LAJMI I FUNDIT:

A është mungesa e ujit një kërcënim real për Kosovën?

A është mungesa e ujit një kërcënim real për Kosovën?

Uji është materia themelore e jetës në planetin tonë, mbase edhe astronautët kur kërkojnë jetë në një planet gjëja e parë që ju intereson është prania e ujit. Uji në natyrë është në gjendje të lëngët dhe ndodhet në dete dhe oqeane si ujë i kripur, ndërsa në gjendje të ëmbël, si njihet nga hidrologjia ndodhet në liqene, lumenj dhe nën tokë. Ndërsa në gjendje të gaztë ose të avullt, uji ndodhet në atmosferë, si re, dhe në gjendje të ngurtë, borë dhe akull ndodhet në lartësi të mëdha të maleve të larta dhe në viset polare, si pjesë e ciklit të tij shumë të rëndësishëm për jetën në tokë.

Zakonisht uji avullohet nga masat e mëdha ujore (oqeanet, detet dhe liqenet) dhe përmes rrymave ajrore ose erërave dërgohet në lartësitë e atmosferës ku bëhet kondensimi i tij ose formimi i shiut apo sublimimi ose formimi i borës dhe shpërndahet nëpër kontinente, në thellësitë e tyre.

Shiu që bie gjatë verës është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e kulturave bujqësore dhe arritjen e rendimenteve të rëndësishme në bujqësi, si dhe për të gjithë jetën e gjallë dhe aktivitetet tjera humane. Por, për shkak që shiu bie ne formë të lëngët dhe të shpejtë, ai rrjedh nëpër shtretërit e lumenjve duke i fryrë ata dhe herë pas herë edhe duke sjellë vërshime dhe dëme të tjera për njeriun dhe mjedisin. Pra, të reshurat në formë shiu shpërlahen, largohen me shpejtësi përmes shtretërve të lumenjve dhe fare pak i furnizojnë rezervat e ujërave nëntokësorë (kjo varet shumë nga përbërja gjeologjike dhe lloji i mbulueshmërisë së tokës). Kjo formë e reshjeve, e cila përkthehet në resurs ujor, mund të kaptohet vetëm përmes ndërtimit të akumulacioneve ujore në lugina të përshtatshme të lumenjve, e cila për shkak të kohës kur bie mesë gjysma avullohet dhe humbet përsëri në atmosferë.


Ndërkaq, reshjet e borës janë reshje të ngurtësuara, në formë të kristaleve të cilat bien zakonisht gjatë sezonit të dimrit dhe të cilat shkrihen ngadalë duke i furnizuar rezervat e ujërave nëntokësorë dhe duke mbrojtur të mbjellat që bujku i kultivon. Kjo formë e të reshurave është më e qëndrueshme, ku potenciali ujorë i tyre mund të kaptohet, depozitohet shumë më mirë edhe për shkak të shkallës më të vogël të avullimit dhe humbjes së tyre. Gjithashtu këto reshje shkaktojnë më pak probleme të shpërlarjes së substratit dhe erozionit të tokës, si dhe të vërshimeve. Por, kur reshjet e borës shtyhen për në fund të sezonit të dimrit ose në fillim të sezonit të pranverës, duke qenë intensive krijojnë probleme të mëdha të vërshimeve për shkak që sasi e madhe bore bie dhe shkrihet për një periudhë të shkurtër kohore.

Përveç sasisë dhe formës së reshjeve, ka shumë rëndësi koha dhe shpërndarja gjeografike e tyre. Në Kosovë reshjet e borës bien gjatë dimrit dhe të shiut gjate verës, pastaj regjioni perëndimorë i Kosovës ose regjioni i Dukagjinit është më i lagësht, ku bien rreth 1.000 mm3 shi dhe borë brenda vitit, derisa në regjionin lindor bien rreth 550 mm3 në vit. Po ashtu në Kosovë reshjet më të mëdha janë gjate muajve tetor-nëntor-dhjetor dhe prill-maj dhe fare pak në kulmin e sezonit të verës (korrik-gusht-shtator), gjë që e vështirëson tej mase furnizimin me ujë për pije dhe për nevoja të bujqësisë, atëherë kur duhet më së shumti. Po në ketë sezon, në Kosovë vijnë për pushime vjetore rreth 300 mijë bashkatdhetarë nga bota perëndimore, gjë që e rrit konsumin e ujit edhe më shumë.

