LAJMI I FUNDIT:

Muhamedi a.s. – Njeriu që ndryshoi historinë e njerëzimit

Muhamedi a.s. – Njeriu që ndryshoi historinë e njerëzimit

"O Pejgamber, Ne të Dërguam ty dëshmues, lajmëtar përgëzues e qortues, dhe me urdhrin e Allahut thirrës për në rrugën e Tij, dhe pishtar ndriçues" Ahzab, 45-46)
Të flasësh për njerëz të mëdhenj, nuk nevojiten fjalë të mëdha. Edhe me shprehjet më të thjeshta, mund ta shprehësh madhështinë e tyre. Por, kur bëhet fjalë për njerëz të zgjedhur nga ana e Zotit të botëve, atëherë çdo fjalë është e pafuqishme të shprehë e të përshkruajë madhështinë e tyre. E të pafuqishëm për të shprehur këtë madhështi ndjehemi edhe ne kur flasim për të dërguarin e fundit të Allahut, më të madhin prej "Ulul Azmit", zotërinë tonë – Muhamedin a.s., të cilin Allahu e dërgoi si pishtar ndriçues dhe udhëzues të Ymmetit në rrugën e Tij.

Sa herë që vjen muaji Rebiul Evvel, në brendinë e shpirtrave tanë gjithmonë zgjohen ndjenjat e një dashurie dhe respekti të thellë, për krijesën më të dashur të Allahut, për Muhammedin a.s. të cilin Mëshirëploti e dërgoi mëshirë për botët.

Lindja e tij ka qenë burim frymëzimi i shumë gjeneratave të kaluara, të atyre të sotme, po sigurisht se do të mbetet e këtillë edhe për gjeneratat e ardhshme deri në Ditën e Gjykimit.


– Lindja e tij erdhi në kohën më të duhur e më të nevojshme për njerëzimin.

– Erdhi atëherë kur botën e kishte kapluar errësira e paditurisë dhe injorancës,

– Atëherë kur kishte humbur çdo vlerë e dinjitetit njerëzor, atëherë kur prangat e skllavërisë kishin mbërthyer e robëruar zemrat e hutuara të njerëzimit nëpër valët e harlisura të çmendurisë e të egoizmit,

– Atëherë kur ishte venitur e tretur çdo ndjenjë e moralit dhe kur në botë sundonin forcat e liga djallëzore,

– Atëherë kur kishin filluar të fikeshin edhe shkëndijëzat e fundit të monoteizmit (Njëshmërisë) në lindje e në perëndim të Tokës,

– Atëherë kur në fytyrë të Tokës s’kishte mbetur veçse një pakicë e vogël dhe e vetmuar e monoteistëve, mëshira e Allahut deshi që ta dërgonte të dërguarin e fundit me meazhin (revelatën) e fundit qiellor në Tokë.

– Më në fund, në mesin e një bote të shprishur e të pashpresë, me net të ngrysura, të gjata e të ftohta, erdh dielli i të gjithë pejgambereve, i cili me ngrohtësinë e tij pushtoi zemrat e atyre që edhe në atë amulli e mjegull, ishin përpjekur të gjenin disi rrugën e udhëzimit, sipas fitres – natyrshmërisë së tyre të lindur.

– Erdhi si plotësim dhe përgjigje e lutjes së Ibrahimit a.s.

– Erdhi si vërtetim i paralajmërimit dhe përgëzimit të Isait a.s. ..

Para tij, Allahu kishte dërguar pejgamberë si mëshirë për popujt dhe për kohën e tyre, kurse këtë të dërguar e dërgoi si mëshirë për të gjitha botët. Erdhi si mëshirë absolute për popullin, dhe kohën e tij por edhe për të gjitha ata njerëz që do të vijnë pas tij prej popujve dhe shekujve vijues deri në Ditën e fundit të kësaj bote.

Allahu në Kur’an thotë:

"E Ne nuk të dërguan ty (o Muhamed) për diç tjetër, veçse si mëshirë për të gjitha botët" (El-Enbija’ë, 107).

