LAJMI I FUNDIT:

Viola Isufaj: Shkenca më disiplinon në procesin letrar!

Viola Isufaj: Shkenca më disiplinon në procesin letrar!

Viola Isufaj, tashmë ka bërë emër në letrat shqipe dhe ka hyrë në botën krijuese me një qetësi të “zhurmshme” dhe gjithnjë e më shumë qetësia e saj krijuese po dëgjohet larg e më larg. Ajo, ishte pjesëmarrëse e Seminarit të sivjetmë Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare, i cili i zhvilloi punimet në Prishtinë, ku paraqiti kumtesën e saj shkencore, mbi efektet akustike e imazhore në poezinë e Frederik Reshpjes, studim që u ndoq me interesim nga te pranishmit. Ne shfrytëzuam rastin dhe zhvilluam me të këtë bisedë.

Bisedoi: Shaqir Foniqi

Zj.Viola, si kaluat në edicionin e sivjetmë në Prishtinë, cilat ishin përshtypjet?
Po priret të rroket e parrokshmja – një proces letrar tepër kompleks. Stile të larmishme-nga më të hatashmet deri tek më të rëndomtat, shtysa të çuditshme, faktorë të shumtë, të parashikueshëm dhe të paparashikueshëm, variacion i pafund… dhe, siç thotë albanologu Robert Elsie “liri dhe kaos”!
Për këto dhe të tjera poezia e sotme, ashtu e pazotërueshme, zor se i ka grishur studiuesit deri tani.


Ju jeni e angazhuar në Departamentin e Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Cilat lëndë i ligjëroni dhe cila është shkalla e seriozitetetit në keto studime, qoftë nga profesorët, apo edhe nga vet studentët?
Lëndët janë disa: Poezia Bashkëkohore Shqiptare, Shkrimi Akademik, Hyrje në Shkencën për Letërsinë dhe Teknologji të mësimdhënies së letërsisë.
Kolegët, pjesa dërrmuese ish profesorë të mi, janë faktorë të rëndësishëm në formimin tim dhe unë i dëgjoj me vëmendje dhe sot. Sa për studentët, mendoj … është privilegj i madh të ndikosh në shijet e një brezi dhe të mundesh të ndryshosh diçka për mirë… edhe kur auditorët lënë shumë për të dëshiruar…

Keni folur për poezinë e Reshpjes, cilat janë cilësitë që ju keni veçuar, a mos donit të thonit se Reshpja përfaqëson një frymë të re (moderne) në poezinë tonë më të re?
Në disa vepra letrare roli i shtresës sonore është minimal, por në poezitë e Frederik Reshpjes, shtresa fonetike është përbërëse e kuptimit. Brenda sistemit gjuhësor tek Reshpja mund të vërejmë një lloj “fizionomie” të fjalëve, një simbolizëm tingullor me një karakter më mbarëdepërtues se aliteracioni apo asonanca e thjeshtë-ky organizim tingujsh eshte një nga treguesit e një finese tepër të holle, të një delikatese të brendshme qe te habit. Psh. eksperimentet akustike vërtetojnë ekzistencën e asosacioneve të qëndrueshme midis zanoreve të përparme (e, i) dhe objekteve të lehta, të shpejta, të qarta e të kthjellta
(Kopeja e reve, peizazhi arabik, …ngjyrave djalëria, hare…prerë nga hëna e majit) dhe midis zanoreve të pasme (o, u) e objekteve të ngadalta, të zymta e të errëta (Arratisur, hutuar, dru, trishtuar rrotull).
Reshpja ishte poet me një talent të çuditshëm, përjashtues. Poezia e tij me një strukturë jashtëzakonisht specifike, krejtësisht moderne e me një origjinalitet aq befasues e me një harmonizim të tillë tingujsh, imazhesh e ndijimesh, është pa dyshim, në rangun e poezisë evropiane-perëndimore.

Edhe ju, e ndiqni këtë frymë në krijimtarinë tuaj, besoj?
Jo, cilësia e tij është e shkëlqyer, por stilet të ndryshme.

Mos ka ardhur koha që poezia të heshtë, pastaj të zgjohet me një kumbim të madh, pas një pushimi krijues?
S’ka si të heshtë. S’është e mundur të heshtë. Do të duhej të heshtin pastaj dhe muzika komerciale dhe kërcimi e gjithçka tjetër që s’është veçse banalitet. Kështu që, le të mos heshtë. Koha është gjykatëse shumë e mirë. Herët a vonë gjithçka e gjithkush pozicionohet në vendin që i takon.

