Ju, të brengosurit, relaksohuni! Çdo gjë është nën kontroll; çdo gjë është duke u zhvilluar sipas planit.
Sepse, është vështirë të besosh se e tëra është duke ndodhur jashtë një skenari. Ashtu, spontanisht, dhe fare e pamenduar fare… Duke mos iu ditur as bishti e as kryet… Ndoshta një çikë, vetëm pakëz, fillimi… Kurse fundi le të del ku të del…? Jo, e pa mundur!
Ose, mbase mund të jetë edhe rastësi?! Nëse është kjo e fundit, një rastësi historike, ruana Zot nga një zhvillim i ngjashëm, spontan dhe “del ku të del”, në një fqinjësi, diku më të afërme. Se, ma në shtëpi tonën, Zoti mos e thashtë…
Vërtet, ekzistimi i gjithë atyre instituteve dhe qendrave, për studime nga më të ndryshmet – strategjike dhe gjeostrategjike; agjenci zbulimi dhe kundërzbulimi, me seli në Pentagon dhe Washington, dhe gjithandej në Bruksel, Britani, Francë dhe Gjermani, për planifikim dhe për analiza të arsyes dhe të pasojave; i tërë besimi ynë në punë të atyre eksperteve të cilët në “kuzhina” të tyre të gjithëdijshme derdhin mend në një lojë shahu gjeostrategjik dhe shumë kompleks; gjithë fama për ekzistencë dhe punë të tyre; a është kjo punë e vërtetë apo jo? Apo e tëra na del të jetë një fall i tyre me rrotullim të filxhanit të kafes, ose me hedhje të fasules?! Dhe, nëse është punë filxhani, gjegjësisht e një blofi të tyre, diçka si në filma të Holivudit, atëherë të gjithë ne, edhe ne të vegjlit e kësaj bote që shkojmë pas të mëdhenjve “si Muça pas Daive”; edhe ‘shefat’ e kuzhinave të apostrofuara më lartë dhe “daitë” e tyre politikë të ulur në kulluqe të thella nëpër qendra të vendosjes që dridhin botën – por që sikur del se as përsheshin që kanë para vetes nuk qenkan në gjendje ta mbrojnë nga Ariu Rus; atëherë të gjithë ne qenkemi duke parë filma të Spilbergut? Ose, të gjithë së bashku qenkemi nxënë gafilë në një gjumë të thellë vetëkënaqësie të të qenit “perëndimorë”, të vetëquajtur të gjithëdijshëm, të gjithëfuqishëm dhe të pagabueshëm?! Kurse, Ariu rus na del se po kryeka punën i papenguar dhe pa pikë brenge për pasoja të gjahut të tij pa skrupull!?
Vërtetë, çfarë janë Kosova dhe Krimea sot? Pjellë e zhvillimeve të rastësishme historike, me aty këtu “rrotullim filxhani” nga të “fortit” e kësaj bote? Apo pjell e një përpjekjeje dhe sakrifice, lufte politike dhe ushtarake, e një planifikimi të kujdesshëm politik dhe gjeostrategjik, që fillon nga celulat politike dhe guerile të cilat ia nisin valles për liri dhe shtetësi në terren dhe e cila pastaj vazhdon tutje deri tek instancat dhe qendrat më lartë të përmendura? Dhe, nganjëherë mbase edhe anasjelltas? Pjellë e një përpjekjeje të përbashkët e të dy palë “prindërve” të tyre!?
Historiku i Kosovës, shtet i pavarur dhe i njohur nga bota demokratike perëndimore, por jo edhe (ende) nga Rusia. Duke qenë pjesë përbërëse e Perandorisë Otomane për pesë shekuj me radhë, pas luftërave ballkanike të cilat i shporren otomanët nga Ballkani, Kosova u aneksua me dhunë nga Serbia në vitin 1912. Ky aneksim u konfirmua pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ku në një konferencë të mbajtur në Prizren me 1945 dhe me “vullnet” të përfaqësuesve të saj të sforcuar nën tyta ta pushkëve, Kosova “vullnetarisht u deklarua” të jetë pjesë përbërëse e Serbisë të cilën e personifikonte Jugosllavia socialiste në lindje e sipër.
Më 1989, në një seancë të improvizuar dhe të manipuluar të Kuvendit të Kosovës, kësaj radhe nën kërcënim të tankeve, asaj i u mor edhe ajo pak autonomi që gëzonte në atë Serbi dhe në atë Jugosllavi që rënkonte duke dhënë shpirt nga nacionalizmi dhe shovinizmi megaloman serb. Me gjithë vështirësitë që kishte në rrugë të saj të pavarësisë, duke qenë e përbërë nga një popullatë etnikisht, gjuhësisht dhe kulturalisht të ndryshme nga popullata e Serbisë, pas 19 viteve nga marrja e autonomisë, fillimisht nëpërmes një lëvizje gjithëpopullore të padëgjueshmërisë qytetare, të pasuar me një luftë të përgjakshme dyvjeçare dhe me vite ndihmë dhe mëkëmbje të dhënë nga bota demokratike në krye me SHBA-të, Kosova përfundimisht ia doli që të shpallë pavarësinë e saj të cilën deri sot e njohën 106 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara.
Historiku i Ukrainës, gjegjësisht i Krimesë së “inkriminuar” sot – e cila deri dje ishte pjesë përbërëse e saj – ka ngjashmëri, por edhe dallime me atë të Kosovës. Ukraina, llogaritur në të edhe Krimenë, një shtet me mbi 45 milionë banorë dhe mbi 603 mijë kilometra katrorë (nja 55 herë më i madh së ai i Kosovës), shekuj me radhë duke “osciluar” mes statusit të mbretërive të ndryshueshme vetanake dhe të perandorive cariste ruse, me ngadhënjim të revolucionit Bolshevik me 1917-tën – në atë kohë pa Krimenë në kuadër të saj – "vullnetarisht" bëhet pjesë përbërëse e “perandorisë” socialiste ruso-sovjetike.
Në vitin 1954, duke qenë në një gjendje ekzaltimi vëllazëror ruso-ukrainas, Hrushçovi vendosë t’ia “falë” Ukrainës vëllazërore Krimenë e populluar kryesisht me rusë etnikë, e cila prej atij viti deri dje ishte edhe formalisht pjesë përbërëse e Ukrainës. Më 1991, nga shembja e Bashkimit Sovjetik u rilind Ukraina e pavarur me Krimenë si Republikë autonome në kuadër të saj. Federata ruse, si trashëgimtare e BRSS-së, në fillim të viteve ’90 vuante për bukë të gojës. Ishte ndihma e pakursyer e SHBA-ve dhe e Kanadasë, me tankerë të stërmbushur me miliona tonelata grurë ajo që e shpëtoi Rusinë nga uria dhe shkatërrimi i mëtejmë.
