LAJMI I FUNDIT:

Dita D

Dita D

Dita D është term ushtarak i cili rrënjët i ka nga lufta e dytë botërore dhe simbolizon fillimin e një operacioni të rëndësishëm. Mirëpo ky shkrim nuk i dedikohet ndonjë operacioni ushtarak, por luftës së gjatë dhe të mundimshme të njerëzve të prekur nga diabeti për jetë më të gjatë, më cilësore dhe me sa ma pak komplikime.

14 nëntori ishte Dita Ndërkombëtare e Diabetit, një sëmundje e cila dita e ditës po shndërrohet në epidemi botërore dhe kërcënim për njerëzimin. Edhe pse nuk jam ekspert i kësaj fushe, sipas literaturës medicinale, ekzistojnë dy lloje kryesore të diabetit: Tipi 1 dhe 2. Personat e prekur nga tipi i parë janë të varur nga insulina kurse ata të tipit të dytë përdorin terapi orale ose insulinë. Këtu do ta përfundojë edhe numërimin e dallimeve dhe ngjashmërive në mes të llojeve të diabetit, pasi që, siç e ceka më lartë, nuk jam ekspert i fushës. Në fokus të këtij shkrim janë fëmijët e prekur nga tipi 1 i diabetit.

Sipas literaturës ndërkombëtare, shtetet e zhvilluara dhe gjysmë të zhvilluara posedojnë shifra shumë të përafërta për numrin e të prekurve nga diabeti dhe kanë zhvilluar strategji kombëtare për tu përballur me këtë sëmundje me tendencë rritjeje. Vazhdimisht bëjnë studime për të gjetur ilaçin por edhe mënyra e metoda për administrim sa më lehtë të kësaj sëmundje dinake dhe kryeneçe. Ta krahasosh kujdesin që Kosova ia kushton personave të prekur nga diabeti me vëmendjen e vendeve të cekura më lartë është sikur të bartësh ujë me shoshë – punë e kotë.


Ky përfundim është i bazuar në përvojë personale. Vajza ime, 8 vjeçe, është diagnostikuar me diabet para dy vitesh. Vet diagnostikimi ka qenë një rrufe e llojit të vet që e ka goditur familjen time. Ishte lajm i papranueshëm. Ishte hera e parë që dëgjoja se diabeti i prekë edhe fëmijët. Jo që nuk kisha dëgjuar për ndonjë rast konkret, por nuk kisha parë kurrë asgjë për diçka të tillë as në media edhe pse i lexojë të gjitha gazetat ditore dhe i shikoj lajmet qendrore për çdo ditë për nevoja profesionale.

Megjithatë, diabeti tanimë ishte futur në shtëpinë tonë dhe duhej të merreshim me të. Fillimi ishte shumë i vështirë. E kisha shumë inat. U mundova shumë ta përzë, ta qes jashtë, besa edhe ta shfarosë nga faqja e dheut. Mirëpo realiteti ishte krejtësisht ndryshe. Ata që ishin ballafaquar dhe ballafaqohen me të më treguan se kjo ishte e pamundur tani për tani. Një diabetologe/pediatër e nderuar nga Kosova dhe ekipi i diabetologëve për fëmijë nga spitali “Rebro” në Zagreb na dhanë informatat e para se si mund ta mbajmë diabetin kokë-ulur nën sofër. Na trajnuan se si bëhet matja e sheqerit në gjak dhe si administrohen dhënia e insulinës. Na treguan edhe për mënyrën e të ushqyerit dhe aktivitetin fizik, që janë komponente shumë të rëndësishme për menaxhimin e diabetit. I falënderohemi doktoreshës nga Kosova shumë për këshillat e sajë, mirëpo me një lule nuk qelë pranvera sepse këtu fillon edhe mbaron mbështetja institucionale, ekonomike, dhe sociale për ne dhe vajzën tonë, si dhe për shumicën dërmuesve të fëmijëve të prekur nga diabeti në Kosovë.

Ka dashur Zoti që familja e ime të qëndrojë mirë financiarisht dhe mos të përballemi me probleme të karakterit ekonomik. Mirëpo, gjatë rrugëtimit tonë dy-vjeçar kemi dëgjuar dhe kemi parë raste të ndryshme dhe rrëqethëse. Kemi dëgjuar nga goja e pacientëve me diabet se nuk kanë para për të blerë insulinë, nga e cila varet jeta dhe kualiteti i jetës së tyre, dhe shiritat për matjen e nivelit të glukozës në gjak. Kemi dëgjuar për raste kur prindërve u mungon shkollimi bazik për ta kuptuar seriozitetin gjendjes së fëmijëve të tyre. Mediat me të madhe kanë raportuar se insulina sillet në Kosovë përmes kontrabandës dhe kjo është shumë brengosëse sepse insulina duhet të ruhet në temperatura dhe kushte të caktuara, përndryshe e humb efektin e saj dhe kjo ndikon në shëndetin e të prekurve nga diabeti. Ka pasur raportime edhe për origjinën dhe përmbajtjen e insulinës së importuar. Ka pasur raportime edhe për shumë keqpërdorime të tjera të shumta me insulinë. Këto raportime ishin një lloj i veçantë i filmit horror për ne si prindër, besoj edhe për personat më të pjekur në moshë me diabet, sepse të injektosh në trup insulinë me përmbajtje të dyshimtë është e barabartë me marrjen e helmit.

Dita D u shënua gati se tërësisht spontanisht dhe pavërejtshëm në komuna të ndryshme të Kosovës. Përveq disa organizimeve protokollare dhe sa për të thënë, ajo zuri pak vend në mediat tona, të cilat nuk janë edhe aq fajtore në këtë mes, sepse faji është gjithëpërfshirës. Fajtore është Ministria e Shëndetësisë, e cila nuk organizon ndonjë ngjarje serioze për të shënuar këtë ditë dhe për ta ngritur vetëdijen për rrezikun nga diabeti. Ajo as nuk ka futur Levemirin, një lloj insuline e rekomanduar gjithandej në Perëndim, në listën e barnave esenciale. Organizata Botërore e Shëndetësisë rri e heshtur. Nuk ekziston ndonjë shoqatë serioze që merret me këtë çështje. Në shkolla mungon kuadri mjekësor që do iu ndihmonte sadopak fëmijëve me këtë gjendje apo edhe do t’i trajnonte mësuesit se si të sillen me këta fëmijë dhe cilat janë nevojat e tyre psiko-fizike. Nuk ekzistojnë qendra për edukim rreth diabetit dhe nuk ka nutricionistë-diabetologë. Literatura në gjuhën shqipe është e vjetër dhe shumë e rrallë. Për shkak të mungesës së informatave, familjet ngushta e të gjera nuk kuptojnë gjendjen dhe shpesh i lëndojnë fëmijët me diabet si dhe prindërit e tyre me servimin e ushqimeve të papërshtatshme për diabetikët. Të gjetur në këso situate, prindërit e fëmijëve të prekur nga diabeti i tipit 1 e kanë të vështirë të organizohen vetvetiu përderisa nuk ekziston ndonjë pikë referuese qendrore.

Këto janë vetëm disa nga vështirësitë e përgjithshme me të cilat ballafaqohen personat me diabetin e tipit 1 të si dhe familjet e tyre. Për t’i shpjeguar vështirësitë ditore të personave të prekur direkt apo indirekt nga diabeti nuk mjafton një faqe gazete apo edhe tërë numri i gazetës. Prandaj, shteti dhe shoqëria e Kosovës duhet të ofrojë shumë më shumë përkrahje për këta fëmijë dhe familjet e tyre.