Tani le të shohim nëse klima e Kosovës dhe sidomos uji ose hidrografia e saj, e cila është ngushtë e lidhur apo e kushtëzuar prej klimës që mbizotëron te ne nga çka është e varur. Që të kuptohet niveli i përgjegjësive tona si shtet dhe shoqëri do të ndajmë faktorët kushtëzues të ujit në katër rrafshe të ndikimit. Rrafshi i parë është global, i dytë është nacional, i treti është lokal dhe i fundit është familjar ose personal.

Le të shohim se cilat janë efektet globale të klimës dhe përgjegjësitë tona karshi ndryshimeve klimatike globale. Le të bëjmë një analizë të thjesht gjeografike, analizë shkollore. Gjeografikisht, Kosova shtrihet në pjesën juglindore të Evropës, nga ku rrezja prej 1.500 km në drejtim të lindjes kalon në klimën e thatë të Azisë së Vogël apo në Anadollin Turk, në veri kalon në klimën e freskët dhe të lagësht të vendeve të Evropës veriore, gjegjësisht në jug të Suedisë, në perëndim arrin në klimën e thatë mesdhetare apo në brigjet lindore të Spanjës dhe në jug kemi klimën ekstreme të thatë të shkretëtirës së Saharës apo në Libinë kontinentale. Pra, nga Kosova në drejtime të ndryshme të horizontit, në 1.500 km largësi kemi klimë (mot) shumë të ndryshme. Kjo analizë shkollore na mundëson të kuptojmë se sa afër divergjencave të mëdha klimatike ndodhet Kosova në dimensionin kontinental ose global.

Klima në Kosovë dhe kudo në botë varet nga sistemet barike që influencojnë kontinentet ose pjesë të caktuara të tyre në bashkëveprim me rrymat detare, barrierat dhe thellësinë kontinentale si dhe faktorët e tjerë astronomikë. Kosova dhe i gjithë kontinenti evropian duke përfshirë edhe pjesë të Afrikës së veriut dhe Azisë perëndimore, janë nën influencën e vazhdueshme të anticiklonit të Azoreve, anticiklonit Siberian dhe ciklonit Islandezë. Sa më afër këtyre sistemeve barike të ndodhet një vend aq më e madhe është influenca e tyre në atë vend. Ciklonet karakterizohen me presion të ulët atmosferik në qendër, me erëra të forta dhe lagështi të madhe të cilat në varësi të sezonit sjellin mot të lagësht dhe me të reshura të bollshme të borës ose shiut. Vendndodhja e tyre gjeografike dhe sezoni i veprimit ose influencimit mund të sjellë temperatura të larta ose shumë të larta dhe të ulëta ose shumë të ulëta.

Cikloni islandez që shtrihet në afërsi të rrethit subpolar me rritjen e distancës nga brigjet verilindore të Atlantikut në drejtim të jugut dhe lindjes dobësohet, kryesisht nga lirimi i energjisë së tij gjatë rrugës dhe nga barrierat malore që hasë rrugës e sipër. Rruga e tij nga perëndimi në lindje është zakonisht harkore, duke u përkulur në drejtim të jugut. Kjo sjellje globale klimatike e lënë Evropën qendrore dhe jugore me më pak ndikim të ciklonit islandez, kushtimisht me më pak të reshura. Sistemi tjetër barik shumë me rëndësi është anticikloni i Azoreve i cili shtrihet afër ishujve të Azoreve, në perëndim të Afrikës sahariane. Ky anticiklon karakterizohet me presion të madh atmosferik në qendër, me ajër të thatë dhe temperatura relativisht të larta. Rruga e tij për në Evropë zakonisht kalon përmes shkretëtirës së Saharës, ku edhe i merr disa nga vetitë e saj dhe duke sjellë mot të thatë dhe me temperatura të larta, zakonisht të manifestuara me dimra të ngrohtë pranveror dhe verëra përvëluese. Dhe në fund kemi anticikloni siberian i cili më pak influencon klimën e Kosovës por që ka ndikim, kryesisht gjate sezonit dimërorë duke sjellë mot të thatë dhe të ftohtë.

