Andrea Stefani
“Mos harroni, Turqia është Kosovë dhe Kosova është Turqi”! Kjo deklaratë e Kryeministrit turk Erdogan ka ngjallur reagime të shumta kundërshtuese në Kosovë dhe Shqipëri. Dhe, jo pa të drejtë. Sepse, deklarata është absurde jo vetëm për stadin e sotëm kur kombet janë përkufizuar qartë, madje ashpër, por ajo nuk i qëndron dot edhe sfondit historik nga përpiqen ta huazojnë. Ndërkaq, si pjesë e një diplomacie neo-otomane, deklarata nuk mund ta fshehë dot themelin e një solidariteti pan-islamik që nuk mund të mos gërricet me orientimin e Kosovës, Shqipërisë, madje edhe të Turqisë vetë, drejt integrimit me BE-në që është një proces politik laik, domethënë indiferent ndaj dallimeve fetare.
***
Historikisht Kosova nuk ka qenë Turqi edhe gjatë shekujve të sundimit të Perandorisë Otomane, për faktin e thjeshtë se atëherë Turqia vetë nuk ishte Turqi. Sikundër ka argumentuar Bernard Ljuis në librin e tij “Lindja e Turqisë moderne”, kemi pasur një proces të largimit të Perandorisë Otomane nga identiteti turk dhe kalimin drejt një identiteti islamik. Sipas tij, “Në shkrimet otomane, deri në fund të shekullit XIX dhe në shumë prej tyre edhe më vonë, fjala ‘Turqi’ nuk përdoret”. Fjala e përdorur për të treguar atdheun ishte “Vatan”, ndërsa ajo që tregonte kombin “Millet”, por larg kuptimit që ato morën më vonë dhe që e ruajnë edhe sot.
“Vatan” përdorej më shumë për vendlindjen, fshatin, qytetin, krahinën. Ndërsa termi “Millet” do të përdorej për të treguar bashkësitë fetare të organizuara dhe ligjërisht të njohura.
“Në Perandori kishte një Millet mysliman, por jo Millete turke, arabe, apo kurde; ekzistonte Milleti grek, armen dhe çifut, por si bashkësi fetare dhe jo si kombe etnike… Do të pritej një datë relativisht e vonë, për të hasur idenë e njësive kombëtare, të cilat i kapërcenin dallimet fetare”.
Lindja e vetëdijes kombëtare të turqve korrespondon thuajse me rënien e Perandorisë Otomane. Prandaj, as Turqia nuk mund të qe Kosovë dhe as Kosova, Turqi. Sa qe Perandoria nuk kishte Turqi. Kur lindi Turqia, edhe Kosova doli përballë saj si Shqipëri. E vetmja mundësi për të ndërtuar një identitet Turqi-Kosovë duke revokuar traditën otomane, është interpretimi i termave Vatan dhe Millet si bashkësi e të gjithë nënshtetasve otomanë, pavarësisht nga feja, sipas kuptimit që ato morën në Dekretin e Kopshtit të Trëndafilave në vitin 1839.
Por, në këtë rast, Erdogan mund të pretendonte që jo vetëm Kosova, por edhe Serbia, Greqia janë Turqi! Atëherë mbetet vetëm një mundësi, sado edhe kjo e pasaktë, për të huazuar identitetin artificial Kosovë-Turqi nga e kaluara otomane.
Rikthimi te termi “populli i islamit” që brenda Perandorisë Otomane, në një moment të caktuar, nisi të dallohej nga definicionet “kombet e tjera” apo “kombet e huaja”. Dhe sipas atij koncepti, kosovarët, si edhe turqit, i kanë përkitur dhe i përkasin të njëjtit “popull të islamit” sa kohë që i përkitnin dhe i përkasin të njëjtës fe islame. Shkurt, deklarata e Erdogan nuk mund të fshehë tendencat e një diplomacie që i jep përparësi përkatësisë fetare, një diplomaci me agjendë islamike.
Por, politikat e bazuara në solidaritetin njëfetar janë shumë të rrezikshme për kombe multifetare, sikundër është ai shqiptar. Shqiptarët kanë mundur të mbijetojnë, edhe sepse kanë arritur të vendosin kombin përpara feve, kanë bërë shqiptarinë fe të tyre. Prandaj, më duket i drejtë shqetësimi i ngritur edhe nga deputetja kosovare, Alma Lama, që në një letër të hapur i shkruan Kryeministrit Erdogan se: “…agjenda islamike për ne është helm. Ky helm kontaminon botëkuptimin tonë për fenë, bashkëjetesën që kultivuam prej shekujsh, respektin për fenë e tjetrit… mos na e sillni atë helm këtu!”.
***
Kosova është Shqipëri ashtu sikundër Turqia është Turqi! Asnjë përkufizim modern, qoftë i kombit, qoftë i popullit dhe sovranitetit, nuk përligj deklaratën e Erdogan. Njëherazi, ajo nuk sjell asnjë të mirë në rajonin e Ballkanit. Sinjali u dha me deklaratën e Daçiqit, që nxitoi të kundërdeklaronte se Kosova është Serbi! Ndërkaq, nuk mund të mos polemizosh edhe me pretendime që duan ta përligjin deklaratën e kryeministrit turk me nevojën që paska Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët në rajon, për mburojën e Turqisë nga rreziku sllav apo grek.
Është evidente se në politikën serbe, si dhe në atë greke, ka korrente ende të fuqishme shovene kundrejt Kosovës dhe Shqipërisë. Por, është qesharake të mendosh se kërcënime të tilla (tashmë edhe ato vetë një farsë) duhen shmangur duke u vëllazëruar me një diplomaci turke me agjendë islamike. Do të qe një si rikthim tek i ashtuquajturi rrezik sllav për shuarjen e kombit shqiptar që Ismail Kadare, shkrimtari më i shquar i shqiptarëve, e ka denoncuar si një përrallë, si “një shpikje osmanistësh dhe neoosmanistësh, shqiptarë dhe turq bashkë, e cila, nga njëra anë përligjte sundimin osman, e nga tjetra ledhatonte krekosjen sllave për kinse fuqinë tërheqëse të sllavizmit”.
Por, edhe nëse vërtet e ardhmja do të ofronte një rrezik të tillë, shqiptarët, myslimanë e të krishterë, e kanë mburojën e tyre dhe nuk kanë nevojë për mburojë tjetër dhe aq më pak atë otomane. Do e gjejnë pikërisht tek ajo që luftoi duke sfiduar solidaritetin fetar të krishterë (shtete me popullata në shumicë të krishtera bombarduan një shtet tjetër të tillë si Serbia, për t’i dhënë pavarësi një vendi me shumicë myslimane) për lirinë e shqiptarëve nga sundimi sllav në Kosovë. Do e gjejnë tek Evropa, te SHBA, te NATO dhe Perëndimi. Edhe mbrojtjen turke mund ta përfitonin nëpërmjet NATO-s.
Evropa dhe Perëndimi me standardet e tyre të lirisë dhe të drejtës, janë garanci kundrejt çdo rreziku dhe padrejtësie shoviniste në Ballkan. Edhe sikur ato të nxiteshin nga qarqe politike në një shtet anëtar i saj siç është Greqia. Sa më pranë Evropës, standardeve të saj të lirisë, aq më të sigurt do të jenë shqiptarët, kudo në Republikën e Kosovës, në Republikën e Shqipërisë, në Maqedoni apo në Mal të Zi. Dhe agjendat islamike, ngado dhe sado vëllazërisht që të na serviren, nuk e afrojnë, por na e largojnë Evropën. Madje, ndonjë ditë, mund të na nxirrnin kundër saj.
(Marrë nga: Gazeta Shqip)
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Gjesti flet për Sara Kolamin: Nuk kam mundur asnjëherë të zihesha me të

