LAJMI I FUNDIT:

Dorëheqjet si përrallë për gjumë!

Dorëheqjet si përrallë për gjumë!

Mëngjes, 10 nëntor! Qeveria thërret konferencë të jashtëzakonshme. Gazetarët nisen me vrap për në vendngjarje. Me të zënë vend në sallën e konferencave, disa nisin të pëshpëritin e disa të flasin me zë paksa më të lartë. Paragjykimin e kanë të njëjtë. Dikush do të japë dorëheqje!. Mospërputhje kanë vetëm mes asaj nëse do të japë dorëheqje ministri i Punëve të Jashtme, apo do të bie e gjithë Qeveria. Një ditë më herët, Kosova ka humbur betejën më të madhe diplomatike me Serbinë, duke mos arritur të bëhet anëtare e UNESCO-s.

Llafet ndërpriten me t’u hapur dera, përmes së cilës hyjnë zyrtarët e lartë në sallën e konferencave. Para gazetarëve paraqitet ministri i Jashtëm. Por, jo i vetëm! Pas i shkon edhe ministri i Brendshëm. Paraqitja e të parit e pritshme , e të dytit ngjall habi. Ministri i Jashtëm s’ka nevojë të kërkojë vëmendjen e gazetarëve, pasi ata tashmë janë duke e pritur lajmin prej tij. Pas përshëndetjeve që rëndom i bëjnë politikanët, ai e nxjerr kumtin.

“Meqë angazhimi im është treguar i pamjaftueshëm për ta bërë shtetin pjesë të UNESCO-s; pasi në cilësinë e ministrit të Jashtëm nuk kam arritur t’i siguroj votat e të gjitha shteteve që na kanë njohur; pasi disa prej ambasadorëve të mi e veçmas ai në Japoni nuk kanë qenë në nivel të përgjegjësisë në ruajtjen e relacioneve me shtetin respektiv; pasi në cilësinë e politikanit që ka filluar procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë nuk kam kërkuar që dialogu të ndërpritet në momentin kur ky shtet mobilizoi të gjitha forcat për të na penguar në rrugën tonë integruese; nga sot unë nuk do të jem ministër i Jashtëm. Aktin e dorëheqjes ia kam paraqitur kryeministrit. Dorëheqja është e parevokueshme”, kumboi ministri.


“E keni parasysh se vendi mund të futet në krizë edhe më të thellë për shkak të dorëheqjes suaj, kur dihet se ju jeni edhe kryetar i partisë më të madhe në vend e në Qeveri”, i erdhi një pyetje rrufe.

“Në Kosovë, para se gjithash, duhet të instalohet institucioni i dorëheqjes si akt moral. E keni parasysh se vetëm para pak ditësh në Rumani dha dorëheqje e gjithë Qeveria, vetëm pse në një lokal nate shpërtheu një zjarr i cili ua mori jetën dhjeta qytetarëve. Ponta nuk ishte zjarrfikës, as pronar i lokalit, por u tërhoq bashkë me anëtarët e kabinetit të tij, pasi nuk deshi të zhvillojë betejë me qytetarët që dolën në rrugë”, u përgjigj shpejt kryediplomati.

“Por, ju nuk jeni përballur me presionin qytetar. Askush deri më tash nuk ka paralajmëruar protesta për dështimin në procesin e anëtarësimit në UNESCO”, ndërhyri një gazetar, andej nga rreshtat e fundit.

“Unë e mora si shembull Pontën, por kemi edhe raste kur burrështetasit kanë dhënë dorëheqje edhe pa protesta. Nuk e di nëse ju kujtohet, por para pak vitesh kryeministri i Holandës, Mark Rutte, është larguar nga Qeveria vetëm pse ka dështuar ta zbatojë kriterin e Bashkimit Evropian për të sjell deficitin buxhetor në linjë me rregullat e BE-së”, u përgjigj tashmë ish-shefi i Diplomacisë.

Kësaj radhe ai ndërhyri shpejt, për t’ia kaluar fjalën ministrit të Brendshëm, i cili i skuqur all në fytyrë, po priste edhe vet të thoshte diçka. Audienca e gazetarëve ktheu shikimin nga foltorja tjetër.

* * *

Pasi i mori tre minuta duke pauzuar më shumë se duke folur, edhe ministri tjetër e nxori nga goja fjalën “dorëheqje”. Por, ndryshe nga i pari, ai nuk gjeti forcë për t’i dhënë arsyet e këtij vendimi.

“Arsyet për dorëheqje janë të shumta dhe ato i janë shpjeguar kryeministrit”, i ra trup tash ish- ministri, me shtat më të shkurt se ish-kryediplomati.

“Po, pse nuk i bëni publike edhe për qytetarët, të njëjtat arsye”, erdhi pyetja e parë në drejtim të tij.

Ish-ministri u mbush frymë. E shikoi gazetarin në sy. I shikoi edhe të tjerët me radhë, pastaj lëshoi zë.

“Kam gënjyer!. Kjo është arsyeja e parë. Kam thënë se INTERPOL-i po e shqyrton kërkesën për anëtarësimin tonë, pa e dërguar fare kërkesën atje. E keni vërejtur edhe vet, asambleja e INTERPOL-it nuk është marrë fare me Kosovën, kurse unë shkruaja statuse në Facebook se i kemi plotësuar kushtet për anëtarësim”, tha ai.

“Është kjo e gjitha”, ndërhyri i njëjti gazetar.

