Heroina e parë që unë njoh dhe kam takuar është gjyshja ime nga babai. Ajo grua e heshtur dhe melankolike, gjithmonë e përmallur për familjarët e mbetur në vendlindje (Kosovë), si grua e re kishte hequr shaminë dhe dimitë duke revolucionalizuar jo vetëm veten, por edhe rrethin. Tash, mbi 80 vjet më pas, kur mundohem të futem në perspektivën e asaj kohe, e kuptoj sa vështirë e ka pasur ta bëjë këtë gjest, për shumëkënd skandaloz. Prandaj për mua ajo është heroina e vërtetë, është shembulli që duhet ndjekur.
Derisa vdiq nuk e pashë kurrë të vinte shami. Përpos në rastet kur shkonte në vdekjen e ndokujt nga komuniteti ynë i kosovarëve të qytetit jugor, ku ishte përqendruar një masë e madhe e shqiptarëve të Kosovës, të ardhur në Shqipëri, para apo pas luftës së dytë botërore.
Gjyshja, si të gjitha gjyshet, jo vetëm që ma bëri më të bukur fëmijërinë, por para së gjithash më mësoi shumë gjëra, për të cilat i jam mirënjohëse sot e kësaj dite.
Një nga mësimet e saj që kujtoj ishte edhe më i rëndësishmi, paksa heretik për kohën, ndoshta edhe më shumë se kaq, ishte një mësim ndëshkues për të gjithë familjen nëse merrej vesh. Ishte mësimi se Zoti ekziston, se ka një Zot, se besimi është i rëndësishëm dhe jetik, se është një e drejtë elementare, të cilin ta heqin dhunshëm vetëm diktaturat dhe mendjet diabolike.
Isha krejt e vogël, diku në klasë të dytë apo të tretë kur e mora vesh se i përkisja besimit islam, pra se isha myslimane. E tillë fillova të ndihesha aso kohe, kur besimi ishte i ndaluar me ligj dhe i dënueshëm, e tillë jam edhe ndihem edhe sot kur jam një grua në mesomoshë.
Të dy gjyshërit e mi e bashkë me ta edhe nëna ime, aso kohe nuse e re mbanin Ramazan, natyrisht fshehurazi. Vit pas viti, në fshehtësi të plotë ata për një muaj mbanin Ramazan, gjenin pastaj mënyrën që po në fshehtësi të plotë nga rrethi të festonin dy Bajramët dhe këtë e bënin me dashuri të madhe për besimin dhe mbi të gjitha me ndërgjegje të plotë, ani pse e dinin se me këtë na rrezikonin të gjithëve: gjithë familjen që fare mirë mund të përfundonte burgjeve dhe internimeve në vendin e vetëm ateist të botës, ku ishte herezi të besoje në Zot e ku njerëzit ishin internuar apo burgosur edhe për më shumë pak gjë, thjesht për një fjalë goje… Ishte koha kur edhe Zoti ishte ndaluar me dekret nga shteti komunist dhe nga diktatori, i cili për çudi mbajti deri në fund të jetës mbiemrin e marrë nga kleri mysliman, besim të cilit i përkiste dhe ai vetë… Shumë vite më vonë, kur isha e pjekur të gjykoja dhe e lirë të besoja në Zot pa pasur frikën e burgosjes apo internimeve, kuptova sa i madh kishte qenë besimi i dy gjyshërve dhe nënës sime, sa e madhe dashuria për Zotin dhe fenë e tyre që ishte dhe është edhe feja ime.
Edhe pse ishte një besimtare e devotshme, aq e devotshme sa për hir të besimit të sakrifikonte me vetëdije edhe rehatinë e familjes, gjyshja ime nuk mbante shami, pavarësisht se këtë ia kërkonte besimi i saj dhe pavarësisht se as regjimi komunist nuk do e kishte dënuar për këtë veprim. Jo më kot ajo ishte heroina e parë që unë kisha njohur dhe takuar: kishte thyer tabutë dhe në kohën kur ishte herezi, kishte hequr shaminë…