Në këtë rrafsh përgjegjësitë e Kosovës janë njësoj sikur të gjitha vendet tjera që dalin nga traktatet dhe obligimet tjera ndërkombëtare për uljen e shkallës së emetimit të gazrave serë, si një ndër kontribuuesit kryesorë në ndryshimet klimatike globale. Ne si shoqëri do duhej të ishim të vetëdijshëm mbi pasojat e ndryshimeve klimatike dhe të kontribuonim në dy rrafshe karshi këtij ndryshimi global. E para, edhe pse ne jemi një vend i vogël në dimensionin gjeografik dhe demografik, përsëri kemi disa obligime globale që ndërlidhen me ndryshimet klimatike. Këto obligime përfshijnë reduktimin e emetimit të gazrave serë, si dhe obligimet tjera që kanë të bëjnë me mjedisin. E dyta ne duhet të dimë se si manifestohen këto ndryshime klimatike globale në vendin tonë, çfarë efekte kanë në klimën e Kosovës e që pastaj reflektohen drejtpërdrejt në resurset ujore, bujqësi, shëndetin publik dhe shumë probleme tjera mjedisore dhe ekonomike. Kur të kuptojmë këto ndikime, atëherë do të mund të vepronim konkretisht sipas mundësive që kemi si shoqëri dhe si shtet. Në ketë rast ka një rregull të njohur! Sa më e zhvilluar të jetë një shoqëri në shkencë dhe ekonomi, aq më lehtë i përballon këto vështirësi!!!

Në rrafshin nacional të gjitha ndryshimet mund të merren direkt nga mekanizmat shtetërorë. Kosova ka një sipërfaqe 10.905 km2, me rreth 1.800.000 banorë, me dendësi mesatare rreth 165 banorë për km2. Për nga mbulueshmëria e tokës, rreth 48 % e territorit është e mbuluar me pyje, 45 % me ara, livadhe dhe kullota, rreth 5 % e ndërtuar dhe 2 % janë të tjera. Ndërsa, karakteristikë hidrografike është se rreth 90 % e të gjitha rrjedhjeve ujore të Kosovës formohen brenda territorit të Kosovës, duke i dhënë Kosovës një vlerë të veçantë gjeohidrologjike. Kurse nga Kosova largohen rreth 3.6 miliardë m3 ujë në vit, ndërsa akumulohen vetëm 15.7 % të kësaj sasie ose 569 milionë m3 ujë. Derisa në aspektin morfologjik ose topografik, Kosova karakterizohet me dy fushëgropa të mëdha, atë të Dukagjinit dhe Kosovës dhe disa segmente të tyre, siç janë Llapi, Drenica dhe Anamorava, ku lartësia mesatare mbidetare e tyre është rreth 500 m. Këto fushëgropa kufizohen me male e vargmale të cilat dallojnë si për nga ndërtimi gjeologjik, ashtu edhe nga karakteristikat tjera topografike. Malet qendrore të Kosovës, siç janë malet e Qyqavicës dhe Berishës kanë lartësi mbidetare rreth 1.000 m, derisa vargmalet malet jugore ose siç i njohim Malet e Sharrit dhe vargmalet perëndimore apo Bjeshkët e Namuna, kanë lartësi mbidetare rreth 2.500 m. Ndërsa malet lindore dhe veriore kanë lartësi mbi detare rreth 1.500 m. Pothuajse të gjitha këto male kanë përthyeshmëri të mirë të relievit, që d.m.th. se janë të pasura me lugina dhe kanione lumore duke ofruar mundësi të mira natyrore për ndërtimin e objekteve ujore artificiale.