“Jo!. Ç’është e vërteta, unë po tregohem i pafuqishëm që t’u dal krah policëve kur dikush i cilëson si budallenj. Nuk jam në gjendje që atyre t’ju siguroj as pantallona e lëre më jelekët antiplumb apo armët e gjata. Nuk mund ta kem nën kontroll situatën në Kuvend kur po mbushet gaz lotsjellës, sikundër që s’kam mundur ta kem nën kontroll as situatën kur shumë djem tanë shkuan në Maqedoni për të luftuar dhe për pak sa nuk u hap lufta mes dy shteteve. Ka edhe arsye tjera, por besoj se këto janë të mjaftueshme për të dhënë dorëheqje”, përfundoi ish-ministri i Rendit.

“A mund ta vazhdoj mandatin kjo Qeveri, kur ministri i Jashtëm e ai i Brendshëm japin dorëheqje”, u shtrua pyetja e radhës.

“Pyetje me vend”, tha ish-kryediplomati. “Por, i takon kryeministrit ta japë përgjigjen për këtë gjë. Nëse ai konsideron se mund t’i humbë tetëmijë hektarë nga territori i shtetit dhe mund të mbetet prapë në Qeveri, pse të mos vazhdojë. Nëse ai konsideron se populli do ta lejojë krijimin e një entiteti të veçantë brenda shtetit, pse të mos vazhdojë. Vetëm se, ai duhet ta ketë parasysh imazhin që e ka ndër qytetarë. E keni parë se nga të dhënat e publikuara në raportin e UNDP-së dhe USAID-it, del se qytetarët kanë qenë pothuajse katër herë më shumë të kënaqur me nivelin e qeverisjes nga një ish-ushtarak se me qeverisjen e tij prej ekonomisti”, përfundoi ish-ministri i Jashtëm, duke i bërë me kokë ish-ministrit të Brendshëm që t’i japin fund paraqitjes para gazetarëve.

* * *

“Mund ta kem edhe një letër të bardhë?”, u dëgjua zëri i kandidatit që kishte mbetur i fundit, duke e plotësuar testin për t’u pranuar në punë si gazetar. Redaktori që i sillej herë pas here rreth tavolinës, ia ofroi letrën e zbrazët, duke ia marrë ato të mbushurat. Kandidati vazhdoi të shkruajë, ndërsa redaktori e lexonte me vëmendje tekstin mbi ngjarjen. Pasi i shkoi në fund tekstit, e pyeti kandidatin nëse është në gjendje të shpjegojë me gojë vazhdimin e tekstit, pasi koha e rregullt e plotësimit të testit kishte kohë që kishte përfunduar.

“Desha vetëm ta përfundoj me rënien e Qeverisë e më pas edhe me qëndrimet e qytetarëve në lidhje me opozitën. Dua të them se opozita aktuale nuk paraqet alternativë. Se, një opozitë që nuk e voton Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit nuk e meriton votën e qytetarëve; se një opozitë që nuk i respekton organet e rendit dhe rregullat parlamentare nuk mund të flasë për shtet ligjor…”!

“Mirë, mirë, po përfundimi cili do të jetë”, ndërhyri redaktori.

“Dalja në skenë e një fryme reformatore; e një fryme që vihet në mbrojtje të interesave qytetare; e një fryme që dëshmon përkushtim për ta luftuar krimin e korrupsionin…”, shtoi gazetari.

“Në rregull, mund të shkosh… Pas dy ditësh do të njoftohesh nëse e keni kaluar testin”, i tha redaktori.

Kandidati doli jashtë. Redaktori nënqeshi duke u futur në rrëfimin e kandidatit të fundit.

“Shumë i mirë, për të qenë i vërtet!”, tha redaktori me vete!

(Autori është Drejtor i informacionit në Tribuna Media Group)

Në trend

Më shumë
Nis ndryshe spektakli i BBVA, Ledioni futet brenda në shtëpi dhe i jep G Banit lajmin e hidhur - ai lë shtëpinë mes lotësh

Nis ndryshe spektakli i BBVA, Ledioni futet brenda në shtëpi dhe i jep G Banit lajmin e hidhur - ai lë shtëpinë mes lotësh

Magazina
Kështu do të duket shpërndarja e mandateve në Kuvendin e Kosovës

Kështu do të duket shpërndarja e mandateve në Kuvendin e Kosovës

Lajme
“Fundi i presidentit autokratik”, Dimiq: Vuçiqi është psikopat që kërcënon popullin e tij

“Fundi i presidentit autokratik”, Dimiq: Vuçiqi është psikopat që kërcënon popullin e tij

Politikë
Avokati Gashi për mos zbatimin e vendimit të gjykatës nga Kurti: Është gabim, institucionet dhe ligji duhet respektuar

Avokati Gashi për mos zbatimin e vendimit të gjykatës nga Kurti: Është gabim, institucionet dhe ligji duhet respektuar

Lajme
Reuters: SHBA dhe Ukraina do të nënshkruajnë marrëveshjen për mineralet

Reuters: SHBA dhe Ukraina do të nënshkruajnë marrëveshjen për mineralet

Amerika
Dhimbje koke për Arne Slot: Arrin oferta 120 milionëshe te Liverpooli për Szoboszlain

Dhimbje koke për Arne Slot: Arrin oferta 120 milionëshe te Liverpooli për Szoboszlain

Premier League
Kalo në kategori