LAJMI I FUNDIT:

Protesta me kërkesa joparimore

Protesta me kërkesa joparimore

Sot janë paralajmëruar dy protesta nga ana e studenteve për adresimin e disa kërkesave brenda Universitetit të Prishtinës, që shikuar nga aspekti historik, që nga paslufta nuk ka qenë më mirë sa i përket menaxhimit të tij nga Rektorati, por prapë se prapë është ende larg standardit të duhur nëse e krahasojmë me universitetet rajonale.

Është shqetësues fakti që faktori student brenda UP-së është i ndarë dhe i pafuqishëm, duke pasqyruar kështu realitetin e ekzistimit te klaneve të ndryshme politike, si dhe "luftës"për marrjen e meritave para studentëve, e kjo dëshmohet me organizimin e dy protestave në te njëjtën ditë, që për mua është absurde dhe krejt e panevojshme.

Po kthehemi tek kërkesat e studenteve, sa janë ato parimore dhe të drejta?


Përgjigjja me e drejtë do të ishte që për shumicën e fakulteteve aspak.

Pjesë e UP-së kam qenë deri para një viti, ku kam përfunduar nivelin baçelor dhe master dhe e njoh bukur mirë gjendjen e përgjithshme. Ndaj, me plot përgjegjësi deklaroj që UP- ja ka probleme shumë më të mëdha që kërkojnë zgjidhje urgjente sesa "kërkesat" qe po i adresojnë sot "përfaqësuesit" e studentëve.

Nëse ndalemi tek kërkesat konkrete, për fakultetet p.sh. teknik, mjekësi, FSHMN, e ndonjë tjetër që janë më të vështira, është e drejtë kërkimi i pesë afateve të provimeve si dhe afati i tetorit të vlejë për kusht. Por, për fakultetet e shkencave shoqërore, e them me plot bindje që tepër janë, duke marrë parasysh nivelin e studimit, ku ende studentet japin provime me skripta, e profesorët nga paaftësia e tyre apo nga dembelia, nuk i ndërrojnë për disa afate as pyetjet e provimeve.
Kështu, tri afate janë mëse të mjaftueshme.

Për të pasur një universitet me cilësi, konkurrues në tregun rajonal e evropian, studentët do të duhej të protestonin për ngritjen e cilësisë, duke kërkuar së pari zvogëlim të numrit të studentëve, hulumtim të tregut të punës, pranimi i studentëve të bëhet konform tregut të punës, e jo siç është tani: pranohen shumë studentë në Juridik, ndërsa për një vit prej të diplomuarve nuk punësohen as 20 për qind. Kjo nuk ndodh në asnjë universitet evropian.

Pastaj duhen hapësira më të mëdha për studim, më shumë biblioteka, kabinete të informatikës, laboratorëve, institute për punë praktike, hulumtime, revista shkencore, me shumë bursa studimi jashtë vendit, shkëmbim të studentëve, vijueshmëri të rregullt të profesorëve në ligjërata, staf akademik profesional, literaturë të mjaftueshme në gjuhen shqipe përderisa një pjesë e profesorëve që në UP punojnë për bi 20 vite ende nuk kanë arritur të botojnë një libër në gjuhen shqipe për lëndën që ligjëron (përkundër kushteve të mira që kanë në universitet).

Profesorët duhet të jenë shembull për studentet e bashkë me ata duhet realizuar projekte e hulumtime. Për këtë duhet protestuar, se profesorë të tillë nuk i duhen UP-së.

Në fund, përveç profesorëve duhet kritikuar edhe studentët për nivelin e dobët të studimit të tyre, që në shumicën e rasteve është mësim mekanik, larg studimit, pastaj për plagjiaturë, kopjim në provime etj. Vetëm me adresimin e këtyre kërkesave dhe realizmin e tyre mund të themi se ia duam të mirën universitetit dhe jemi pro një universiteti me cilësi.