Fatkeqësisht nuk kemi të dhëna që bëjnë monitorimin e mirëfilltë të ndryshimit të parametrave qofshin ata klimatikë, të mbulueshmërisë-shfrytëzimit të tokës, regjimit hidrologjik të ujërave sipërfaqësorë dhe nëntokësorë ose edhe parametrave të tjerë të rëndësishëm që mundësojnë nxjerrjen e vendimeve të rëndësishme për sanimin e problemeve jo të pakta që kemi. Kështu që shkalla e monitorimit lë shumë për të dëshiruar. Toka bujqësore, pyjet dhe shtretërit e lumenjve janë më të sulmuarit në Kosovës e pasluftës. Pyjet në shumë komuna janë shkatërruar, biomasa e tyre është zvogëluar në mënyrë drastike. Dikur pyjet e Kosovës karakterizoheshin me pyje të larta dhe me shumë burime ujore, tani dominohet nga pyjet e ulëta dhe shkurret, ku disa nga burimet që dikur ekzistoni tanimë nuk ekzistojnë. Dëmtimi i pyjeve është një fatkeqësi po aq e madhe sa edhe shkatërrimi i tokës bujqësore nga ndërtimet. Pyjet janë stabilizuesi më i rëndësishëm i mjedisit. Stabilizojnë regjimin termik dhe hidrologjik duke ulur shkallën e avullimit të ujërave sipërfaqësor, zvogëlojnë fuqinë erozive të ujit, zvogëlojnë mundësinë e ndodhjes së vërshimeve dhe stabilizojnë furnizimin e rezervave të ujërave nëntokësorë. Pyjet po ashtu bëjnë amortizimin e temperaturave ekstreme, bëjnë që bora të shkrihet më ngadalë, bëjnë që uji që vije nga shirat të rrjedh më ngadalë drejt shtretërve të lumenjve, duke mos u ndalur në faktin që janë shtëpi e shumë kafshëve të sistemit biologjik në tërësi. Në Kosovën e para luftës, shumica e vendbanimeve dhe zonave të ndërtimit shtriheshin deri në lartësinë mbidetare 700 m, ku pothuajse nuk kishte asnjë aktivitet njerëzor që dëmton mjedisin dhe ujërat në veçanti. Sot, duke përfshirë gurthyesit dhe aktivitetet tjera komerciale, por edhe rezidenciale shtrihen përtej këtij kufiri, duke bërë rrezikimin e drejtpërdrejt të ndotjes së mjedisit dhe në veçanti burimeve ujore dhe shkatërrimin e pyjeve. Ky është rrafshi ku përgjegjësitë mbi ne si shoqëri dhe si shtet janë 100 %. Sot kemi më pak pyje, dhe sidomos më pak pyje të larta dhe më shumë shkurre dhe pyje të ulëta, kemi më pak tokë bujqësore dhe ndërtime si kërpudha gjithandej duke mos njohur kufijtë horizontalë dhe vertikalë të shtrirjes gjeografike, ku shkarkimi i ujërave të zeza (kanalizimeve), ujërave të amvisërisë dhe mbeturinave tjera është gjithandej duke ndotur tokën dhe ujërat, në veçanti lumenjtë.

Edhe pse janë bërë investime shumë të rëndësishme nga qeveria dhe komunat, si në instalimin e infrastrukturës së furnizimit me ujë dhe infrastrukturës së largimit të ujërave të zeza dhe mbeturinave, prapë se prapë sot kemi jo pak probleme të kësaj natyre. Ende nuk kemi impiante të trajtimit të ujërave të zeza, nuk kemi deponoi të riciklimit të mbeturinave të ngurta dhe të lëngëta, ku fatkeqësisht shumica e tyre hedhen gjithandej por me destinacion më të preferuar lumenjtë.

