LAJMI I FUNDIT:

Forcat e Armatosura të Kosovës: Në mes të dilemave dhe domosdoshmërisë

Forcat e Armatosura të Kosovës: Në mes të dilemave dhe domosdoshmërisë

Pikërisht në 6-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pra më 17 shkurt 2014, kryeministri i Kosovës e bëri publik vendimin e Qeverisë për fillimin e formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK). Në fakt, fillimi i ngritjes së FAK do të përbënte mbase mbylljen e një cikli të gjatë të transformimeve që nga pas-lufta në të cilat asnjëherë nuk ishte marr për bazë konteksti vendor dhe vullneti gjithëpopullor për krijimin e ndonjë force, sado të vogël. Prandaj, kishim TMK-në pas luftës, si pjesë e demilitarizimit të UCK-së, dhe FSK-në të propozuara me Planin e Ahtisaarit, të cilat nuk gjetën mbështetje në parim nga Kosova dhe shoqëria.

Me fjalë të tjera, duke mos dashur të vlerësoj kontekstin e zhvillimit institucional në sferën e sigurisë dhe mbrojtjes, dua të theksoj se formimi i FAK-ut po ndodh me një vonesë shumë të madhe. Kjo sepse jemi të vetëdijshëm se ngritja e kësaj force do të merr kohë. Në aspektin organizativ, kujtoj se fokusi kryesor do të jetë në konsolidimin e Komandës së Forcave Tokësore si dhe komponentes së re të Gardës Kombëtare. Megjithatë, të dy këto shtylla duhet ndërtuar mbi bazën e kuadrove dhe mjeteve të FSK-së së tanishme. Kjo për arsyeje se kapacitet bazë tashmë ekzistojnë. Kësisoj, do të zhvillohej bërthama strukturore e cila me pastaj do të plotësohej varësisht prej mundësive kuadrovike e financiare. Në këtë mënyrë do të arrihej mbajtja e një gatishmërie vepruese në nivel të duhur.

Pa dyshim se përvojat dhe mbështetja nga njësitet e NATO-së të stacionuara në Kosovë duhet të shfrytëzohen dhe aplikohen maksimalisht. Kjo sigurisht se do të ndihmoj në arritjen e kritereve teknike e operative në funksion të anëtarësimit të Kosovës në programin e NATO-s “Partneritet për Paqe” dhe më vonë si anëtare fuqiplotë e NATO-s. Si rrjedhojë, Kosova ka të drejtë të kërkojë dhe eksplorojë mundësitë e bashkëpunimit me shtetet anëtare të NATO-s. Një kërkesë e tillë duhet hapur të i drejtohet edhe Shqipërisë për shkak të specifikave që ka ky vend fqinjë për ne, qofshin ato gjeografike apo kulturore. Ndihmesa kuadrovike nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë do t’i kontribuonin formësimit dhe aftësimit e FAK-ut duke mundësuar kësisoj zvogëlimin e shpenzimeve në aftësimin e kuadrit udhëheqës e komandues sipas standardeve të NATO-së. Përafrimi ynë në këtë aspekt me Shqipërinë ka domethënie gjuhësore sepse ky është element shumë i rëndësishëm e që duhet të shfrytëzohet si përparësi në aspekt të ngritjes së interoperabilitetit dhe rritjes së efektshmërisë së komandave dhe shtabeve të FAK-ut.


Interesi strategjik i Kosovës është që FAK të ngritin gatishmërinë vepruese në mënyrë të përshpejtuar duke u siguruar që periudhat e zhvillimit të saj të jenë të planifikuara në baza reale veçanërisht kur kemi të bëjmë me mundësitë financiare. Gjithsesi se operacionalizimi i FAK-ut duhet të merr për bazë edhe nivelin e rrezikshmërive të jashtme dhe të brendshme për sigurinë nacionale të Kosovës.

