“Unë, para se të merresha me shkrime, merresha me sport. Isha notues, një ndër më të njohurit, jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë Kosovës. Por, unë rastësisht kam hyrë në letërsi. Një mik i imi shkruante poezi dhe ai vinte të më shihte mua kur kërceja nga shkëmbinjtë e lartë, nga lartësitë e mëdha. Një ditë më thotë: “po shkruaj poezi”, unë i thashë: “mirë, edhe unë një ditë do të shkruaj poezi”. Dhe ashtu ndodhi. Ishte ajo poezia ime e parë që e botova në “Jetën e re”, në numrin 4, në vitin 1957”.
Bisedoi: Vera Pelaj
Cila kohë është koha e fillimit të shkrimeve?
Kam filluar të shkruaj që në vitet ’60. Poezinë e parë e kam botuar në revistën letrare “Jeta e re”, në numrin 4 të saj, në vitin 1957. Por, puna ime më e dendur dhe që ishte më e vrullshme, fillon nga vitet ’60. Atëherë isha nxënës i gjimnazit të Gjakovës dhe më kujtohet si sot, pas disa numrave që ishin botuar te “Jeta e re”, që mbarte Esad Mekuli, të cilin unë e kam quajtur në shkrimet e mia diskurseve, edhe “Engjëlli im mbrojtës”, më luti të dërgojë një poemë për Kosovën. Unë vetëm e kisha shkruar poemën, e cila kishte hasur në keqkuptim te organet e pushtetit të atëhershëm. Dhe kështu, ata i kishte kapur tmerri, shkaku i një vargu, i cili gjendet në poemë, “Kosova është gjaku im që nuk falet”. Do të thotë, para 50 vjetëve, e kisha thënë këtë varg dhe si nxënës isha bërë problem për shtetin e atëhershëm. Prandaj, atë kohë, vështirë se do ta harroj ndonjëherë, sepse ishte me shumë të papritura.
Me ç’farë problemesh u ballafaquat për shkak të shkrimeve tuaja në atë kohë?
Problemi kryesor ishte poema por, pas poemës kisha botuar edhe disa poezi të tjera. Posaçërisht problem më kishte sjellë edhe poezia “Bukuria”. Për këtë poezi më thonin, kush është ai fqinji yt, që ende nuk e ke takuar? Në atë poezi kisha një varg që thoja: “Zgjata dorën ta këpus lulen, mos, më tha fqinji im”. Fjala ishte për bukurinë dhe mirësinë në jetë por, ata (pushteti i atëhershëm) e kuptonin krejt ndryshe. Ata e kuptonin nga rrafshi politik dhe më thonin se ke menduar për Shqipërinë. Unë nuk mund të thosha se ishte ashtu, sepse mund të dënohesha, ashtu siç kishin paraparë ata. Mirëpo, megjithatë, mua më përjashtuan nga gjimnazi dhe unë u detyrova që privatisht ta mbaroj gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë.
Drejtori im i shkollës ishte Ibrahim Zherka, i cili ka qenë një njeri zotëri, historian dhe njeri diplomat. Më bëhej se ai më lexonte në sy dhe përgjigjet e mia atij i pëlqenin. Atij i pëlqente që unë dëshiroja t’ju bishtnoj gjërave më të këqija. Posaçërisht ishte ra në hall Esad Mekuli, sepse Komiteti Krahinor i atëhershëm e kishte ftuar në bisedë informative dhe e kishte pyetur për poezinë time. I kishin thënë: “çka është kjo poezi, çka është ky varg “Kosova është gjaku im që nuk falet”, sa vjet i ka ai poet që e ka shkruar….?” Esadi, ishte përgjigjur se është djalë i ri dhe kishte treguar që jam gjimnazist. Mirëpo, komiteti në atë kohë, kishte thënë se ky poet nuk mund të jetë gjimnazist dhe se nëse është kështu, ai gjimnazist, nuk meriton që ta vazhdojë shkollën më tutje. Ai qenka njeri i revoltuar, rebel etj.etj.
Pas atyre bisedave, Esadi arrin në Gjakovë dhe gati sa nuk qante. Unë i kërkova falje dhe i thashë: “më fal baca Esad, unë ashtu e shoh dhe mendoj se “Kosova është gjaku im që nuk falet”. Të tjerët mund të thonë që Kosova nuk është gjaku i tyre, por gjaku im, është”. Ai filloi të shqetësohet dhe më tha: “nëse më dëgjon, nëse më kupton dhe nëse dëshiron që “Jeta e re” të mos mbyllet, a bën ta shkruash një vjershë për Titon?” Unë buzëqesha dhe i thashë: “baca Esad, unë nuk kam qenë në luftë dhe as që jam takuar me Titon.
