LAJMI I FUNDIT:

Ta gëzosh Vladimir!

Ta gëzosh Vladimir!

Moska po e shfaq veten si një lojtar të ringjallur dhe agresiv gjeopolitik, duke destabilizuar vendet fqinje, grabitur territore, duke pretenduar një të “tretë” të madhe për të mbrojtur interesat e rusofonëve kudo që ndodhen, duke shkelur rëndë marrëveshjet për kufizimin e armëve, duke u angazhuar në provokime ushtarake kundër vendeve perëndimore dhe duke kapitalizuar hezitimin e vendeve perëndimore për ta pozicionuar veten si përcaktuese e fateve në Lindjen e Mesme.

Në këtë mjedis të parashikueshëm, 28 qeveritë e NATO-s sapo i bën ftesë vendit ballkanas në demokratizim e sipër, Malit të Zi, që t’i bashkohet një aleance që është e angazhuar në mbrojtjen reciproke. Le të ngremë tri dolli për Perëndimin!

Ushtria e Malit të Zi i shton vetë 2000 trupa arsenalit të NATO-s prej 3.508.000 të tillë dhe pesë miliardë dollarë buxhetit të NATO-s prej 892 miliardësh. Marina e saj ka pesë skafe patrullimi dhe pesë mjete zbarkimi. Ndërkohë që Moska nuk është se po dridhet nga frika: oferta e NATO-s është një qortim i qartë – provë se Perëndimi ynë i zhbërë, i çorganizuar, sherrxhi dhe ngurrues duhet të mbajë një qëndrim në mbrojtje të vlerave dhe sigurisë së tij. Ai shfaq rëndësinë e institucioneve ndërkombëtare në krijimin e normave dhe lehtësimin e bashkëpunimit.


Do të ketë nga ata që do ta kundërshtojnë zgjerimin e aleancës. Unë isha një ndër ta më 1999-n, që besonte se për tërësinë dhe lirinë e Evropës ishte më mirë që të ndërtonte një marrëdhënie bashkëpunuese me Moskën, dhe se ishte i shqetësuar për mbrojtjen e vendeve të ekspozuara ndaj Rusisë kur barra do të binte kryesisht te Shtetet e Bashkuara.

Por, ka tri dobësi ndaj kësaj qasjeje. Së pari ajo ndëshkon ato vende që duan dhe me reformat e tyre të brendshme dhe politikat e jashtme stabilizuese kanë përfituar përfshirjen në aleancën tonë mbrojtëse. Ata nuk duhen fajësuar për pasigurinë e Rusisë. Planet e veprimit që zhvillon NATO për vendet që aspirojnë t’i bashkohen asaj lyps transparencë në funksionimin e qeverisë dhe në angazhimin ndaj vlerave demokratike. Fakti që disa vende anëtare kanë dështuar me këto objektiva – shtrëngimi autoritar në Turqi; korrupsioni i rrezikshëm në Bullgari, Rumani dhe Shqipëri; liberalizmi kacavjerrës në Hungari – e bën të pandershme që të ndëshkohen disa vende të tjera aspirante për këto dështime dhe gjithsesi ka sjellë standarde edhe më të rrepta.

Së dyti, ajo pakëson influencën tonë ndaj vendeve në tranzicion që të reformojnë shoqëritë e tyre dhe politikat e tyre të jashtme në mënyra nga të cilat do të përfitonin si ata, ashtu edhe ne. Magnetizmi i të qenët pjesë e Perëndimit është një prej kartave më të forta në NATO dhe Bashkimit Evropian për të modeluar “fqinjët” e Euvropës. Ne jemi përfundimisht më të sigurt kur vendet bëhen liberale në politikat dhe ekonomitë e tyre dhe dëshira e tyre për të pasur mbrojtjen tonë ka qenë një faktor domethënës për të forcuar peshën e reformave të rënda këtyre vendeve. Ky është pushteti i butë: joshja e rregullave dhe përdorimi i ndikimit për të sjellë ndryshim pozitiv.

Së treti, ajo shpërblen Moskën që të destabilizojë fqinjët e saj. Një marrëdhënie bashkëpunuese me Rusinë rezultoi e pamundur për shkak të Rusisë, jo për shkak të NATO-s. Vladimir Putini është përgjegjës për shqetësimet e Perëndimit. Aleatët e NATO-s nuk kanë qenë në gjendje të dëshmojnë se dyert mbeten të hapura për anëtarët e ardhshëm: për shembull, fati i Gjeorgjisë është cunguar me sukses nga agresioni rus, pavarësisht avokimit të fortë të administratës Bush përpara 2008-s. Sjellja e dënueshme e Rusisë në Ukrainë ka ndryshuar për nga dinamika, gjithsesi ka shfaqur vullnetin e Kremlinit për t’u infiltruar nëpër shtete dhe për të përhapur dhunën që të mbështesë qeveritë, pavarësisht se sa të korruptuara mund të jenë ato. Sekretari i Shtetit, John Kerry, e shpjegoi qartë çështjen e NATO-s: “Është një aleancë mbrojtëse. Ajo ka për qëllim thjesht të garantojë sigurinë”. Rusia, që ta kundërshtojë zgjerimin e NATO-s, po përdor destabilizimin.

Administrata ruse e pyet veten se përse Mali i Zi dëshiron kaq dëshpërimisht që t’i bashkohet NATO-s. Aleanca e NATO-s e luftoi Malin e Zi më 1999-n, kur i doli në mbrojtje Kosovës. Moska e ka përshkruar për shumë kohë atë luftë si një agresion të NATO-s, por vetë qeveritë që po luftonte aleanca e shohin atë ndryshe. Mali i Zi ka vendosur ta rreshtojë veten ndaj vlerave të Perëndimit, me praktikat qeverisëse të Perëndimit dhe me marrëveshjet mbrojtëse të Perëndimit.

Jo se duhet të presim që Moska të ndihet e lumtur për të gjithë këtë. Rusia është përpjekur të pengojë çdo zgjerim të NATO-s, me ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov, që tha në shtator se do të ishte “një gabim dhe madje edhe një provokim”. Dhe, zëdhënësi i Putinit paralajmëroi se do të ketë “kundërmasa”. Qeveria ruse shpalli ndërprerjen e programeve të bashkëpunimit të sigurisë si masë e parë. Puna është se Rusia do të shkëputet nga të gjitha vendet e tjera, me të cilat ka marrëdhënie, që fatkeqësisht mund të jetë objektivi aktual i Putinit: izolimi i plotë i Rusisë nga ndikimet demokratizuese. /Foreign Policy/