Me lindjen e tij, filloi një epokë e re në faqet e historisë njerëzore, sepse ishte më se e nevojshme që Allahu të dërgonte një pejgamber me cilësi të larta morale, që do ta drejtonte e udhëzonte njerëzimin drejt dritës hyjnore. Ishte e nevojshme që Allahu të shpëtonte nga vuajtjet ato zemra që po përpëliteshin nën prangat e idhujtarisë për të gjetur limanin e shpresë dhe të qetësisë shpirtërore dhe rrugën për ta njohur Krijuesin e tyre të vërtetë Allahun fuqiplotë.

I Dërguari i Allahut-Muhammedi a.s.. pa dyshim është krijesa më madhështore dhe më e vlefshme që ka krijuar Allahu në këtë gjithësi. Është zotëria i mbarë njerëzimit, vula e të gjithë pejgamberëve dhe imam-prijës i të gjithë të dërguarve. Është argument i Allahut për të gjitha krijesat, të cilin Ai e dërgoi me fe dhe rrugë të drejtë, kurse shpalljen e tij e bëri të përgjithshme për të gjithë njerëzit deri në Ditën e Gjykimit.

I Dërguari ynë a.s. është pishtar ndriçues, përmes të cilit Allahu xh.sh. i udhëzoi njerëzit. Allahu i Madhërishëm bëri detyrim bindjen, respektin, dashurinë dhe pasimin e synetit -traditës së tij.

Muhammedi ishte një mësues fetar, një reformator shoqëror, një udhëheqës moral, një kolos administrativ, një mik besnik, një shok i mrekullueshëm, një bashkëshort burrë i devotshëm dhe një baba i dashur. Asnjë njeri tjetër në histori s’e kaloi ose s’u barazua me të në asnjë aspekt të jetës, pasi ai vetë ishte epiqendra e personalitetit që arriti këtë përkryerje të pabesueshme.

Profeti i islamit është një personalitet i pashoq në histori, i cili ka ndryshuar rrjedhën e njerëzimit dhe shoqërisë njerëzore i ka sjellë rregulla të reja për të arritur në lumturinë e përjetshme. Ai është gërshetim i virtyteve të ndritshme dhe pasqyrë e shëmbëlltyrës së lartë…

Për të me epitete më të larta kanë folur personalitete botërore, filozofë, shkenctarë dhe historianë. Të gjitha këta, në fund, disa në heshtje e disa haptazi e pranojnë faktin se asnjë nuk është i barabartë me profetin tonë Muhamedin a.s. për kontributin dhe gjurmët që ai i la gjatë jetës së tij. Nëse madhështia e njerëzve matet me madhështinë e veprave të tyre, atëherë Muhammedi a.s. është nga më të madhërishmit që ka njohur historia.

Muhamedi a.s. arriti që me ndihmën e Allahut, një popull beduin-endacak ta ngrente në piedestalin më ta lartë të popujve të qytetëruar. Prej njerëzve që pasion të vetëm kishin alkoolin dhe krenarinë fisnore të injorancës, ata i bëri prijatar të njerëzimit në dituri e shkencë, duke i dhënë botës mendjet më të ndritura të dijes. Falë mesazhit të parë nga Allahu drejtuar njerëzimit "Ikre’ë-Lexo!", i cili u kuptua drejt nga muslimanët, nga ky rrezatim përfitoi i tërë njerëzimi. Zbulimet e muslimanëve ishin nxitje edhe për të tjerët që të vazhdonin edhe më tutje në avancimin teknologjik. Që të gjitha këto të mira për njerëzimin erdhën më dërgimin e Muhamedit a.s. si mëshirë e dhuruar nga Allahu. Nëpërmjet mësimeve të tij, Ymeti islam shikoi guximshëm përpara, drejt ardhmërisë duke tejkaluar të tjerët që deri atëherë ishin shumë më përpara në qytetërim.

Ai i çliroi njerëzit nga robëria e idhujtarisë duke i bërë të dinjitetshëm dhe duke i nderuar me të qenit vetëm rob të Allahut, krijuesit të tërë ekzistencës materiale dhe të asaj që nuk arrijmë ta perceptojmë me shqisat tona.

Misioni i Muhamedit a.s. krijoi një realitet objektiv në sferat e ndryshme të jetës si në aspektin fetarë, historik, kulturorë pastaj në atë individual dhe shoqërorë. Pjesë e një realiteti të tillë të integruar në kornizën islame jemi edhe ne populli shqiptarë i cili u mishërua me Islamin dhe atë që lidhet me te.