Gjyshja vdiq në vitin 1989 ende pa rënë komunizmi dhe nuk arriti të shohë me sytë e saj se besimi në Zot dhe feja u lejuan, nuk arriti t’i gëzohej kësaj dite, t’i gëzohej kremtimit të Bajramëve pa frikë dhe haptas. Ndërkaq nëna ime, vazhdon me po të njëjtën devotshmëri të kryejë ritet e fesë myslimane, mes të tjerave të agjërojë Ramazanin. Tani ajo nuk është më një grua e re, as mesogrua dhe ashtu si e vjehrra, pavarësisht devotshmërisë së besimit, nuk mban shami. Kurrë nuk ka mbajtur një të tillë dhe besoj se nuk do ta mbartë kurrë shaminë, pavarësisht se është një besimtare e devotshme, aq e devotshme sa në moshë fare të re ka mbajtur Ramazan me vetëdijen e plotë se prej kësaj mund ta pësonte e gjithë familja. Nëna ime, një besimtare e devotshme, nuk mban shami, pavarësisht se këtë ia kërkon besimi i saj…
Ndërkaq unë, ashtu si gjyshja dhe nëna ime e respektoj fenë dhe besimin tim, mundohem që të kryej sa mundem ritet e besimit islam dhe po ashtu si ato ndihem mirë me besimin tim. Për më tepër, ndihem krenare me besimin që ma mishëruan si fëmijë nëna dhe gjyshërit e mi, pavarësisht se këtë besim ata e mbajtën gjallë në kushte shumë të vështira dhe në një frymë të fortë dhe ndëshkuese antifetare.
Ky është raporti im me besimin dhe fenë time, kjo është mënyra sesi unë jam ndier si një myslimane shqiptare. Besoj se është një raport normal, i pastisur dhe i paimponuar nga askush.
Pjesën më të madhe të jetës sime e kam kaluar në atdhe, në Shqipëri. Gjatë komunizmit (18 vitet e para të jetës) sa i përket fesë dhe besimit pata një dyzim: në shkollë më mësuan se ishim ateistë dhe se Zoti nuk ekziston, se feja është opium për popujt dhe se priftërinjtë dhe hoxhallarët janë pjesa më obskurantiste e shoqërisë, ndërsa në shtëpi më mësuan se Zoti ekziston, se ai është një dhe për të gjithë dhe se besimi në Zot të bën njeri më të mirë, pavarësisht fesë që ai i takon. Natyrisht që unë i besova asaj që më mësuan në shtëpi, sepse mësimi i njerëzve të gjakut është më i fortë se çdo mësim tjetër dhe natyrisht që nuk u pendova kurrë.
Më pas, pas rrëzimit të komunizmit, besimi fetar u lejua dhe, ashtu si edhe para kohës kur Enver Hoxha & co e ndaluan Zotin me dekret, shqiptarët treguan dhe dëshmuan një bashkëjetesë të shkëlqyer mes tre feve bazike (myslimane, katolike dhe ortodokse) e pastaj edhe feve të tjera si bektashie dhe protestante.
Unë si pjesëtare e komunitetit më të madh fetar të Shqipërisë ndihem krenare mu për këtë bashkëjetesë, e cila pa modesti mendoj se gjithsesi në raste të tilla është edhe meritë e shumicës…
Të njëjtën bashkëjetesë e gjeta edhe në vendin e të parëve të mi: në Kosovë. Këtu shumica pothuaj absolute myslimane e konsideronte si ujë të pakët pakicën – ta quajmë kështu të besimtarëve katolikë – ndërsa, tash së fundmi po ashtu nuk ka treguar asnjë lloj agresiviteti edhe ndaj asaj pakicës tjetër të besimtarëve protestantë, të cilët më së shumti janë të konvertuar, një pjesë e madhe e tyre edhe nga besimi islam.
Unë personalisht kam miq shumë të mirë nga të dy besimet kristiane: ai katolik dhe ai protestant dhe besoj shumë se ashtu si unë i respektoj besimet e tyre edhe ata e respektojnë besimin tim. Një respekt i sinqertë ky që e ka fillin te bashkëjetesa e lëvdueshme mes besimeve.
Përkundrejt kësaj fryme të shëndoshë bashkëjetese fetare, ajo që më shqetëson më së shumti është një debat i imponuar mbi shaminë dhe radikalizmin e islamit në Kosovë. Një debat për të cilin mendoj se stiset e fryhet nga palët veçanërisht në momente kyçe, më shumë se për gjithçka tjetër, për të tërhequr vëmendjen nga çështje kruciale e shumë të rëndësishme për vendin.
