Unë kam gjuhë, unë kam vlerë, unë kontribuoj në shumëllojshmërinë kulturore dhe gjuhësore, por përsëri has në vesh të shurdhër.
Për mbrojtjen e interesave të një grupi njerëzish, gjithsesi nevojiten përfaqësues të zgjuar, me plane konkrete dhe efektive gjatë “luftimit” për arritjen e caqeve të tyre dhe plotësimin e kërkesave dhe interesave të këtij grupi.
Padyshim se për mbrojtjen e interesave të komunitetit rom nevojiten po të njëjtit njerëz, ndoshta edhe me kapacitete më të shtuar. E them këtë ngase me shekuj romët janë neglizhuar dhe anashkaluar, qoftë nga jeta sociale, politike apo edhe ajo kulturore.
Ndoshta para se ta shkruaj këtë është dashur ta bëj një uverturë mbi atë se kush janë Romët? Ku jetojnë? Me çfarë merren?… Thjesht ata janë njerëzit që i adaptohen shpejtë rrethanave të reja dhe janë të gatshëm për ta shitur pasurinë më të shtrenjtë qe kanë (gjuhën), vetëm të mos ecin mbi rrugën e njëjtë si paraardhësit e tyre të cilët sakrifikuan shumë për gjuhën rome dhe e ruajtën me shumë xhelozi. Romët kanë muzikë, histori dhe kulturë të pasur, por shumë shpesh dinë ta fshehin gjithë këtë pasuri, vetëm të mos identifikohen me ata të cilët jetojnë në margjina të shoqërisë, të cilët si pasojë e neglizhencës janë bërë viktimë e asaj që quhet shoqëri e hapur dhe demokratike.
Mos e lexoni këtë pjesë me paragjykim. Të gjitha mendimet kanë shpjegim, dhe mendimi/qëndrimi subjektiv ka shumë rëndësi kur dikush kritikohet, në këtë rast romët dhe shoqëria e gjerë kosovare.
Ajo që më shtyu të shkruaj këtë artikull është 21 shkurti, “Dita Botërore e gjuhës amtare”. Unë jam rom, dhe gjuha që unë flas quhet romisht. Si fëmijë e mbaj mend se si prindërit m`i mësuan fjalët e para të kësaj gjuhe me dialekte të shumta, që dëshmoi të jetë gjuhë e pasur. Unë nuk jetoj në një shtet, kontinent, apo botë tjetër. Unë jetoj në Kosovë, konkretisht në Prizren, vend i cili njihet për shumëllojshmërinë gjuhësore e kulturore, e që romët luajnë një rol shumë të madh këtu.
Romët të cilët me shekuj jetojnë në Prizren, kanë kontribuar shumë në mbarëvajtjen e jetës tolerante. Ishin ata të cilët sakrifikuan fuqinë e tyre fizike (duke punuar punë të ndryshme) për t`i shërbyer të tjerëve, që gjithnjë i mbanin romët si shtresë e ulët e shoqërisë. Përveç që i shërbyen të tjerëve, ata edhe e mësuan gjuhën e secilit në Kosovë, qoftë edhe të huajve që në Kosovë kanë ardhur me misione të caktuar, e që shpeshherë nderohen dhe respektohen shumë më shumë sesa romët të cilët jetojnë në këtë tokë me shekuj.
Për të mos e përdorur më gjatë shkrimin indirekt, do të jem më i drejt në atë çka dua ta them.
E thash edhe më herët se romët jetojnë në Kosovë me shekuj, ata janë simboli i farkatarisë, janë simbol i muzikës, para të gjithash janë simbol i gjuhës, sepse vetëm në Prizren gjuha roma flitet në më shumë se pesë dialekte. Në ditën kur flitet për të drejtën e përdorimit të gjuhës amtare, unë po ndjej keqardhje ngase kjo gjuhë ditë pas dite po anashkalohet, nuk po respektohet dhe po nënçmohet. Kurdo që urohet ndonjë festë zyrtare (qoftë Bajram, Ramazan, Krishtlindje…) apo çfarëdo urim publik, këtu kurrë nuk është përfshirë edhe gjuha rome.
Më kujtohet një pano në vitin 2011, ku Komuna ia uroi “të gjithë qytetarëve” festat e fundvitit, duke e bërë këtë në gjuhën shqipe, serbe/boshnjake, turke dhe atë angleze, ndërsa e ka “harruar” ta fus këtu edhe gjuhën rome, apo se i ka kushtuar shumë për t`i futur vetëm edhe disa shkronja më tepër.
Të kuptohemi. Me këtë nuk dua të them se po kërkoj gjuha rome të jetë zyrtare, sepse e di që nuk janë përmbushur kriteret ligjore që kjo të arrihet. E vetmja gjë që unë dëshiroj është që së paku në këto ditë të lumtura, në momentet kur ftohen njerëzit për tolerancë dhe bashkëjetesë, të përfshihen edhe romët.
Krahasoni këtë shembull: në një dhomë po rrinë një grup njerëzish për disa shekuj. Në një moment hynë një njeri që njihet si kryetar i tyre, ia zgjatë dorën secilit prej banorëve, dhe kur vije tek romët i kalon sikur mos të ishin aty. Për këtë neglizhencë po flas. Vetëm po kërkoj që romët të konsiderohen si vlerë e jo mallkim i shoqërisë. Dua që njerëzit ta njohin pasurinë që ata kanë, e jo t’i nënçmojnë se ata janë të pa organizuar, të paditur, të pavlerë, por të mundohen ta vlerësojnë shumëllojshmërinë kulturore dhe gjuhësore që ata kanë.
Më kujtohet kur para disa viteve se si bëri “boom” lajmi që Papa Benedikti i XVI uroi Krishtlindjet në shqip. Këtu u tregua respekti për një shtresë të shoqërisë e cila e feston këtë festë. Të njëjtën gjë dua ta ndjej edhe unë, asgjë më tepër. Dua vetëm ta ndajë gëzimin e njëjtë me bashkëvendësit e mi. Dua që vendi ku unë jetoj ta tregojë përkrahjen e cila do të më ndihmonte dhe do të më inkurajonte për t`i mbushur zbrazëtirat të cilat me shekuj mbetën pengesë e përparimit tim.
Një thënie e Nelson Mendelës thotë: “Nëse i flet një njeriu në gjuhën që ai kupton, ajo shkon në mendjen e tij, por nëse i flet në gjuhën e tij, ajo shkon në zemrën e tij”.
Nëse ia hidhni një sy Kushtetutës së Kosovës, Neni 2.4 mbi Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve, mes tjerash thotë se: Një bashkësi, gjuha e së cilës me traditë është folur në një Komunë, do të ketë statusin e gjuhës në përdorim zyrtar në atë komunë. Ky Nen ma jep të drejtën që unë t`i drejtohem vendit tim dhe ai të më drejtohet në gjuhën që unë flas, në gjuhën që unë mendoj, në gjuhën që unë shprehem shpirtërisht. Kjo nuk është vetëm vlerë e imja. Është vlerë e shoqërisë sime, e vendit tim, për atë edhe duhet së bashku ta ruajmë ashtu si kanë bërë romët e pare në kohërat shumë më të vështira.
Edhe më shqetësues është fakti se ditë pas dite gjuha rome po harrohet. Gjeneratat e ardhshme vetëm janë duke e anashkaluar përdorimin e kësaj gjuhe në komunikimin e tyre ditor, vetëm për shkak të paragjykimeve të paarsyeshme që krijohen në mendjen e njeriut kur t`i thuash që nuk je “bash” i njëjtë sikurse ai. Ata mendojnë se kjo gjuhë duhet mbetet ditëve të kaluara dhe ata duhet të “ecin me kohën” duke aluduar se janë duke e përcjellë trendin kohor, edhe pse në të kundërtën po e humbin pasurinë më të vlefshme që i bënë ata të pasur (gjuhën).
Për në fund po e ndaj edhe një thënie të Andre Gides, e cila thotë: “Më mirë të të urrejnë për atë që je, sesa të dashurojnë për atë që ti nuk je”.
Unë i dua, i flas dhe i respektoj të gjitha gjuhët e vendit tim. Dua ta gjej dashurinë dhe respektin e njëjtë edhe për gjuhën time. Për këtë gjithë kohen po flas…
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
“Do e shkelje me këmbë siç ka bërë ajo me ty” - Xheneta Fetahu reagon ashpër ndaj pyetjes së Danjës drejtuar Gjestit

