LAJMI I FUNDIT:

Bota po shtrëngon radhët

Bota po shtrëngon radhët

Lufta kundër milicisë terroriste të “shtetit islamik” (IS) dhe epidemia e Ebolës që po përhapet me shpejtësi marramendëse ishin dy temat më emergjente. Të dyja patën një shkallëzim dramatik gjatë javës së takimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke bërë që ajo të kthehej në një takim krize. Por, kjo nuk tregon asgjë për aftësinë e OKB-së si menaxhere krizash.

Presidenti amerikan, Obama, mori me vendosmëri iniciativën në temat e IS-it dhe Ebolës. Dhe kështu, kjo Asamble e Përgjithshme u ndikua më shumë se kurrë më parë nga amerikanët. Vendimi i Obamës për të katapultuar në një fazë të re luftën kundër I-itS me sulme ajrore në Siri mbrëmjen para takimit të Asamblesë, u dëshmua si një lëvizje e zgjuar taktike. Që përpara fillimit të fjalimit të tij, ai i kishte vënë vulën e tij Asamblesë së Përgjithshme dhe kishte vënë në lëvizje një dinamikë për zgjerimin e mëtejshëm të koalicionit kundër IS-it. Në fund të javës së OKB-së në këtë koalicion bëjnë pjesë krahas Britanisë së Madhe edhe shtete të vogla evropiane si Belgjika dhe Danimarka.

Më e rëndësishme se shtimi i radhëve të koalicionit është që ka ndryshuar klima politike. Bashkësia ndërkombëtare i kupton përmasat deri tani të panjohura të terrorit dhe dhunës si sfidë, e cila duhet përballuar me bashkim forcash. Disa prej shteteve arabe deri tani të rezervuara, janë pozicionuar më qartë. Edhe vetë Rusia votoi pro rezolutës së paraqitur nga Obama, kundër të ashtuquajturve “Foreign Fighters”, të cilët luftojnë krah IS-it në Siri dhe Irak.


Për ministrin e Jashtëm gjerman, Steinmeier, nuk ishte edhe aq e lehtë që të dëgjohej edhe zëri i Gjermanisë në këtë atmosferë. Para së gjithash, sepse pritja e pashprehur e qeverisë “Obama” për një pjesëmarrje të Gjermanisë në sulmet ajrore, e vuri ministrin në pozicion mbrojtjeje. Armët gjermane për luftëtarët kurdë mund të jenë një hap i madh për qeverinë gjermane, por ky është këndvështrimi i ngushtë gjerman. Për aleatët, lëvrimet e armëve janë të vetëkuptueshme dhe përballë dinamikës ushtarake të IS-it dhe qindra mijëra kurdëve që kërkojnë strehë në Turqi, vetëm një pikë ujë në shkretëtirë.

Megjithatë, në fund Steinmeier ia doli të luante pjesën e tij në koncertin e forcave. Me njoftimin e një konference ndërkombëtare për refugjatët në Berlin, ai rimori iniciativën dhe luajti kartën më të fuqishme gjermane: kompetencë për ndihmë humanitare. Edhe në luftimin e Ebolës, kjo kompetencë është shumë e kërkuar. Edhe pse këtu përsëri në qendër janë amerikanët, qëkurse Obama dërgoi personel ushtarak prej rreth 3000 ushtarësh dhe punonjësit mjekësorë në vendet e prekura afrikane.

Kriza e Ukrainës u zhvendos në plan të dytë në konsultimet në New York. Kjo mund të ketë të bëjë me armëpushimin, edhe pse ai nuk respektohet plotësisht, i cili ka kontribuar për shtensionimin e situatës. Megjithatë, ishte e drejtë që Steinmeier e shfrytëzoi podiumin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, për t’u përballur frontalisht me Rusinë. Me një qartësi të rrallë, ai e akuzoi vendin për shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Ministri i Jashtëm rus, Lavrov, mori hak më vonë dhe e akuzoi Perëndimin se me sulmet ajrore kundër IS-it po shkel sovranitetin e Sirisë dhe po e ndryshon të drejtën ndërkombëtare me sjellje arrogante të tipit të Luftës së Ftohtë.