Në Kosovë dhe veçanërisht në fshatra, shumica për të mos thënë të gjitha familjet kanë puse private nga ku marrin ujin, disa për pije e të tjerat për nevoja tjera familja duke përfshirë ujitjen. Sipas raportit të gjendjes së ujërave për Kosovën, rreth 65 % e popullatës furnizohet me ujë nga puset. Sipas të njëjtit raport, shumica e këtyre puseve janë johigjienike dhe me ndotje fekale. Në shkencën e hidrologjisë ujërat pranë sipërfaqes së tokës quhen ujëra freatike, të cilat lehtësisht mund të ndoten. Ujëra të tilla janë shumica dërmuese e puseve private në Kosovë! Përveç ndotjes, problem tjetër është edhe rënia e nivelit të ujërave nëntokësore, ku niveli i puseve në fushëgropën e Kosovës ka rënë për disa metra, vlerësohet të jetë 2-4 m, dhe tani duhet thelluar puse deri në 10 m që të gjendet uji në 6 m thellësi. Ky ndryshim drastik në rrafshin nacional do të shumëfishohet në pjesët tjera kodrinore malore, ku gjatë verës hapën puse deri në 100 m thellësi që të gjendet sado pak ujë. Ky është investim familjarë në ekonominë e kosovarit e cila edhe ashtu është e lodhur, por pa ujë nuk mund të jetohet! Pastaj, mungesa e ujit të mjaftueshëm për përdorim të përditshëm dhe për nevoja të ekonomisë do të ketë efektet e veta edhe në migrimin e popullatës ose më konkretisht do të shtoj edhe një motiv shtesë qoftë për të ndërruar vendbanimin ose edhe për të emigruar jashtë vendit. Ky është një problem me të cilin do duhej të merremi seriozisht.

Aktivizimi i projekteve të mëdha kapitale, të cilat janë dizajnuar në shekullin e kaluar, siç është sistemi Ibër-Lepenc apo më konkretisht Ibër-Badovc për shkak që Lepenci është ende në letër dhe situata e zhvillimeve territoriale dhe politike ka ndryshuar tërësisht, do të sanoj gjendjen për një kohë, kryesisht në pjesën veriore të fushëgropës së Kosovës, ku përfshihen qytetet si Prishtina, Vushtrria dhe Mitrovica, por që ka shumë mundësi të ketë shumë vështirësi funksionimi i tij. Vështirësitë do të mund të jenë të natyrës ndërshtetërore (gjeopolitike) dhe lokale.

Mendoj që qeveria do duhej të hartonte një plan, pse jo edhe shekullor të sigurimit të ujit me përdorim të shumëfishtë dhe të ndërtonte një rrjet të transportimit të ujit nga akumulacione të ndryshme që do duhej të lokalizoheshin në pjesën jugore dhe perëndimore të Kosovës, për shkak të resursit ujor të shumtë që ndodhet në këto hapësira. Në këtë dimension, besoj që institucionet shtetërore dhe shoqëria civile do duhej të sensibilizonin ketë çështje, në mënyrë që të hapet një debat i gjatë dhe akademik-profesional, ku do të shtroheshin çështjet e sigurimit të ujit të qëndrueshëm për Kosovën gjate gjithë shekullit 21. Në këtë kuptim ne si shoqëri do duhet të ngrinim disa pyetje që kanë të bëjnë me sfidat e shekullit 21 që atakojnë Kosovën, ku mungesa e ujit është një nga këto sfida.

