është duke u vlerësuar vlera artistike aq shumë, në mënyrë që të shkohet sa më përpara dhe të zihet hapi artistik. Arti nuk është tender. Nuk ka filluar nga sot, nuk ka filluar as nga gjenerata ime, i ka rrënjët shumë thellë në lashtësinë e njerëzve. Ne, këtë trung, duhet ta përsosim në vazhdimësi dhe ta ushqejmë, poashtu. Ky është shpirti, krenaria dhe dinjiteti ynë si njerëz dhe si popull, andaj nuk guxojmë të ndalemi pa marrë parasysh sfidat!

Duket se jeni shumë i angazhuar. Cili është angazhimi juaj aktual?
Angazhimi im kohët e fundit ka qenë i madh si në teatër, ashtu edhe në film. Që nga qershori, kam realizuar tri shfaqje teatrore në cilësinë e autorit dhe regjisorit: “Lundra”; “1999” dhe “Viktima”, të cilat janë realizim i AKT. Kam përfunduar xhirimet në filmin “Kodi i Jetës” të Ekrem Kryeziut. Tani jam i angazhuar në filmin më të ri të Agim Sopit që është projekt i QKK. Po ashtu, kam edhe një angazhim në monodramën time më të re, në të cilën jam autor, regjisor dhe aktor. Kam edhe shumë oferta për angazhime dhe bashkëpunime në të ardhmen.

Vazhdimisht thuhet se teatri po i humbë shikuesit. E ndani ju këtë mendim?
Teatri vërtet ka ngecje në shikueshmëri, por jo gjithmonë dhe jo në të gjitha shfaqjet. Mendoj se shikuesit duhet doemos t’i ofrohet jeta dhe problemi i tij në mënyrë që ai të ndërlidhet dhe të ketë motiv të përcjelljes së teatrit dhe zhvillimeve të tij. Besoj që duhet t’i ofrohet drama origjinale dhe për asnjë çast të mos anashkalohet dramaturgjia kombëtare. Përkundrazi, ajo duhet të ketë aksentin kryesor që të kemi edhe shikueshmërinë e duhur të artdashësve. Ndërsa, segmenti tjetër që duhet kushtuar kujdes në të ardhmen, është ai i organizimit dhe menaxhimit.

Si duhet të jetë një aktor komplet?
Një aktor komplet, duhet të jetë një aktor i vërtet, të jetë më tepër se gladiator në arenë dhe të jetë i thellë më tepër se një analist dhe një shkencëtar i vërtet.

—————————————————-

Mentor Zymberaj u lind në Pejë, më 22.04.1968. Fakultetin e Arteve, drejtimin e Aktrimit e regjistroi në vitin 1989/90 në UP, si student i gjeneratës së parë të aktrimit. Diplomoi më 1992/93 dhe u shpërblye me Çmimin e Universitetit te Prishtinës, ”Student i Dalluar”. Pas diplomimit angazhohet ne Fakultetin e Arteve – Profesor në Artin Dramatik. Specializoi në mjeshtërinë e lojës pa tekst në shfaqjen “Kronisti i të vrarëve”. Magjistroi në drejtimin – Regjia Teatrore në Fakultetin e Arteve të UP.

Deri me tani u angazhua në këto shfaqje profesionale:

-‘’Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit’’, F.Hysaj, Teatri Kombetar
-‘’Profesor jam talent…I dhe II’’, F.Begolli, Teatri Dodona
-‘’Borgjezi Fisnik’ L.Daka, Teatri Dodona
-‘’Sakramenti’’, M.Zymberaj, E.Gjocaj, Teatri Epik
-‘’Shqiptari me duar në xhepa’’, I. Qosja, Teatri Epik
-‘’Karavani i Bubrrecave’’, I.Qosja, Teatri Sofra (Struge)
-‘’Monodramë për mua dhe Zotin’’, I.Qosja, SH.T.F.AKT
-‘’Kronisti i të Vrarëve’’, M.Zymberaj, Oslo (Norvegji)
-‘’Stjuardesat’’, F.Begolli, Teatri Dodona, SH.T.F AKT
-‘’Vallja e Djajve’’, Xh.Qorraj, Teatri Kombëtar
-‘’Fanitja e një Mbretëreshe’’, I.Qosja (M.Qiriazi)
-‘’Gof’’, Xh.Qorraj, Teatri Kombëtar
-‘’Orestia’’, F.Hysaj, Teatri Kombëtar
-‘’Nata e fundit ne Goli Otok’’, Xh.Qorraj, Sh.T.F AKT
-‘’Muzgu i Lirisë’’, A.Sopi, Teatri Kombëtar
-“Lulëkuqet”, E. Kryeziu, Teatri Kombëtar i Gjakovës
-“Sfida e Madhe”, S. Nuredini, Teatri i Qytetit të Pejës
-“Kaçaku”, Xh. Qorraj, T. Kombëtar
-“Mbreti Lir”, F. Hysaj, T. Kombëtar
-“Ulërima”, Xh. Qorraj, T. Kombëtar
-“Ëndrra e fundit”, M. Zymberaj, Sh.T.F. AKT
-“Aktori në kuti”, M. Zymberaj, Sh.T.F. AKT
-“Tregimi Zoologjik”, S. Plakolli, Teatri Dodona
-“Gruaja pa emër”, A. Selimi, Teatri Dodona
-“Tartufi”, Rrahim Burhan, T. Kombëtar
-“Një përkujtim në kafe-teatër”, H. Mulliqi, Teatri Dodona
-“Nëntë plagët e Gjergjezit”, F. Hysaj, Teatri “Adriana Avdullahu”, Ferizaj