Motivi për këtë dorë të zgjatur të Perëndimit, përpos atij humanitar, gjithsesi ishte edhe droja se një luftë shkatërrimtare që kërcënonte ta kaplonte Federatën ruse në rrethana të një kaosi të përgjithshëm të shkaktuar nga uria, do të mund të kishte pasoja të rënda globale, e posaçërisht për shtetet ish anëtare të Bllokut të Varshavës, të cilat kishin dalë nga rrënojat e perandorisë ruso-sovjetike dhe të cilat shikonin kah Perëndimi. Në një kontekst të përpjekjeve të fuqive të mëdha për zvogëlim dhe shkatërrim të armatimit bërthamor, i cili nga droja e një eskalimi bërthamor nga ana ruse po ashtu ishte iniciuar nga Perëndimi, me një marrëveshje të arritur në vitin 1994 në Budapest (Budapest Memorandum on Security Assurances) Ukraina heq dorë nga arsenali i saj bërthamor.
Arsenali i atëhershëm bërthamor i Ukrainës, i treti në botë, ishte më i madh se ai i Britanisë, Francës dhe Kinës bashkë! Dorëzane të kësaj marrëveshjeje ishin SHBA-të, Rusia dhe Britania e Madhe! Duke u mbështetur në këtë dorëzani, e cila me të hequr dorë nga arsenali bërthamor synim parësor e kishte garantimin e integritetit të saj territorial, Ukraina procedon me negociata të filluara me Federatën ruse që nga vitit 1991, për ndarje të arsenalit ushtarak, arsenal ky i cili deri në vitin 1991 ishte i përbashkët.
Qëndrimet e përafruara mes dy palëve, më 1997 konkretizohen me një marrëveshje ruso-ukrainase të vitit 1999, e cila në esencë parashihte: a) koncesione për Federatën ruse që deri në vitin 2017 (dhe më vonë të zgjatur deri në vitin 2042) Rusia të vazhdojë të mbajë në Krime flotën e saj detare të Detit të Zi, me një kontingjent prej 25 mijë trupave dhe me një numër të konsiderueshëm të anijeve luftarake, avionëve dhe aseteve tjera ushtarake Ruse (kontingjent ky që tani del të ketë qenë kalë troje në oborr të Ukrainës); dhe b) në këmbim Rusia do t’i livronte Ukrainës gaz natyror me një çmim preferencial – dukshëm të zbritur (i cili me një të sjellë të valvule mund të ndërpritej në çdo moment).
Kjo ishte molla e parë e sherrit të cilën, duke u mbështetur në garanci të Perëndimit, Ukraina – mendjelehtësish ose duke mos patur tjetër rrugë të arsyeshme – e përpiu dhe për të cilën tani, pas 25 viteve, po i arrin fatura për pagesë.
Planet e Bashkimit Evropian, të shprehura viteve të fundit për zgjerim kah Lindja, si përgjigjeje dhe në ndërveprim me iniciativa në mënyre eksplicite të shprehura nga Ukraina, kanë marrë në shpejtësi kah fundi i vitit të kaluar ofrimin për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Këtu fillon ndërhyrja publike e Rusisë, e cila qeverisë se Kievit i ofron një shumë prej 15 miliardë dollarë ndihma për refuzim të ofertës së BE-se, ofertë kjo e cila “ia ndërroi” mendjen kryeministrit pro-rus Viktor Janukoviq – duke rezultuar me refuzim të nënshkrimin të MSA-së të ofruar nga BE.
Tensionet dhe konfrontimet pasuese, mes opozitës properëndimore dhe qeverisë proruse në pushtet, përshkallëzohen dita-ditës. Përkrahja e cila opozitës proevropiane i vinte nga BE-ja ishte e hapur dhe pothuajse nxitëse. Edhe kur ky rebelim politik i opozitës i shprehur me demonstrata masive dhe të dhunshme merr viktimat e para në të dyja anët, në shkëmbim zjarri mes demonstruesve të maskuar dhe forcave policore qeveritare. Përkrahja që vinte nga perëndimi ishte pa rezervë dhe në dukje e sipër e pakujdesshme për pasoja eventuale!
Ishte kjo molla e pemës së Parajsës e ofruar nga BE të cilën opozita ukrainase e kafshoi pa u hamendur fare. Pse kjo “përkrahje ne dukje e sipër e pakujdesshme” (që në fakt ishte pakujdesi e aktruar), dhe jo një pakujdesi e vërtetë me shpërfillje të pasojave të vërteta të saj? Për të kuptuar gjegjësisht për të pranuar përgjigjen, fillimisht duhet kujtuar gjithë atë potencialë analizues të qendrave perëndimore që merren me studime dhe analiza strategjike. Gjithë ato shërbime dhe agjenci, institute dhe qendra për studime strategjike; gjithë ai zotim dhe ato resurse që u kushtohen interesave të përbashkëta gjeostrategjike të shteteve perëndimore me në krye SHBA-të; gjithë ajo sinergji e konkretizuar në një bosht të përbashkët të forcës së integruar në NATO; dhe, të mos parashihet se një mbështetje e tillë do të rezultojë me “shpërthim të thesit” në Krime?! Kjo është thjesht e pabesueshme!
Rrjedhimisht edhe bindja e thellë e shtruar në këtë tekst se përkrahja “e pakujdesshme për pasoja” në fakt ishte një përkrahje e paramenduar dhe mirë e përllogaritur për pasoja që shkakton, kurse “pakujdesia” vetëm aktrohej si një perde tymi mbrapa së cilës me shume vetëdije, në fakt në heshtje, lejohej realizimi i shkëputjes, gjegjësisht i bashkimit të kontrolluar të Krimesë me Federatën ruse.
Skenari edhe u realizua ashtu si u mendua. Ukraina, tani pa Krimenë, u shpëtua (me vazhdim të proceseve eurointegruese), kurse si shpërblim dhe në mënyrë të heshtur Ariut rus iu lejua që të merr atë që që nga fillimi dihej se do ta merr, Krimenë, duke ia lënë kështu pjesën e tij të presë!
Sinqerisht, unë besoj se zhvillimet e mëdha nuk janë rastësi historike. Do të më tmerronte mendimi se pavarësia e Kosovës paska qenë vetëm një rastësi e rrethanave të favorshme. Sepse, po të kishte qenë një rastësi dhe jo një zhvillim mirëfilltë i kontrolluar, dhe meqë rastësitë në jetë megjithatë nga një herë edhe ndodhin sipas ligjit të probabilitetit të ndodhjes dhe të përsëritjes së rastësive, kam frikë të mos na ndodhë… të kthehemi atje ku ishim para 15 viteve!
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Hakohen televizionet qeveritare në SHBA, në ekrane shfaqet video me Al ku shihet Trump duke ia puthur këmbët Musk