Dëshmitari Ismet Tara i ashpër ndaj gjykatësve të Speciales: Krejt çka ndodhi gjatë seancës në Hagë

KQZ aprovon 63 mijë pako me vota nga diaspora, refuzon rreth 5 mijë tjera

Carlo Ancelotti mbeti i zemëruar kur ylli i Real Madridit u largua kundër dëshirës së tij

Në gjendje të rënduar emocionale - Gjesti dhe Egli tregojnë se janë konsultuar me psikologë brenda

Lille ia cakton çmimin kartonit të Edon Zhegrovës

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Mashtrimi me pension invaliditeti në Zvicër, gruaja nga Kosova përfitoi pa të drejtë 173 mijë franga

Egli tha se nuk e njeh, kundërpërgjigjet Xheneta: E di shumë mirë se kush jam

Mbyllja e qendrave ilegale për punë sociale në veri, analistët paralajmërojnë për raportet me SHBA-në

Zelensky: Kemi nevojë për 20 sisteme raketore Patriot, do t’i paguajmë

E zgjodhi për ta rikthyer në lojë, G Bani tani ndërron mendim për Gjestin - e quan lojtar të shkëlqyer

Merz përjashton edhe një herë koalicionin me AfD - pasi Weidel thotë se duart e saj janë 'zgjatur' për t'u bashkuar me një qeveri