Ylli i Real Madridit u hoq nga skuadra e Spanjës për shkak të incidentit me Gavin

Macron nga Shtëpia e Bardhë: Marrëveshja e paqes me Rusinë nuk duhet të nënkuptojë dorëzimin e Ukrainës

Gjashtë persona arrestohen për sulm ndaj policisë pas përleshjes në veri të Mitrovicës

Shëndeti mendor i fëmijëve – fazat e zhvillimit, përshtatja në kopsht, adoleshenca e llojet e prindërimit, flet psikologia Mirjeta Deliu

24 ditë nga nisja e punimeve për rrethrrotullimin te rruga "C", ende nuk dihet se kur do të lëshohet për qarkullim

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Pyetet për Xhenetën, Gjesti: Nuk do t’ia ktheja me të keq siç më ka bërë mua, por nuk do të doja që të hynte në shtëpi

Harta e paparë që premtonte të sillte paqe në Lindjen e Mesme

Takimi Trump-Macron, presidenti francez korrigjon deklaratën e homologut amerikan

Ish komandanti i UÇK-së, Ismet Tara, reagon pas deklarimit në Hagë

E konfirmojnë nga Google, nuk ka më verifikim me SMS për Gmail – zëvendësohet me kodin QR

Krisa reagon pas deklaratës së Tirit se i pëlqen një vajzë në Big Brother VIP Albania