LAJMI I FUNDIT:

Shteti mik me president dashakeq

Shteti mik me president dashakeq

Republika çeke dhe Kosova kanë raporte shumë të mira mes vete. Shteti çek e njohu pavarësinë e Kosovës në maj te vitit 2008 dhe që atëherë vazhdimisht ka përkrahur Kosovën në procese të rëndësishme drejt integrimit të shpejtë evropian dhe ka investuar edhe shumë para, kryesisht në infrastrukturë dhe arsim. Republika çeke çdoherë ka pasur qasje shumë miqësore dhe çdoherë ka qenë e gatshme për ndihmë e bashkëpunim reciprok. Por, problem me këtë shtet qëndron vetëm te një individ, e që fatkeqësisht është vetë presidenti i shtetit.

Është e zakonshme që endacakët të pretendojnë se janë më të mençurit e frikacakët më të mëdhenj të mbahen për trima. Ndonëse nuk mund të kategorizohet në asnjërën nga këto kategori, të paktën këso veprime po bën Milosh Zeman, presidenti aktual i Çekisë.

Gjatë vizitës së tij të fundit në Beograd, ndër të tjera e quajti Republikën e Kosovës si ‘’shtet të çuditshëm’’. Mirëpo, kjo nuk ishte e tëra. Ai foli edhe për ekstremizmin fetar islam, duke e konsideruar si një nga rreziqet e mëdha për kontinentin e vjetër, e që përsëri nuk e la pa e përmendur Kosovën duke i dhënë hise edhe këtu. Po ashtu Zeman u morr edhe me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se “krijimi i Ushtrisë së Kosovës do të thotë riarmatosje e ish-anëtarëve të organizatës terroriste të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës’’.


Fatkeqësisht, kjo nuk ishte hera e parë që ky burrështetas merret me Kosovën. Pak ditë pasi u zgjodh president i Çekisë në zgjedhjet e para presidenciale me votë të drejtpërdrejtë nga populli, Zeman deklaroi se Çekia do ta tërheq njohjen e Kosovës. Ai ishte edhe kundër hapjes së Ambasadës së Republikës Çeke në Kosovë. Në nëntor të vitit 2012, gjatë një fjalimi në Universitetin e Ekonomisë në Pragë, ai deklaroi se ka antipati për Madeleine Albright, ish-Sekretaren amerikan të Shtetit. Zeman tha se Albright kishte premtuar se nuk do të kishte bombardim të civilëve gjatë bombardimeve të NATO-s të vitit 1999 në Serbi.

"Madeleine Albright bëri një premtim, dhe Madeleine Albright nuk e mbajti premtimin. Që atëherë unë nuk e pëlqej atë", pati deklaruar Zeman.

Së voni, në mars të këtij viti, duke komentuar situatën e krijuar në Ukrainë pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, Zeman deklaroi se “ kjo krizë do të kishte qenë shumë më e lehtë e përballueshme nëse nuk do të kishte një precedent, që është Kosova”.

Gjatë studimeve bazike, pata rast të përfundoj një semestër në Masaryk University në Brno, qytetin e dytë më të madh në Republikën çeke (pas Pragës). E pikërisht gjatë kohës që isha duke studiuar atje, u mbajtën zgjedhjet presidenciale dhe Zeman doli triumfues në raundin e dytë (me 54 për qind të votave), duke e mundur Karel Schwarzenberg, një njeri shumë të afërt të mikut të madh të shqiptarëve, e sidomos të ish-presidentit Rugova, Vaclav Havel. Dilema e vetme e shtetasve çekë atë ditë ishte se kush votoi për Zemanin? Intelektualët, artistët, pro-evropianët e sidomos rinia e shtetit ishte e tronditur dhe thellësisht e habitur me rezultatin. Shumica e shkrimeve në portale, forume e rrjete sociale ishin se kishte ardhur koha që të rinjtë ta lëshonin vendin, pasi që konsideronin se nuk kishin perspektivë.

Si duket Zeman u votua masovikisht nga pensionistët dhe gjeneratat e vjetra, melankolikët e Çekosllovakisë së madhe, duke u besuar premtimeve që tejkalonin kompetencat kushtetuese të një presidenti të shtetit që është republikë parlamentare!

Nejse, gati një muaj u morën me këtë punë, por kthim mbrapa s’kishte. Zeman, ish-kryeministri në periudhën 1998-2002 mori detyrën e re, tashmë të Presidentit, në Kalanë e bukur në Pragë. Fillimi i detyrës, ashtu sikurse edhe e kaluara e tij, ishin shumë kontroverse. Në mediat çeke përflitej që kur dha betimin si president i vendit, Zeman ishte i dehur dërrasë. Ndonëse ky cilësohej spekulim, një ngjarje tjetër pas pak javësh e vërtetoi vartësinë e tij ndaj alkoolit, kur në një ceremoni fetare (Bohemian Crown Jewels) ai mezi qëndronte në këmbë. Video në të cilën shfaqej Zeman i dehur bëri xhiron në Çeki dhe më gjerë.

Zeman kritikohet shumë edhe për të kaluarën e tij, si një ish-anëtar i partisë Komuniste. Ai ishte pjesë dhe u largua edhe nga një parti tjetër, ajo Social-Demokrate, pasi e kishte të pamundur të merrte bekimin e partisë për t’u kandiduar për president në zgjedhjet presidenciale në vitin 2003. Ai madje e themeloi edhe një parti të re në vitin 2007, e quajtur Partia e të Drejtave Qytetare – Zemanovci, me të cilën nuk e kaloj as pragun zgjedhor në dy palë zgjedhjet parlamentare, më 2009 dhe 2013. Fal ndryshimeve kushtetuese në vitin 2011, ku Presidenti në vazhdim do të zgjidhej direkt nga populli, Zeman e shijoj pushtetin, thellësisht të diskutueshëm. Mos të harroj ta përmend faktin që Zeman ka raporte shumë të mira me Vladimir Putinin dhe përflitet për raporte të afërta me biznesmen me dosje jo të pastra.

Është e vështirë të përmblidhet e gjithë karriera politike e tij në një shkrim të shkurtër, por duke pasur sadopak informata mbi të, besoj që secili person që di të gjykojë drejt mund të gjykojë se sa i takon këtij politikani me tipare pijaneci të fyejë një popull që sakrifikoi gjithçka për të ndërtuar një shtet që ky aq shumë s’e do.

Në anën tjetër, unë dhe një grup i vogël studentësh shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia nuk ishim aspak të impresionuar nga tregimet që dëgjonim për të bëmat e bashkëvendësve tanë në shtetin çek në të kaluarën. Tregtia me substanca narkotike dhe fiksimi i rezultateve të ndeshjeve sportive ishin vetëm disa nga “aktivitetet” nga veprimtaria kriminale e shqiptarëve në Republikën Çeke. Mirëpo, a është kjo arsye për të pasur antipati për një komb të tërë? Unë mendoj se jo, sepse nuk mund të gjykohet një popull për të bëmat e disa individëve.

Personalisht besoj që arsyeja është diku tjetër, dhe ka kontekst historik, politik e preferencial ndaj kombeve tjera. Ndoshta po më kuptoni ku dua të dal!

Gjithsesi që Milosh Zeman nuk është i vetmi që ka këtë qasje ndaj Kosovës, por është nga të rrallët që aq hapur e shfaqë kosovarofobinë e vet. Ndoshta ftesa për një vizitë zyrtare të Zemanit në Kosovë do t’ia ndërronte sadopak mendimin negativ për shtetin më të ri në Evropë. Kurrë si dihet!