LAJMI I FUNDIT:

Autori serb që po shtrembëron historinë tonë shqiptare

Autori serb që po shtrembëron historinë tonë shqiptare

Përse institucionet tona shkencore (Akademia e Shkencave në Kosovë dhe Shqipëri, Instituti Albanologjik si dhe ai i Historisë) heshtin sot para autorëve dhe “historianëve serbë” që abuzojnë me shtetin dhe popullin e shqiptar të Kosovës.

E fillova t’i shkruaj këto pak fjalë, pasi që, ka të bëjë me një problematikë që po ndodh sot në shoqërinë tonë. Sot, në Kosovë, por edhe mbarë hapësirat shqiptare, kemi shumë intelektualë, dijetarë, profesorë, doktorë, akademikë etj., me tituj të ndryshëm, por me shumë pak vepra.


Para disa dite, duke përcjell revistat dhe mediat informative në botë më ra në sy një shkrim nga Episkopi i Hercegovinës, Atanasije, i cili në Kongresin amerikan ka promovuar monografinë “Trashëgimia e Krishterimit në Kosovë e Metohi: Qendra historike e shpirtërore e popullit serb”. Për fat të keq, asnjë nga njerëzit e shkencës nuk e kritikoi atë monografi. Ajo monografi ishte shkruar me gjuhën e urrejtjes ndaj kulturës shqiptare.

Unë këtë shkrim sot që po e shkruaj dua ta paraqes jo si një koment politik, por e etiketoj si presion psikologjik. Kur e them këtë nuk kam ndonjë ambicie raciale, por më tepër është një revoltë duke parë se çfarë po ndodh sot me historinë, kulturën, traditën, trashëgimin kulturore shqiptare.

Episkopi Atanasije, monografinë e kishte botuar në gjuhën angleze. Këtë monografi provokative, nxitëse konflikti, shkrim me trillime djallëzore, ai e promovon në Amerikë. Autori shkruan se “thesari shpirtëror, kulturor e artistik i Kosovës e Metohise, 1400 kisha e manastire dhe posaçërisht disa dhjetëra shenjtëror nga shekulli XII deri ne shek. XIV përkasin në mesin e thesareve më të mëdha te civilizimit të krishterimit”. Pastaj, po i njëjti autor shpreh indinjatë dhe shqetësim për kishat ortodokse serbe dhe për fatin e njerëzve dhe popëve të tyre në Kosovë.

Me fjalimin që ka mbajtur në Kongresin Amerikan, Atanasie ishte shprehur se “kishat janë duke u shkatërruar dhe nuk janë ndërtuar afër 150 kisha të rrënuara gjatë viteve 1999-2003”. Ky autor kontrovers me fjalorin e tij nxitës mundohej t’i bindte institucionet shkencore ndërkombëtare, posaçërisht ato amerikane, që sipas t’i kërkohej të ndërhyhej dhe të ndalet shkatërrimi dhe demolimi i faltoreve në Kosovë. Ai do të bëjë raport para gazetarëve të ABC NEWS dhe gazeta New York Post (së paku një kritikë këtij shkrimi i ka dhënë i nderuari Fahri Xharra). Por, a mjafton kjo?

Po me të njëjtin fjalor nxitës me përmbajtje djallëzore e kishte shkruar para ca vitesh edhe autorja serbe, Biljana Zhivkoviq, në librin e saj “Krvava kosovska istorija” (Historia e përgjakshme e Kosovës), i cili i ka kushtuar periudhës kohore qindvjeçare të historisë së Kosovës, që kishte bastarduar realitetin dhe ngjarjet që kanë ndodhur mes shqiptarëve dhe serbëve, marrëveshjet diplomatike, gjerë në vitin 1989 kur edhe Kosova okupohet nga pushteti serb me në krye kriminelin serb Sllobodan Millosheviq.

Ku i kemi sot akademikët tanë, doktorët e shkencave, profesorët, historianët, teologët që nuk e ngritin zërin kur armiku të sulmon? Apo mos vallë ata tituj që i mbajnë i kanë vetëm për prezantime politike!