Sot është dita e dytë e 2015-së, ora 06:55 në mëngjes dhe jam në rrugë e sipër për në punë. Bora dhe akulli e kanë mbuluar rrugën si dhe gati gjithçka tjetër që sheh syri i njeriut. Telefoni tregon se temperatura momentale është minus 12 gradë celsius. Një erë tmerrësisht e ftohët, që po fishkëllen pandërprerë, ma mpiu ballin, hundën dhe tërë fytyrën. Disa të lehura qensh dëgjohen në distancë. Rrugës shoh vetëm edhe pak njerëz të tjerë, të cilët ishin mbështjellë sikur të ishin mumie dhe nxirrnin vrushkuj avulli nga goja e tyre çdo tre sekonda.
Përkundër këtij konfrontimi me acarin therës, ajo që po më brengos është fakti se vajza ime, e cila është nxënëse e klasës së katërt, do ta rifillojë mësimin pas tre ditësh dhe duhet të jetë në klasë para orës 07:45. Sipas parashikuesve të motit, temperaturat e ngjashme do të vazhdojnë edhe për disa ditë. Kjo do të thotë se vajza ime, bashkë me mijëra nxënës të tjerë anekënd Kosovës, do të ballafaqohen me erën polare, borën e akullt, e akullin e kristaltë për të nxënë dije. Por, jam i bindur se nëse do t’i pyeste dikush fëmijët dhe prindërit e tyre, ata më me dëshirë do të qëndronin afër ngrohëseve që i kanë në shtëpitë e tyre edhe për disa ditë të tjera, së paku deri sa të thyhet ky i ftohtë polar.
Pas disa reformave të bëra gjatë viteve të fundit në arsimin fillor dhe të mesëm në Kosovë, tani shkollat i kanë katër lloje të pushimeve. Më i gjati është ai i verës, i cili fillon në pjesën e tretë të qershorit dhe përfundon me 1 shtator, që do të thotë se zgjat gati dy muaj e gjysmë. Është kjo ajo stina e nxehtë, me ditë të gjata, me diell rrezatues kur fëmijët është shumë vështirë t’í mbash brenda në shtëpi dhe t’í nxisësh që të lexojnë diçka. Shumicën e kohës e kalojnë jashtë duke lozur lojërat e tyre të preferuara dhe rrallë ju bie në mend që të takohen me librin. Në anën tjetër, pushimi dimëror fillon rreth datës 20 dhjetor dhe përfundon dy javë më vonë. Gjatë këtyre ditëve të ftohta fëmijët, por edhe prindërit e tyre, preferojnë të qëndrojnë brenda, para televizorit apo/edhe librave të tyre të dashur.
Pasi që ekuilibrimi është një proces që qetëson dhe rregullon shumëçka në këtë botë, lind pyetja logjike se a mund të ndryshohet, gjegjësisht të balancohet gjatësia e pushimit dimëror dhe veror në Kosovë. Duke e pasur parasysh se janari është zakonisht muaji më i acartë në vendin tonë, atëherë, çka do të ndodhte nëse pushimi dimëror do të fillonte, për shembull, me 31 dhjetor dhe do të përfundonte me 31 janar; kurse ai veror të fillonte me 15 korrik dhe të përfundonte me 31 gusht?
Besoj se një modifikim i tillë është i mundur si dhe me dobi shumëdimensionale. Disa nga dobitë që po më sillen nëpër mend tani janë: gjatë dimrit, fëmijët do të qëndronin më larg nga të ftohtit dhe më afër librit për shkak se do të rrinin brenda, në ambulanca dhe qendra të tjera shëndetësore do të kishte më pak fëmijë të ftohur dhe lënduar nga aksidentet e shkaktuara nga bora, shkollat do të shpenzonin më pak lëndë djegëse, komunat do të harxhonin më pak buxhet dhe prindërit do të ishin më pak të brengosur rreth shkuarje-ardhjeve të fëmijëve të tyre. Krejt këto orë do të kompensoheshin gjatë verës kur procesi mësimor është edhe më argëtues edhe me implikime më të ulëta buxhetore.
Edhe hulumtimet shkencore ndërkombëtare tregojnë se pushimet e gjata verore kanë ndikim negativ në arritshmërinë e nxënësve. Një hulumtim, i bërë nga Brenda McLaughlin dhe Jeffrey Smink nga Shkolla e Edukimit "John Hopkins" në SHBA, thotë: "Për shkak të mungesës së mundësive të vazhdueshme për të mësuar dhe ushtruar njohuritë e tyre esenciale, fëmijët mbesin mbrapa me arritjet e tyre akademike gjatë muajve të verës".
Prandaj, modifikimi i pushimeve dimërore dhe verore do ta bënte verën më të freskët dhe dimrin më të nxehtë për nxënësit, prindërit dhe mësuesit e tyre, si dhe për shtetin në përgjithësi. Ai do ua mundësonte fëmijëve që të qëndrojnë në shoqërinë e librit dhe dijes gjatë verës por edhe gjatë dimrit.
Këto janë vetëm disa ide të cilat kërkojnë elaborime të detajuara të bazuara në ligjet, rregulloret dhe udhëzimet administrative në fuqi në Kosovë, por ato do të ishin në interes të gjithë atyre të përfshirë në procesin mësimor.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Takimi Trump-Macron, presidenti francez korrigjon deklaratën e homologut amerikan

Harta e paparë që premtonte të sillte paqe në Lindjen e Mesme

Ish komandanti i UÇK-së, Ismet Tara, reagon pas deklarimit në Hagë

Analistët komentojnë "ofertën" e Limajt për Kurtin: Vetfaktorizim apo hapje e lojës politike?

Ramadani: Shpresim Uka ka dhënë deklarata të pavërteta, kam incizuar një bisedë katërorëshe me të në Merdar

Krisa reagon pas deklaratës së Tirit se i pëlqen një vajzë në Big Brother VIP Albania

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Pyetet për Xhenetën, Gjesti: Nuk do t’ia ktheja me të keq siç më ka bërë mua, por nuk do të doja që të hynte në shtëpi

Harta e paparë që premtonte të sillte paqe në Lindjen e Mesme

Takimi Trump-Macron, presidenti francez korrigjon deklaratën e homologut amerikan

Ish komandanti i UÇK-së, Ismet Tara, reagon pas deklarimit në Hagë

E konfirmojnë nga Google, nuk ka më verifikim me SMS për Gmail – zëvendësohet me kodin QR

Krisa reagon pas deklaratës së Tirit se i pëlqen një vajzë në Big Brother VIP Albania