Ju jeni edhe njohëse e shkëlqyer e veprës së Kadaresë. Cilat karakteristika i keni veçuar tek ai?
Këtu do të flas për pjesën më të bukur-për risemantizimin e miteve e po mundohem të përzgjedh vetëm disa vepra, pasi lloji i intervistës nuk më lejon të bëj një vështrim panoramik në veprën e tij.
Miti si formë alegorike, logjike, e ndërgjegjshme, si formë krijuese është shumë i gjallë në letërsinë moderne. Rrëfimet mitike funksionojnë në mënyrë të përsëritur, duke u shfuqizuar, duke u transformuar dhe në forma alegorike. Vepra e Kadaresë është ushqyer kryesisht nga mitet e antikitetit, veçanërisht nga mitet greke, por po ashtu nga lënda e mitologjisë shqiptare, nga legjendat, baladat dhe përrallat shqiptare. Kadareja ruan një skenar dhe e transformon atë. Përmes shfrytëzimit të "invarianteve" të mitit, Kadareja e ristrukturon mitin antik në një skenar të ri, duke integruar struktura të mëparshme në tërësi më të gjera. Ristrukturimi, përpunimi i imazhit arketipor nga shkrimtari Ismail Kadare, bëhet në funksion të përkthimit të këtij imazhi në gjuhën e së tashmes, në funksion të aktualizimit të tij.
Ismail Kadare tek Vajza e Agamamnonit i shton flijimit shestimin- i cili paraprin këtij akti barbar për arsye përfitimi, siç e ka trajtuar dhe në romanin tjetër të tij Ura me tri harqe. Në të dy këto romane, përshkruhet një flijim, i cili në të vërtetë, nuk është veçse vrasje e përllogaritur, pra, një krim.
Në veprën Përbindëshi, Kali i Trojës qëndron përpara njerëzimit për të kujtuar se qytetërimi zhvillohet përmes enigmash, intrigash, misteresh, krimesh për pushtet…
Në romanin Lulet e ftohta të marsit, – një kostelacion figurash mitike-duket se metamorfozat burojnë nga një realitet historik absurd ku sundojnë paradokset për shkak se mungon ligji si mjet i gjykimit, ku të drejta e njeriut janë në krizë të thellë dhe rrezikojnë ekzistencën e vetë shoqërisë.
Edipi në romanin Lulet e ftohta të marsit, duke humbur iniciativën, lirinë, rivjen jo në formën e një rrëfimi të mëvetësishëm a të një historie të strukturuar, por si një figurë shumëkëndore, dhe, duke humbur në të njëjtën kohë atë që i siguron fisnikërinë e tij dhe sedrën e lënduar, pushon së qëni një hero tragjik. Edipi në romanin Lulet e ftohta të marsit vjen si mishërim i të parit (shefit, diktatorit) të shtetit, i cili kërkon një kumt, një dosje të fshehtë, ndoshta dosjen-kurth të tij, siç shprehet Kadareja. Kjo rimarrje bëhet në sajë të një detaji të përbashkët: sikurse Edipi ka ardhur në pushtet me një krim, ashtu çdo diktator ka ardhur në pushtet në sajë të një krimi, të cilin duke dashur ta fshehë e kanë pasuar krime të njëpasnjëshme. Edipi nuk përkufizohet më përmes çarjes së brendshme që ia imponon kufiri që ai kalon mes të mundshmes dhe të pamundshmes, të ligjshmes dhe të paligjshmes. Ai nuk është më i shkatërruar sepse ai rivjen në Bjeshkë për të hulumtuar mbi arkivin e shtetit. Ai rivjen si shef ose ish-shef i shtetit dhe është si një qendër reference që zgjon asosacione të shumëta për një faj që kërkon shlyerje, për një krim të kryer, për kërkimin e të fshehtave shtetërore të groposura në male. Kështu, humbet fataliteti, ideja e fatit të paracaktuar, predestinata-çka karakterizon Edipin e Sofokliut. Duhet të dallojmë përdorimin alegorik që i është bërë mitit të Edipit ndoshta në mënyrë banale, deri në atë masë ku të gjithë mitet pranohen. Autori ynë nuk rimerr ngarkesën e fuqishme tragjike të çiftit Jokasta-Edip. Ky çift që është për tu zhbërë dhe jo për t’u bashkuar, nuk i intereson Kadaresë. Atij, përkundrazi, i intereson zbulimi i shkallëshkallshëm, mundues i një lidhjeje inçestuale midis Angjelinit dhe vajzës (midis vëllait dhe motrës)-që realizohet përmes paralelizmave dhe analogjive me lashtësinë greke, që kanë një bazë të përbashkët: inçestin.
Kadareja e rimerr temën e inçestit, por në këtë vepër moderne të letërsisë shqiptare, inçesti nuk është thellësisht tronditës dhe fatal si tek tragjedia e lashtë. Inçesti është mëse i rëndomtë, i përsëritur, në kushtet e një vaniteti dhe degradimi moral, në rang shoqëror.
Këndet e ndryshme të vështrimit mbi këtë figurë bashkëjetojnë mrekullisht në veprën e Kadaresë, duke qenë mëse të përputhshme me anë të ndryshme të shoqërisë në tranzicion.
Duke qenë se çdo tiran është një mundësi e pafund krimesh, Ismail Kadareja, arsyeton me zërin e personazhit të tij se ditën që tirani merrte kurorën, krimet zhvendoseshin nga koha e pritme, ajo që ende s’ishte, drejt së shkuarës për të mbërritur gjer në strehën më të sigurtë, në zgrof të nënës.
“Shkaba“ është një metaforë e madhe e rrëzimit të njeriut nën diktaturë. Njeriu është ndeshur me shpendin mitik, prej të cilit besohej se rridhte dhe kjo në këtë kuptim, ishte një mëmëvrasje ose atëvrasje si ato të antikitetit, por ndryshe nga ato, kjo ishte një mëmëvrasje pa llahtari. Përpjekja për të “manipuluar” shtetin e sidomos, përpjekja për të goditur shtetin është groteske, pasi është krejt e pamundur dhe qesharake në kushtet e totalitarizmit.
Autori e zhvesh mitin nga kuptimet figurative dhe zbulon të vërteta e thjeshta që fshihen pas tyre për të arritur në konkluzione të tjera, me qëllimin që t’i vlejnë së sotmes e së ardhmes.
Kam studiuar gjithashtu qytetin dhe qytetërimin në veprën e Kadaresë, e, në një hulumtim tjetër kam përdorur për herë të parë metodën e studimeve gjenetike, objekt i së cilës është përmasa e përkohshme e tekstit, pra, kam studiuar parimet ripunuese të veprës së tij.