Sipas legjislacionit të ujërave dhe legjislacionit të vetëqeverisjes lokale, komunat janë përgjegjëse për administrimin e burimeve ujore dhe për furnizimin me ujë të qytetarëve të tyre. Por komunat nuk mund të bëjnë politika nacionale, ato mund të interferojnë në politikat nacionale që mund të kenë efekte të drejtpërdrejta ose të tërthorta në furnizimin me ujë, si p.sh. mënyra se si menaxhojmë me lumenjtë, me pyje dhe me resurse tjera që shtrihen në territorin e tyre. Komunat do duhej të monitoronin shfrytëzimin dhe mënyrën shfrytëzimit të ujit nëntokësor dhe të lumenjve, do duhej të përcaktonin regjimin dhe sasinë e shfrytëzimit të ujit nga operatorët e ndryshëm, të udhëheqin kampanja për eficiencën e shfrytëzimit të ujit të pijes, të bashkëpunonin me komunat tjera fqinjë në investime kapitale hidrike së bashku edhe me qeverinë qendrore. Gjithashtu komunat do duhej të mbronin burimet ujore përmes strategjive të tyre lokale duke përfshirë edhe strategjitë e zhvillimeve hapësinore-urbane. Një rol tjetër ku komunat do duhej të intervenonin urgjentisht, është edhe zëvendësimi i gypave të azbestit për shkak që këta gypa janë të njohur për efektin e tyre kancerogjen. Fatkeqësisht, një pjesë e madhe për të mos thënë të gjitha qytetet që sistemin e ujësjellësit e kanë të instaluar nga shekulli i kaluar ballafaqohen me këtë problem. Pastaj, në mungesë të impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, të gjitha kanalizimet në Kosovë shkarkohen direkt në lumenj.

Mënyra se si shumica prej neve sillemi me ujin, por edhe me rrymën dhe ngrohjen është për tu studiuar thellësisht në dimensionin psiko-social! Ne duhet t’i edukojmë fëmijët tanë, por edhe të rriturit, se uji është një resurs shpenzues, i cili ka kufij shpenzimi, d.m.th. mund të mbesim pa të po nuk i kushtuam kujdes kursimit dhe veçanërisht keqshfrytëzimit të tij. Secili nga ne, pa përjashtim, shpenzojmë 3-5 litra ujë në ditë për 356 ditë të vitit, pa nevojë ose nga moskujdesi. Pra, humbim për asgjë, sasi të mëdha të ujit të pijshëm dhe njëherësh krijojmë sasi të madhe të ujit të ndotur, vetëm e vetëm nga fakti që nuk dëshirojmë t’i japim ujit respektin dhe vlerën që i takon. Mbase, populli e thotë shumë bukur, gjërave që nuk ua di vlerën ose kimetin, një ditë do të mbetesh pa to!

(Autori është gjeograf)

Në trend

Më shumë
“Do e shkelje me këmbë siç ka bërë ajo me ty” - Xheneta Fetahu reagon ashpër ndaj pyetjes së Danjës drejtuar Gjestit

“Do e shkelje me këmbë siç ka bërë ajo me ty” - Xheneta Fetahu reagon ashpër ndaj pyetjes së Danjës drejtuar Gjestit

Magazina
Ylli i Real Madridit u hoq nga skuadra e Spanjës për shkak të incidentit me Gavin

Ylli i Real Madridit u hoq nga skuadra e Spanjës për shkak të incidentit me Gavin

Përfaqësueset
Macron nga Shtëpia e Bardhë: Marrëveshja e paqes me Rusinë nuk duhet të nënkuptojë dorëzimin e Ukrainës

Macron nga Shtëpia e Bardhë: Marrëveshja e paqes me Rusinë nuk duhet të nënkuptojë dorëzimin e Ukrainës

Botë
Gjashtë persona arrestohen për sulm ndaj policisë pas përleshjes në veri të Mitrovicës

Gjashtë persona arrestohen për sulm ndaj policisë pas përleshjes në veri të Mitrovicës

Kronika e Zezë
Shëndeti mendor i fëmijëve – fazat e zhvillimit, përshtatja në kopsht, adoleshenca e llojet e prindërimit, flet psikologia Mirjeta Deliu

Shëndeti mendor i fëmijëve – fazat e zhvillimit, përshtatja në kopsht, adoleshenca e llojet e prindërimit, flet psikologia Mirjeta Deliu

Shëndetësi
24 ditë nga nisja e punimeve për rrethrrotullimin  te rruga

24 ditë nga nisja e punimeve për rrethrrotullimin te rruga "C", ende nuk dihet se kur do të lëshohet për qarkullim

Rajoni i Prishtinës
Kalo në kategori