LAJMI I FUNDIT:

Mjerimi intelektual

Mjerimi intelektual

Të gjithë në luftë kundër të gjithëve. Kjo dhënie tingëllon shumë e njohur për ata që kanë pak njohuri nga shkolla hobbesiane, por kjo dhënie e tij ndonëse e moçme, shihet qartë se u riaktualizua në trurin e një pjese të intelektualëve tanë.

Tronditëse është të përjetosh këtë katandisje të një pjesë të elitës sonë intelektuale, të një pjese të ajkës së popullit tonë, e cila përkundër të metave dhe defekteve gjatë historisë, megjithatë ka lënë gjurmë në edukimin dhe zhvillimin e masës së gjerë.

Kjo që po ndodhë dhe po shkon duke e rritur shkallën e intensitetit të toksimit në shtresën intelektuale, po rezulton në nihilizëm dhe si për pasojë është shfaqë një virus pa program të antivirusit. Prandaj, në këtë gjendje më së miri do të na ngushëllonte poezia e Fan Nolit, “Anës Lumenjve”: “…ku e lam e ku na mbeti/ vaj vatani e mjer mileti…”!


Vargjet e kësaj poezi kanë mbetur ngushëllim dhe vetëm ngushëllim shpirtëror i përkohshëm pa ndonjë efekt rrënjësor për të dalë nga gjendja e mjerimit intelektual.

Gjendje e mjerë intelektuale konsiderohet kur intelektuali nuk merret me punën e veprimtarinë e vet apo të tjetrit, për të dhënë ndonjë trohë kontribut duke shpreh kritikë pozitive apo vërejte për korrigjim e përmirësim dhe për ta nxitur zhvillimin. Një qasje e tillë e shëndosh, e cila është e domosdoshme në rrugëtimin e zhvillimit, ka mbetur krejt nën hije dhe e harruar se ekziston.

Qasja ka ndërruar kah dhe tanimë fokusi bie në karakterin dhe pamjen individuale. Do ta kuptoja këtë interesim rreth pamjes apo karakterit, nëse dy intelektualë do të ishin pjesë e shkollave psikologjike apo psikiatrike, dhe të hulumtohet për zhvillimin e këtyre shkollave. Arsye e shëndoshë do të tingëllonte përshkimi i një karakteri të intelektualit, e bërë nga shkollat psikologjike, apo nga psikiatri që duhet të përcaktojë diagnozën e pacienti. Bile këto dy shkolla merren edhe me rrethanat dhe me gjenezën e individit dhe kështu arrin për të dhënë mendimin për ta diagnostifikuar ndonjërin.

Por, këta intelektualë nuk janë as pjesë e shkollave psikologjike apo psikiatrike, dhe as që konsultohen për vlerësim adekuat, nga një profesionist, pasi që intelektualët duhet të kërkojnë bazament për mbështetje dhe qëndrueshmërinë e sensit intelektual.

Po t’i rikthehemi përsëri në referim të shkollës hobbesiane. Karakteri i njeriut është definuar si qenie egoiste që psikologjikisht ushqehet nga lakmia dhe krenaria, kurse shkollat tjera këto tipare i konsiderojnë si përshkrim i karakterit të primitivizmit individual. Mirëpo, këto karaktere të përmendura edhe nga shkolla hobbesiane mund të dominojnë në stadin e gjendjes natyrore, ku nuk ekziston shteti apo udhëheqës dhe askush nuk bartë përgjegjësinë për ta ruajtur shtetin dhe institucionet e tij.

Mungesa e racionalizmit intelektual për të kritikuar dhe reflektuar është transparente dhe duket qartë, apo siç thuhet në shprehjen popullore: shihet nga aeroplani se ka ardhur nevoja për modifikimin e qasjes mendore intelektuale.

Por, sa ka probabilitet?

Gjendja e krijuar na drejton drejt ecjes në drejtimi të shkollës tjetër, asaj popperiane, ku mendohet me përgjegjësi individuale nga secili dhe mund të konsiderojmë se kjo shkollë do të jetë e dobishme për të gjithë, ku do të mësonim artin e inxhinierimit shoqëror, që secili individ të kuptoj rolin e vet në shoqëri. Kjo shkollë ka nevojë jo vetëm për studim, por duhet të aplikohet deri në nivelin që të mishërohet e që vërtetë, rrjedhimisht, veprimet e individit të jenë kontribuuese e jo shkatërruese.