Keni botuar poezi, novela, tregime…ku e gjeni më mirë veten?
Aktualisht tek proza e shkurtër dhe poezia. Për më tej nuk e di. Vërtet që nuk e di.

Çka trajtoni në shkrimet tuaja?
E vështirë është të rrëfehet proza moderne e të copëzohet kështu: në subjekt, në tematikë… por, përlyerjen e pushtetit me krimin e kam disa shkrime; marrëdhënien në çift, po ashtu e gjeni në disa forma të krijimtarisë time; komunikimin njerëzor (psh. tek Zotit M., një letër, thuhet “Në shekullin tonë, zarfet u përdorën në luftën bakteriologjike, apo jo?/ Po kjo ç’do?….” –por më duhet të them se ndonjëherë nuk është tematika ajo që ka më shumë rëndësi, por përftesat letrare. Në pjesën më të madhe të rasteve, një ngacmim delikat kërkon procedime tepër delikate letrare. Po ashtu, ndërlikimet logjike kërkojnë natyrshëm formën e vet shumë speciale të të shprehurit.

Në ç’nivel gjendet sot poezia, por edhe mbarë krijimtaria letrare dhe artistike tek ne, e kam fjalën në fushën e letrave? Po shkenca?
Po, pak a shumë jam përgjigjur në pyetjen e parë mbi poezinë e sotme. Në romanin e sotëm shqiptar dallohen kodet origjinale ligjërimore dhe tërë ato lloje konceptimesh, shprehësish, përftesash, strukturash e stilesh të reja që me sharmin artistik dhe me fuqinë imponuese krijojnë një sistem me një logjikë dhe ekzistencë të pavarur. Është nder dhe kënaqësi që letërsia shqipe, kultura dhe historia jonë prezantohet në kulturën perëndimore e përtej saj, me veprën e Ismail Kadaresë! Fat i madh, vërtet, por ç’mëkat mosnjohja e vlerave të autorëve të tjerë të përmasave të jashtëzakonshme e spektakolare!!!
Përsa i përket shkencës, mendimi im është ky: shkenca shqiptare duhet të mbështet fuqimisht me investime dhe investimi duhet menaxhuar ndershmërisht. Albanologjia- e vetmja shkencë “origjinale” shqiptare duhet të ketë vendin që i takon- një vend të padiskutueshëm. Vendin e parë! Por mbi të gjitha, ajo duhet dashuruar!

Në jetë jeni shumë e qetë, kurse në krijimtari shohim një Violë tjetër, pak më rebeluese, pse?
Se ajo është bota ime! Merrem vesh më mirë aty. Përditshmëria duket sikur s’është asgjë para saj ndonjëherë. Ka gjëra që shpesh s’lejoj unë të më hyjnë në shpirt. Ka gjëra që sado t’i konsideroj unë të “arsyeshme”, s’hyjnë kurrë!
Presioni tjetërsues që ushtron bota e jashtme (që është gjithsesi kaq i madh!), nuk mbetet i mbyllur në subkoshiencë- ai shndërrohet në aftësi kreative! Ndoshta, ja sepse ju më receptoni kështu!

