LAJMI I FUNDIT:

Kosova, prapa Serbisë dhe BE-së

Kosova, prapa Serbisë dhe BE-së

Me gjithë garancitë e vazhdueshme që procesi i bisedimeve do të rezultojë me shtrirje të sovranitetit të Kosovës në tërë territorin e saj, tashmë po vërtetohet që i tërë ky proces është dizajnuar nga BE për të tejkaluar ngërçin e shkaktuar nga qëndrimet kundërthënëse të BE-së, por edhe të Serbisë lidhur me Kosovën. Por kjo, siç po shihet, faktikisht po rezulton me përshpejtimin e integrimit evropian të Serbisë.

Qysh në fillim të procesit, Serbia, nën udhëheqjen e Tadiqit asokohe, ka synuar që nga procesi i negociatave të arrijë tri qëllime: 1) Të zhbllokoj dhe të përshpejtojë procesin e integrimit evropian pa ndryshuar qëndrim në raport me pavarësinë e Kosovës; 2) Të krijojë mekanizma të ri institucional në Kosovë që i sigurojnë asaj praninë në Kosovë dhe kontrollin mbi serbët e Kosovës; 3) Të ruaj dhe, mundësisht, të stërtheksojë, veçantinë e pjesës veriore të Kosovës. Tash, pas marrëveshjes së prillit dhe samitit të fundit të Këshillit Evropës ku Serbisë iu caktua data e fillimit të bisedimeve për anëtarësim, dhe triumfalizmit të papërmbajtur (me të drejtë) të politikanëve në Serbi, është shumë e qartë që Serbia ka korrur sukses të madh në përmbushjen e tri synimeve të saj përmbajtjesore.

Në anën tjetër, Kosova dhe liderët e saj institucionalë të përfshirë në bisedime, o bëjnë lojën e strucit, o ankohen me gjysmë zëri për trajtim të pabarabartë nga BE dhe udhëheqja e bisedimeve, Ketrin Ashton. Ç’është e vërteta, në deklaratat e njëpasnjëshme për media, Ashton asnjëherë nuk harron të falënderojë kryeministrin Thaçi për konstruktivitet në bisedime dhe në të njëjtën kohë i atribuon atij një pjesë të meritës për avancimin e Serbisë në procesin integrues.


Gjithsesi, problemi në vetvete nuk është fakti që Kosova nuk avancon me të njëjtin ritëm në integrimet evropiane. Kjo, realisht, është edhe e pamundur për shkak të potencialit të dobët institucional të vendit dhe mungesës së vendosmërisë e vizionit të qeverisë kosovare. Porse në këtë proces, për më keq, janë duke u vendosur disa kondita problematike politike që tutje vetëm do të shkaktojnë probleme të konsiderueshme për Kosovën në këtë drejtim.

Përderisa Serbia arriti të realizojë tri synimet e saj, Kosova u mjaftua me disa përparime formale. Edhe pse ka kohë që BE në vazhdimësi përsëriste se Kosova ka të ardhme evropiane, vetëm këtë vit Kosova zyrtarisht filloi procesin e anëtarësimit përmes negocimit të MSA-së. Përkundër faktit që ky është një zhvillim shumë pozitiv, kjo assesi nuk nënkupton lidhje të marrëdhënieve kontraktuale me BE-në. BE akoma negocion me Kosovën si një entitet i padefinuar politik dhe, si rrjedhim, Kosova nuk ka garanci se kur të vie koha për ratifikim të marrëveshjes së MSA-së, një nga pesë vendet që nuk i njohin shtetësinë Kosovës nuk do të bllokojnë tërë këtë proces.

Kosova është duke marrë garanci vetëm nga përfaqësuesja për politikë të jashtme dhe komisioneri i BE-së për zgjerim. Sa për ndikimin e tyre dhe këtyre institucioneve, mjafton t’i hedhësh një sy rastit të Shqipërisë. Shtefan Fyle i dha përkrahje të pa rezervë Shqipërisë, por në momentin e fundit Komisioni Evropian refuzoi t’i japë statusin e kandidatit Shqipërisë, pa ndonjë arsye të mirëqenë. Andaj, s’është fare për tu çuditur kur Kosova të ballafaqohet me një situatë të tillë vitin tjetër.

Procesi i negociatave me Serbinë dhe ndërmjetësim të BE-së e ka futur Kosovën në qarkun vicioz, ku shkalla e shtetësisë së saj dhe përparimi drejt BE-së nuk varet as nga vullneti i qytetarëve as nga krejt klasa e saj politike, porse nga unanimiteti i tre palëve të përfshira në bisedime. Kjo patjetër që krijon varësi të dyfishtë të Kosovës në raport me BE-në dhe me Serbinë. Përderisa Serbia me mjeshtëri po e eliminon Kosovën si kusht në rrugën e saj drejt BE-së, Kosovës po i kushtëzohet shtetndërtimi dhe integrimi evropian edhe nga Serbia e edhe nga BE-ja. Po ashtu, formulimi ambig i marrëveshjes së Brukselit krijon hapësirë të mjaftueshme për Serbinë dhe serbët lokalë ta bëjnë atë krejt të pa kuptim dhe rrjedhimisht të pazbatueshme. Shumë lehtë do të mund të ndodhë që Serbia dhe serbët lokalë do përdorin ato provizione që u nevojiten për realizim të qëllimeve të tyre dhe të refuzojnë të tjerat në emër të neutralitetit në raport me statusin.

