LAJMI I FUNDIT:

Intoleranca, ushqim për radikalizëm

Intoleranca, ushqim për radikalizëm

Ditëve të fundit në Kosovë kanë shpërthyer debate të rrezikshme me ngjyrime fetare, ndaj të cilave, institucionet dhe shoqëria jonë, nëse nuk reagojnë si duhet, mund të jenë me pasoja të rënda për të ardhmen tonë integruese.

Në këtë mënyrë, edhe si nxitës, edhe si heshtës, konsideroj se s’japim dot shembuj përafrimi. Atëherë, si mund të bëhemi pjesë e dikujt, ta zëmë e familjes së madhe të Bashkimit Evropian, duke u çintegruar përbrenda vetvetes?! Si mund t’i bindim të tjerët që ndaj këtyre temave t’i mbyllin sytë?! Apo se nuk e kemi seriozisht.

Këtë as nuk e bëjmë dot dhe as që mund t’ua shesim të tjerëve këto kotësira se feja e kujt është më e mirë, apo personalitetet e së cilës janë më patriotë dhe të cilës më pak?! Kush ka merita e kush jo që ne mbijetuam asimilimin?! E të tjera, e të tjera…


Debatet konsideroj që janë një e drejtë e gjithsecilit, pasi ato emancipojnë shoqërinë, afirmojnë vlera të reja, mirëpo të këtij karakteri nuk e besoj se u shërbejnë këtyre qëllimeve. Aq më pak të kontestojmë vlera të pranuara deri më tani, si: tolerancën shekullore ndërfetare apo kontributin humanist e atdhetar të bashkëkombësve tanë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre fetare. E, të tillë historia jonë njeh shumë, pasi kemi shqiptarë të të gjitha besimeve, edhe myslimane, edhe katolike, edhe të tjerë që kanë bërë shumë për këtë komb.

E pra, para një morie të madhe temash shumë më me interes për shoqërinë tonë, si ato të aspektit ekonomik, respektivisht gjetjes së mënyrave se si të tejkalohet kjo krizë kaq e thellë që ka kapluar vendin, apo atij arsimor dhe mënyra se si të rritet cilësia e mësimdhënies dhe çfarë të bëhet me këta të rinj që po përfundojnë shkollën dhe po u shtohen numrit të të papunëve të shumtë, dikush, sikur në të gjitha fushat t’i kishim punët në rregull, shpik debate të panevojshme nga të cilat s’ka përfitim pos radikalizmit të panevojshëm fetar.

Ky ashpërsim intolerant meriton një kujdes jashtëzakonisht të madh, pasi duhet gjetur mënyra adekuate që nuk fyejnë ndjenjat askujt, mirëpo të tilla që gjithsecilit i tregojnë se çfarë nuk mund të tolerojmë si shoqëri. Dhe që prapa këtyre ndalesave nuk qëndron individi, por një shumicë e tyre e shoqërisë.

Në këtë drejtim, detyrë e rëndësishme u takon edhe klerikëve, pa dallim. Ata këtë kontribut të tyre mund ta jetësojnë duke punuar më shumë me besimtarë dhe DUKE pasur shumë më shumë kujdes për fjalën publike. Fjalori i tyre nxitës dhe mallkues për ata që mendojnë ndryshe dhe kthimi i të tjerëve me të njëjtën devizë s’mund të quhet ndryshe pos si hedhje benzine mbi zjarrin që po i vëmë vetës si shoqëri.