Kryeministri britanik sulmon Putinin: Tiranët kuptojnë vetëm me forcë - ndërsa njofton rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes

Lushtaku paralajmëroi fundin politik të Limajt, reagojnë nga Nisma: Për këtë vendosim ne

NATO vë aeroplanët ushtarakë në Poloni në gjendje gatishmërie pas sulmeve të reja ruse në Ukrainë

Në platformën e-Kosova lansohet shërbimi i ri, qytetarët e rajonit të Prishtinës mund të paguajnë faturat për mbeturina

Çfarë mineralesh ka Ukraina të cilat Trumpi po i do kaq shumë?

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Pyetet për Xhenetën, Gjesti: Nuk do t’ia ktheja me të keq siç më ka bërë mua, por nuk do të doja që të hynte në shtëpi

Harta e paparë që premtonte të sillte paqe në Lindjen e Mesme

Takimi Trump-Macron, presidenti francez korrigjon deklaratën e homologut amerikan

Ish komandanti i UÇK-së, Ismet Tara, reagon pas deklarimit në Hagë

E konfirmojnë nga Google, nuk ka më verifikim me SMS për Gmail – zëvendësohet me kodin QR

Krisa reagon pas deklaratës së Tirit se i pëlqen një vajzë në Big Brother VIP Albania