LAJMI I FUNDIT:

Fuqia e butë – kultura…

Fuqia e butë – kultura…

“Fuqia e butë” është aftësia për të joshur, tërhequr dhe bindur, veçse për qëllime pozitive me forcën e ideve, imazhit, kulturës etj,.

Ideali i njeriut të mësuar, në ditët tona specializimi është në një degë. Disa vjet shkollë të mesme, pak vjet në universitet, një periudhë studimi të ethshëm për të kaluar provimet dhe, me të vënë diplomën në xhep, puna merr fund për shumicën tonë. U bëmë specialistë, mësuam një zanat, siguruam një mjet jetese dhe qëllimi u arrit. Kush u bë nëpunës, kush çeli një zyrë private, kush një klinikë, kush një dyqan, e kush u sorollat rrugëve.

Rruga më e provuar që kanë ndjekur titanët e mendimit është kureshtja e gjallë që nuk na lë të kënaqemi me atë që dimë. Asgjë nuk duhet të na lë indiferentë. Të kemi syrin e hapur dhe një etje të pashuar për dituri. Të mos kërkojmë zhurmën e poteren për të hutuar veten dhe për të harruar ëndrrat. Të mos kemi frikë të ngelim vetëm me veten tonë; të shqyrtojmë vetveten deri në thellësinë e instinkteve që buçasin atje brenda; të analizojmë ndjenjat tona; të ndjekim një mendim; të radhisim në një çip të mendjes ose mbi një copë letër përshtypjet që na kanë lënë leximet, udhëtimet, kontakti me njerëzit. Ta kontrollojmë veten duke parë se si kanë menduar, kanë ndjerë, kanë jetuar njerëzit e çmuar të çdo kohe; të dimë të shijojmë ëndjen që ndjen njeriu me kulturë, kur ndjek rrymën e mendimeve që i kalojnë nëpër mendje jashtë vullnetit të tij, si një film kinematografik.


Kjo është rruga. Mjetet janë gjithaq të lehta për atë që ka vendosur ta ndjekë përnjëmend. Baza e kulturës është leximi. Nuk është puna të lexosh shumë, por të lexosh mirë. Substanca e ushqimit të mendjes duhet të përbëhet sidomos nga veprat e pavdekshme të atyre që janë munduar t’i japin një kuptim jetës në këtë botë. Pastaj vinë bisedat me njerëz të kulturës dhe udhëtimet e bëra me qëllim që të mësosh diçka. Nuk është nevoja të shkosh me doemos deri në Romë për të mësuar diçka. Edhe në vendin tonë të vogël ka shumë gjëra që vlejnë të mësohen.

Kultura është kondita e domosdoshme e çdo përparimi të vërtetë të individit në lidhje me kolektivitetin. Ajo është zana hyjnore që i jep kuptimin lirisë. Kultura e vërtetë na hapë rrugën e së vërtetës. Ajo na jep kuptimin e thellë të relavitetit që është ligji i çdo ekuilibri në këtë jetë.