Madje, ne romanin tuaj, Saga e Gjarprit, trajtoni friken. A mund të na e shpjegoni këtë gjë?
Tek Saga e Gjarprit, nëpërmjet analepsës, zbritet shkallë-shkallë nëpër ngjarjet traumatike, të cilat janë shtypur në pavetëdije. Këto herë janë të përjetuara personalisht, e herë barten nga individi si pjesë e kujtesës kolektive, e cila ka mbetur e pashlyer në mendjen e një etnije a të gjithë njerëzimit.
Personazhi i Izoltës përvijohet si një arketip, i cilin ndjen barrën e rëndë të pavetëdijes kolektive. Ky dualitet mes përjetimit erotik dhe risjelljes së ngjarjeve të dhimbshme kombëtare a botërore mund të konsiderohet si një prirje për të përshkruar ‘ …të paqëndrueshmen, kalimtaren, fluturaken ndërsa nga ana tjetër të përjetshmen, të amshueshmen, të pandryshueshmen’ Edhe pse në kujtesën e rrëfimtarit vijnë personazhe të njohur historikë, ajo çfarë e shqetëson më shumë atë, është kujtimi traumatik i së shkuarës së vendit të tij. Ndjenja komplekse dashuri-ankth që e shoqëron rrëfimtarin mund të interpretohet më gjerë se marrëdhënia personalo-intime me të zgjedhurin e zemrës. Gjarpri, identifikohet me vetë kombin. Illyriosi, (që sipas filologjisë moderne mbështillet në gojë si gjarpër) i dha emrin paraardhësve tanë. Në këtë kuptim Iliri, Gjarpri, dashuria, ankthi, kuptohen e interpretohen në një tjetër nivel. Izolta ndjehet skllave e prejardhjes së saj kombëtare. Dashuria ‘gjenetike’ që ka për të, por dhe frika që e shoqëron, e bëjnë të endet pa shpresë nëpër kujtime. Ngjarje të egra, që janë vulosur përjetë në vetëdijen kolektive të këtij kombi, kanë lënë gjurmë tek rrëfimtari. Ai, edhe pse nuk i ka përjetuar vetë ato, ndjen pasojat tjetërsuese të tyre. Kërcënimi i përsëritjes së historisë vazhdon t’i jehojë rrëfimtarit në mendje. Gabimi rrjedh thuajse gjenetikisht në dejet e shqiptarit, siç ka theksuar dhe Camaj. Frika më madhe e rrëfimtarit, është se ai dhe etnia së cilës i përket janë dënuar të përjetojnë të njëjtat ngjarje që i përsëriten papushim.
(Për këtë shpjegim të mësipërm kam cituar studiuesen Marsia Kërbizi e cila, kur më paraqiti punimin e saj mbi këtë roman, ndjeva, jo pa emocion, se ishte më pranë se studiuesit e tjerë.)

A ka krijuesi frike krijuese?
Mundet. Mesa duket, po. Kështu rrëfejnë krijuesit, të paktën. Por jo unë. Jo, sepse ndonëse pjesa artistike është në zemër të botëpërjetimit e botëperceptimit tim, ndjej se nuk është vërtet i vetmi aspekt i rëndësishëm i komunikimit tim të heshtur e të përjetshëm me realitete të epërme. E bukura (në art, e përtej tij) nuk duhet thjesht të kënaqë estetikisht a të ketë funksion argëtues. Duhet të ngadhënjejë, të ndryshojë ritme të mbrapshta, doktrina të çmendura që e çmendën botën. E bukura duket të ngadhnjejë!

Ne do të rilindim mëngjeseve me borë engjëjsh
Ne do të vijmë në jetë të dlirë e të çliruar
Ne do të takohemi kur ujërat që lëvizin nëntokë, nën këmbët tona, të mos jenë më të përgjakura.
Atëherë do ta kuptojmë se falë forcës së përpjekjes sonë, e kemi shlyer fajin…

(Saga e Gjarprit)

/Telegrafi/

Në trend

Më shumë

"Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket", paralajmërimi i Musk për të ardhmen e njerëzimit

Botë
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për transferimin e yllit të Interit

Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për transferimin e yllit të Interit

Premier League
Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë

Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë

Hendboll
Gabimi i menaxherit në kontratën e parë profesioniste, si u detyrua Liridon Krasniqi të punojë në ‘baushtellë’

Gabimi i menaxherit në kontratën e parë profesioniste, si u detyrua Liridon Krasniqi të punojë në ‘baushtellë’

Kosovë
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan

Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan

Lajme

"Babi këtu po më del që jeni ende duke u ulur", vajza e Drenushës zbuloi aksidentalisht se programi transmetohet disa minuta me vonesë

Magazina
Kalo në kategori