LAJMI I FUNDIT:

Përfundoi restaurimi i Mauzoleut të mbretit Gent

Përfundoi restaurimi i Mauzoleut të mbretit Gent

Pas katër viteve punë të ekspertëve në rehabilitimin e objekteve antike me qëllim shpëtimin nga shkatërrimi, degradimi dhe braktisja të një ndër veprave më të rëndësishme të historisë dhe kulturës antike shqiptare, përfundon restaurimi i Mauzoleut që ruan eshtrat e mbretit Gent të Ilirisë.

“Për të vërtetuar shkencërisht se për nder të cilës figurë historike ishte ngritur në të vërtetë objekti, pasi pozicionet e historianëve ishin kontradiktore, me kërkesë të Lidhjes Nacionale Shqiptaro-Arbëreshe (LNSHA), u ngrit një komision vlerësimi me ekspertë të historisë dhe arkeologjisë në Itali në përbërje të të cilit ishte dhe Presidenti i Lidhjes, shkrimtari Alban Kraja”, sqarojnë nga zyra e shtypit dhe informacionit të LNSHA-së.

Kraja përmes fakteve historike të pakontestueshme, arriti të binde autoritetet lokale të qytetit Gubbio dhe ata të Ministrisë së Kulturës italiane që ta njihnin këtë repart të rëndësishëm arkeologjik, unik të llojit të tij në mbarë Italinë, si trashëgimi jo vetëm të kulturës romake por edhe asaj iliro – shqiptare.

Një meritë të veçantë në sensibilizimin e opinionit publik dhe në nisjen e projektit që konkludoi me restaurimin e objektit në fjalë, luajti dhe LNSHA-ja, e cila prej vitesh zhvillon në sheshin përballë Mauzoleut, manifestimin me temë “Jam ilir, jam shqiptar”. Tani, tek targeti mbi historinë e objektit, për herë të parë pranohet që ky Mauzole romak është i mbretit Gent të Ilirisë.


Pak histori mbi Gentin e Ilirisë

Mbreti Gent ka qenë i fundit sovran i Ilirisë tonë antike, pasues i denjë i Bardhylit, Pleuratit, Agronit, Teutës, Skerdilajdes e Pinës. Në librin “24 perandorë shqiptar në krye të Romës”, shkruar nga Alban Kraja, sqarohet se gjatë luftës së trete romako-ilire, nga kryeqyteti i Ilirisë Skodra (Shkodra), Genti organizoi rezistencën ndaj superfuqisë të asaj kohe, Romës.

Me gjithë qëndresën e tij stoike, legjionet romake, më të shumta në numër, arritën ta thyejnë rezistencën ilire mbas luftimesh të ashpra e të përgjakshme. Kështu që, në pamundësi për të rezistuar më gjatë në fushë të hapur, së bashku me gardën e tij pretoriane, Genti u izolua brenda mureve të kryeqytetit Skodra.

Më pas romakët për hakmarrje filluan një sërë raprezaljesh ndaj popullsisë në rrethinat e kryeqytetit. Në pamundësi qe tu vinte në ndihmë qytetarëve të tij, për shkak të forcave të pakta që i kishin mbetur akoma në dispozicion, pas një akordi të detyruar me konsullin romak Anicio, Genti pranoi të dorëzohet me gjithë familjen e tij me kusht që të ndalej raprezalja ndaj njerëzve të pafajshëm. Ishte 15 qershori i vitit 168 para erës së re, datë e njohur në historiografinë romake si “La caduta di Skodra”.

Më pas romakët do të respektojnë akordet e marra me mbretin ilir, por duke bërë vetëm një përjashtim. Për të shkurajuar mundësinë e organizimit të një rebelimi ilir kundër Romës, vendosin që familjen mbretërore së bashku me Gentin dhe vëllanë e tij Karavantin, ta internojnë në Itali, pikërisht në qytetin Gubbio, ku ju dhanë prona e ofiqe të denja për një mbret, ndonëse i shfronizuar. Këtu Genti do ndërrojë jetë në nëntor të vitit 146 para erës së re dhe për nder të tij do ngrihej nga familjarët e tij një Mauzole madhështor për të cilin na ka lënë dëshmi të qartë Tito Livio.

Mbreti Gent kujtohet ndër të tjera edhe si një mjek i mirë, pasi zbuloi efektet kurative të një bime medicinale, shumë të rëndësishme për kohën e që mban emrin e tij, pikërisht Genziana (ita) apo Gentjana në shqip. /lajmpress/