Prej vitesh, në mbarë planetin, ekologjistët po i bien kambanës së kushtrimit lidhur me zhdukjen e mjaft specieve të botës shtazore, duke ia veshur përgjegjësinë zhvillimit e urbanizimit të shfrenuar, të administruar keq, ashtu edhe ndotjes së mjedisit si pasojë e mjaft veprimtarive njerëzore në sferën industriale, bujqësore, të transporteve etj. Meqë vendi ynë, pra Republika tmerrësisht demokratike e Shqipërisë, bën ende pjesë në bashkësinë planetare, edhe te ne ka specie e lloje kafshësh që rrezikojnë deri diku, në mos të zhduken, të paktën të rrallohen ndjeshëm.
Miku dhe ish-kolegu im Françesk Armadhi, i apasionuar pas natyrës, tek pinim një çaj të ftohtë në mes të xhunglës së betontë në qendër të Tiranës, më tërhoqi vëmendjen me një konstatim të thjeshtë, por, gjithsesi befasues: në Tiranë ka përherë e më pak insekte, si për shembull mizat fluturake, që para disa vitesh ende gëlonin, sidomos në pisk të vapës, në tregjet e hapura me fruta e zarzavate dhe jo vetëm atje, por në njëfarë mase edhe nëpër verandat e kafeneve, bareve e restoranteve. Kjo mungesë, fort e lavdërueshme, sidomos nga pikëpamja higjienike, dëshmon se kjo specie, të paktën në kryeqytetin tonë, është në zhdukje e sipër edhe për shkak të ndotjes së ajrit.
Për ato lexuese dhe ata lexues mosbesues, po përmend faktin që në Tiranë ka kohë që nuk shohim më xixëllonja lulishteve apo parqeve publike dhe kopshteve të vilave e të shtëpive private; para disa vitesh, shiheshin në qytetet tona të mëdha dallëndyshe që fluturonin ngjitur me tokën për të gjuajtur insekte, kurse tani atyre u duhet të ngjiten lart në qiell për të vazhduar gjuetinë e tyre; nga ana tjetër, edhe mushkonjat mezi po mbijetojnë.
Gjithmonë, sipas z. Françesk Armadhi, i cili përherë më ka thënë gjëra jo vetëm interesante, por edhe të dokumentuara mirë, tipike të realitetit shqiptar, kjo dukuri pra është tashmë diçka karakteristike për rezidencat qeveritare dhe, kryesisht, sidomos e veçanërisht, për banesat, vilat vetjake të personaliteteve më top apo vip të politikës shqiptare, qofshin ata në pushtet apo në opozitë.
Sipas disa të dhënave që i kanë besuar mikut dhe ish-kolegut tim dy-tre zotërinj që bëjnë pjesë në personelin e mirëmbajtjes së kopshteve rreth e rrotull disa vilave ku pushojnë rregullisht ose herë pas here një numër kryetarësh organizmash e strukturash të larta të shtetit shqiptar, atje nuk ka jo më gjarpërinj, iriqë, nuselale apo minj, por as hardhuca, as grerëza, as miza, as mushkonja, as kandrra të tjera fluturake apo zvarritëse, ndonëse as aty pranë, as më larg, nuk ka industri ndotëse të mjedisit, ajrit, ujit e tokës.
Logjikisht, përherë sipas z. Françesk Armadhi, lind pyetja: Çfarë i ka shtyrë këto kafshëza e insekte, nga të cilat disa fort të bezdisshme, madje edhe të rrezikshme, si gjarpërinjtë, të largohen, sidomos kur personalitetet e lartpërmendura më top apo vip (ose, në veçanti, më top & vip) vijnë për të pushuar?
Kjo pyetje më intrigoi shumë edhe mua, sidomos kur mësova, po nga goja e mikut dhe e ish-kolegut tim, se njëri nga “informatorët” e tij i kishte thënë, duke ulur zërin e duke këqyrur me mosbesim rreth e përqark se, me t’u larguar nga vilat në fjalë personalitetet në fjalë, grerëzat e mushkonjat në fjalë, madje nganjëherë edhe ndonjë gjarpër apo nuselalë, rishfaqen me ndrojtje të madhe atyre anëve.
I paaftë t’i jepja ndonjë përgjigje bindëse kësaj pyetjeje, u bëra gati t’i kërkoja z. Françesk Armadhi të mos e vriste shumë mendjen për këtë dukuri, deri diku të mistershme, kur befas diçka më shkreptiu në tru: emri i Volterit, filozofit frëng të shekullit XVIII, i cili si një nga personalitetet më të shquara të mendimit të lirë në Francën e asaj kohe, iu kundërvu obskurantizmit e hipokrizisë së Kishës katolike dhe pati debate të forta edhe Freronin, një nga përfaqësuesit e Urdhrit të Jezuitëve. I famshëm për ironinë e tij, Volteri shkroi edhe një epigramë kundër jezuitit në fjalë, të cilën e shqipërova pa vonuar si vijon për mikun e ish-kolegun tim, por edhe për ju që në këtë çast po më lexoni: “Një ditë, në fund të një lugine / një gjarpër pickoi Freronin / A e dini se çfarë ndodhi? / Ky mbeti gjallë, gjarpri ngordhi!”.
A nuk i jep kjo epigramë, edhe pas dy shekujsh, njëfarë përgjigjeje pyetjes së z. Françesk Armadhi? Gjithsesi, sido që të interpretohet kjo përgjigje, fajin e ka Volteri dhe vetëm ai. /Panorama/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNuk ndalen ofendimet brenda BBVA: 'Komplet familjen atij' – Jozi shan rëndë Gjestin
Kualifikohen 18 skuadra, Man City rrezikon seriozisht eliminimin - situata para ndeshjeve të fundit
Pse duhet të mbani sapun pranë shtratit sa herë që flini?
Maqedonci reagon pas publikimit të letrës së KFOR-it për dërgimin e ushtrisë në veri: S'ka rizotim, por sqarim
Bolton: Me Trumpin mund të ndodh shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë
I "uritur" për më shumë minuta - Arda Guler pajtohet t'i bashkohet gjigantit evropian këtë muaj
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Nuk ndalen ofendimet brenda BBVA: 'Komplet familjen atij' – Jozi shan rëndë Gjestin
Kualifikohen 18 skuadra, Man City rrezikon seriozisht eliminimin - situata para ndeshjeve të fundit
Bolton: Me Trumpin mund të ndodh shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë
Maqedonci reagon pas publikimit të letrës së KFOR-it për dërgimin e ushtrisë në veri: S'ka rizotim, por sqarim
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump zbulon se është mbështetës i gjigantit të Ligës Premier
Rikthehet gjakmarrja në Dragoç, familja e autorit të vrasjes ka mbetur e ngujuar