U angazhua për këto shfaqje për fëmijë:
-‘’Besimi i humbur’’, A.Zhitopotoku, Teatri i Kombesive (Shkup)
-‘’Kutiza magjike’’, I.Qosja, “Arti i deportuar’’. Struge

U angazhua në këta filma artistikë (filma televizivë):
-‘’Rruga pa kthim’’, E.Kryeziu
-‘’Pa pardon’’, E.Kryeziu
-‘’Gjurmët’’, I.Qosja
-‘’Vallja e Çmendur’’, I.Qosja, Sh.T.F.AKT
-‘’Ringjallja’’, I.Qosja
-‘’Dimri i Shpirtit’’, B.Berisha
-‘’Jeta e një toke’’, (serial televiziv), ACADB
-‘’Desha ta shoh Diellin’’, Xh.Qorraj, Sh.T.F.AKT
-‘’O AT’’, Sh. Nuredini, ODEONSCENE (Maqedoni)
-“Lidhja e gjakut”, Marius Holst, MILO 4 12 (Norvegji)
-“Përtej bunareve”, E. Kryeziu, RTK
-“Familjet”, (serial televiziv)S. Raqa, Top Chanel (Shqiperi)
-“Vrasja e dytë”, E. Halili, PrishtinaFilm
-“Refren për Kosovën”,Dh.Ismailaj,DyrrahiumProduction (USA)&Sh.T.F. AKT
-“Kodi i Jetës”, E. Kryeziu, Kosova Film & Labia Production

Autor dhe regjisor i shfaqjeve:
-‘’Sakramenti’’, 1994
-‘’Titaniku shqiptar’’, 1999
-‘’Pacientët’’, 2000
-‘’Kronisti i të vrarëve’’, 2000
-‘’Nga e para’’, (radiodramë), 2000
-‘’Ju bëftë mirë’’, 2002
-‘’Debati politik’’, 2004
-“Letër nga burgu … letër në burg.”, 2004
-“Ëndrra e fundit”, 2004
-“Betohem se …”, 2004
-“Lumturizët”, 2005
-“Profesor…gjilpëra!”, 2007
-“Phiii…!!!”2008
-“Omu…personi”, 2009
-“Lundra”, 2010
-“1999”, 2010
-“Viktima…”, 2010

Regjisor i performansave:
-“Trëndafili i Kuq”, 2002
-“Personazhët antikë”, 2005
-“Monologët e Kalasë”, 2006

Autor dhe regjisor i performansave për fëmijë:
-“Fëmijët për fëmijët e rënë”, 2006
-“Unë…nuk kam faj!”, 2007
-“T’i imitojmë profesorët!”, 2007

Producent i filmave:
-“Vallja e Çmendur”
-“Desha ta shoh Diellin”
-“Refren për Kosovën” (film i shkurtër artistik)

/Telegrafi/

Në trend

Më shumë

"Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket", paralajmërimi i Musk për të ardhmen e njerëzimit

Botë
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për transferimin e yllit të Interit

Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për transferimin e yllit të Interit

Premier League
Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë

Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë

Hendboll
Gabimi i menaxherit në kontratën e parë profesioniste, si u detyrua Liridon Krasniqi të punojë në ‘baushtellë’

Gabimi i menaxherit në kontratën e parë profesioniste, si u detyrua Liridon Krasniqi të punojë në ‘baushtellë’

Kosovë
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan

Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan

Lajme
Pyjet e Kosovës në zhdukje: Çka tregojnë pamjet satelitore?

Pyjet e Kosovës në zhdukje: Çka tregojnë pamjet satelitore?

Lajme
Kalo në kategori