Tani kur vendimi nga Qeveria është marr dhe, në aspektin profesional, struktura e FAK është pranuar, mbesin dilema lidhur me modalitetet e miratimit të saj nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Madje, për të rikujtuar argumentin kohor, çdo moment i humbur do të jetë në disfavor të operacionalizimit të këtyre forcave. Tashmë kur ka mbetur shumë pak kohë për mandatin e kësaj legjislature, shtrohet pyetja se a mos vallë ky vendim duhet të shtyhet për legjislacionin tjetër, pavarësisht rëndësisë që ka? Përgjigja vështirë të gjendet në këtë klimë politike të ngërthyer nga ethet para-zgjedhore dhe fërkimet ndër-partiake. Mund të nënkuptohen pakënaqësitë lidhur me punën e kësaj Qeverie megjithatë nuk mund të arsyetohen tendencat për frenimin e këtij procesi. Sepse nuk ka dilemë që vendimi ka mbështetje popullore pikërisht për shkak të interesave nacionale që kemi dhe, veçanërisht për shkak të nevojës imanente që Kosova të ketë ushtrinë e saj.

Dilemat e politikës së brendshme nuk janë të vetme. Në anën e kundërt, ekzistojnë rezistenca jo edhe e vogël e Serbisë lidhur me këtë vendim pavarësisht faktit të fillimit të përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kjo për arsyeje se FAK, në qarqet politike e diplomatike të Beogradit u kundërshtua me forcë. U ngritën shqetësimet lidhur me atë se pse ishte e nevojshme që Kosova të bëjë ndryshime në misionin dhe detyrat aktuale të FSK-së. U bënë pyetje dhe për atë se a do ta përkrah NATO këtë vendim, llojin e armatimit e shumë çështje tjera lidhur me këtë. Madje rezistenca e Beogradit zyrtar shkoi aq larg sa të kërkoi formimin paralel të një lloj ushtrie për serbët në veriun e Kosovës, diskurs ky që shkelte hapur marrëveshjet e arritura në Bruksel për shpërbërjen e strukturave paralele .

Pavarësisht reagimeve shumë të ashpra nga kreu politik e ushtarak serb dhe tendencave për ndërhyrjen në punët e brendshme të Republikës së Kosovës, formimi i FAK-ut duhet cilësuar si një veprim vetanak të qëlluar e që Kosova vullnetarisht merr përgjegjësinë e ofrimit të sigurisë së gjithë qytetarëve të saj dhe mbrojtjes së integritetit territorial. Në fund të fundit, qëllimi është formimi i një institucioni me karakter ushtarak defansiv gjë që shpjegohet qartë në gjetjet e Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë.

Interesi shtetëror i Kosovës është që politikat e sigurisë dhe të mbrojtjes të bazohen, para së gjithash, në kontekstin tonë vendor, sepse pavarësisht prezencës së vazhdueshme ushtarake ndërkombëtare (e që me të drejtë cilësohet si shumë e dobishme), mbështetja në forca vetanake dhe integrimi i Kosovës në NATO jo vetëm se nuk mund të ketë alternativë, por edhe do të përbënte një përmbyllje të suksesshme të misionit të NATO-s në Kosovë.

(Autori është analist ushtarak dhe i sigurisë)

Në trend

Më shumë
Hakohen televizionet qeveritare në SHBA, në ekrane shfaqet video me Al ku shihet Trump duke ia puthur këmbët Musk

Hakohen televizionet qeveritare në SHBA, në ekrane shfaqet video me Al ku shihet Trump duke ia puthur këmbët Musk

Botë
Kryeministri britanik sulmon Putinin: Tiranët kuptojnë vetëm me forcë - ndërsa njofton rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes

Kryeministri britanik sulmon Putinin: Tiranët kuptojnë vetëm me forcë - ndërsa njofton rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes

Botë
Lushtaku paralajmëroi fundin politik të Limajt, reagojnë nga Nisma: Për këtë vendosim ne

Lushtaku paralajmëroi fundin politik të Limajt, reagojnë nga Nisma: Për këtë vendosim ne

Lajme
NATO vë aeroplanët ushtarakë në Poloni në gjendje gatishmërie pas sulmeve të reja ruse në Ukrainë

NATO vë aeroplanët ushtarakë në Poloni në gjendje gatishmërie pas sulmeve të reja ruse në Ukrainë

Botë
Në platformën e-Kosova lansohet shërbimi i ri, qytetarët e rajonit të Prishtinës mund të paguajnë faturat për mbeturina

Në platformën e-Kosova lansohet shërbimi i ri, qytetarët e rajonit të Prishtinës mund të paguajnë faturat për mbeturina

Lajme
Çfarë mineralesh ka Ukraina të cilat Trumpi po i do kaq shumë?

Çfarë mineralesh ka Ukraina të cilat Trumpi po i do kaq shumë?

Botë
Kalo në kategori