LAJMI I FUNDIT:

Gjakmarrja si sëmundje kronike sociale

Gjakmarrja si sëmundje kronike sociale

Ditëve të fundit Gjermania bëri një hap prosperues ndaj hapësirës shqiptare si më të prapambeturës jo vetëm në rajonin e zhurmshëm të Ballkanit, por edhe në Evropë. Pas kësaj hapjeje të Gjermanisë, me qëllimin e vetëm të joshjes së shoqërisë shqiptare nga elementi evropian dhe pse jo gjerman, dhe në të njëjtën kohë pengimit të saj në të orientuarit anadollak (siç po tentohet nga qarqe të ndryshme vendore dhe anadollake), shoqëria shqiptare formalisht e ndjeu veten të rëndësishme në Ballkan e Evropë si asnjëherë më parë në historinë e saj.

Të flasësh në konferencë për shtyp me znj. Merkel dhe në njëfarë mënyre të përfaqësosh rajonin e Ballkanit në konferencën për shtyp, nuk mund të mos shihet si sinjal i mirë për të ardhmen e Shqipërisë. Në këtë konferencë po ashtu nuk mund të mos vërehej interesi i hapësirës gjermane për të shtrirë investimet e saj në hapësirën shqiptare, interes ky që u “evropianizua” me pjesëmarrjen e presidentit të Komisionit Evropian dhe disa shteteve tjera përreth Gjermanisë.

Kjo hapje e Gjermanisë është vazhdimësi e hapjes së Perëndimit ndaj shqiptarëve, shih këtu mbështetjen e NATO-s për luftën e drejtë të Kosovës, vizitën e presidentit të SHBA-ve në Shqipëri duke sinjalizuar materializimin e pavarësisë së Kosovës, anëtarësimin e nukleusit shqiptar në NATO dhe shumë elemente tjera bindëse, për të cilat ne si shoqëri shqiptare duhet të motivohemi, por assesi të përfundojmë në vetëkënaqësi.


Prandaj, kjo hapje e madhe gjermane, nga nukleusi shqiptar (shteti shqiptar) duhet kuptuar më shumë si obligim për reforma të mëtejme në gjithë dikasterët shtetëror dhe nuk duhet perceptuar aspak si vetëkënaqësi e momentit. Kjo hapje gjermane po ashtu dëshmon përkushtimin e hapësirës gjermane ndaj hapësirës shqiptare si një hapësirë e interesit evropian dhe pse jo gjerman. Mbetet të shihet se sa do të jemi në gjendje t´i përballojmë kësaj hapjeje gjermane, kur dihen kushtet për plotësim që kërkohen nga shteti gjerman për të mund investuar në hapësirën shqiptare.

Përkundër këtij lajmi të mirë dhe premtues, nukleusi shqiptar dhe rrjedhimisht tërë qelizat tjera shqiptare kanë një problem të madh social, fundi i të cilit nuk po shihet askund. Ky problem është kronik dhe është duke na përcjellë rregullisht dhe pa ndonjë ndërprerje. Ky problem është gjakmarrja e shqiptarëve dhe ajo pra në shekullin 21!

Pra, në një shekull kur amerikanët janë duke bërë plane për elaborimin dhe funksionalizimin e Luftës së Yjeve (Battle of Stars), përmes të cilës do të kontrollohet hapësira rreth tokës dhe toka në përgjithësi, shoqëria shqiptare, e sidomos nukleusi shqiptar, përballet me një Shkodër, pjesë të së cilës përmbajnë popullsi të ngujuar shkaku i gjakmarrjes. Kush dëshiron të bindet për këtë mund të shkojë në Shkodër, ndërkohë që për të hyrë në këtë pjesë të ngujuarish duhet kaluar “kontrolle” të rrepta. E po deri këtu shkon shqiptaria, thua se nuk kemi punë tjera më të rëndësishme sesa të merremi me regres.

Tashmë dihet që në këtë pjesë të shoqërisë shqiptare nuk funksionon ajo që ne e quajmë sot shtet, por funksionon prapambeturia kronike e shoqërisë shqiptare. Kjo prapambeturi natyrisht që është ushqyer nga pushtuesit e ndryshëm e sidomos nga serbët, por as ne asnjëherë nuk e kemi luftuar si duhet, edhe pse pati organizime për pajtim mbarëkombëtar në një pjesë të vogël të popullit shqiptar, pra në Kosovë.

