LAJMI I FUNDIT:

Mbahet manifestimi “Takimet e Gjeçovit ’07”

Mbahet manifestimi “Takimet e Gjeçovit ’07”

Në Zym të Hasit, ditën e shtunë, më 13 tetor, në orën 11 mbahet manifestimi "Takimet e Gjeçovit '07". Në edicionin e 36-të me radhë të këtij manifestimi, sivjet pritet të zbulohet lapidari i "Abetares së Zymit", të shënohet 70-vjetori i lindjes së Anton Pashku dhe 10-vjetori i vdekjes së Nënë Terezës.

Po ashtu, mbahet edhe "Ora e Anton Pashkut", ku krijimet e veta do t’i lexojnë poetët e hapësirës gjithëshqiptare. Me atë rast jepet edhe çmimi tradicional "Atë Shtjefën Gjeçovi" për një të arritur në kulturë, që organizatori kësaj radhe ia ka nda arbneshëve të Zarës (në Dalmaci).

Në fund SHKA "Katarina Josipi" e Zymit do të prezantohet me një program të pasur kulturor, si dhe do të vihen lule të freskëta mbi varrin e Atë Shtjefën Gjeçovit, Atë Luigj Palajt, Katarina Josipit dhe Anton Pashkut.

Do theksuar se sivjet botohet dhe promovohet edhe monografia "Takimet e Gjeçovit 1971-2006".