Përshkrimin më ideal të personalitetit të Muhamedit a.s. e gjejmë në Kur’an ku Allahu xh.sh. tregon mbi vlerat e tij të mirëfillta dhe konfirmon vetitë më të larta të mundshme me të cilat mund të përshkruhet një qenie njerëzore. Personaliteti i tij shumëdimensional merr mbështetje nga ajete që kapin sfera të ndryshme të jetës dhe përmbledhin qëllimin madhor drejt bindjes se është i denjë për të ecur shtigjeve te tij.

Në jetën dhe personalitetin e tij dominonte qëndrimi ndaj jetës dhe botës në përgjithësi , Ai para se gjithash ishte njeri. Nuk i kaloi kufijtë njerëzor dhe kurrë nuk pranoj të dilte prej tyre , përveç në çaste të veçanta, gjatë pranimit të shpalljes, dhe gjatë udhëtimit të tij në Natën e Israsë dhe Miraxhit, kur kaloi shtigje të pafundme qiellore.

Personaliteti i tij paraqet baraspeshë te materies dhe shpirtërore, aftësisë dhe diturisë, ndërsa Autoriteti dhe sukseset e tij qëndrojnë pikërisht ne faktin se gjatë jetës së tij, diti t’i harmonizojë dëshirat dhe përpjekjet e tij me rregullin dhe ligjet që mbizotërojnë në botë, Ai arriti që fjalën e Zotit ta aplikonte sa më mirë në jetë, i drejtuar me tërë shpirtin dhe qenien e tij kah e vërteta absolute .

Në këtë ekuilibër, dhe në këtë harmoni qëndrojnë karakteristikat themelore të personalitetit të Muhamedit a.s. veprimtarisë dhe rrugës së tij. Ajo njëkohësisht është edhe vetia kryesore e mësimit Islam .

A nuk thotë edhe Allahu xh.sh. që i dërguari ynë duhet të jetë shembull dhe ideal për ne:

"Ju në të dërguarin e Allahut kishit shëmbëlltyrën më të mirë" (El-Ahzab, 21)

Të kthyerit dhe të qasurit personalitetit te tij nuk do te thotë kthim kah e kaluara e as shikim mbrapa, përkundrazi të kthyerit tek personaliteti i Muhamedit a.s. do te thotë gjetje e inspirimit te gjallë, i cili kryekëput ka qenë modeli më i lartë i shpjegimit dhe aplikimit të fjalës së Allahut xh.sh.- Kur’anit famëlartë, i cili si fjalë hyjnore është inspirim i vërtet, i gjallë, i hapur dhe aktual për çdo situate dhe vend. I këtillë ka qenë në të kaluarën, i tillë është sot, dhe i tillë do te jetë edhe në të ardhmen.

Qofsh i bekuar në të dy botët o Pejgamber i mëshirës dhe shpëtimtar i mbarë njerëzisë. Ti ishe dhe do të mbetesh ideal i sjelljeve tona të mira, i moralit dhe i devotshmërisë. Ishe dhe do të mbetesh burim frymëzimi i sakrificës dhe vendosmërisë në rrugën e Zotit si një pishtar i vërtet ndriçues i këtij Ymmeti, drita e të cilin kurrë nuk fiket as venitet. Sot si mbarë bota islame, ashtu edhe ne i bashkëngjitemi me gjuhët, zemrat dhe tërë qenien tonë përshëndetjeve dhe salavateve të Allahut dhe të engjëjve fisnikë drejtuar teje:

"Me të vërtet, Allahu dhe melaiket e Tij me madhërim e mëshirojnë dhe e përshëndesin të Dërguarin. O ju që keni besuar, lutuni për të duke rënë salavat dhe përshëndetne atë me selam". (El-Ahzab, 56)

Falënderimi dhe lavdia i takojnë vetëm All-llahut të Madhërishëm xh.sh.

Në trend

Më shumë
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme
Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Magazina
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Lajme

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Katër shembuj të “mbështetjes së pafund” të Trumpit për Izraelin

Katër shembuj të “mbështetjes së pafund” të Trumpit për Izraelin

Botë
Kalo në kategori