Nuk e di as çka të shkruaj”. Ai më tha, se do të jetë mirë edhe për ty dhe se do të shërbejë poezia për Titon ty, edhe si mbrojtje. Më kujtohet, se me të ishte edhe Nehat Islami. Nehatin e donte shumë dhe të dy bashkë kishin ardhur te unë në Gjakovë, me qëllim që të më bindnin që të shkruaja një poezi për Titon. Iu thashë se nuk di ta shkruaj atë poezi. Esad Mekuli më tha: “shkruaj ti tre-katër rreshta, e unë i rregulloj”. I thashë se atëherë nuk është poezia ime. Më tha: “të lutem, ose duhet ta shkruash një poezi për Titon, ose përndryshe do të na mbyllin revistën “Jeta e re”. Atëherë ishte gjallë Dushan Mugosha.
Në atë kohë, dëgjoheshin ngapak edhe shqiptarët por, ai i kishte nën komandë të gjithë. Baca Esad nga ai kërcënohej, por unë bacës Esad i thashë: “për besë nuk di të shkruaj poezi për Titon”, por ai më tha: “për hatrin tim, duhet ta shkruash”. U binda dhe e shkrova poezinë, por jo aq të gjatë. Dhe ai më tha se do t’ia vinte titullin vetë. I thashë, mbasi ndodhi kjo punë me poemën time dhe pasi dëshiroj që unë të mos jem shkaktar për mbylljen e revistës “Jeta e re”, po e vë në peshojë edhe nderin tim dhe i thashë se unë nuk mund t’i shoh lotët e tu. Më tha: “mirë, dhe kështu do të bëjmë”. Mirëpo, ajo poezi në gjuhën shqipe kishte kaluar shumë mirë dhe udhëheqësit shqiptarë thonin për mua se ky qenka djalë i mirë, ne i paskemi ra në qafë etj., etj. Por, poezia ime, përkthehet në gjuhën serbe, me rastin e ditëlindjes së presidentit të atëhershëm të Jugosllavisë, Titos. Ata duhej patjetër të shihnin se çka kanë shkruar shqiptarët, sllovenët, kroatët, maqedonët etj., dhe e bëjnë një antologji. Në atë antologji, e përkthejnë edhe poezinë time.
Poezi për Titon kishte nga të gjithë poetët e Kosovës, duke u nisur nga Enver Gjergjeku, Rrahman Dedaj, e nga të gjithë sepse koha ishte e tillë dhe nuk mund t’i bishtnoje punës atëherë sepse në atë kohë, themelohej edhe Universiteti, krijohej edhe Akademia e shumë institucione të tjera, e të vinte turp ta pengoje, prandaj është dashur që në njëfarë mënyre, të bësh lojë edhe me fatin tënd edhe me fatin e shoqërisë. Dhe, e marrin atë poezinë time për Titon, e analizojnë dhe përsëri thonë se, ky njeri është tallur me ne sepse në poezi e ka vargun “Trimi im”. Kur i drejtohesh dikujt me “Trimi im”, është pezhurativ dhe ata thonë se ky i thotë Titos “Trimi im”. Sekretari i Fadil Hoxhës më thotë: “na trego pse e ke shkruar këtë poezi dhe këtë varg?!” Unë i pata thënë: “i kam thënë trimi im, asgjë tjetër”. Ai më thotë: “jo, ky varg është shkruar në mënyrë pezhurative”. Unë iu përgjigja: “jo, jo. Unë kam menduar se është trimi im dhe asgjë tjetër”. Dhe me kaq u mbyll ai proces rreth asaj poezie. Mirëpo, Esadin, vërtet e kam pasur një “engjëll mbrojtës”, sepse ai më ka mbrojtur shumë shpesh dhe vërtetë më ka ndihmuar shumë.
Deri tani na treguat për problemet që i keni pasur në të kaluarën për shkak të krijimtarisë tuaj. A mund të keni probleme edhe tani p.sh. me poezinë “Zero” që e keni shkruar në vitin 2004, meqenëse edhe kjo poezi është për korrupsionin?