Në të vërtetë, deri tash vetëm se janë parë disa indikacione të kësaj natyre. Vendimi për të përdorur fletëvotime pa logo institucionale është precedent i rrezikshëm që mund t’u krijoj mburojë të pakapërcyeshme komunave me shumicë serbe dhe bashkësisë së komunave që pritet të formohet. Loja me ftesat për mbledhjet konstituive është vetëm prelud i vështirësve që pritet të dalin në vazhdim. Tashmë është e qartë që për bashkësinë ndërkombëtare më me rëndësi paska qenë procesi i legjitimimit të strukturave paralele serbe përmes një procesi zgjedhor të orkestruar politikisht, sesa integrimi i mirëfilltë i këtyre institucioneve në sistemin e Kosovës.

Dëmi është bërë tashmë dhe kjo do shihet edhe më qartë në javët dhe muajt në vazhdim. Gjithsesi, ajo që është shumë shqetësuese është lehtësia e padurueshme me të cilën qarqe të ndryshme ndërkombëtare dhe përfaqësitë e tyre në Prishtinë, ndryshojnë ligjet, imponojnë zgjidhje dhe kërkojnë ndryshime kushtetuese që fatkeqësisht pranohen po aq lehtë nga shumica e partive politike në vend. Përderisa në rastin e Serbisë marrëveshja e Brukselit dhe marrëveshjet tjera u aprovuan në Parlament në formë të një raporti të qeverisë për negociata, Parlamenti i Kosovës i hyri procesit të ndryshimeve të shumanshme ligjore në emër të integrimit të veriut. Por, siç po shihet, ky ishte vetëm fillimi i një procesi. Apo më mirë thënë, tagri që duhej paguar në mënyrë që ca mijëra serbë të denjojnë të dalin në vendvotime në veri. Tash në rend janë kërkesat për vazhdim të mandatit të ulëseve të rezervuara dhe madje edhe shtimi i ulëseve për Serbët e veriut.

Që të dyja këto kërkesa janë krejtësisht të paarsyeshme dhe rrezikojnë të gërryejnë themelet e brishta të sistemit kushtetues dhe juridik të Kosovës. Kjo krijon hapësirë që Serbia, pasi që ka shtrirë pushtetin në nëntë komuna në Kosovë, të përfaqësohet nga të parazgjedhurit e saj edhe në Parlament me një numër deputetësh dy-trefish më të lartë se përqindja e popullatës. Madje, është krejt e parashikueshme që edhe përfaqësuesit aktualë serbë në Parlament dhe institucione do radikalizoheshin për shkak të solidaritetit etnik. Kjo më së miri u pa në rastin e zgjedhjeve lokale ku SLS përkrahu kandidatin e Listës Serbe në disa komuna të vendit. Kësisoj, midis të tjerave, investimi për të diferencuar serbët që kanë pranuar autoritetin e institucioneve të Kosovës dhe ata që veprojnë jashtë këtij kuadri, mund ta humb krejtësisht kuptimin. Po ashtu, në rast të shtimit të ulëseve për serbët e veriut, atëherë përfundimisht do çimentohet veçantia e veriut nga pjesa tjetër e Kosovës.

Kështu siç qëndrojnë gjërat tash, vitin tjetër Serbia do negociojë kapituj të veçantë në rrugën drejt BE-së dhe rrjedhimisht edhe do përfitojë miliarda euro donacione e kredi të leverdishme, ku një pjesë e mirë e tyre do vazhdojnë të investohen në Kosovë si pjesë e programit të qeverisë serbe për investime në ‘Kosovë e Metohi’ apo edhe nëpërmjet Bashkësisë së komunave serbe. Në anën tjetër, Kosova me shumë gjasë do parashtroj ankesa të njëpasnjëshme tek BE-ja për zvarritjet në implementim të marrëveshjes dhe mosrespektim të ligjeve të Kosovës nga komunat Serbe.

Pra, ky do të jetë thelbi i komunikimit të Kosovës me BE-në gjatë 2014. Kësisoj, para se të lehtësohet rruga evropiane e Kosovës në këtë proces, efektivisht janë duke u krijuar vështirësi të reja. Kosova sërish po mbërthehet në problemet e saj të brendshme me serbët e instrumentalizuar që, midis të tjerave, po e vendosin atë në një pozicion varësie dhe inferioriteti të skajshëm në raport me BE-në.