Një lajm i mirë është se Rusia dhe Perëndimi, në dy konflikte qendrore janë në një linjë. Krahas luftimit të “Shtetit Islamik” ky është konflikti bërthamor me Iranin. Ndryshe nga viti i kaluar, ku Presidenti i sapozgjedhur i Iranit, Rohani, e habiti Perëndimin me një ofensivë sharmi, frontet tani janë ashpërsuar. Vitin e shkuar New Yorku ishte pikënisja për një marrëveshje të përkohshme, e
cila i solli Iranit lehtësime në sanksionet ekonomike. Këtë vit, dinamika e javës së OKB-së nuk solli rezultat. Dhe profesionistit të politikës Steinmeier i shpëtoi një gabim, kur iu duk se palët ishin më pranë se kurrë arritjes së një marrëveshjeje.

E vërtetë është se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së që mblidhet çdo vit është e vetmja platformë për trajtimin e konflikteve ndërkombëtare. Megjithatë, menaxhimi i krizës bëhet në formate të tjera politike që anashkalojnë instancat e OKB-së. Kjo tregon se është koha që të ndërmerret reforma e OKB-së dhe ajo të bëhet më bashkëkohore. Ministri i Jashtëm gjerman e përmendi këtë në fjalimin e tij, por jo krejt pa interes pasi në fund, në Këshillin e ri të Sigurimit të OKB-së duhet të dalë edhe një vend për Gjermaninë, e cila e dëshiron këtë prej kohësh me zjarr.

Ajo që nuk u përmend nga asnjë prej oratorëve në Nju Jork është që axhenda e Asamblesë së Përgjithshme diktohet vetëm nga politika e ditës dhe për diskutimet strategjike afatgjata nuk mbetet thuajse fare kohë. Samiti i këtij viti për klimën i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, përbën përjashtim. Por tema të tjera të së ardhmes, të cilave nuk duhet të presin më për t’u trajtuar si rritja e popullsisë së globit, ndarja e burimeve apo çarmatimi nuklear, thuajse nuk u përmendën aspak në New York.

(Autori është korrespondenti i DW-së)

Në trend

Më shumë
Cana thyen heshtjen dhe flet për përballjen Rumani - Kosovë: Dardanët nuk e kanë vendin në Ligën C

Cana thyen heshtjen dhe flet për përballjen Rumani - Kosovë: Dardanët nuk e kanë vendin në Ligën C

Përfaqësuesja e Kosovës
Liridon Krasniqi u bë idhull në Malajzi – si u bë emri i tij njëri nga emrat që ky popull vendosi t’ua lë fëmijëve

Liridon Krasniqi u bë idhull në Malajzi – si u bë emri i tij njëri nga emrat që ky popull vendosi t’ua lë fëmijëve

Kosovë
Toka është anuar pothuajse një metër - shpjegimi shkencor dhe rreziku që vjen me të

Toka është anuar pothuajse një metër - shpjegimi shkencor dhe rreziku që vjen me të

Botë
Trajneri kosovar goditet me trofe në fytyrë nga gjyqtari malazez, u desh ndërhyrja e sigurimit për mos të eskaluar situata

Trajneri kosovar goditet me trofe në fytyrë nga gjyqtari malazez, u desh ndërhyrja e sigurimit për mos të eskaluar situata

Sport
Stjuardesa e 'British Airways' përballet me shkarkimin nga puna për shkak se zbuloi se ndodhej në të njëjtin fluturim me arkivolin e Liam Payne

Stjuardesa e 'British Airways' përballet me shkarkimin nga puna për shkak se zbuloi se ndodhej në të njëjtin fluturim me arkivolin e Liam Payne

Magazina

"Gjest i shëmtuar", Vedat Muriqi kërkon falje publike pasi u ndëshkua me karton të kuq

La Liga
Kalo në kategori