LAJMI I FUNDIT:

Lidhja e Prizrenit dhe protestat e nëntorit 1988

Lidhja e Prizrenit dhe protestat e nëntorit 1988

Pothuajse në të gjitha vendet e dala nga komunizmi shkolla an-all (annales) e shpjegimit të historisë dhe ajo postmoderne, kanë marrë hovë. Kjo mbase është edhe si rezultat i “rebelimit” apo edhe “monotonisë” nga mënyra marksiste apo ajo kombëtare që dominonte në ato vende.

Andaj, edhe në trojet tona gjithandej shihet një fenomen i tillë, ku ngjarjet historike – si bie fjala biografia e personaliteteve historike, ngjarjet politike dhe diplomatike, luftërat dhe kryengritjet – nuk shpjegohen në “modën e vjetër”, por ato tentohen të shpjegohen duke përfshirë ide nga psikologjia dhe shkencat shoqërore.

Pra, fenomenin historik tentojnë ta përkufizojnë si mentalitet të kohës të bazuar në aspektet shoqërore, si bie fjala ato demografike, tregtare, bujqësore, teknologjike, komunikimit etj. Me fjalë tjera, faktet historike i shndërrojnë në mendime intelektuale. Siç e shpjegon historiania amerikane, Deborah Lipstadt (autorja e bestselerit “Mohimi i Holokaustit”), “jemi në kohën ku historia shpjegohet në stilin "unë them kështu sepse ky është mendimi im dhe unë kam të drejtë ta shprehi mendimin tim, dhe ju nuk duhet të më mërzitni’”. E, sa ai mendim është i drejtë e i saktë, ajo është tjetër gjë!


Sidomos te ne, faktet e thëna nga studiuesit e vjetër, është në modë të shpjegohen në mënyrën “an-all” apo “postmoderniste” (varësisht nga disponimi i tyre ditor apo donatori i OJQ-së tyre). Veçanërisht ato që kanë të bëjnë me historinë tone kombëtare nga Mesjeta e hershme deri në fillim të shekullit të kaluar, qoftë ato që kanë të bëjnë me figurën e Skënderbeut apo Lidhjen e Prizrenit, Luftërave Ballkanike etj. Interesant pse nuk janë futur ende ta shpjegojnë në këtë mënyrë edhe historinë e fundit, sidomos luftën e UÇK-ës?! Bie fjala, të thonë se komandanti legjendar, Adem Jashari e flijoi veten dhe familjen e tij për shkak të nevojës së tij për t’u futur në histori, e jo për një ide sublime! Sepse, sipas tyre njerëzit nuk kanë këso idesh, por thjeshtë veprojnë nga nevojat e tyre.

Ende nuk e kam të qartë se a po frikohen nga reagimi i “komandantëve” apo çka?! Ngase, çka kanë deklaruar ata deri tani, shihet qartë se nuk kanë fare konsideratë për rregullat (vlerat) qytetare edhe pse thirren në to.

Në këtë frymë, kohë më pare më rastisi t’i lexojë disa ese për Lidhjen e Prizrenit, e që u bënë sebep për këtë reagim.

I lexova disa kumtesa ku panelistë të ndryshëm, duke përdorur shënime historike dhe studime të autorëve të huaj, me lehtësi vijnë në përfundim se Lidhja e Prizrenit ishte pan-osmane (pra jo pan-turke, edhe pse flasim për vitin 1878?!), duke (keq)përdorur disa deklarata diplomatike të liderëve të asaj Lidhje, si bie fjala të Adbyl Frashërit apo Mehmet Ali Pashë Vrionit.

Është interesant pse këta studiues ato deklarata nuk i trajtojnë në nevoja “psikologjike dhe sociale të kohës”? Por, i trajtojnë si fakte të “ngurta”?! E, në anë tjetër atë etapë kohore e trajtojnë nga aspekti psikologjikë, shoqërorë, demografikë, teknologjikë etj. I kam parasysh disa “neo-osmanë” (disa nga OJQ-të që financohen nga donatorë turq), ama nuk e kam të qartë pse bëjnë kështu disa “kosmopolitan”?! Mbase për shkak të kompleksit provincial që e kanë!

Kjo i bie sikurse demonstratat e nëntorit të vitit 1988, në Kosovë (për organizimin e të cilave shumë veta tashti rrahin gjokse), mbas njëqind e sa viteve dikush nga studiuesit e kohës t’i trajtojë ato si demonstrata pan-jugosllave (apo pan-sllave, merre si të duash)! Si demonstrata të cilat shqiptarët e Jugosllavisë i organizuan me qëllim për të ruajtur Jugosllavinë. Sepse, kanë argumente sa të duan për ta mbrojtur atë mocion!

Në ato protesta shqiptarët nuk brohorisnin parulla nacionaliste, por brohorisnin: Ne jemi të Titos, Tito është i yni; Tito – Partia; Tito, Kardeli – Kaqusha (Jashari), Azem (Vllasi); Rrnoftë LKJ; Rrnoftë Jugosllavia Socialiste Vetëqeverisëse dhe e Painkuadruar; Rrnoftë Vëllazrim-Bashkimi etj. U protestua me fotografitë e Titos, flamujt e Jugosllavisë dhe të kombeve e kombësive dhe flamurin e LKJ-së ( Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë). Bile disa medie sllovene dhe kroate raportonin se “në Kosovë po mbrohet Jugosllavia e Titos”.

Pra, ka “fakte e fakte” për ta shpjeguar në atë mënyrë (ashtu siç po shpjegohet Lidhja e Prizrenit), edhe pse realiteti ishte krejt tjetër.

E vërteta ishte se në protestat e nëntorit të vitit 1988, ne shqiptarët dolëm masovikisht (ishin më masivet) për shkak të rrezikut që na kanosej nga racizmi dhe hegjemonizmi serb. I zhvilluam në formën e njëjtë që i organizonte Millosheviqi dhe klika e tij, të ashtuquajturat “mitingjet e solidaritetit me serbët e Kosovës”, në të cilat nën parullat e vëllazërim bashkimit, ruajtjes së Jugosllavisë së Titos, politikës së LKJ-së etj. kërkohej të krijohej Serbia e Madhe.

Ngjashëm pra bëmë edhe ne shqiptarët! Po me të njëjtat parulla tentuam ta rezistojmë hegjemonizmin serb dhe ta ruajmë të paktën autonominë e vitit 1974.

Nuk ishte se e kishim hallin e Jugosllavisë, bile edhe emigracioni shqiptar (që ishte hapur anti- Jugosllavi) u solidarizua me ato protesta.