Iniciativat dhe lëvizjet e njerëzve të mirë për të sjell zhvillime pozitive si p.sh. pajtimi i gjaqeve ishin më të theksuara gjatë kohës së komunizmit sesa sot. Ndoshta, si të pushtuar njerëzia i bashkohet më lehtë një kauze kombëtare. Këtë së paku e kemi dëshmuar disa herë. Ndërsa tani aq na bën për ngujime të tilla, thua ti se gjakmarrja na qenkësh diçka e kaluar. Por, faktet flasin ndryshe, këtë e di secili që do të dijë për këtë sindrom.

Dihet katërcipërisht që tentativa për pajtim kombëtar u pengua nga një pjesë e politikës kinse shqiptare që mundohej dhe mundohet ta demokratizojë shoqërinë shqiptare brenda 24 orësh dhe e cila për fat të keq për efekt pati vetëm demonizim dhe kriminalizim të shoqërisë shqiptare në përmasa të papara dhe si rrjedhojë kemi Shkodrën dhe shumë Shkodra tjera më të vogla. Dikush mund të thotë se jo ata, apo jo këta e shkaktuan këtë gjendje, por besoj që ata më pak e këta më shumë kontribuuan për këtë demonizim dhe kriminalizim të shoqërisë shqiptare.

A ka gjë më të keqe se të mos besosh në shtet dhe të marrësh frenat në dorë me qëllim anarkinë. Nëse nuk ju duket kështu më bindni ju lutem. Pyetja është kjo: a funksionoi shteti i Sali Berishës dhe ai i tashmi i Edi Ramës në këtë pjesë të ngujuarish në Shkodër? Në qoftë se ngujimi është duke vazhduar, atëherë përgjigja dihet, apo jo? Kjo ishte tepër politike dhe nuk po ndalemi këtu, sepse nuk do vijmë në asnjë përfundim pozitiv.

Çdo kush që bie në fund të pusit ka një qëllim të vetëm, pra si të dilet sa më shpejtë dhe sa më lehtë dhe mundësisht i palënduar nga pusi. Nëse dikush mendon që shoqëria shqiptare nuk është në fund të pusit (më e varfra në Evropë) atëherë ai është kapluar nga një optimizëm shterp. Si duket dikush ja nisi seriozisht të mendojë për dalje nga pusi dhe filloi me disa hapa breshke, por të sigurt.

Por, a do të mund të dalim nga pusi shpejt, lehtë dhe të palënduar? Natyrisht që as lehtë e as shpejtë nuk do të mund të dalim sepse kemi kohë që lëngojmë nga sëmundja e gjakmarrjes. Lëndimin e shoqërisë shqiptare e kanë rënduar dhe korrupsioni bashkë me krimin e organizuar të të gjitha llojeve. Ndërkohë që gjakmarrja është lëndimi i rëndë që do të na ngadalësojë daljen e lehtë dhe të shpejtë nga pusi. Për këtë do të jemi dëshmitarë të gjithë.

Edhe pse nukleusi shqiptar tashmë ka filluar të merret seriozisht me parandalimin dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar si një nga sfidat më të rënda të shoqërisë shqiptare gjithandej (shih raportet ndërkombëtare si p.sh. Raportet e State Department të SHBA-së, të BE-së, Transparency International etj.), ai ende nuk ka filluar të bëjë asgjë për të parandaluar dhe pse jo luftuar gjakmarrjen si sëmundje e rëndë dhe kronike e shoqërisë shqiptare. Për të çliruar pra familje të tëra nga ngujimi dhe për të hapur rrugë për zhvillim dhe prosperitet, shteti së bashku me mekanizmat e tij – i mbështetur nga shoqëria civile – duhet të tregojë aftësinë e tij për të vepruar. Paramendoni familjet e ngujuara të cilat vdekjen e kanë elementin më të afërt jetësor.

