LAJMI I FUNDIT:

Rinia – të shtypurit e së tashmes, shpresa e së ardhmes

Rinia – të shtypurit e së tashmes, shpresa e së ardhmes

Rinia simbolizon agimin e Diellit, që çdo mëngjes ngjall shpresat e nxit buzëqeshjet për një ditë më të mirë se ajo e djeshmja. Kështu, nga çdo gjeneratë e re lind një shpresë e re për ndryshim.

“Ambicia është hapi i parë i suksesit, hapi i dytë është veprimi”, thënie kjo shumë e dëgjuar. Por, kur vallë do ta fitojnë këtë ambicie rinia e vendit tonë? Cili do të jetë frymëzimi e inspirimi i tyre për ndryshim? Athua do të jetë fakti që diploma do të të shërbejë të punosh në ndonjë restorant, si automekanik apo si floktare? Apo ndoshta nga fakti që të jesh i varfër do të thotë të mos jesh i barabartë? E, që konkurrenca për vende pune nuk matet me dituri, por me numrin e të afërmve të punësuar në atë vend apo në ndonjë institucion tjetër me ndikim?

Kjo situatë e mjerë dhe kjo udhëheqje e dështuar e vendit tonë po rezulton në shtypjen e ardhmërisë, rinisë, të cilëve pasi ua kanë humbur motivin, i bëjnë të dorëzohen. Pse të mundohen kur mundi i tyre nuk vlerësohet?


Gjendja e tanishme e shtetit tonë e ndryshon edhe thënien më lart, duke treguar se hapi i parë për sukses është migrimi, gjë që kohëve të fundit është rritur në një shkallë alarmante.

Është një gjendje pak a shumë si te romani ‘Krim dhe ndëshkim’ i Dostojevskit, ku njerëzit janë të ndarë në të zakonshëm dhe të jashtëzakonshëm, e ku drejtësia nuk duket gjetiu, ndërsa veprimet e të jashtëzakonshmëve (përfshirë këtu edhe krimin) janë të arsyeshme.

Kjo shoqëri, pa motiv e pa drejtësi, i shtynë njerëzit të veprojnë pa vetëdije e të arrijnë në situatë ekstreme, ku vjedhja e vrasja bëhen pjesë e përditshmërisë, e rrjedhimisht edhe për të riun bëhen si një racion ditor. Shoqëria kriminalizohet, mjerimi kap majat, arsimimi kollapton. Shpresa bie. Por, dorëzimi në këtë rast është akt qyqar e i papranueshëm. Në vend të dorëzimit, duhet shtruar një pyetje: si do të ndryshojë e ardhmja jonë kur ndodhemi në mes të një errësire të këtillë?!

Të gjithë këta shembuj të cekur, që në shumicën e rasteve do të çonin në demoralizim të mëtutjeshëm të rinisë, duhet për t’i parë si një arsye dhe motiv shtesë për angazhim edhe më të madh për ta bërë ndryshimin e domosdoshëm, që nuk bëhet shpejtë e nuk bëhet as vetë.

Të gjithë janë lodhur nga korrupsioni, krimi i organizuar, padrejtësia, varfëria, pabarazia etj., që po mbizotërojnë mbi ne e mbi vendin tonë prej vitesh. Krejt këto ndërtojnë një tregues që alarmon për nevojën për ndryshim rrënjësor të kësaj situate.

“Fati i popullit tim, është fati im”, thoshte Pjetër Bogdani, që duhet të shërbejë si mësim për këdo, e sidomos për ne të rinjtë. Sepse ne jemi populli. Kur vuan populli, vuajmë edhe unë e ti; vuajmë të gjithë.

Ne kemi nevojë për rini idealiste, brenga e së cilës është e ardhmja e shtetit tonë, si rrjedhojë e të cilit buron edhe e ardhmja jonë. Por, pas brengës, duhet bërë hapi i dytë, por shumë i rëndësishëm: angazhimi. Sepse vetëm kështu ecet drejt ndryshimit dhe vetëm kështu bëhet ndryshimi. Ndryshe, do të përfundojmë vetëm të brengosur e të dëshpëruar.

Shpresojmë që kjo rini asnjëherë të mos dëshpërohet e të nënshtrohet, e gjithnjë të vazhdojë luftimin ndaj të gjitha padrejtësive e pabarazive, derisa të arrijnë në stadin ku nuk vendos dikush tjetër për fatin e tyre. Pra, deri atëherë kur ata vetëvendosin.

Mjaft më të shtypur. Të rinjtë janë shpresa e së ardhmes.

(autorja është maturante në Gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë)

Në trend

Më shumë
“Ndërprisni menjëherë kontratën e tij” – Tifozët e Liverpoolit të nervozuar me paraqitjen e yllit të tyre ndaj PSG-së

“Ndërprisni menjëherë kontratën e tij” – Tifozët e Liverpoolit të nervozuar me paraqitjen e yllit të tyre ndaj PSG-së

Liga e Kampionëve
Kanadezët bojkotojnë produktet amerikane, shitësit heqin nga raftet e dyqaneve gjithçka të SHBA-së

Kanadezët bojkotojnë produktet amerikane, shitësit heqin nga raftet e dyqaneve gjithçka të SHBA-së

Amerika
Banorët të mërzitur, qajnë për

Banorët të mërzitur, qajnë për "largimin" e Gjestit nga Big Brother VIP Albania

Magazina
NJSI dhe K-9 ndërhyjnë në Prishtinë – arrestohet një person, konfiskohen armë dhe municion

NJSI dhe K-9 ndërhyjnë në Prishtinë – arrestohet një person, konfiskohen armë dhe municion

Kronika e Zezë
Bota u mbyll, ata jo - si janë pesë vjet më vonë ata që nuk iu frikësuan COVID-19

Bota u mbyll, ata jo - si janë pesë vjet më vonë ata që nuk iu frikësuan COVID-19

Botë
Paralajmëron Macron: Franca po konsideron shtrirjen e arsenalit të saj bërthamor për mbrojtjen e aleatëve

Paralajmëron Macron: Franca po konsideron shtrirjen e arsenalit të saj bërthamor për mbrojtjen e aleatëve

Botë
Kalo në kategori