Radikalizmi i debatit për radikalizmin e islamit ka pozicionuar në dy anë dy palë diametralisht të kundërta: xhandarët apo mbrojtësit e islamit (kryesisht mjekroshë me apo pa shkollë, me apo pa grada) dhe xhandarët apo mbrojtësit e shqiptarizmës që duan ta ruajnë kombin nga muxhahedinët, që i mëshojnë fort parullës nacionaliste të Pashko Vasës “feja e shqiptarit është shqiptaria” e që sa kam vërejtur, pjesa dërrmuese e të cilëve janë vetë të besimit islam (natyrisht jo mjekrosh dhe të gjithë/a të shkolluar/a).
Të dyja palët janë të zëshme, veçanërisht në rrjetet sociale dhe natyrisht që kanë po ashtu edhe argumentet e veta. Tensionet nuk janë të pakta gjithashtu.
Si rezultat i gjithë këtij debati që nisi fillimisht për shamitë dhe pastaj precipitoi te deri islami politik dhe frika e kapjes së fesë islame nga muxhahedinët, tash duket sikur është bërë në modë një lloj “turpërimi” nga feja islame, e farkëtuar në një lloj klisheje se “Evropa s’na do se jemi myslimanë”.
Ndërkaq politika ose hesht, ose flirton kryesisht me radikalët për interes elektoral. Politika edhe pse nuk flet, flet me heshtjen e vet. Politika që ashtu si të gjithë: besimtarët e thjeshtë e të painteresuar për kësi debatesh e etiketimesh, debatuesit e turlillojshëm që nga ekstremistët islamikë e deri te ata të skajit tjetër, ekstremistët antiislamikë, e di mirë se Kosova është shtet laik, i ndarë nga feja. Se në këtë temë s’ka çka diskutohet më, se edhe po u diskutua bëhet edhe më bërllok sesa po bëhet me probleme të stisura të ekstremizmit fetar.
Kosova aktualisht nuk ka nevojë për etiketime të tilla si një shtet që po shkon kah fundamentalizmi islam. Jo se Evropa nuk do ja hapë dyert e saj, por sepse nuk është e shëndetshme për klimën e përgjithshme të vendit, nuk është e shëndetshme dhe e dobishme në këtë amalgamë problemesh që e kanë kapluar dhe kapur prej gryke dhe po e ngufatin pak nga pak.
Pak apo aspak e rëndësishme është nëse ashtu si deklaroi një hoxhë i famshëm për predikimet e tij skandaloze, kryeministri Thaçi është për lejimin e shamive në shkollat publike, pak apo aspak e rëndësishme është nëse i njëjti hoxhë i ka dhënë bekimin e vet (nënkupto të Zotit) kryetarit të ri të Prishtinës Shpend Ahmetit dhe akoma më pak e rëndësishme është nëse sërish hoxha i njëjtë është takuar dhe ka ndarë të njëjtat pikëpamje me akademikun kontrovers Rexhep Qosen.
E rëndësishme është vetëm që kryeministri Thaçi të ketë dinjitetin minimal të mbrojë interesat e Kosovës në takimet me homologun e tij serb në Bruksel, pavarësisht nëse kjo mund edhe “ t’i kushtojë humbjen” e Nobelit për paqe, ashtu sikurse e rëndësishme është që Shpend Ahmeti së paku të përmbushë gjysmën e premtimeve që i ka dhënë elektoratit të Prishtinës, qofshin ata besimtarë të thjeshtë apo radikalë, ashtu sikurse e rëndësishme është që akademiku i thinjur e me mjekër ose t’i kthehet letërsisë ose të kalojë në paqe pleqërinë e tij. Sepse, dihet që të gjitha palët e kanë këtë vëlladashuri me Hoxhën vetëm për marketing politik e vetanak, ashtu sikurse Hoxha i shfrytëzon të gjithë për marketing para xhematit të vet. Sepse, të gjithë: kryeministri, kryetari i Prishtinës dhe akademiku e dinë se shteti është laik. Dhe ashtu si ata, këtë e di fare mirë dhe hoxha i apostrofuar.