Krijuesi, është turp të heshtë para korrupsionit. Është turp të heshtë para injorancës dhe para të keqes, që mund ta kaplojë shoqërinë. Kam përshtypjen, që ai sindromi i Shqipërisë, ka kaluar edhe tek ne. Tani neve, na kanë kapluar këto “Zerot”, e ato zero në realitet, mund të ishin kafshatë e shumë njerëzve të varfër. Nuk ka asnjë funksionar sot, nga më i vogli e deri tek ai më i madhi, që nuk i ka disa makina. Ato makina janë bërë tmerr për opinionin, për ata që çdo ditë enden me duar në xhepa. E kjo është e turpshme. Mirëpo, krijuesi duhet ta luftojë këtë, duhet t’u tregojë njerëzve, kur një popull siç jemi ne, ende kërkon veten, kur një shoqëri ende bredh në një hapësirë ballkanike dhe ende nuk e ka marrë veten në dorë, e jo të tregohesh një shoqëri e pasur, kur je një shoqëri e varfër.
Shikoni vetëm sa universitete private janë ndërtuar këtu, e ndërtimi i gjërave private ka vetëm qëllim përfitimin, e asgjë tjetër. Studentët më të dobët janë nëpër universitete private. Por edhe profesorët në universitetin shtetëror, janë të hutuar sepse ngasin edhe nëpër universitete private, në të gjitha anët sepse ngasin për përfitime. Unë shoh shumë intelektualë që janë në nivel e që kanë emër por, ata nuk bëjnë ashtu, sepse turpërohen pikësëpari nga familja e vet dhe nga vetë populli.
UÇK-ja, e ka pasur për betim vargun tuaj “Kosova është gjaku im që nuk falet”. Si e ndieni veten për këtë nder?
Për mua ky ka qenë nder sepse shumë nga ata të rinj që dolën nëpër male dhe kapën pushkët për ta mbrojtur dinjitetin dhe Kosovën i kam njohur. Për mua është interesant edhe një rast në Tiranë, ku ishte mbajtur një demonstratë e madhe në vitin 1998, për lirinë e popullit të Kosovës. Dritëro Agolli, siç e ka zakon ai me atë humorin e vet, më tha: “Ali, na ke bërë telashe”. E pyeta: për çka? Më tha, qindra vetë e kanë mbajtur vargun tënd lart dhe kanë bërtitur: “Kosova, është gjaku im që nuk falet”. Unë i thashë se nuk kanë bërë gabim, mirë kanë bërë. Edhe i thashë, ky është nder për mua. Edhe ky varg i imi që ka qenë për betim të luftëtarëve të UÇK-së, është nder për mua.
Në cilësinë e poetit kombëtar, ju e keni përfaqësuar poezinë kosovare nëpër festivale të ndryshme. Një ndër këto festivale ka qenë edhe Festivali Interkontinental i Artit dhe Letërsisë. Cili ishte roli i juaj, në këtë festival?
Unë kam qenë në shumë manifestime të tilla dhe kam pasur shumë takime me poetë. Në takime të tilla, çdo krijues mund të kontribuojë për çështjen shqiptare. Mund të kontribuojë për shumëçka, mirëpo, takimet e Mediteranit janë ndër takimet më të mëdha që mbahen çdo vit në Evropë. Aty kanë marrë pjesë edhe miqtë e mi, Fatos Arapi, Agron Tufa, Visar Zhiti etj. Më ftuan dhe unë shkova.
Kishit thirrje direkte nga Roma?
Po, direkte. Mirëpo, ishte shumë qesharake për mua, që në ato takime ishte edhe nobelisti kinez, për të cilin unë kisha shkruar shumë keq. Inatosesha se si një krijues kinez, për të cilin nuk kisha dëgjuar kurrë, ishte nderuar nga Stokholmi me çmimin Nobel. Dhe duhet ditur se secili intelektual duhet ta mbrojë intelektualin e vet, e jo t’i shkelë vlerat e veta. D.m.th. është e turpshme. Unë edhe sot kur i shoh intelektualët që grinden mes vete, mua me vjen turp, sepse ne secili kontribuojmë në mënyrën tonë për çështjen kombëtare, për kulturën kombëtare dhe për afirmimin tonë. Ato takime kanë rëndësi shumë të madhe për afirmimin e secilës kulturë, të secilës letërsi. Kryesisht aty tubohen letërsitë e Mesdheut mirëpo, ftohen edhe poetë nga Kina, nga Vietnami, nga Australia, nga Amerika.
A do të mund të organizohej në Kosovë një festival i poezisë, çfarë është Festivali Interkontinental i Artit dhe Letërsisë në Romë?
