LAJMI I FUNDIT:

Në Prishtinë mbahet edicioni i dytë i Konferencës Kombëtare të Bibliotekonomisë

Në Prishtinë mbahet edicioni i dytë i Konferencës Kombëtare të Bibliotekonomisë

Duke filluar, prej 20 e deri më 22 nëntor, në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës në Prishtinë, do të mbahet Konferenca Kombëtare e Bibliotekonomisë me titull: "Biblioteka dhe Kujtesa Kombëtare".

Kjo konferencë, tashmë tradicionale – e cila vitin e kaluar është mbajtur në Tiranë – është themeluar vitin e kaluar si rezultat i një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës dhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.

Konferenca Kombëtare e Bibliotekonomisë organizohet nga BKUK dhe BKSH-ja dhe nën kujdesin e mbështetjen e Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë.

Në këtë Konferencë, në të cilën pritet të paraqiten kumtesa nga njohësit më të mirë – me formim kulturor dhe bibliotekar, nga Shqipëria dhe Kosova – do të analizohen praktikat, por dhe vizionet e përbashkëta për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e trashëgimisë kulturore kombëtare, në përputhje me zhvillimet e reja të teknologjive në shkencën e bibliotekës dhe informacionit.


Po gjatë kësaj konference do të çelet edhe Ekspozita e librit për nder të 100- vjetorit të lindjes së Mitrush Kutelit, kurse Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë do të ekspozojë, në Prishtinë, gjithë titujt e librave të Kutelit dhe për Kutelin.