LAJMI I FUNDIT:

Vlerat kombëtare për shekullin XXI

Vlerat kombëtare për shekullin XXI

Një përkrahje shkrimit të Fatos Lubonjës: Myslimanët, historia dhe miti i Skënderbeut!

Fatos Lubonja shkruan se ne duhet të krijojmë:
Simbole të paqes dhe harmonisë mes diversiteteve;
Simbole të dashurisë së njeriut për njeriun;
Simbole të barazisë së njeriut me njeriun;
Simbole të solidaritetit;
Simbole të sakrificës për të tjerët;
Simbole të dashurisë për natyrën;
Simbole kundër racizmit dhe homofobisë;
Simbole të rezistencës kundër autoritarizmit;
Simbole të luftës kundër krimit e korrupsionit e mafies.

Unë plotësisht pajtohem se këto do të duheshin t’ishin vlerat e kombeve tona në shekullin XXI. Problemi është si të promovohen këto vlera. Tekstet shkollore, mediat, kishat, xhamitë janë vendet ku do të promovoheshin këto vlera. Këto vlera, në fakt, janë vlera universale, janë vlera që promovojnë edhe islami e edhe krishterimi. Por, përkundër faktit që kombi shqiptar (e rrjedhimisht edhe ai kosovar) është një komb myslimano-kristian, këto vlera shumë pak kanë zënë rrënjë në shoqëritë tona.


Që para një shekulli Branko Merxhani shkruante: “Vlerat morale kurrë nuk kanë zënë rrënjë në zemrën tonë. Para një alternative materiale dhe interesave morale, shqiptari, në çdo kohë dhe në çdo rast, ka preferuar kurdoherë të parat. Interesi! Ky ka qenë gjithnjë ‘ideali ynë’. Por ç’lloj ideali? Një ideal primitiv, i ngushtë, i ulët sociologjikisht, protoplasmik, ose siç thoshte Lexy Bruhl ‘prelogiqur’”.

Sidoqoftë, sado që trojet shqiptare kanë vluar me patriotë të rremë, patriotët e vërtetë, sado të pakët, nuk kanë munguar kurrë. Në kohën e Rilindjes Shqiptare, por edhe deri më 1944, pati intelektualë që u përpoqën t’i japin formë kombit. Pas vitit 1944 e deri më 1991, kombit shqiptar i dha formë Enver Hoxha dhe sejmenët e tij.

Pas vitit 1991 veproi inercioni. Lubonja është ndër shumë pak intelektualë që bëri hap përtej këtij inercioni andaj duhet të përkrahet.

Po si mund që këto parime të bëhen vlera morale të kombeve tona? Këto parime do të duhej të ishin kriter bazë për të gjithë tekst-shkruesit e librave shkollorë, mediat, ministritë e Kulturës dhe institucionet tjera relevante. Këto parime do të duhej të shoqëroheshin me personazhe konkrete dhe të zbërthehen në detaje.

Thëniet e Nënës Tereze do të duhej të përbënin thelbin e filozofisë kombëtare.

Dita më e bukur? Sot.
Pengesa më e madhe? Frika.
Gjëja më e lehtë? Të gabosh.
Gabimi më i madh? Të heqësh dorë.
Rrënja e çdo të keqeje? Egoizmi.
Humbja më e madhe? Mungesa e kurajos.
Profesionistët më të mirë? Fëmijët.
Nevoja e parë? Komunikimi.
Lumturia më e madhe? Të jesh i dobishëm për të tjerët.
Misteri më i madh? Vdekja.
E meta më e keqe? Të qenit pa humor.
Personi më i rrezikshëm? Ai që gënjen.
Ndjenja më e shëmtuar? Mëria.
Dhurata më e bukur? Falja.
Ajo që nuk ka çmim? Familja.
Ndjenja më e kënaqshme? Paqja e brendshme.
Pritja më e mirë? Buzëqeshja.
Ilaçi më i mirë? Optimizmi.
Kënaqësia më e madhe? Detyra e kryer.
Forca më e madhe? Besimi.
Gjëja më e bukur në botë? Dashuria.

Këto thënie do të mund të gdhendeshin në kisha e xhamia, shkolla e çerdhe fëmijësh. Këto thënie i ka thënë një katolike e devotshme, por janë njëkohësisht thelb i filozofisë islame po ashtu.

Mënyra më e drejtë dhe më e përsosur për të krijuar dhe adoptuar vlerat kombëtare është debati. Por, në shoqëritë tona ka shumë pak debat, ka zhurmë, hallakamë e piskame, sharje e fyerje, luftë për pushtet e jo debat. E kombi vështirë se mund të zhvillohet pa debat.