Nisur nga kjo pasqyrë që reflekton si me llupë deklaratat e hoxhës në fjalë dhe të gjithë të ngjashmëve me të, paçin ose jo të njëjtin mbiemër, radikalë islamikë të konvertuar në një proces pastrimi shpirtëror pas kuintalëve të pirë me alkool, në Kosovë ngjizet debati mbi radikalizimin e fesë islame, prej së cilit është përftuar një lloj distancimi i pakuptueshëm dhe një lloj turpërimi po aq i pakuptueshëm për të qenurit mysliman.
Është si një lloj mode epidemike që ka përfshirë sferat e ndryshme shoqërore, veçanërisht ato që mbahen si më të shkolluara. Një lloj kompleksi që i ka ndarë njerëzit në dy kampe: ose properëndimorë (nënkupto njerëz që e shohin fenë islame si pengesë e besa nganjëherë si turp) dhe proorientalë (nënkupto myslimanë radikalë deri te vehabitë). Në këtë luftë përplot tensione mes taborësh duket se nuk ka vend për atë palën e tretë dhe neutrale që nuk e gjen veten te asnjëri tabor. Janë besimtarët e devotshëm të besimit islam që nuk e kanë humbur besimin as në kohë të vështira e që as nuk e duan islamin e predikuar nga muxhahedinët, por as nuk ndihen të turpëruar nga feja e tyre.
Unë jam një prej tyre. Besimin e njoha dhe e pranova në moshë të re, kur në vendin tim ishte i ndaluar. Asnjëherë nuk kam dyshuar në besimin tim, e për më tepër kurrë në ekzistencën e Zotit. Jam besimtare e mirë (së paku kështu mendoj), pavarësisht se nuk mbaj shami. Shamia nuk më bën as më të mirë as më të keqe si besimtare. Mendoj se është zgjedhje individuale dhe jo obligim fetar.
Këtë ma ka mësuar gjyshja ime, heroina e parë që unë kam njohur dhe takuar. Po ashtu ajo më ka mësuar ta dua besimin tim dhe të mos humb kurrë shpresat në Zot, më ka mësuar ta dua vendin tim, siç duhet prindi, pa u gjykuar, në të mirë e në të keq, veçanërisht në të keq. Sepse, sido që të vijnë punët, sido që ta shqyejnë e përlyejnë atdheun, ai është gjithmonë më i fortë, reziston, mbetet, mbijeton. Më ka mësuar të mos përkulem para vështirësive, të mos thyhem para dështimeve dhe pabesive, të mos e prish shpirtin para humbjeve dhe dështimeve, sepse gjithmonë ka një Zot.
Ai është një për të gjithë. Ai nuk është as katolik, as ortodoks, as mysliman, as budist apo protestant. Ai është një dhe për të gjithë, është i të gjithëve, përpos jo i atyre që në emër të tij kallin luftëra dhe trazojnë shpirtra.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Takimi Trump-Macron, presidenti francez korrigjon deklaratën e homologut amerikan

Harta e paparë që premtonte të sillte paqe në Lindjen e Mesme

Ish komandanti i UÇK-së, Ismet Tara, reagon pas deklarimit në Hagë

Analistët komentojnë "ofertën" e Limajt për Kurtin: Vetfaktorizim apo hapje e lojës politike?

Ramadani: Shpresim Uka ka dhënë deklarata të pavërteta, kam incizuar një bisedë katërorëshe me të në Merdar

Krisa reagon pas deklaratës së Tirit se i pëlqen një vajzë në Big Brother VIP Albania

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Pyetet për Xhenetën, Gjesti: Nuk do t’ia ktheja me të keq siç më ka bërë mua, por nuk do të doja që të hynte në shtëpi

Harta e paparë që premtonte të sillte paqe në Lindjen e Mesme

Takimi Trump-Macron, presidenti francez korrigjon deklaratën e homologut amerikan

Ish komandanti i UÇK-së, Ismet Tara, reagon pas deklarimit në Hagë

E konfirmojnë nga Google, nuk ka më verifikim me SMS për Gmail – zëvendësohet me kodin QR

Krisa reagon pas deklaratës së Tirit se i pëlqen një vajzë në Big Brother VIP Albania