LAJMI I FUNDIT:

Letra nga burgu

Letra nga burgu

Pavarësisht faktit që çështja e liberalizimit të vizave vazhdon të ketë rëndësi të madhe për shumicën dërmuese të kosovarëve, konkretisht 90 për qind të tyre (shih Raportin Pulsi Publik), Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ende ka regjim të vizave për zonën Shengen. Ky regjim i bën kosovarët popullin më të izoluar në botë! Ky izolim, veç tjerash, pengon edhe perspektivën e zhvillimit kulturor, edukativo-arsimor dhe ekonomik, për të cilën ka shumë nevojë ky vend.

Ndërsa, ky vend, fajet për këtë regjim dhe izolim ia hedh udhëheqësve të vet! Të paktën, kështu janë deklaruar shumica e qytetarëve të Kosovës (42 për qind), të cilët sipas anketës së fundit të Pulsit Publik fajin për këtë gjendje ia vënë mungesës së përgjithshme të kapaciteteve të qeverisë.

Qytetarët gjithashtu janë pyetur se cila sipas tyre është arsyeja që Kosova vazhdon të jetë i vetmi vend në rajon me regjim të vizave. Dhe, gjetjet tregojnë se shumica e tyre mendonin që kjo është “sepse qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera nuk i kanë përmbushur kriteret e nevojshme sipas udhërrëfyesit të liberalizimit të vizave,” ndërsa vetëm 14 për qind e kosovarëve kanë deklaruar që kjo është për shkak se “pesë shtete të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën”.


Në anën tjetër, nuk e vlen as të analizohet sa herë është premtuar që liberalizimi do të bëhet brenda pak kohe. Qeveria, ose personalisht kryeministri i Kosovës, më 9 Dhjetor 2010 qe zotuar se “për pesëmbëdhjetë muaj do të ndodhë liberalizimi i vizave”! Por, megjithëse prej atëherë kanë kaluar rreth dyzet muaj, qytetarët e këtij vendi akoma mbeten të ngujuar. E, nëse i hedhim një sy deklaratave të zyrtarëve të lartë të BE-së, krijohet përshtypja që do kalojnë edhe dyzet muaj të tjerë dhe izolimit tonë s’do ti vijë fundi!

Prononcimi e zonjës Ulrike Lunacek, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian që “…as sivjet nuk do të ketë liberalizim të vizave për kosovarët. Shpresoj që do të bëhet brenda dy apo tri vitesh” (21 janar 2014), si dhe deklarata e zonjës Cecilia Malstrom se "Kosova nuk ka plotësuar kushtet dhe kriteret për liberalizim të vizave", janë sa shokuese aq edhe qartësuese se dikush është duke manipuluar me “të burgosurit” e burgut kolektiv të Kosovës. Kurse, “avokatët” tanë për të arsyetuar dështimin e tyre, këto deklarata gjithherë i përcjellin me akuza ndaj BE-së: duke potencuar që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet, por BE-ja po na e bën me hile!

Kështu topi hedhet nga populli tek Qeveria, e nga Qeveria tek BE-ja, pastaj nga BE-ja prapa tek Kosova dhe anasjelltas.

E, derisa loja me topa vazhdon, mjerimi nuk ka skaj. Disa kosovarë rrezikojnë jetët e tyre për të ikur ilegalisht, të tjerë harxhojnë parat e fundit për të siguruar viza, duke korruptuar qoftë edhe të përzgjedhurit e tyre (deputet të Kosovës). Arsyeja: njerëzve kur të iu mohohet e drejta për jetë më të mirë, ata s’kanë zgjedhje tjetër veçse të bëhen të jashtëligjshëm. Ndërsa, disa kosovarë të tjerë varësisht prej stinës; piqen s’nxehti ose ngrihen s’ftohti para dyerve të ambasadave, për të marre një vizë. E, sidomos trishtuese janë pamjet jo të rralla kur edhe pas tërë këtyre pritjeve u refuzohen vizat plakave dhe pleqve, që donë të udhëtojnë për të parë edhe njëherë fëmijë, nipa e mbesa…!

Është e pakuptueshme si është e mundur që Kosova të bëjë aq pazare të rënda për qytetarët e vet, për t’ia mundësuar integrimin evropian vendit që i ka shkaktuar aq shumë dhimbje në 100 vjetët e fundit! Ndërsa, për vete të mos jetë në gjendje të nxjerr një gjë kaq të vogël, si liberalizimi i vizave! Sidoqoftë, sado që ky dështim i institucioneve tona është i madh e i pajustifikueshëm, kërkohet një angazhim institucional dhe shoqëror për të ndryshuar gjendjen. Kërkohet punë edhe nga opozita dhe shoqëria civile, nga biznesi dhe nga bota akademike që të lobohet për një liberalizim më të shpejtë.

Eh, sa e tmerrshme është kur duhet të flasësh për gjërat që janë të kuptueshme vetvetiu!