LAJMI I FUNDIT:

Tempulli i dijeve vis-a-vis tempull i marrive

Tempulli i dijeve vis-a-vis tempull i marrive

Kosova s’ka krijuar shkolla e universitete, që t’ia sjellin mirëqenien vendit, por varfërinë shpirtërore dhe materiale. Këtë realitet e shpërfaq më së miri gjendja jonë e përgjithshme, e në mënyrën më të mjerueshme Universiteti i Prishtinës i cili është degraduar dhe katandisur në mjerim.

Arrestimet e kohëve të fundit dhe lajmet e panumërta negative që vijnë nga tempulli i dijes (i shndërruar në tempull marrie), janë të patolerueshme. Në fakt, këto vite të fundit, kjo gjendje amullie, si dhe kriza serioze e etikës së dijes, për pasojë kanë prodhuar pseudo profesionistë me plot tituj e dekorata, të cilët fal shkathtësive të tyre për manipulim e dredhi, janë ngritur deri në maja të shoqërisë sonë. Natyrisht, pa meritë e me pazotësi. Ky nivel i mjerueshëm më së shumti i ka shkuar për shtati një politike pa vizion dhe pa kulturë. Ky degradim, e ka shndërruar shoqërinë në një gërmadhë individësh të çorientuar, ku vlerat vijnë shumë vështirë në shprehje dhe ku ngarendja pas të keqes bëhet model.

Prandaj, mund të pohohet lirisht: asgjë më shumë s’e ka penguar Kosovën të ecë drejt progresit viteve të fundit, sesa degradimi i sistemit edukativ e arsimor i cili po vazhdon të prodhojë mediokritet dhe injorancë.


Në shekullin XXI, shqiptarët s’kanë mungesë shkollash kombëtare, sikur gjatë historisë kur arsimi shqip ishte nën trysni, i kontrolluara dhe i penguar. Përkundër faktit se kemi shkolla, të diplomuar, magjistra e doktorë shkencash me bollëk, na tingëllon aktuale klithma e Naim Frashrit: vetëm dritë e diturisë do të na shpjerë përpara. Kjo për faktin se dituria, dija e shkenca, në vendin tonë të ri e me plagë të shumta, ende s’e ka marrë statusin e merituar. Si rezultat i kësaj, vazhdon të lulëzojë padija dhe jovlera. Në mungesë të institucionalizimit të dijes dhe vlerave si norma superiore në shoqëri, në shprehje kanë ardhur nomenklatura dhe konjuktura të përdorshme, që shërbejnë mirë.

Në modele të tilla të shoqërive, mendimi tkurret dhe mbyllet hermetikisht, ndërkaq janë servilët ata që ngjiten me bërryla dhe zotërojnë hapësirat e opinionit publik. Kjo kategori pseudo intelektualësh, s’mund ta honepsë një gjendje normale. Për këtë arsye, këto kategori mrekullisht krijojnë një paqe të jashtme dhe kështu bëhen konjukturat shërbyese ndaj njëra-tjetrës.

Gjeneza e reagimeve të vaktë ndër ne, servilizmit si mënyrë sjellje për të bërë karrierë, e ka zanafillën te arsimimi jocilësor, që prodhon mendje amorfe dhe individ puthadorës e jokritikë. Universitet tona nuk i ndihmojnë studentët të bëhen individualitete krijuese dhe intelektualë të pavarur, por turma që i ndjekin verbërisht mësuesit e tyre shpirtërorë.

E pra, arsimi jocilësor e ka vu në plan të dytë rolin e intelektualit, dhe flamurin e tij e ka marrë në dorë militanti që është i zoti për gërvallje e britma, mirëpo jo për dije e kulturë. Kështu dergjet shoqëria në një gjendje të pashpresë.

Natyrisht, me shumë shqetësim përcillet ndër ne amullia në universitete, ngritja e stafit universitar pa troh meritash, e lulëzimi i abuzimeve dhe keqpërdorimeve. Prandaj, me të drejt shtrohen pyetje: çfarë po ndodhë me arsimin tonë? Në dukje të jashtme, yryshi pas arsimimit duhet mirëkuptuar. Mirëpo, skandalet e njëpasnjëhershme në Universitetin e Prishtinës, por edhe nëpër universitete tjera, janë sinjale që duhet të na kthejnë vëmendjen kah arsimi, për faktin e thjesht sepse një komb s’mund të lumturohet e as të ecë drejt progresit, pa e vu edukimin në epiqendër të objektivave të veta. Këtë e ka treguar përvoja universale.

Një vend s’mund të ecë përpara, nëse aty studenti pranon notë pa e zotëruar lëndën, e profesori për pak pare e shtet dinjitetin e tij. Prandaj, është koha e fundit, për gjithë ata që kanë përgjegjësi, por edhe për elitën e përgjumur, që ta vënë gishtin në kokë e të pyetet: çka po prodhojmë me këtë arsim jocilësor dhe të politizuar?

Qytetarët tanë më shumë kanë nevojë për dije sesa për diploma. E dije universitet tona në këtë gjendje si janë, s’kanë sesi të japin, kur tempulli i dijes është shndërruar në tempull të marrive. Aty kemi tufa të grumbulluara militantësh ideologjikë, e profesorësh që kanë dalë nëpër dyer të partive politike dhe të vetmen gjë që e bëjnë mirë është fakti se prodhojnë mediokritet. Pra, nëse dikur arsimi shqip ishte i cunguar dhe s’mund të zhvillohej sipas standardeve të avancuara, sepse ishte nën trysini, shqiptarët sot vuajnë sepse kanë tepër shkolla e universitete.

A ka krijuar arsimi shqiptar, kuadro e intelektualë të rinj, që me dinjitet dinë ta mbrojnë të vërtetën?

Dihet se intelektualë janë vetëm ata që guxojnë të flasin e të shkruajnë ashtu siç mendojnë, ata që për arsye të ndërgjegjes e të lirisë së tyre janë në gjendje të sakrifikohen. Intelektualë janë ata që s’ndjekin agjenda personale, por parimet e së mirës së përbashkët. Të tillë s’ka se si prodhon arsimimi ynë superior.

Prandaj, intelektualë të tillë në jetën tonë kombëtare i kemi të paktë. Pikërisht për këtë, hapësira e lirisë së personit, gjithnjë e më shumë kufizohet, ndërsa mentaliteti i turmës, i oportunizmit dhe konformizmit, shtrinë rrënjë dhe triumfon kudo. Fatkeqësisht, nga moçalet tona kulturore e politike të këtyre viteve të fundit, rrallë kanë mund të dalin individualitete të fuqishme, qe t’i japin impakt serioz zhvillimit pozitiv dhe të mirës së përbashkët. Dikur ishin faktorë tjerë qe na pengon. Sot, askush s’na pengon, veç vetja e jone, egoja dhe mendjengushtësia.

E, duke parë gjendjen e mjerueshme të arsimimit superior ndër ne, lirisht mund të shtrojmë dilemën: a po kërkojmë më shumë dritë apo më shumë errësirë? Thjesht, kujt i duhet një shoqëri me edukim gjysmak?