LAJMI I FUNDIT:

Ikja nga komunizmi

Ikja nga komunizmi

Qendra e filozofisë komuniste ishte “dashuria” për partinë. Përmbysja e regjimit komunist në Shqipëri u shoqërua me përvoja të pahijshme për shqiptarët. Në vitin 1990 shqiptarët ishin të parët që shtegtuan drejt dheut te huaj. Për më tepër, ishin ata që kishin qenë për shumë vjet më të paduruarit, më të dëshpëruarit, më të pangopurit që duhet të prisnin radhë të gjata për të marrë racionin e bukës sipas anëtarëve të familjes. Për fat të keq, ishte me të vërtetë një situatë që rëndonte mbi kurrizin e popullit dhe kërkonte shumë sakrifica. Privimi ndaj lirisë, i parë deri atëherë si ideal që ekzistonte vetëm në mendjen e njerëzve, i bëri më kureshtarë të gjithë ata të cilët e kishin ëndërr të lundronin drejt botës së hapur.

Kur flas dhe diskutoj për të arratisurit nga komunizmi, më vijnë ndërmend letrat që i dërgonte daja im gjyshërve nga Beogradi dhe më pas nga Amerika. “Mama, më kujtohet kur s’kishe çfarë të bëje për drekë ose darkë dhe laje shishe vaji për të shitur që të merrje bukën, kurse këtu vetëm rreth hotelit tim janë dy ose tre makina me shishe dhe nuk i merr njeri se ka ushqime dhe lekë plot”. Këto ishin kushtet e vështira dhe ekstreme që detyruan shumë shqiptarë të largoheshin asokohe nga vatani, për të cilët të jetoje në Amerikë apo diku tjetër mjafton të ishte vend i lirë ishte si të kapje qiellin me dorë. “Ikja nga komunizmi” mbante në vetvete mijëra projekte që lidheshin me ekzistencën si shprehje të kushtit njerëzor. Madje, edhe po t’u flisje mureve të dukej sikur dikush të dëgjonte për të të spiunuar.

Pra, ishte e qartë se ndodheshe përballë një privatësie të zhveshur saqë ishte e vështirë ta mbuloje as me rrobat e trupit që vishje çdo ditë. E megjithatë, sikur të mos mjaftonte dhe kjo ishe i detyruar të rrethoheshe nga komshinjtë që luanin rolin e detektivit privat. Ata që urrenin komunizmin urrenin njëkohësisht dhe veten e tyre që kishin lindur në atë kohë. Rënia e vrullshme e regjimit komunist në vendin tonë shprehu qartësisht se njerëzit ishin të lodhur nga sistemi demode, që nuk i shkonte përshtat kohës në të cilën shqiptarët jetonin. Ndoshta të rrallë ishin ata që ngelën të kënaqur nga sistemi që ju dukej se ngroheshin nga të dyja shpatullat e partisë.


Vetia e veprimit njerëzor zotëronte privilegjin që ta kuptonte varfërinë e teorisë politike pavarësisht se iu mungonte liria për të shkruar që përfshinte lirinë e qytetarit për t’u shprehur lirshëm. Për shumë vite njerëzit nuk ishin në gjendje të ndryshonin, jo vetëm veprimtarinë e tyre, por edhe sferën e veprimtarisë politike. Kësisoj, ata nuk mund të mbillnin me mendjen e tyre qoftë edhe një fidan të vetëm, si gjithmonë të komanduar nga më i forti që shartonte pemën e shtëpisë së tyre.

Po të pyesim më të vjetrit që kanë qenë prezent në periudhën e diktaturës bindesh se shqetësimi që kanë ata sot është morali hera-herës i paragjykuar që e interpretojnë në disa raste si shthurje dhe jo se ata ishin simpatizantë të devotshëm të regjimit komunist. Me zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve “ikja nga komunizmi” nuk ishte gjë tjetër veçse një arratisje drejt lirisë nga realiteti i hidhur i diktaturës. Si përfundim, duhet të përmendim atë që na mëson Bergson kur konkludon se: “Liria është cilësore, nëse reforma e kryer në drejtim të barazisë ka dhënë një shoqëri ku merret frymë lirisht, atëherë provohet më tepër gëzim për të vepruar”.