Nëse nukleusi shqiptar do të fillojë të bëjë diç në këtë drejtim, besoj që do të përballet me një nga sfidat më të rënda sociale të shoqërisë shqiptare. Kjo do të jetë një detyrë e vështirë për shtetin, kur dihet se shteti në situata të tilla nuk njihet dhe shpërfillet. “Rregull” e “rend” bëjnë këtu të ngujuarit, sepse ata e “dinë” më së miri se si duhet të funksionojë shoqëria. Nuk ka një qasje as afatshkurtër e as afatgjatë të shtetit shqiptar për të tejkaluar këtë sëmundje kronike sociale.

Natyrisht që krahas me këtë nukleusi shqiptar duhet të krijojë kushte për zhvillim më të theksuar ekonomik, politik e social, sepse pa këto tri të parat vështirë se do të zvogëlohet shkalla e gjakmarrjes, mos të flasim për zhdukjen e tërësishme të saj. E kur shikojmë parametrat ekonomik të nukleusit shqiptar atëherë e kuptojmë menjëherë se sa gjatë duhet tentuar të parandalohet dhe luftohet gjakmarrja.

Kjo sëmundje kronike sociale e shoqërisë shqiptare, pra gjakmarrja, në Kanunin e Lekë Dukagjinit “të famshëm” konsiderohet si një dënim kapital. Është marrja e jetës së atij individi që ka kryer një vepër të rëndë ndaj jetës, familjes, pronës, nderit dhe dinjitetit. Gjakmarrja është vrasje për të marrë hak. Pra, këtu elementi shtetëror nuk ekziston dhe as që merret parasysh. Dhe nëse elementi shtetëror nuk ekziston atëherë është e kuptueshme që sëmundja kronike sociale do të përhapet nëse nuk tentohet të parandalohet dhe luftohet. Akoma në shoqërinë shqiptare gjakmarrja konsiderohet si trimëri.

Por, ama, trimëri e burrëri është të bësh diçka të mirë për vendin tënd dhe jo të shkaktosh probleme psiko-sociale afatgjata ndaj shoqërisë tënde. Kjo duhet kuptuar kështu sepse ne po mundohemi të ecim përpara e në asnjë mënyrë mbrapa.

Çfarë mund t’i themi Evropës nëse me lagje të tilla të ngujuara p.sh. në Shkodër tentojmë të futemi në të? Nuk do të thotë që Evropa është perfekte dhe pa korrupsion e krim të organizuar. Por, Evropa nuk ka gjakmarrje dhe shoqëria evropiane nuk mund të paramendojë ngujime të tilla dhe rrjedhimisht nuk do i hap dyert për shoqëri dekadente. Shoqëritë evropiane kanë besim në shtet dhe nuk marrin në dorë zgjidhjen e problemeve të ndryshme mes qytetarëve.

Kjo ndër të tjera nuk do të thotë që ne duhet parandaluar dhe luftuar gjakmarrjen, korrupsionin dhe krimin e organizuar për hir të Evropës dhe për t’i bërë qejfin Evropës, por ne duhet pastruar së pari vetveten, për t’i hapur rrugë prosperitetit dhe zhvillimit shoqëror të hapësirës shqiptare, sepse vetëm duke pastruar vetveten do të jemi ballëhapur para çdo Evrope.

Kjo sëmundje e rëndë kronike nuk duhet të na bëjë pesimistë, se vetëm ne si shoqëri mund të kemi gjëra të këqija, përkundrazi ne si shoqëri shqiptare kemi dhënë shumë gjëra të mira për vetveten dhe Evropën, prandaj Evropa edhe më herët e ka ditur edhe së fundi e ka kuptuar mirë që ne jo ndryshe prej shoqërive tjera jemi në zhvillim, por me vështirësi të theksuara në sfera të caktuara. Por, vështirësia sociale e gjakmarrjes e pengon seriozisht zhvillimin e shoqërisë shqiptare, prandaj si e tillë duhet eliminuar sa më parë.

Paramendoni ju lutem se sa lehtë vritet shqiptari në hapësirën shqiptare. Njeriu vritet për një fjalë goje dhe më e keqja e kësaj pune është se për vrasje të tilla ka pro et contra. Pra, ka një pjesë të shoqërisë që e përkrah vrasjen si zgjidhje të problemit, pa marrë parasysh se sa banal ishte problem (p.sh. vrasja për parking, për sharje nëne etj.). Kjo formë e zgjidhjes së problemit është kronike dhe dashakeqe dhe si e tillë është mbjellë gjerë e gjatë brenda shoqërisë sonë dhe për pasojë po na përcjell edhe sot.

Prandaj, nëse nukleusi shqiptar bën hapin e parë për të parandaluar dhe luftuar gjakmarrjen natyrisht që kjo do të jetë element shtytës për themelimin e instituteve të ndryshme psiko-sociale për të analizuar agresivitetin e pakontrolluar të shqiptarëve sidomos kur kanë probleme banale mes vete. Kemi një agresivitet të shfrenuar, me të cilin askush ende nuk merret dhe si rezultat i këtij agresiviteti vijmë te vrasja, gjakmarrja dhe probleme tjera sociale të cilat pastaj kanë pasoja deri në 100 vjet apo edhe më shumë.

Pra, themelimi i instituteve psiko-sociale do të ofronte alternative të ndryshme për të reduktuar në mos çrrënjosur këtë problematikë. Sa i përket agresivitetit dhe gjakmarrjes mekanizmat shqiptar merren më shumë me pasojat e shumë pak me shkaqet, prandaj kemi një gjendje çfarë kemi. Nëse do të arrinim t’i identifikonim mirë shkaqet e gjakmarrjes, atëherë do të ishte më lehtë t’i parandalonim dhe luftonim ato.

Për të reduktuar shpirtin gjakmarrës shoqëria jonë do të duhej të fillonte qysh nga shkollimi fillor dhe i mesëm me programe të ndryshme edukative që për bazë do kishin ndërtimin dhe promovimin e raporteve të shëndosha ndër-personale mes nxënësve si dhe për përmirësimin e nivelit të komunikimit mes nxënësve, sepse kjo pastaj do të kishte efekte pozitive në faza të mëvonshme jetësore. Në këto programe edukative nuk do të duhej përjashtuar programe të ndryshme mediale, filma apo dokumentarë të ndryshëm në mënyrë që masat për parandalimin dhe luftimin e gjakmarrjes të depërtonin thellë edhe nëpër familjet tona.

Për fund duhet potencuar që zhvillimi politik e demokratik, ekonomik dhe social i një shoqërie do të ndihmojë shoqërinë shqiptare në rrugën e saj prosperuese drejt integrimit evropian dhe jo vetëm. Kjo natyrisht që do të merr shumë kohë derisa agresiviteti brendashqiptar bie dhe gjakmarrja zhduket nga faqja shqiptare. Si të tillë do të jemi një shoqëri e shëndoshë dhe frytëdhënëse si dhe lehtësisht të integrueshëm.

Në trend

Më shumë
Zëdhënësja e Trumpit flet për ngrirjen e fondeve të USAID: Paguajmë për “punësimin e zgjuar” në Serbi dhe operat transgjinore

Zëdhënësja e Trumpit flet për ngrirjen e fondeve të USAID: Paguajmë për “punësimin e zgjuar” në Serbi dhe operat transgjinore

Evropa
Marina amerikane teston armën e saj të re laserike që kurrë s’i mbaron fuqia – publikohen imazhet mbresëlënëse

Marina amerikane teston armën e saj të re laserike që kurrë s’i mbaron fuqia – publikohen imazhet mbresëlënëse

Amerika
Ancelotti drejt kalimit në Serie A – gjiganti italian ka nisur bisedimet me kampin e tij

Ancelotti drejt kalimit në Serie A – gjiganti italian ka nisur bisedimet me kampin e tij

Serie A
Trump kërkon minerale të rralla nga Ukraina në këmbim të ndihmës ushtarake

Trump kërkon minerale të rralla nga Ukraina në këmbim të ndihmës ushtarake

Evropa
“Pise femër, nivel i Gjestit” - Përplasje e ashpër mes G Banit dhe Eglit – ndërhyn edhe këngëtari

“Pise femër, nivel i Gjestit” - Përplasje e ashpër mes G Banit dhe Eglit – ndërhyn edhe këngëtari

Magazina
Incidenti në Big Brother, reagojnë familjarët e Gertës: Ju kërkojmë ndjesë familjarëve të Gjestit nëse janë ndjerë keq

Incidenti në Big Brother, reagojnë familjarët e Gertës: Ju kërkojmë ndjesë familjarëve të Gjestit nëse janë ndjerë keq

Magazina
Kalo në kategori