Ne kemi pasur Mitingun e Poezisë që është mbajtur afër 50 vjet në Gjakovë dhe mbahet ende. Por, krijuesit filluan të grinden me veti. Ka mbetur Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, por u formua edhe Pen Qendra e Kosovës. Realisht, organizator i Mitingut të Poezisë në Gjakovë ka qenë Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”. Atëherë Gjakova ishte shumë e fortë ekonomikisht dhe Gjakova e financonte, mirëpo e ndihmonte edhe Ministria për Kulturë. Tani më duket se janë harxhuar fjalët në mesin e krijuesve, u harxhuan xhepat dhe pasuria për të mbajtur një manifestim të tillë.
Tani vazhdimisht manifestimet tona duken të zbehta. Nuk të merr malli edhe të marrësh pjesë, sepse nuk e kanë atë bukurinë që e kanë pasur dikur. E mbaj mend që atë kohë vinin poetë jo vetëm nga Kosova e Shqipëria, por edhe nga e tërë bota. E tani shkaku i mjeteve, nuk kemi mundësi t’i thërrasim. Tani mblidhen vetëm poetët e Kosovës, ata që dëshirojnë të shkojnë. Përndryshe jeta letrare në Kosovë vjen vazhdimisht duke u varfëruar. Dhe kjo është një nga të zezat më të mëdha, që e ka plagosur letërsinë shqipe.
Sa jeni i kënaqur me Ministrinë e Kulturës, me atë që ju ofron shkrimtarëve?
Ministria e Kulturës, mirë që ekziston dhe mirë që ka njerëz të kulturës aty, por Ministria e Kulturës duhet të ketë edhe mjete më shumë. Mjete më shumë sepse nëse kjo ministri nuk financon revista, nëse nuk financon fletushka letrare, nëse nuk financon manifestime të ndryshme letrare, nëse nuk i ofron dhe i bashkon krijuesit, atëherë nuk është në funksion të kulturës. Kjo ministri kurrë nuk ka pasur më pak para se tani. D.m.th., shumicën e mjeteve që i marrin ata, i shfrytëzojnë për të paguar personelin që punon aty. D.m.th. mjetet tjera që mbesin aty, janë të pakta për një zhvillim normal të kulturës në përgjithësi tek ne.
Nga këndi juaj, si e keni shikuar polemikën Qosja-Kadare?
Ajo polemikë që ka ndodhur në mes këtyre dy krijuesve, ndoshta ata i ka dëmtuar më së shumti, sepse ka qenë shumë e acaruar dhe një polemikë e tillë, ka ndodhur një kohë kur Kosova ende nuk e kishte shpallur pavarësinë dhe nuk dihej ende se çka po bëhej me të. Ndoshta do të ishte më mirë të heshtnin, mirëpo, ata të dy janë krijues dhe e kanë thënë mendimin e tyre. Është mirë që e kanë dhënë mendimin e tyre, mirëpo nuk është mirë kur e shkelin njëri-tjetrin. Kjo është më e dhimbshme.
Sa jeni i kënaqur me poetët e rinj?
As poetët e rinj nuk kanë sot hapësirë ku mund të botojnë dhe ku mund të paraqiten për arsye se mungon shumëçka. Mua më vjen keq që shumica e poetëve të rinj, bredh në margjina. Nuk gjen vend sepse nuk i ofron shoqëria. Shoqëria është fajtore për këtë dhe shumëçka tjetër. Shoqëria duhet ta dijë se një popull duhet ta ketë një kulturë të madhe. Me atë kulturë, duhet t’i prijë edhe shumë programeve kombëtare dhe t’u prijë edhe shumë projekteve kombëtare. Nuk mund të bëjnë projektet kulturore njerëzit që janë jashtë sferës së kulturës.
/Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Musa Sylejmani: Jemi duke punuar për një film, i cili do të realizohet nga dy produksione shqiptaro-zvicerane IFTP& Helvetia Film
Prof.dr. Florim Cuculi: Kam implantuar me mijëra stenta në karrierën time dhe i bëj përafërsisht 500-600 intervenime në vit
Inva Mula: “Ne nuk mund të shpresojmë te gjenerata e re, pa investuar te fëmijët tanë“
"Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket", paralajmërimi i Musk për të ardhmen e njerëzimit
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për transferimin e yllit të Interit
Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë
Gabimi i menaxherit në kontratën e parë profesioniste, si u detyrua Liridon Krasniqi të punojë në ‘baushtellë’
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan
Pyjet e Kosovës në zhdukje: Çka tregojnë pamjet satelitore?
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për transferimin e yllit të Interit
"Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket", paralajmërimi i Musk për të ardhmen e njerëzimit
Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj