LAJMI I FUNDIT:

Pengë të së kaluarës!

Pengë të së kaluarës!

Shoqëria kosovare, shumica, kanë harruar ndjenjën e lumturisë, sepse secili janë të mbërthyer nga gjendja nëpër të cilën kalojnë. Nëse do të ishim fat të kishim një shtet të fort dhe të mirëqenë, ndoshta do të kishim ku të mbështetemi. Meqë shteti është i mbërthyer nga pushteti, mos beso, aq më pak mos shpreso që pushteti i kapluar nga lakmia të jetë në gjendje të bëjë atë të cilin duhet bërë.

Ata të cilët ishin apo janë në pushtet, secili nga ta më shumë flasin dhe thirren në kaluarën e tyre sesa për të tashmen. Mirëpo, kanë harruar se e kaluara mund të fshihet me të sotmen, nëse e sotmja dëshmon të kundërtën e së kaluarës së tyre.

Është për habi: ata thirren në vlerat e së kaluarës, duke harruar të tashmen, sepse përmes së kaluarës mendojnë dhe duan të besojnë se edhe e tashmja është e tyre duke qenë pengë të së kaluarës. Secili nga ata të cilët janë mësuar të qëndrojnë atje ku të tjerët sipas tyre mbase nuk e kanë vendin, nga paaftësia e tyre e menaxhimit të së tashmes thirren në të kaluarën e tyre.


Ata të cilët bënë dikur, me krenari thirren në të kaluarën e tyre. Fatkeqësia është se e tërë shoqëria u ka borxh, madje jo vetëm atyre, mirëpo, edhe pasardhësve të tyre, sepse të parët e tyre ishin dikur bajraktarët e luftës dhe të paqes. Heronjtë lindin heronj, mbesin dhe vdesin heronj. Por, heroizmi i ndërtuar më pas nën thundrën e despotizmit dhe anarkisë, nga të vetëquajturit e tillë, pashmangshëm bije në pozitën e anakronizmit.

Kur heroizmi i së kaluarës mbyll sytë përball heroizmit të kalbur të së tashmes, duke bashkëjetuar dhe bashkëpunuar me pinjollët e atyre që në emër të sistemit të kaluar, për qëllime të ngushta materiale shitën vetveten, Atdheun dhe popullin e tyre. Ata dikur quheshin “shqiptarë të ndershëm”, për shkak të ndershmërisë së tyre që i bënin vendit dhe popullit të tyre, që me aq zell i shërbyen sistemit pushtues. Të njëjtit, edhe sot si dhe pinjollët e tyre, janë aty ku nuk do të duhej të ishin, por vetëm se nën petkun e një sistemi të ri.

Si i miri, nëse ka mbetur ndonjë i tillë, po ashtu edhe i keqi, njëri ka të drejtën të thirret në të kaluarën e tij, ndërsa ata të cilët ishin dikur “shqiptarë të ndershëm” dhe pinjollët e tyre, e kaluara e tyre bënë punë për të qenë atje ku sot nuk do duhej të ishin, madje jo aty ku janë, por edhe aty ku ditët numërohen nga pas, mbase nuk do ta kishin vendin.

Shoqëria jonë, besoj se shumica nga ta, duan të lirohen nga e kaluara, pavarësisht cila është ajo, me qëllimin e së ardhmes dhe brezave që do të vinë. Një frazë në histori thotë: “Një popull i cili nuk mëson nga e kaluara dhe historia e tij, ajo është e shkruar ti përsëritet”. Dhe, si duket, ne i paraprijmë historisë para se historinë të na shkruajnë të tjerët. Një shoqëri për aq kohë sa është e varur nga e kaluara e tij, duke harruar të tashmen dhe të ardhmen, nuk do të jetë në gjendje të ec me hapin e kohës, sepse hapi i së kaluarës e vë në pengesë hapin e së ardhmes.

Të jesh dhe të mbesësh peng i së kaluarës do të thotë që mos të jesh në gjendje të mendosh dhe të veprosh në të tashmen dhe për të ardhmen. Kjo të bije në gjendjen e negocimit të identitetit, kush ishim, kush jemi, nga po shkojmë dhe nga do donim të shkonim.

Secili nga ne të negociojmë me vetveten, me qëllimin e pastër të së tashmes dhe të ardhmes, që të lirohemi nga e kaluara. Për aq kohë sa na mbajnë të balsamosur me të kaluarën e tyre, e tashmja dhe e ardhmja do të jetë vetëm një ëndërr, prapë mëngjesi do të na gdhijë pengë të së kaluarës.